Fabrika e përpunimit të frutave dhe perimeve, në Tamarë të Malësisë së Madhe, është një sipërmarrje mbresëlënëse, e ngritur me zgjuarsi dhe përkushtim nga njerëz të punës, falë edhe mbështetjes së Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural. Kryeministri Edi Rama vizitoi sot, këtë fabrikë, e cila ngrihet moderne në tokën ku më parë nuk kishte asgjë, madje as rrugë për të shkuar, por që sot, Programi Kombëtar i Rilindjes Urbane e ka transformuar rrënjësisht qendrën e zonës, duke e kthyer në një destinacion turistik mes natyrës mahnitëse.
Frida Krifca, Drejtore e Përgjithshme e AZHBR-së, shpjegoi se vetëm një vit pas nënshkrimit të kontratës me Agjencinë është arritur të ngrihet dhe konsolidohet fabrika agropërpunuese e përgatitjes së esencës së frutave dhe prodhimit të lëngjeve natyrale, një biznes shumë i rëndësishëm për zonën. “Këtu më parë nuk ka qenë asgjë, vetëm një shesh. Një vit më parë e kemi kontraktuar, më 29 korrik të vitit 2019 dhe puna ka ecur me ritme shumë të shpejta. Sot jemi në përfundim. Është pjesë e Programit IPARD. Është fabrikë e standardeve europiane përsa i takon cilësisë dhe garancisë së produkteve që ofrohen. Volumi i frutave-perimeve që synohet të grumbullohet dhe përpunohet llogaritet në tre tonë në orë. Është një sasi shumë e madhe, që do të ndryshojë totalisht zinxhirin e vlerës për fermerët. Jemi në një investim, i cili ka shkuar në rreth 2 milionë euro dhe është shumë i domosdoshëm për zonën.”
Duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e investitorëve, Kryeministri Rama inkurajoi promovimin e prodhimeve të zonës, edhe përmes emërtesave të produkteve me emra shqiptarë të krahinës ku ato prodhohen.