Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Financimi në sektorin e fermave organike po shtrihet edhe me mbështetjen edhe të Agjencisë për Zhvillim Rural dhe Bujqësor, si në zonën e Fishtës përmes vizionit të Altin Prengës, babait të “Mrizit të Zanave”, shumë fermerë janë bashkuar duke konsoliduar kështu jo vetëm prodhimin, por edhe fitimin e tyre.

Kryeministri Rama zhvilloi një takim me disa nga fermerët që përfitojnë nga skema e mbështetëse për fermat organike ku fokusi është tek rritja e prodhimit, ofrimi i avantazheve konkurruese, duke krijuar bazat e një bujqësie moderne dhe konkurruese. Fermerët, përmes kësaj skeme vitin e parë përfitojnë financim në vlerën 100 000 lekë, në vitin e dytë, 150 000 lekë dhe 200 000 lekë për fermë të certifikuar.

“Të gjithë këta që kemi këtu janë fermerë që prodhojnë rrush dhe janë në vitin e parë, të dytë ose të tretë të certifikimit të fermave të tyre organike. Kjo fermë këtu është në vitin e dytë të certifikimit”, – tha drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, e cila gjithashtu i bëri thirrje fermerëve të tjerë të bashkohen në mënyrë që të ulin kostot dhe të rrisin cilësinë e prodhimit, duke përfituar nga kjo mbështetje e AZHBR-së.

Këto investime do të mund të plotësojnë nevojat e tregut vendas për prodhime të një standardi dhe cilësie të lartë. “Duke zhvilluar “Mrizin”, siç e kishe ti vizionin Altin, do fillojë gjithë zona të punojë në zinxhir, sepse faktikisht zinxhiri është gjithë problemi. Mund të prodhosh, por ku e çon?

Kur bashkohesh, secili më vete bën prodhimin e vet, por, nëse harmonizon gjithë procesin, çfarë fare, çfarë metode dhe në shitje bëhesh bashkë, secili merr atë që i takon, por ka shumë më tepër fuqi negociuese. Shoh disa që dalin dhe i hedhin në lumë. Patjetër që do i hedhësh në lumë, nëse nuk bashkohesh që të kesh fuqi negociuese e të kesh masë, se po nuk pate masë, t’i blejnë për dy lekë”, – tha Kryeministri, teksa shtoi se, “çelësi është i thjeshtë. Kush ka tokën, ujin afër dhe këtë klimë dhe ankohet që nuk ka punë, nuk do të punojë. Është shumë e thjeshtë. Toka në Shqipëri është thesar. Mjafton të kesh durimin dhe hap pas hapi të ngrihesh e sigurisht pastaj të bashkohesh”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.