Në Bashkinë Malësi e Madhe, Shkodër, nga fundi i nëntorit, do të ketë ujë 24 orë pa ndërprerje në rubinetet e çdo familjeje të kësaj bashkie. Pas dekadash tashmë po zgjidhet problemi i furnizimit me ujë të pijshëm për këtë bashki, ku si pasojë e rrjetit të degraduar të viteve ’70-ve, banorët e kësaj zone urbane furnizoheshin me nga 2 deri në 5 orë ujë në ditë. “Investim që sjell “ndryshim radikal në furnizimin me ujë” e vlerësoi Kryeministri Edi Rama, i cili i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pa nga afër punimet në këtë kantier.
Duke shpjeguar investimin, ministrja Balluku tha se “kjo është një zonë ku investimi ka qenë i domosdoshëm, pasi nga viti 1974 nuk kemi pasur investime të tjera. Gjatë periudhës së dimrit mbi 75% e banorëve furnizohej me vetëm 5 orë ujë, ndërkohë që gjatë stinës së verës nga 1-2 orë. Për të mos folur për 25% të banorëve, të cilët edhe në stinën e dimrit kishin vetëm një orë ujë dhe në stinën e verës, ditë pa ujë. Me investimin prej 3.5 milionë dollarë që po bëjmë, furnizohen sipas parametrave tona, pra, me 150 litra ujë në ditë për frymë dhe me 24 orë ujë në ditë 13 505 banorë.”
Si në shumë zona të tjera të Shqipërisë, ku po investohet në modernizimin e sistemit të furnizimit me ujët të pijshëm, edhe këtu po ndërrohet komplet rrjeti i ujësjellësit, duke u zëvendësuar me një rrjet modern shpërndarës, që do të përmbushë nevojat e banorëve, si dhe do të garantojë dhënien fund të epokës së humbjeve të pafundme të ujit, por edhe të financave vendore. Punimet, sipas drejtuesit të projektit, do të mbyllen brenda muajit nëntor dhe përfshinë rikonstruksionin e dy depove të ujit dhe ndërtimin e një depoje të re, 90 kilometra linjë transmetimi dhe vendosjen 100% të matësve. Po ashtu, po investohet në ujësjellësin e Bajzës, me 57 kilometra linjë transmetimi, që do të garantojë 24 orë ujë.
Lëvizjet demografike të pas viteve ’90-të nuk u shoqëruan me asnjë investim në sistemin e furnizimit me ujë, por investimet që po kryhen në sistem në 55 qendra urbane po sjellin një ndryshim radikal. “Para viteve ’90-të, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, konsumi ishte shumë më i ulët. Para viteve ’90-të ishin shtëpitë shumë më pak sesa sot dhe nuk kishte biznese siç ka sot. Për të mos folur për të gjithë këto hapësira të reja që po krijohen për investime këtu, me turizëm e me agro-përpunim. Fakti që gjithë kjo lëvizje e madhe demografike nuk u shoqërua me asnjë plan, por, përkundrazi, u la në rrjedhje të lirë, është një kusur i shumë viteve që duhet që njerëzit ta kuptojnë, nuk mund ta shlyenim as në vitin e parë, as të dytë e të tretë, kur duhej të shlyenim malin e borxheve. Ndryshimi radikal që po bëhet në të 55 qendrat urbane, nga plani që kam parë, brenda vitit të ardhshme vjen uji 24 orë. Edhe Tirana që është rritur në mënyrë eksponenciale ka një përmirësim shumë të ndjeshëm dhe do të vazhdojë të përmirësohet me investimet e tjera që po bëhen. Është ndryshim esencial.”
Deri më sot, sipas vlerësimeve të drejtuesve të ndërmarrjes së ujësjellësit, humbjet kanë qenë në nivelin 70-80%, por që, duke qenë se po rinovohen të gjithë rrjetet, humbjet kthehen pothuajse në humbje teknike dhe ndërmarrjet kthehen në rentabël.