Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot, një takim, në mjediset e jashtme të Spitalit Infektiv në Tiranë, me mjekët dhe ​infermierët e vijës së parë të betejës me COVID19. Me falenderimin e mirënjohen e thellë për punën e palodhur e vetëmohuese me të cilën po përballojnë situatën për muaj me radhë, Kryeministri Rama bëri me dije se së shpejti do të njoftohet konkretisht një rritje masive pagash për të gjithë mjekët dhe infermierët e Shqipërisë.

Bashkëbisedimi i Kryeministrit me mjekët e infermierët e vijës së parë: 
Kryeministri Edi Rama: Erdha t’ju përshëndes dhe t’ju falenderoj ju dhe ata që nuk janë dot këtu të pranishëm, por që punojnë me ju, me shumë mirënjohje dhe me shumë respekt, me shumë solidaritet dhe njëkohëisht, me keqqardhje për këtë stres të jashtëzakonshëm që duhet të përballoni. Ndërkohë që, edhe në kushtet e kësaj periudhe të vitit, me këto temperatura jeni të detyruar të mbingarkoheni me veshjet mbrojtëse, por kjo është pjesa që e bën zgjedhjen tuaj profesionale kaq fisnike dhe të veçantë mes gjithë profesioneve të tjera.
Keni dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe moral, për të gjithë bluzat e bardha të Shqipërisë. Keni treguar për shumë nga ata që flasin e flasin dhe nuk dinë se ç’bëhet, por thjesht kanë fjalën e keqe në majë të gjuhës, se e vërteta është që trupa jonë e mjekeve është një trupë qe meriton vetëm respekt dhe jo shtrembërime buzësh e lëre më baltë akuzash e sharje pa fund nga ato që keni dëgjuar gjithë këto vite. Për fat të keq dhe kjo është fatkeqësi botërore dhe jo vetëm e jona, na ra të përballemi me këtë mostër, por fatmirësisht na gjeti kjo luftë në një fazë ku, sidoqoftë, disa përmirësime të rëndësishme ishin bërë. Sepse, nëse do të ndodhte kjo fatkeqësi, larg qoftë, disa vite përpara, kur kjo strukturë spitalore, ju e dini vetë që s’kishte kapacitete logjistike dhe kapacitete nga pikëpamja e aparaturave për të përballuar një gjë të tillë, do ishte një katastrofë. Sigurisht ishte një sfidë e madhe publike, sepse, siç e keni thënë ju që ditën e parë, siç e kanë thënë të gjithë specialistët e shëndetit publik që janë marrë me këtë punë dhe siç e thonë të gjithë sot, kjo nuk është një betejë që zhvillohet thjesht dhe vetëm në spital. Kjo është një betejë që zhvillohet çdo ditë dhe çdokush duhet të bëjë rolin e vet, duke zbatuar ato rregullat e bezdisshme, por të thjeshta, për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
Ndërkohë që virusi, ju e keni thënë që në fillim, e përsëris, nuk ka ardhur për të ikur as për tre javë, as për katër muaj, por është këtu me ne, gjatë gjithë kohës, për një periudhë që askush nuk e di sa do zgjasë. Kështu duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me këtë dinamikë të re në jetën sociale, për shkak se nuk ja bëjmë dot ndryshe. Nuk mundet dot të zgjedhim mbylljen dhe izolimin për shkak se ajo sjell dëme dhe shkatërrime të natyrave të tjera, që në fund ka kosto shumë të madhe sociale, jo vetem në aspektin ekonomik, por edhe atë psikologjik.
Kemi edhe këtë sfidë të madhe të hapjes së shkollave. Fëmijët janë më pak të rrezikuar, por nuk janë të imunizuar. Ju e keni thënë këtë vazhdimisht. Plus që fëmijët janë transmentues. Ne kemi djalin që do shkojë në klasë të parë. Një fëmijë i vogël me maskë, Të cilit i thuhet “mos tako”, “mos u përqafo”, “rri larg”, “bëj kujdes” vendoset në një situatë që psikologjikisht është edhe e panjohur në pasojat që lë, edhe në aspektin e zakoneve që krijon. Ne të gjithë si prindër u themi fëmijëve, “përshëndete, takoje, jepi dorën”. Ndërkohë që duhet t’u themi komplet të kundërtat në shkollë dhe kjo është një sfidë e jashtëzakonshme.
Por ajo që  ja vlen të  thuhet është se nuk e kemi zgjedhur ne, na ka zgjedhur kjo sfidë.
Unë e di shumë mirë se jemi në kontakt të vazhdueshmë me ministren, që është në kontakt të vazhdueshmë me ju, se çfarë është bërë deri tani si plan, edhe në periudhën kur vjen gripi i stinës dhe vulnerabiliteti shtohet.
Ne kemi marrë masa për të rritur kapacitet vaksinuese për të lehtësuar aspektin e gripit të sinës, sepse, me çfarë kemi mësuar, një trup më vulnerabël e merr goditjen më të fortë dhe është më i rrezikuar dhe vulnerabiliteti që krijon gripi i stinës e bën më të rrezikshëm edhe Covidin. Kështu që kemi vendosur një financim të konsiderueshëm për vaksinimin falas. Kemi bërë edhe një rezervim për vaksinën, kur të dalë dhe kjo është njjë  histori më vete si vijon, pa llogaritur edhe këta kompetentët e FB, që flasin për “çipa” që do t’u futen në trup për t’i përgjuar ku do shkojnë dhe çfarë do bëjnë, që janë pjesë e fantazive të një kohe të çmendur në këtë aspekt.
Nga ana tjetër, përsa i takon strukturave jemi përgatitur që ta rrisim kapacitetin pritës dhe trajtues. Ajo që doja t’u thoja ju të  parëve, – sepse jeni ju  të parët që duhet ta dini dhe jo ta merrni vesh nga televizori, – është që po pregatitemi për një rritje masive në aspektin cilësor dhe në aspektin e shtrirjes së pagave. Duam të realizojmë një rritje pagash të konsiderueshmje, jo 5% apo 7%, që është një rritje për një kohë të zakonshme, që mund të konsiderohet për sektorë të tjerë, por jo për ju.
Duhet të bëjmë një rritje pagash të konsiderueshme. Ende po bëjmë kalkulimet për të finalizuar shumën, por ne duam që në aspekt të pages, – përtej bonusit të 1 mijë eurove që ju si mjekë në vijën e parë i merrni plus në fund të muajit dhe do t’i merrni deri në fund ato, – e po flas për të gjithë mjekët në Shqipëri, të jeni në një nivel, në mesataren e lartë të rajonit. Kjo është ambicia.
Nuk po flasim për një rritje që parashikohet sot për shumë larg në kohë, por flasim për një rritje që ta fusim në buxhetin e ri dhe ta bëjmë fakt qysh në fillim të vitit të ardhshëm. Pra, ta programojmë financimin dhe duke filluar që vitin e ardhshëm, të gjithë mjekët dhe infermierët të kenë një ngritje në pagë, që është plotësisht e merituar, por sidomos në këtë kohë.
Sigurisht, kjo nuk e kompenson aspektin fizik, moral e psikologjik, por është një mirënjohje  dhe një vlerësim objektiv, po  themi i detyruar, aq më tepër, sikundër dhe Ogerta e sqaroi dje, ne kemi ndërmarrë masa të caktuara me kohë dhe hap pas hapi që mjekët të mos largohen, ose më saktë, mes largimit dhe qendrimit të mos e kenë fare të thjeshtë dhe nga pikëpamja financiare të paktën të kenë një balancë. Që të kemi mjekë, këtu në Shqipëri, që të jenë të paguar në një nivel që kudo ku të shkojnë të mos kenë disnivel. Pastaj, zgjedhja profesionale është çështje tjetër. Ne kemi parë që edhe bonusi që kemi vendosur, 2,5 milionë plus për ata  që lëvizin nëpër spitale jashtë Tiranës, ka  funksionuar shumë mirë. E vërteta është që largimi ka rënë shumë ndjeshëm.
Edhe mjekët specializantë, një zgjedhje të parë e kanë të qëndrojnë dhe me sa kemi kuptuar, qëndrojnë jo nga halli, por sepse shohin si një mundësi të arsyeshme për të bërë këtu karrierën. Pastaj, në proces secili bën zgjedhjet e veta. Nuk mund të jemi edhe të hapur, edhe frenues, apo bllokues.
Do të bëjmë nje rritje pagash të konsiderueshme. Besoj se do të kemi edhe miratimin e profesorit, që e kemi mik të mirë në të gjitha drejtimet,  apo edhe në faktin që nuk përton të na kritikojë me të drejtë dhe me dashamirësi, pavarësisht se fjalët i ka të hidhura ndonjëherë, por i ka nga dëshira  e mirë, jo nga sensi i mohimit çfarë është bërë, apo nga përpjekjet që po bëjmë sepse të gjithë bashkë jemi në një varkë, si të thuash dhe secili po bën atë pjesën e vet.
Ne këtu po vazhdojmë, sepse ka ende punë për të bërë për ta modernizuar komplet QSUT-në, edhe me investimet e reja në Sëmundjet e Brendshme, Pediatrinë  e me radhë. Ne po bëjmë maksimumin, por, ashtu siç ju po luftoni me COVID-in dhe me pasojat që shihni në organizmin e secilit, mund të kuptoni që edhe ne kemi luftën me pasojat në organizmin e sistemit tonë dhe ka gjithandej organe të prekura që duhet të rehabilitohen. Por të paktën shëndetsinë nuk e kemi në fazën e intubimit. Kemi kaluar në një fazë terapie të qëndrueshme pavioni. Akoma nuk e kemi ngritur në këmbë që të vrapojë, por mendoj se jemi në rrugë të mbarë në këtë aspekt.
Edhe njëherë shumë faleminderit, realisht, me shumë respekt! I keni dhënë të gjithëve një shembull të jashtëzakonshëm të shërbëtorit publik. E kjo, në këtë kohë është diçka shumë e çmuar. Rënia e autoritetit të figurës së mjekut, apo të disa figurave qendrore të shoqërisë ka qenë e lidhur me sulmin e vazhdueshëm të mohimit dhe ajo që ndodh, – ju e keni parë vetë, – është se ata që shajnë më shumë nuk kanë shkuar vetë në spital, ose kanë shkuar në kohë të tjera dhe nuk e dinë fare se çfarë kanë ndodhur këto kohë në spital dhe mos ardhshin kurrë në spital, se nuk ua urojmë që të vijnë e ta shohin vetë se çfarë ndryshimesh kanë ndodhur. Por nuk kemi çfarë bëjmë, duhet t’i konsiderojmë hudhra për të mos marrë mësysh për punën që po bëjmë. Nuk kemi rrugë tjetër.
Edhe një gjë, që të jemi të qartë; Unë e kam nga profesori tjetër këtu, maska, në mjedise të hapura nuk është e detyrueshme, apo jo? Ju po më mbroni mua, unë ju falënderoj, por jemi në distancë të mjaftueshme. Ēshtë e çuditshme, sepse ka një konfuzion në këtë aspekt kudo. Në Austri, përshembull, nuk mban maskë askush më tani, me sa unë e ndjek. Në Francë mbajnë kur rrinë brenda, nuk mbajnë në rrugë. Në Itali e kanë vendosur në rrugë. Ndërkohë që ne po flasim dhe të tjerë na ndjekin, jam i bindur që janë duke më sharë “po ti pse nuk e vë maskën, apo je i gjatë e nuk të kap COVID, apo ti e di të vërtetën që nuk ka COVID dhe është një lojë?” Në fakt, këtë e kam të konfirmuar, që maska në mjedis të hapur, po të ruash distancën e po të mos bësh përqafime dhe shtrëngime duarsh, është ok. Apo jo?
Profesoreshë Najada Çomo: Faleminderit Zoti Kryeministër për ardhjen tuaj këtu! Mirënjohje shumë për juve,  mbështetjen që na keni dhënë dhe më shumë do thoja për mbështetjen që kemi pasur në mënyrë absolute nga ministrja e Shëndetësisë, që më shumë anon këtej, sesa nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Një informacion lidhur me situatën sot, në Shërbimin Infektiv. Natyrisht flasim për një situatë të rënduar në aspektin e shtrimit të pacientëve në spital, mbi 100 pacientë të shtruar sot që flasim dhe një përmbledhje shkurtër, nga 8 marsi deri më sot, numri i personave të shtruar në Shërbimin Infektiv është gati mbi 1000 persona, prej të cilëve 715 e kanë fituar betejën me COVID, natyrisht është një pjesë që e ka humbur betejën. Natyrisht, fitorja e kësaj lufte, kësaj mbijetese të pacientëve me OCVID është bërë falë mjekimit të marrë në Shërbimin Infektiv, falë barnave të ofruara në kohë rekord. Pra, ne kemi kërkuar çfarë kemi menduar dhe çfarë kemi parë në vendet e tjera në botë dhe qeveria ka ofruar menjëherë barnat që ne kemi kërkuar. Kështu që jemi në situatën që ne mjekojmë me standardet bashkëkohore në të gjitha aspektet.
Një lajm që dua ta ndaj me ju sot është që ka rreth 1 muaj e gjysmë që ne përgatitemi për plazmën hiperimune. Sot fillojmë mjekimin e  pacientëve me këtë plazmë dhe gjej momentin për t’i bërë thirrje popullatës që ka qenë e sëmurë nga COVID që të jetë dhuruese e gjakut, pikërisht për të dhuruar këtë plazmë, e cila është një komponent i rëndësishëm për të mjekuar pacientët që janë të sëmurë me COVID.
Ajo që doja të ndaja tjetër është që ne jemi një skuadër e madhe, doktorë, infermierë, sanitarë, një skuadër e bashkuar me ekipin e mjekëve reanimatorë. Qē ditën e parë kemi një staf të shtuar të mjekëve të terapisë intensive, kemi një staf të shtuar infermieror që nga muaji mars dhe tani kemi prurje të reja. Ajo çka mua më gëzon, në cilësinë e një njeriu që ka shumë vite punë në shëndetësi është që ka infermierë që nëpërmjet portalit vijnë me dëshirë e jo të imponuar dhe të jesh brez i ri që sapo ke mbaruar shkollën, për mua quhet një nderim dhe respekt për të gjithë ata kolegë që janë brenda, apo që janë për momentin në kushte shtëpie, që zgjedhin të punojnë në frontin më të vështirë, jo të detyruar, por me dëshirën e tyre e me thënë të vërtetën, U jam shumë mirënjohëse këtyre personave që zgjedhin të punojnë këtu.
Kryeministri Edi Rama: Fatmirësisht, ne e kemi mbyllur atë fazën e tmerrshme që infermierët caktoheshin me qoka paritake, apo me krushqira e me ryshfete. Tani është vetëm nëpërmjet portalit dhe portali është automatikisht selektiv dhe përzgjedhës i tyre, por edhe më e vërtetë është ajo që ju thatë, që fakti që zgjedhin dhe vijnë vetë për të punuar në këtë zonë të nxehtë të shëndetësisë sot është shumë domethënëse e meritojnë respekt dhe falënderime. Prandaj duam të mos mjaftohemi vetëm me fjalët që janë të sinqerta e të vërteta, por edhe me një mbështetje më të madhe financiare, që jam i sigurtë, në momentin kur ne do të vendosim – është çështje e pak kohe, ndoshta rreth 2 javë maksimumi, – që cili do të jetë niveli i rritjes së pagave, Ogerta do t’jua thotë ju të parëve.
Ogertën e keni adoptuar, kështu që unë kam një kritikë, e kam nga jashtë, në emrin tuaj, por nga jashtë, një tjetër që vë kujën në kuptimin e mirë të fjalës, e kam nga brenda që të jeni të sigurtë, që çdo gjë që ju diskutoni, apo nxitje dhe kërkesë që ju bëni tek Ogerta, Ogerta nuk jua kthen juve. I kam thënë po ktheja ndonjëherë atyre, pse vjen më thua kanë të drejtë, se edhe ne kemi të drejtat tona, por kjo nuk rezulton, kështu që më vjen shumë mirë për këtë sinergji që është krijuar midis Ministrisë dhe sektorit. Kjo vjen edhe nga fakti që Ogerta ka punuar me ju si drejtore dhe besoj e ka parë shëndetësinë nga brenda. Nuk vjen thjesht me teori dhe me qëllime të mira e dëshira të mira, por vjen pas një periudhe të gjatë relativisht në drejtimin e QSUT-së. E njeh QSUT-në në çdo cep, prandaj edhe acarohet në mënyrë të veçantë kur dalin flasin disa për kushtet në QSUT, se i ka parë vetē si kanë qenë dhe aty tek QSUT-ja sikur i prekin një krijesë të vetën.
Edhe diçka ndoshta duhet shtuar, është e rëndësishme se edhe këtu jemi midis dy ekstremeve. Një ekstrem janë mohuesit e COVID-it dhe një ekstrem tjetër, që janë më interesantë, janë ata që duan edhe liri, edhe mos ketë COVID, pra, ata duhet të shkojnë në klub, ata duan muzikë, ata duan të grumbullohen për dasma e fejesa. Duan t’i bëjnë të gjitha, siç i bënin përpara dhe qeveria duhet të vrasi COVID-in me çifte. Ajo që duhet theksuar dhe ne do vazhdojmë ta theksojmë me forcë është që ne do bëjmë atë që na takon, maksimumin nga ana jonë, ju po e bëni nga ana juaj, por budallëkun njerëzor, – flas për ata që janë normal nga trutë, por që kanë këtë sensin e budallëkut që nuk duan t’ia dinë, – ta thotë mjeku, ta thotë eksperti, ta thotë qeveria edhe në emër të tyre e ti nuk do ta dëgjosh dhe pastaj kthehesh dhe thua pse po më zë, apo pse rritet numri. Ne e kemi ditur që numri do rritej, e kemi diskutuar këtë gjë edhe kur ishim me ata të Komitetit, që në momentin që hapemi, numri do rritej, por bënte shumë sens karantina e fortë që bëmë. Na dha mundësinë të përgatitemi, dha një shok në kuptimin e mirë të fjalës, për të kuptuar që kjo nuk është lojë. Por nuk mund të rrimë në karantinë gjithë kohës, se mund të mbyllesh në shtëpi, larg qoftë nuk të shtyp makina, por, nëse do të dalësh në rrugë, do kesh edhe kujdes që mos të të shtypë makina. Është e njëjta gjë. Nuk është se ne u mbyllëm e virusi iku. Ai është këtu dhe numri i vdekjeve, për fat të keq është i pashmangsëhm, që shkon në një farë proporcioni me rritjen e të prekurve. Këtë e dimë shumë mirë se nuk është se po i shpëtojnë vdekjes në vendet me mjekësinë më superiore e nuk po i shpëtojnë këtu. Plus po shohim që numrat po rriten kudo me shpejtësi.
Në rajon kemi – lavdi Zotit! – një pozicion të qëndrueshëm dhe me një numër të ulët në raport me një pjesë të madhe të të tjerëve. Nga ana tjetër kemi më pak vdekje gjashtë mujorin e parë, sesa vitin e shkuar. E kemi rreth 3.2%, diçka e tillë. Kurse ka vende që e kanë më të rritur. Janë të gjitha dinamika që askush nuk arrin sot t’i lidhë të gjitha dhe të japë një konkluzion. Ju i përkisni kësaj shkence e si asnjëherë më përpara dëgjoni zëra autoritarë, që i respektoni se i njihni nga revistat, i njihni nga leximet, që njëri thotë një gjë, tjetri thotë të kundërtën komplet dhe hajde gjeje. Është befasi e madhe. Në këtë aspekt e them këtë jo për ju, se ju e dini, por e them për ata që na ndjekin, që nuk ka edhe kështu, edhe ashtu. Edhe të gjitha si më parë, edhe të mos kemi rritje të numrave. Numrat do rriten objektivisht. Ne do bëjmë çmos t’i mbajmë në një rritje që vjen nga pamundësia për ta shmangur, por jo që rritet se shkojnë në festë me shkumë. Kështu që duhet gjetur një ekuilibër.
Shumë faleminderit!
Respekte profesor!
Respekte të gjithëve!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.