Rruga e re për automjetet që lidh Kalanë e Beratit me qytetin do ta çlirojë përfundimisht rrugën e këmbësorëve nga trafiku, duke jo vetëm lehtësuar lëvizjen drejt Kalasë, por duke sjellë edhe një shërbim krejtësisht të ri transporti për vizitorët dhe turistët në një nga pikat e trashëgimisë sonë kulturore me frekuentim të lartë.
Rruga ndryshon tërësisht pamjen urbane të zonës, e cila për shkak të ngushtësisë së rrugës dhe vendndodhjes së varrezave të qytetit, siç u shpreh kryebashkiaku Demo, “ishte një katrahurë”. Apo “një rrugë, – u shpreh Kryeministri, – që mund të ngjallej i vdekuri dhe të vdiste i gjalli.”
Segmenti i ri do të vazhdojë edhe pas Kalasë, për t’u lidhur më pas me rrugën “Mihal Komeno” ku janë shtëpitë tradicionale, duke krijuar kështu një unazë.
***
Një tjetër rrugë krejtësisht e re, që nuk ka ekzistuar më parë, po ndërtohet për të lidhur me rrugën hyrëse të qytetit një pjesë të fshehur të lumit. Edhe kjo zonë, përmes kësaj rruge u kthehet banorëve e vizitorëve, duke lehtësuar njëkohësisht trafikun, sidomos gjatë sezonit turistik.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo dhe nga ministri i Turizmi dhe Mjedisit, Blendi Klosi inspektuan kantierin e rrugës së re. “Rruga i ka të gjithë parametrat, me gjelbërim, ndriçim, trotuar dhe riurbanizon gjithë zonën për të cilën kemi një projekt që kjo të kthehet në një park të ri për Beratin,” – u shpreh kryebashkiaku i Beratit.
Në Berat, qeveria po zbaton edhe një sërë projektesh të tjera, në bashkëpunim me partnerë si Banka Botërore, e cila po ndërhyn në restaurimin e lagjeve të vjetra të Beratit. Të gjitha këto, u shpreh Kryeministri, do e kthejnë Beratin në një kryeqendër të turizmit kulturor dhe natyror.