Takimi online i Kryeministrit Edi Rama me drejtorët e Drejtorive Arsimore në prag të nisjes së vitit të ri shkollor 2020-2021:
E dëshirova këtë takim, bashkë me ministren tuaj, për të thënë disa fjalë lidhur me këtë vit të ri shkollor në një situatë të jashtëzakonshme, kur tingëllojnë shumë të vërteta dhe shumë aktuale fjalët e Sami Frashërit, që thoshte: “Mësimi më i madh në këtë botë është vështirësia, s’ka sukses që nuk has në vështirësi”.
E faktikisht, vështirësia është sfida më e madhe për t’u kapërcyer në këtë vit shkollor nga të gjithë së bashku, duke patur parasysh se çfarë rëndësie madhore ka shëndeti i të gjithëve dhe duke patur parasysh që fëmijët nuk janë të imunizuar plotësisht nga ky virus. Pavarësisht faktit që marrja e virusit nga fëmijët është në tërësi më pak e rrezikshme, por jo e parrezikshme sesa për më të mëdhenjtë, zinxhiri i transmetimit nuk ndërpritet aty, por ndodh si për të gjithë të tjerët.
Kështu që, duke parë se çfarë ndodh nëpër botë dhe duke analizuar edhe numrat e faktet epidemiologjike në vendet e tjera, pa diskutim që jemi të shqetësuar lidhur me domosdoshmërinë për një nivel maksimal performance të të gjithë zinxhirit të drejtimit të shkollave.
Për këtë arsye, Ministria e Arsimit ka kryer një punë të thelluar dhe ka vënë në dispozicionin tuaj një Udhëzues goxha të detajuar për fillimin e vitit shkollor 2020-2021. Por, përtej çfarë është studiuar dhe duke u analizuar me shumë përgjegjesi dhe përgjegjshmëri është hedhur ne këtë Udhëzues, suksesi në zbatimin e tij lidhet me dyfishimin, trefishimin, shumëfishimin e energjive që ju me gjithë skuadrat tuaja, së bashku me drejtuesit e shkollave dhe me mësuesit, duhet të vini në dispozicion të këtij viti. Që do të thotë, duhet ta bëni natën, pa u lodhur dhe pa pushim dhe të jeni në krye të detyrës në terren, ju personalisht dhe të gjithë ata me të cilët ju punoni çdo ditë, për të ndjekur me rigorozitet zbatimin e Udhëzuesit nga gërma e parë në gërmën e fundit, nga faqja e pare në faqen e fundit.
E këtu nuk është më çështja për të kryer një detyrë shtetërore, por çështja është për të qenë në këtë detyrë shtetërore në lartësinë e një humanizmi të spikatur të gjithë ju dhe për të qenë shembull e burim kurajoje, burim energjije, burim besimi për të gjithë njerëzit e sistemit arsimor, që nga drejtuesit e shkollave, deri tek çdo mësues, përfshirë prindërit. Kjo do të thotë që Udhëzuesin, jo vetëm që duhet ta mbani mirë parasysh në çdo paragraf të tij, por duhet ta mishëroni ju të parët.
E dini shumë mirë që funksionimi i shkollës do të jetë ndryshe nga ditët e tjera. Shkollat do të funksionojnë me një, dy deri me tre turne.
Ashtu sikundër e dini që 1097 shkolla kanë një turn, 479 shkolla kanë dy nënturne dhe 183 shkolla kanë tre nënturne.
Për shkollat me numër të madh nxënësish, mësimi do të zhvillohet me turne dhe me orë 30 minutëshe mësimi, ku në klasa, në mënyrë absolute duhen respektuar rregullat dhe nuk duhet të ketë në asnjë rast më shumë se 20 nxënës.
Për shkollat që do të zhvillojnë mësim të kombinuar, klasat do të zhvillojnë javën e parë në mjediset e shkollës, javën e dytë online dhe nxënësit, sipas këtij skenari do të vlerësohen vetëm për mësimin në shkollë.
Dje u hapën 600 klasa në shkollat publike në të gjithë Shqipërinë, para fillimit të vitit shkollor, për 4500 nxënës që e kishin të pamundur gjatë fillimit të karantinës që të ndiqnin mësimin online. Me rregullat e distancimit fizik, nxënësit e klasave të para deri në të pesta duhet të plotësojnë njohuritë në dy javë, deri në 11 shtator kur nis formalisht dhe praktikisht viti i ri shkollor. Në këtë process janë 2600 mësues që janë trajnuar në muajin korrik. Por procesi i përsëritjes do të vijojë edhe në dyjavëshin e fillimit të shkollës me të gjitha klasat e sistemit arsimor parauniversitar.
Ndërkohë, të gjithë institucionet arsimore që po marrin masat për fillimin e viti të ri shkollor, duke patur prioritet ruajtjen e shëndetit, janë absolutisht në një sfidë të jashtëzakonshme, jo thjeshtë për të filluar, por për të vazhduar dhe për të mbaruar një vit shkollor që kalendarikisht do të jetë si të tjerët, por faktikisht do të jetë shumë herë më i gjatë e më i vështirë se të gjithë të tjerët. Prandaj pas trajnimit të vazhdueshëm të drejtuesve të institucioneve arsimore, takimeve në bashkëpunim me pushtetin vendor, pajisjen me bazë materiale të nevojshme, ku shtohen këtë vit, detergjentët, dorezat, maskat, dezinfektatët me bazë klori dhe alkol, termometra, etj., do të ketë edhe një person të dedikuar nga sistemi i shëndetit publik pranë shkollës.
Ju lutem shumë, personat e dedikuar nga sistemi i shëndetit publik pranë shkollës duhet të jenë kontakti juaj i përditshëm, jo për t’i pyetur formalisht, as për t’i shtuar presionin normal të kësaj pune, apo normale që në këtë punë të kenë presion më të madh, por për t’i inkurajuar, frymëzuar dhe për t’iu gjendur pranë në çdo moment, duke këmbyer informacion dhe duke qenë ju, ata që garantoni që të gjitha observimet dhe lëre pastaj ankesat apo kërkesat e personave të dedikuar të sistemit shëndetsor publik të ndiqen në kohë reale.
Në dijeninë time procesi i vijëzimeve të nevojshme në oborret e shkollave për mënyrën e futjes së nxënësve, që duhet të bëhet duke ndjekur shenjat dalluese, po përfundon. Sigurimi i distancës fizike 1,5 deri në 2 metra në të gjithë mjediset e tyre është domosdoshmëri. Por thënë kjo, është absolutisht e domosdoshme që të kuptohet drejtë dhe thellë, jo vetem nga të gjithë ju, por nga të gjithë personeli jonë arsimor, që këtu nuk bëhet fjalë për të vendosur në rresht persona adultë, këtu nuk bëhet fjalë për të vendosur në rresht, burra dhe gra, djem dhe vajza, që janë në moshën e tyre të pjekurisë. Këtu bëhet fjalë për të disiplinuar sjelljen në mjedisin social të një grupi moshash shumë delikate. Prandaj është e domosdoshme që ky proces të kryhet me përkushtim të madh, me durim të madh, jo me britma, jo me masa shtrënguese për njërin dhe për tjetrin, por me një përpjekje të posaçme për ta shpjeguar “pse“-në.
Kemi lindur të gjithë dhe jemi rritur në një familje ku na kanë thënë sa e rëndësishme është të japësh dorën kur përshëndetesh, ku na kanë thënë sa e rëndësishme është të socializohesh me të tjerët dhe sa e rëndësishme është të kuptosh që “tjetri” është si “ti”.
Kjo që duhet të bëjmë, për fat të keq është t’i biem ndesh pikërisht parimit fillestar të jetës së njeriut të një qënie sociale dhe distancimi social është rënia ndesh me këtë parim. Por, nëse për ne të rriturit, kjo është lehtësisht e kuptueshme nga pikëpamja logjike, por jo tërësisht e zbatueshme, sepse inercia e një jete të tërë, e zakoneve të mira të një jete të tërë le të themi, na rrëmben. Por kjo nuk është lehtësisht e kuptueshme për moshat që fillojnë shkollën, sidomos ato më të vogla.
Gjithë sistemi i mbrojtjes, që nga maskat e deri tek të gjitha aspektet e tjera të një logjistike krejtësisht të re në jetën tonë, por shumë befasuese për ata që janë më të vegjël, kërkojnë një qasje prindërore në kuptimin më të thellë të fjalës, nga ju të parët dhe nga çdo mësues, nga çdo individ i rritur në mjedisin e shkollës, që kryen një detyrë si personel. E këtu që ta themi deri në fund është absolutisht e qartë që beteja juaj e përditshme lidhet drejtëpërdrejtë me nevojën për të mbajtur parasysh që jo të gjithë mësuesit janë lehtësisht të disiplinueshëm në këtë kornizë të re, sepse edhe mësuesit janë njerëz që vijnë nga një jetë familjare që ka streset e saj, në një masë të madhe janë nëna që kanë fëmijët e tyre në shtëpi dhe nuk janë robotë, por duhet që dhe ata të jenë në mënyrë të vazhdueshme nën përkujdesjen, jo kontrollin tuaj, nën përkujdesjen e të gjithëve ne, nën përkujdesjen e të gjithë drejtuesve të shkollave që janë personat kyç, që janë pika lidhëse në këtë betejë mes jush dhe asaj që ndodh në të përditshmen e shkollës. Kjo është si gjithmonë e njëjta gjë, por në këtë rast me barrën e kësaj gjëje të jashtëzakonshme më të cilën duhet të merremi çdo ditë, të merreni çdo ditë dhe të merren çdo ditë.
Ne kemi dyfishuar punonjësit e shërbimit psikosocial dhe kemi shtuar mbështetjen për nxënësit me aftësi të veçanta;
Mbështetjes me staf shtesë për përballimin e mësimit me turne për shkak të kushteve të distancimit fizik;
Mbështetjes me transport për rreth 3000 nxënës të shkollave të mesme që lëvizin për shkak të tërmetit në shkolla të tjera, – se është edhe kjo pjesë, – në zonën më të populluar të Shqipërisë, që është një problem mbi problemin, mbi 5 kilometra larg në këto raste.
Monitorimit të shpërndarjes së teksteve shkollore falas në shkollë, po nuk iu shtua në mënyrë të përditshme, në mënyrë ë përminutshme përkujdesja, e përsëris, përkujdesja e posaçme e juaja personalisht, si misionarë humanistë, jo thjesht si drejtuesit, si menaxherët dhe si kontrollorët e një pune që duhet bërë se këto janë të gjithë elementë që nuk mund të zhbëhen, por përkundrazi duhet të forcohen, do të rezultojnë jo të pamjaftueshme, por të padobishme. Këtu bëhet fjalë për të mobilizuar një armatë të tërë jo profesionistësh thjesht, por një armatë të tërë humanistësh, për të mobilizuar shpirtin dhe trurin e kujtdo që ka këtë përgjegjësi kaq të madhe, sot, që të shkojë në një institucion arsimor për të dhënë dije, ndërkohë që bashkë me dhënien e dijes dhe me kujdesin e përditshëm tradicional duhet të shtojë dhe vëmendjen e posaçme dhe përkujdesjen për shëndetin e çdo fëmije. Një shëndet që rrezikohet nga kontakti i fëmijës me fëmijën, imagjinoni se çfarë sfide është kjo, imagjinoni se çfarë sprove psikologjike dhe morale është kjo për mendjen dhe për trupin fizikisht të mësuesve që duhet të merren çdo ditë me këtë punë. Prandaj është shumë e rëndësishme që ju t’i kuptoni këto fjalë në thelbin e tyre dhe të kuptoni që më shumë se asnjëherë tjetër, në rolin e drejtuesit jeni prindër dhe keni barrën e pashmangshme, për sa kohë jeni në atë detyrë, të të qenit prindër të mijëra fëmijëve, por edhe si prindër të mijëra mësuesve. Prandaj duhet të harmonizoni më së miri në rolin tuaj, drejtorin me prindin, kontrollorin me kujdestarin, atë që ngre zërin me atë që të thotë me urtësi dhe me qetësi fjalën e duhur në momentin kur ti ke nevojë. Kjo punë duhet bërë me shumë forcë, por me edhe më shumë dashuri.
Unë kam besim dhe nuk e them kot këtë tani, por kam besim sepse e di punën që është bërë gjatë gjithë këtyre viteve nga Drejtoria e Përgjithshme, nga drejtoritë dhe zyrat arsimore, E vërteta e do që të thuhet se Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniveritar dhe drejtoria arsimore dhe zyrat arsimore, në gjithë kornizën e madhe të institucioneve të shërbimeve shtetërore janë ndër më të mirat, pa diskutim! Me heqjen qafe të kthetrave të influencës partiake, farefisnore, korruptive në përcaktimin e mësuesve, në përzgjedhjen e mësuesve dhe me lehtësimin e madh që i është bërë këtij sistemi nga barra e tmerrshme e padrejtësisë në këtë proces, i cili tanimë është konsoliduar përmes portalit Mësues për Shqipërinë dhe është objektivizuar në një shkallë shumë të lartë, edhe pse akoma, tek – tuk, subjektivizma, gjithë sistemi i drejtimit të arsimit i janë kthyer punës së tyre që është të zbatojnë në terren një vizion dhe një mision të artikuluar në strategjitë, në planet, në objektivat dhe në qëllimet e qeverisë.
Nga ana tjetër, ndërkohë që sistemi i administrimit të arsimit është në një proces reformimi të vazhdueshëm dhe është në një proces konsolidimi të vazhdueshëm, na shfaqet përballë kjo vështirësi e jashtëzakonshme, që bëhet edhe më e jashtëzakonshme për faktin se sistemi ynë nuk është akoma i konsoliduar plotësisht dhe këtu, boshllëkun e madh duhet ta kompensojmë sa të mundemi me frymën njerëzore dhe me angazhimin njerëzor të të gjithë sistemit të drejtimit. Ju jeni sot, doni apo nuk doni, në krye të një ndërmarrjeje jashtëzakonisht të madhe e të vështirë humanizmi.
Nuk desha të zgjatem më shumë me specifikat e punës suaj në zonën e prekura nga tërmeti, ku, siç e keni parë, ka një valë intensive rindërtimi, por ku faktikisht, teksa shkollat rindërtohen, problematika e kësaj situate është edhe më komplekse për shkak të mungesës së infrastrukturës së nevojshme. Prandaj, ata drejtues që kanë barrën të jenë në krye të drejtorive dhe zyrave të zonës së prekur nga tërmeti, e kanë edhe më të madhe sfidën sesa të tjerët dhe prandaj u kërkoj atyre që të mirëkuptojnë thellësisht këto fjalë e të mirëkuptojnë thellësisht këtë situatë.
Numrat vetvetiu do rriten. Këtë e dimë nga gjithë praktika ndërkombëtare dhe nga gjithë analiza e arsyeshme e faktorëve që nxisin rritjen e numrave. Është një hapje e madhe brenda gjithë hapësirës tanimë të hapur plotësisht të Shqipërisë, që do të shtojë numrat, por ka rritje e rritje. Mbi të gjitha ka rritje që vjen si rezultat i mungesës së bërjes së të gjitha yzmeteve të nevojshme kësaj pune, që është një rritje katastrofike me pasoja të rënda. Ka dhe një rritje objetive që vjen si rezultat i një përpalljeje të përditshme me këtë armik të padukshëm. Ne sigurisht që duam këtë të dytën. Nuk e shmangim dot, nuk e rrethojmë dot territorin e shkollës me mure të atilla që të mos lejojnë hyrjen e virusit në atë zonë, por ama, nga mënyra se si ne do të bëjmë punën, se si ju do të bëni punën, se si gjithë sistemi do të bëjë punën, do të varet shumë pjesa tjetër, rezultati.
Rezultati në këtë rast nuk është një notë, nuk është as një tërësi notash në një shkollë, nuk është as një mesatare notash në një zonë shkollash, por është shëndeti i fëmijëve.
Mbajtja mbyllur e shkollave nuk ishte opsion dhe këtë na e thotë eksperienca e të gjitha vendeve. Hezitimi dhe tërheqja zvarrë e këtij procesi nuk është opsion. As për shkollat, as për shoqërinë. Pse?
Për një arsye shumë të thjeshtë: virusi nuk ka ikur e nuk ka për të ikur deri kur të paktën të dalë një vaksinë e besueshme dhe e pranuar botërisht. Që do të thotë se në vend se të presim ikjen e virusit me magji, që nuk do ndodhë, në vend se të hymë në rrugën pa krye të teorive të konspiracionit për mungesën e virusit, që është një rrugë çmendurie dhe në vend se të presim që këtë gjë ta zgjidhë shteti, ndërkohë që ne si qytetarë duam t’i gëzohemi lirive tona, duhet që të gjithë të marrin përgjegjësinë. Shteti ka bërë, po bën e do bëjë deri në fund detyrën e vetë. E mira nuk ka fund, patjetër çdo ditë, duke u përpjekur të përmirësojmë, por budallëkun njerëzor të secilit, secili duhet ta luftojë vetë. Nuk e lufton shteti, nuk ka një mjet për ta luftuar budallëkun njerëzor të secilit, kur vjen fjala këtu jo për të shkelur ligjin, apo për të bërë krime, por, kur vjen fjala për t’i bërë dëm vetes, se t’i japësh dorën dikujt, të shkosh e të bëhesh mizë lisi në një festë, në një dasmë, apo në një funeral, të mos respektosh distancat e të mos bësh të gjithë ato protokollet e thjeshta, larja e duarve e të tjera, nuk është krim, nuk është shkelje ligji, nuk është një akt i dënueshëm shtetërisht, është një akt budallëku në dëm të vetes. Por, nëse këtë budallëk në dëm të vetes tek të rriturit mund ta quajmë të tillë, është e pamundur t’i vëmë këtë emër tek fëmijët. Prandaj roli juaj, roli i gjithë sistemit bëhet jashtëzakonisht kyç, jetik, në kuptimin e plotë të fjalës dhe i vështirë. Por për njerëzit janë të gjitha, kur thonë pleqtë, e patjetër që për drejtuesit, në çfarëdo niveli, ngjarjet nuk mund të kontrollohen, ngjarjet ndodhin dhe kjo është një ngjarje e madhe që i ka ndodhur botës, i ka ndodhur Shqipërisë dhe i ndodh sistemit arsimor shqiptar. E me këtë ngjarje, sistemi duhet të përballet dhe është një ngjarje që zhvillohet në kohë dhe e bën sfilitëse si ngjarje dhe për këtë arsye duhet kurajë, kthjelltësi, durim i madh dhe vullnet i jashtëzakonshëm.
Unë uroj që t’i keni të gjitha këto për veten tuaj, përveçse për të tjerët, që të mund t’i thoni vetes nesër që në atë kohë, unë isha në atë pozicion dhe arrita të bëj më të mirën.
Me me ministren do të zhvilloni në detaje diskutimin dhe për të krijuar një rrugë komunikimi që do të vazhdojmë ta mbajmë të tillë, në mënyrë sistematike sipas një kalendari të përcaktuar bashkërisht, patjetër edhe sipas nevojave, në rast se (larg qoftë!) do të kemi ndonjë emergjencë.
Faleminderit!