Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot, në Athinë, një takim me shqiptarë që jetojnë e punojnë atje, të cilëve iu shprehu mirënjohjen për angazhimin e tyre qytetar dhe politik.
Duke vlerësuar rëndësinë e shërbimeve që qytetarët shqiptarë marrin përmes përfaqësive diplomatike të Shqipërisë në Greqi, Kryeministri theksoi se këto shërbime do të përmirësohen ndjeshëm, edhe përmes zgjerimit të gamës së shërbimeve online, deri në fund të këtij viti.

“Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë angazhimin tuaj qytetar dhe politik. Do të kisha dashur të isha më shpesh në kontakt me ju, por ju i dini rrethanat. Dua t’i kërkoj ndjesë të gjithë emigrantëve – në fakt, sot, pas kaq shumë vitesh, fjala “emigrant” nuk është fjala e duhur sepse ju jeni qytetarë të integruar, por sidoqoftë keni një marrëdhëbnie të detyruar me përfaqësinë tonë, – për faktin që përfaqësia nuk ka qenë në lartësinë e duhur, nuk ka shërbyer me dinjitetin e duhur. E për më tepër, në kushtet kur tani jemi në fazën e rinovimit të kartave dhe të pasaportave, situata ka qenë edhe më e vështirësuar si pasojë e COVID-it. Por kam besim që gjërat do të ndreqen. Më vjen keq që personeli dhe drejtuesja e ambasadës nuk kanë dhënë atë që duhet. Por kjo nuk është për t’ja lënë as asaj, as personelit, kjo është përgjegjësia jonë dhe unë ju kërkoj ndjesë të gjithë emigrantëve për gjithë shqetësimet që ju kanë ardhur, si pasojë e shërbimit jodinjitoz në Ambasadën e Shqipërisë në Athinë dhe me përfaqësinë tonë në Selanik.

Ndërkohë besoj se gjërat sot janë sidoqoftë shumë më mirë sesa ishin, për faktin se kemi edhe shërbimet online. Ju jeni të familjarizuar sepse jetoni këtu dhe natyrshëm i përdorni këto instrumente. Me shërbimet online kemi hequr një pjesë të halleve të sorrollatjeve. Do të kemi më shumë shërbime. Deri në fund të vitit, një pjesë dërrmuese e sherbimeve publike në tërësi, edhe në Shqipëri do të jetë online.”

Në ndërkohë që vlerësoi po aq të rëndësishme e të pazëvendësueshëm shërbimin fizik, Kryeministri Rama prezantoi edhe ambasadoren e re të Shqipërisë në Athinë.

“Kemi sjellë këtu një ambasadore të re, një vajzë që unë e njoha personalisht, të përkushtuar. Ka punuar për disa vite në Agjencinë për Komunikim dhe Dialog në Kryeministrti, në platformën e bashkëqeverisjes dhe ka një përvojë jo të vogël, pikërisht në trajtimin e ankesave të qytetarëve. I vetmi mesazh që unë i kam dhënë është që politikën e madhe e bëjmë edhe ne tjerët, ti ke prioritet shqiptarët që jetojnë në Greqi.”

Kryeministri bashkëndau me bashkëqytetarët tanë disa nga konsideratat e përpjekjeve të përbashkëta për të trajtuar disa nga çështjet e jetës së përditëshme të tyre në shtetin fqinj, por edhe në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Më vjen mirë t’ju them që me qeverinë greke jemi në një situatë shumë pozitive për të trajtuar gjithë problematikat që ju i njihni. “Hapi që hodhi Kryeministri Mitsotaqis, për të kaluar në parlament legjislacionin për lejet e drejtimit, ishte një akt i vullnetit të mirë dhe një pasqyrë e sinqeritetit të tij në raport me dëshirën për të pasur marrëdhënie të shkëlqyera mes dy vendeve.

Kemi ende për të trajtuar disa çështje. Ju e dini që ende sot, në mënyrë absurde është në fuqi një ligj lufte i Greqisë. Heqja e ligjit të luftës është gur themeltar për të hapur një epokë të re, sepse heq edhe gjithë mjegullën nga e cila përfitojnë lloj-lloj ujqërish, hienash e qensh. Faktikisht hap rrugën për të gjitha çështjet e pronësisë që të zgjidhen në mënyrë ligjore, në rrugë gjyqësore kombëtare apo ndërkombëtare.

Kemi folur për çështjen e zgjidhjes definitive të problemit të përkufizimit të hapësirave reciproke detare. Besoj që jemi në rrugë të mbarë. Unë vazhdoj të mendoj që rruga më e mirë është që t’i drejtohemi një pale të tretë, apo Gjykatës Ndërkombëtare. Të shikojmë në ditët në vijim, por jemi të dy të një mendje që këto gjëra duhen zgjidhur pa humbur kohë.

Nga ana tjetër, pa diskutim që është legjitime që, siç ne jemi të interesuar vijimësisht për cilësinë e jetës e për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Greqi, edhe pala greke, edhe qeveria, edhe Kryeministri grek, të jenë të interesuar për të drejtat e grekëve që jetojnë në Shqipëri. Është reciproke dhe jo vetëm është një kërkesë legjitime e secilës palë ndaj palës tjetër, por është dhe një obligim moral, qytetar, shtetëror që, qoftë shqiptarët që jetojnë në Greqi, qoftë grekët që jetojnë në Shqipëri, të ndihen në shtëpi, në të gjitha aspektet, me të gjitha të drejtat, që nga e drejta e pronës, tek e drejta e shkollimit të fëmijëve dhe e marrjes së mësimeve në gjuhën amtare, tek e drejta e punës e me rradhë. Nuk diskutohet që prirja jonë ka qenë gjithmonë pozitive ndaj minoritetit, por nuk diskutohet që, siç ka probleme gjithë Shqipëria, gjithë shqiptarët, kanë probleme dhe qytetarët shqiptarë me kombësi greke, minoritetI, ama, në rastin e tyre, çështja ka një ndjeshmëri të dyfishtë. Është ndjeshmëria jonë, është dhe ndjeshmëria e shtetit amë, e vendit amë.

Unë mendoj që në Athinë, ne kemi partnerët e duhur, në kohën e duhur, për zgjidhjen e duhur.
Jam i bindur për këtë. Sapo jam ndarë me ministrin e Jashtëm, një njeri i kulturuar, i qytetëruar, i hapur dhe shumëdëshiruar për të vendosur marrëdhëniet pozitive mes të dyja vendeve në lartësinë e marrëdhënieve mes dy popujve.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.