Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama ishte sot, i ftuar në takimin e organizuar në Athinë nga “The Economist”: Ballkani Perëndimor përtej 2020-s.

Sfidat e zgjerimit të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor, edhe në kontekstin e krijuar nga pandemia e COVID-19, ishte një nga çështjet e ngritura nga paneli, për të cilën Kryeministri Rama u shpreh:

“Gjyshja ime thoshte: Fqinji i lumtur, shtëpi e lumtur. Nuk ka shtëpi të lumtur, pa një fqinj të lumtur. Përvoja tregon se ka qenë një grua vërtetë inteligjente. Mendoj se Ballkani Perëndimor nuk mund të lihet mënjanë dhe nuk duhet lënë mënjanë, pasi realiteti është i dukshëm, jeta është edhe më e fortë sesa realiteti. E natyrisht, nëse Ballkani Perëndimor, sot gjendet në një moment mjaft inkurajues sa i takon potencialit për bashkëpunim që po çlirohet, edhe pse ngadalë, edhe pse me vështirësitë e tij, kjo nuk do të thote se gjërat nuk mund të përkeqsohen në rast se dëshpërimi dhe ndjesia e të lënit mënjanë mbizotërojnë kundrejt ambicies dhe dëshirës për të qene pjesë e familjes europiane.
Më lini t’u them se pandemia tregoi diçka vërtetë tronditëse dhe të paimagjinueshme përpara se të ndodhte. Sa e prekshme është bota sot dhe sa e ngjashme ishte situata, pavarësisht madhësisë së vendeve, pavarësisht fuqisë së tyre dhe pavarësisht nivelit të njohurive dhe shkencës në çdo vend.
Duke hedhur sytë nga vendet e mëdha që po luftonin për maska çdo ditë dhe të mendosh trilionat e investuara në ushtri, në shkencë, ishte mjaft tronditëse. Nga ana tjetër ishte njëfarësoj ngushëlluese për ne, sepse pamë se përnjëherë nuk kishte të mëdhenj e të vegjël, të fortë e të dobët, ishin të gjithë në të njëjtën varkë. Dua të shpresoj e besoj se ky mund të jetë një mësim i mirë, sesa shumë të ndërlidhur jemi sot dhe sa sigurimi, siguria e prosperiteti i njërit varet nga siguria, sigurimi dhe prosperiteti i të tjerëve.

Kësisoj, ideja e ndërtimit të kështjellave dhe e ndarjes së botës në kështjella në ndryshme, apo e Europës në kështjella të ndryshme, është çmenduri dhe nuk është zgjidhja që pretendohet që është. Unë besoj fort që duhet menduar për këtë dhe ne, – them “ne” për ne në rajonin e Ballkanit Perëndimor – jemi shumë të qartë për këtë. Por në të njëjtën kohë e përmenda dhe më parë, BE-ja nuk është në formën e vet më të mirë. Vuan nga shumë shpërqëndrime dhe vuan nga një frikë shumë e ndjeshme. Ne mund ta ndjejmë, ka frikë për të ardhmen në BE. Duket disi sikur populizmi, sikur nevoja për t’u rizgjedhur, kanë krijuar një lloj përzjerjeje që kohë pas kohe shndërrohet në politika dhe dëmton të ardhmen e projektit të madh që është BE-ja.

Unë nuk mendoj se ende nuk ka një përgjigje të duhur dhe kjo natyrisht krijon hapësirë për pasiguri dhe për ndjesi, reagime të çuditshme. Megjithatë, unë besoj se në këto madhësitë tona modeste, në pozicionin tonë të përulur, duhet të bëjmë maksimumin dhe kjo është kyçe për ne. Është kyçe për Shqipërinë të forcojë marrëdhëniet me fqinjët, të zgjidhë problemet e së shkuarës. Maksimumin prej faktit që kemi një jetë si të thuash, të përzjerë, pra, ka shumë shqiptarë që jetojnë në Greqi, ka shumë grekë që jetojnë në Shqipëri. Po ju sjell një shembull. Vlen e njëjta gjë edhe për Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut është e bazuar në këtë harmoni midis maqedonaveriorëve dhe shqiptarëve. Kështu edhe Kosova, kështu edhe Serbia, kështu dhe çdo vend në rajon. Ne duhet të ndryshojmë njëherë e përgjithmonë qëndrimin dhe t’i shohim këto prani në shtetet tona si një thesar i jashtëzakonshëm dhe na duhet ta kremtojmë këtë thesar, të nxjerim maksimumin prej kësaj. Duke ua lënë trashëgimi fëmijëve dhe fëmijëve të fëmijëve tanë, këtë burim të jashtëzakonshëm energjie dhe harmonie, që është të pasurit e të tjerëve në shtëpinë tënde e t’i bësh të ndihen si të jenë në shtëpinë e tyre.

Është po kështu thelbësore që të jemi më të fortë kur goditemi nga valët e populizmit, apo të pakënaqësisë që kanë përherë prirjen që të sulmojnë tjetrin, pra, të sulmojnë atë që është e ndryshme, atë i cili bëhet papritur i huaj, edhe pse ka qenë aty prej shekujsh, apo prej dekadash. Pavarësisht kohës, pra, që kanë familje, fëmijë, që flasin të dyja gjuhët dhe që janë të gatshëm të japin më të mirën për atë shtëpi,” – u shpreh Kryeministri lidhur me sfidat në rrugëtimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Sa i përket interesimit të shprehur në panel mbi marrëdhëniet dypalëshe, Kryeministri Rama u shpreh:

“Për zonjën e nderuar që bëri pyetjen, do të thoja thjeshtë që kjo ka qenë një marrëveshje, e cila është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Jam shumë besimplotë që jemi në rrugën e duhur. Kemi zhvilluar një dialog intensiv me qeverinë e kaluar për një paketë çështjesh që duhen trajtuar, zgjidhur, pasi herë pas here kthehen në çështje të nxehta në zjarrin e politikës lokale, ndërkohë që janë thjeshtë çështje që nuk kanë zjarr, pra, rëndësinë në terrenin ku janë zhvilluar marrëdhëniet shqiptare dhe greke që është në fakt rendi i marrëdhënieve të mrekullueshme midis njerëzve.

Sfida jonë është që ta bëjmë politikën midis dy vendeve po aq të mirë e të shkëlqyer, sa janë marrëdhëniet midis njerëzve. Ajo çfarë unë kuptoj nga miqtë grekë dhe ajo çfarë shoh mes bashkëqytetarëve shqiptarë është se nuk ka ndjesi negative apo mëri midis njerëzve. Është krejt e kundërta. E ne ua detyrojmë njerëzve që t’i çojmë marrëdhëniet në të tillë nivel dhe jam absolutisht besimplotë që me qeverinë e re këtu jemi në drejtimin e duhur dhe kemi gjithçka na nevojitet për të zgjidhur jo vetëm këtë, por dhe të gjitha gjërat e mbetura, që më pas të mos përdoren më nga forca të errëta në shoqëritë tona si arsye për të nisur, për të ndezur situatën. Apo për të kthyer fantazmat e të shkuarës.

Unë kam një ide shumë të thjeshte, që e kam paraqitur më parë dhe shpresoj fort që sa më shpejt të arrijmë dakordësinë. Bëhet fjalë për zonat detare. Ne të mund ta zgjidhim çështjen me ndihmën e të tjerëve, që do të thotë nëpërmjet një pale të tretë që na ndihmon miqësisht, apo akoma dhe më mirë, nëpërmjet gjykatave ndërkombëtare. Kjo mund të jetë e drejtë objektive e nuk mund të përdoret nga patriotët atje e këtu. Imagjinojeni, Kryeministri i Greqisë flet përpara parlamentit grek për një të drejtë absolutisht legjitime të Greqisë, mbështetur në Konventën Ndërkombëtare të së Drejtës së Detit, për të shtrirë vijën e vet detare me 12 milje e vetëm kjo shndërrohet në çështje në rrjete sociale në Shqipëri dhe po kështu në qarqet politike. A thua se Kryeministri grek duhet t’u përgjigjet njerëzve që nuk dinë për çfarë flasin. Pra, gjithmonë kjo ndez pakënaqësi e mosmarrëveshje, bazuar në çështje, të cilat mund të zgjidhen.

Ndërkohë, sa për pyetjen që ju bëtë, ajo është me e komplikuar, por më duhet të them një gjë. Ne jemi në partneritet strategjik me Greqinë, por nuk e ndjej që Shqipëria është midis dy zjarreve. Unë besoj që ka absolutisht potencial në këtë marrëdhënie greko-turke që të bëhet një marrëdhënie, e cila të jetë e dobishme edhe për Europën, sepse Turqia është instrumental, pra, është kyçe dhe Greqia është absolutisht kyçe për kufijtë e Europës. Çfarë mund të them pa asnjë dyshim, Presidenti turk nuk është një person antigrek, apo politikan antigrek dhe nuk ka dyshim që e shkuara ka treguar që, kur ka një vullnet, ka një zgjidhje. Dialog, dialog, pa ua lënë të tjerëve, pa sjellë të tjerë, thjesht dialog i mirëfilltë. Natyrisht nuk është e lehtë, por është absolutisht e mundur dhe jam 100% i bindur që marrëdhëniet konstruktive greko- turke mund të jenë një vlerë e shtuar për të gjithë Europën. E faktikisht, Greqia është në pozicionin e duhur për të qenë ndërmjetësi i ndershëm për të dhe jam i sigurt që kjo do të ndodhë, por deri sa kjo të ndodhë, nuk e di se çfarë do të ndodhë, kjo është fjala ime e fundit.”

Kryeministri theksoi më tej se popujt e të dy vendeve duhet të shihen si një thesar me potencial të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet dypalëshe.

“Më duhet të kundërshtoj Dorën për një pikë. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë vendim për këtë Marrëveshje në vitin 2009. Asokohe, unë kurrë nuk e kisha takuar, kurrë nuk kisha folur e kurrë nuk kisha dëgjuar prej Presidentit Erdogan, asokohe Kryeministër i Turqisë, nuk kishim asnjë raport. Ne ishim partia kryesore e opozitës dhe vendosëm që Marrëveshjen ta çonim në Gjykatë për një arsye shumë të thjeshtë. Kishte një debat të madh në shoqëri që u nis nga disa persona të shoqërisë civile dhe nuk doja që ky debat të bëhej politik dhe që të shndërrohej në luftën e zakonshme midis opozitës dhe pushtetit në rajonin tonë, për atdhetarë e patriotë e gjithë këto gjepura. Unë thashë, e cojmë në Gjykatë. Gjykata ka të gjitha instrumentet për ta kontrolluar. Idea – dhe e kam dëgjuar në Shqipëri, e kam dëgjuar dhe javën e kaluar nga autoritete të larta të së shkuarës dhe aktuale, – që kjo është një marrëveshje, e cila është parandaluar nga ndërhyrja e Turqisë, kjo është absolutisht e pavërtetë. Mund ta them dhe kjo është vetëm fjala ime, nuk kam gjëra të regjistruara, por asnjëherë, në asnjë takim me Presidentin Erdogan nuk kam dëgjuar prej tij që kjo marrëveshje, apo kjo çështje midis Shqipërisë dhe Greqisë, për këtë marrëveshje është e ndonjë interesi për Turqinë. Kurrë. Kjo është e vërteta.

Na duhet që të qartësojmë, pra, t’i largojmë këto lloj idesh, sepse këto ndikojnë në qëndrimet tona ndaj njëri-tjetrit. Në kuptimin që, a kemi nevojë ta zgjidhim? – Po.
A duam ta zgjidhim? – Po.
A e dimë të gjithë palët që kjo është e zgjidhshme? – Po.

Unë i jam shumë mirënjohës Kryeministrit Mitsotaqis dhe ministrit Dendias, sepse kanë pasur një qëndrim mjaft konstruktiv e kanë shfaqur vullnetin për ta zgjidhur, pa u dashur që të kthehemi pas, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, por duke vlerësuar situatën që kishim deri në qeverinë e shkuar e duke pasur një mendje të qartë që askush nuk është i interesuar ta mbajë këtë çështje si pengesë për të çliruar të gjithë potencialin e kësaj marrëdhënieje,” – u shpreh Kryeministri, duke përfunduar se “na duhet t’i shohim popujt tanë në vendin e gjithsecilit si një thesar e na duhet që ta ruajmë si të tillë këtë potencial të jashtëzakonshëm që kanë grekët në Shqipëri e shqiptarët në Greqi, që mund të ofrojnë për këtë marrëdhënie.“

*Përkthim simultan

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.