Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në fillimin e programit të financimit të Bashkimit Europian për restaurimin dhe rijetëzimin e monumenteve të kulturës të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të shkuar:

Është vërtetë një kënaqësi e posaçme që pikërisht sot, në Ditën e Trashëgimisë Kulturore, që i dedikohet në mbarë botën, në Shqipëri të nënshkruajmë Memorandumin për një program jashtëzakonisht të domosdoshëm rimëkëmbjeje dhe rilindjeje të monumenteve të trashëgimisë sonë kulturore, që u goditën rëndë në natën tragjike të 26 nëntorit të shkuar.

Është absolutisht domethënëse që këtë proces rimëkëmbjeje dhe rilindjeje të këtyre pikave strategjike për hartën e pasurive tona të paçmueshme, ne e bëjmë dorë për dore me Bashkimin Europian, që u gjend pranë Shqipërisë dhe popullit shqiptar në një moment aq kritik dhe u kthye në një stacion ku u mblodhën miq nga mbarë bota, për t’u solidarizuar me popullin shqiptar, në Konferencën e Donatorëve në Bruksel, pre së cilës morëm një mesazh shumë emocionues dhe kuptimplotë solidariteti, me një kontribut rekord.

Tek kontributi rekord dua të ndalem vetëm një sekondë. Ka një keqkuptim të madh tek një pjesë e atyre që sytë i kanë, por nuk duan të shohin, veshët i kanë, por nuk duan të dëgjojnë, mendjen e kanë, por nuk duan ta vënë në punë, për të kuptuar se fondet, e mbledhura në Konferencën e Donatorëve në Bruksel, administrohen nga vetë donatorët. Për të kuptuar se BE-ja përmes instrumenteve të veta dhe në këtë rast, në bashkëpunim me një strukturë të posaçme të Kombeve të Bashkuara, UNOPS, do të administrojë nga pikëpamja tekniko-financiare të gjithë programin, qoftë për trashëgiminë kulturore, qoftë për shkollat, me instrument tjetër dhe paratë e taksapaguesve europiane, janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë administrimi e vetë BE-së.
Pra, kush thotë dhe kush përsërit si në jerm, “ku shkuan paratë”, “ku i çuat paratë”, “pse i vodhët paratë që ju dha bota”, duhet të hapë veshët dhe të vërë mendjen në lëvizje, për të dëgjuar këtë fakt shumë të thjeshtë. Të gjitha fondet e BE-së janë fonde që administrohen nga pikëpamja financiare nga vetë BE-ja. Nuk janë një thes që na e dhanë pas Konferencës dhe ne e morëm dhe e tretëm siç ju thotë fantazia atyre, që sigurisht do ta kishin bërë këtë gjë, nëse do të kishin mundësi ta bënin, ose që mund ta kenë bërë me paratë e shqiptarëve në të shkuarën dhe kujtojnë se jemi të gjithë njësoj.

Kjo është shumë e rëndësishme të theksohet dhe i kërkoj ndjesë ambasadorit dhe miqve tanë që janë partnerë në këtë projekt, për këtë sqarim të domosdoshëm. Duke kaluar më tutje, me një shprehje shumë të sinqertë falënderimi për të gjithë, duke filluar nga ambasadori, i cili nuk bën thjeshtë detyrën si ambasador i BE-së, por është një partner dhe një mik shumë i përkushtuar i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe kjo bën diferencën.

Dua të falënderoj në mënyrë të posaçme dikë që është këtu e pranishme, që ka një rol kyç në këtë proces, falë së cilës ne kemi patuar një raport shumë serioz dhe domethënës për Konferencën e Donatorëve, që ishte dhe baza e vlerësimit të dëmeve dhe e adresimit të nevojave nga ana e donatorëve, Milva Ikonomi, kryetarja jonë e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave dhe një durrsake me pus dhe me caracë, megjithëse në Durrës nuk ka caraca, janë në Tiranë.

Javën e kaluar, ne prezantuam në Vlorë projektin e Parkut të Shtëpisë së Pavarësisë, një projekt që përtej gjallërimit, energjizimit dhe transformimit të një hapësire shumë qendrore në qytet, i shërben edhe zbulimit për të gjithë, qofshin banorë të Vlorës, qofshin banorë të Shqipërisë, qofshin vizitorë apo turistë të huaj, të një prej pikave më të rëndësishme të historisë sonë dhe të shtëpisë më të rëndësishme të vendit tonë, që është Shtëpia e Pavarësisë, e cila prej dekadash qëndron e fshehur pas gardhesh dhe kioskash dhe është jo lehtësisht e dukshme dhe as lehtësisht e vizitueshme.

Ajo që duhet nënvizuar dhe që ambasadori e preku në fjalën e tij është se përtej rivlerësimit të objekteve që lidhen me identitetin tonë kulturor dhe identitetin tonë kombëtar, i gjithë ky është një proces fuqizimi ekonomik dhe social. Ata që shohin cekët dhe mjaftohen vetëm me atë çka shohin në sipërfaqe, pa menduar për domethënien e gjësë që shohin shpesh, rëndom i hedhin poshtë me përqeshje si fasada, si zbukurime, si ndërhyrje shpenzimesh të kota të gjitha ato që ne bëjmë për të bukurën në këtë vend, qoftë në formën e ndërhyrjeve urbane, qoftë në formën e ndërhyrjeve mbrojtëse të të bukurës, të krijuar në shekuj dhe përtej shekujve në këtë vend.

Është dritëshkurtësi e madhe e më falni për shqipen e troçtë, është injorancë e madhe që t’i konsiderosh këto investime masive që ne kemi bërë, përfshirë edhe këtë investim masiv që e bën Bashkimi Europian, në funksion të Shqipërisë europiane, si të tilla e të mos kuptosh që këto janë ekonomi drejtpërdrejtë.

Ky muze, përpara disa vitesh ishte i mbyllur. E jo vetëm i mbyllur, por plotësisht i degraduar. Ne ndërhyrë dhe e hapëm krejtësisht të restauruar e të sistemuar në gjithë linjën e vet muzeale, për të cilin, shumëkush prej atyre që thashë, tha “po ç’na duhen muzeumet, ne nuk kemi bukë; ç’na duhen monumentet e kulturës, ne nuk kemi ujë; ç’na duhen sheshet publike të rindërtuara, sistemet e rejat të ndriçimit, mbjelljet e pemëve; ç’na duhet në tërësinë e vet gjithë kjo fasadë, kur pas saj, ne vuajmë për gjëra elementare”. Në fakt, përtej faktit që në Shqipëri, që nga koha e Skënderbeut të paktën, nuk ka pasur asnjë të vdekur për bukë për vetë mënyrën si është organizuar shoqëria jonë e për vetë faktin që buka nuk ka munguar kurrë, në kuptimin e ngushtë të fjalës, edhe buka dhe çdo e mirë tjetër materiale për çdo familje në një komunitet apo një vend shtohet falë këtyre fasadave.

Ky projekt, që do të prekë disa pika tejet të rëndësishme të të gjithë hartës së pasurive tona, do të sjellë shumë më tepër punë, shumë më tepër konsum, shumë më tepër turistë që do të rrisin edhe më tepër konsumin, shumë më tepër të ardhura për komunitetet, siç ka sjellë çdo projekt i Rilindjes sonë Urbane. Mjafton të bëjmë llogaritë financiare të qyteteve tona, llogaritë financiare të zonave ku është ndërhyrë, për të parë sa biznes kishte më parë në Korçë, në Vlorë, në Fier e me radhë deri në Pukë, apo në çdo qytet tjetër ku ne kemi ndërhyrë dhe sa ka sot, biznes të vogël, dyqane, infrastrukturë mikpritëse dhe të ardhura. Sa është xhiroja e zonave ku ne kemi investuar pikërisht në drejtim të së bukurës, krahasuar me kohën kur nuk mund të bëje dot një fotografi për ta çuar tek dikush, se nuk kishte sfond për të qëndruar, pa u dukur sikur ishe në ndonjë vend të përhumbur në ndonjë kontinent shumë larg Europës.

Është eksponenciale rritja. Janë qindra dhe mijëra strukturat që janë kthyer nga struktura të vjetra e të degraduara në struktura që prodhojnë ekonomi. Ekonomi të vogël, por një ekonomi që krijon kushte për vetëpunësim dhe për punësim.

Me këtë Program do të financohet për të ndërhyrë në Kalanë e Prezës; Do të financohet për të ndërhyrë në Kalanë e Durrësit; Do të financohet për të ndërhyrë tek amfiteatri, tek hamami mesjetar dhe tek muzeu Etnografik; Do të financohet për Kalanë e Krujës, për kullën e sahatit atje dhe për teqenë e Dollmës, duke vijuar me vetë muzeun e Skënderbeut dhe muzeun Etnografik; Do të financohet për kalanë e qytetit dhe muzeun Etnografik në Lezhë; Do të financohet për Kalanë e Bashtovës në Kavajë.

Janë pika brenda zonë së prekur nga tërmeti, që me këtë ndërhyrje nuk do thjesht shpëtohen në pikëpamje të strukturës së dëmtuar që do të vihet në vend, por do të rilindin jo vetëm më të forta nga pikëpamja strukturore, por me shumë më tepër potencial zhvillimi ekonomik dhe social për njerëzit e zonës e për të gjithë ata që këto zona e këto pika i vizitojnë natyrshëm, për të parë nga afër mrekullitë e thesarit tonë të trashëgimisë kulturore.

Në vitin 2018, Komisioni Europian vendosi që të gjithë harkun e atij viti ta përfshinte nën ombrellën e trashëgimisë kulturore. Ishte vitit i trashëgimisë kulturore i Komisionit Europian dhe nëse e shohim në mënyrë shumë të përgjithshme, efektet e investimeve të atij viti, në funksion të kulturës në Europë në aspektin e ekonomisë, shohim se si këto të dyja janë të lidhura me njëra-tjetrën.

E kam thënë shpesh e dua ta përsëris. Mund të shohësh nëpër botë vende të bukura e të varfra, por një vend të shëmtuar e të pasur nuk e gjen dot. Shëmtia, degradimi, pisllëku dhe mungesa e varfëria e aspiratave me idenë që këtu nuk ka nevojë për asgjë tjetër, përveçse për të bërë shpërndarjen e lëmoshave, është katastrofë. Kjo është katastrofa që ne kemi pasur për vite e vite me radhë. Kur ata që sot, në Ditën e Trashëgimisë Kulturore Botërore vajtojnë akoma për atë ngrehinën katastrofike të Teatrit Kombëtar, duke e përdorur si argument për të sulmuar talebanët që janë në qeveri, deri dje nuk vunë dorë në asnjë monument kulture dhe nuk prekën asnjë metër katror pluhur, për ta pastruar nga gjithë shtresa e pluhurit që kishte rënë mbi gjithë këtë thesar kudo.

Nëse do të shohim listën e ndërhyrjeve tona në këto 7 vjet për të shpëtuar monumente kulture që ishin në prag të asgjësimit, është e gjatë, por pa diskutim, ky Program me Bashkimin Europian që ne startojmë sot, është xhevahiri më i çmuar i gjithë kurorës së punëve që kemi bërë dhe përbën një hap shumë të madh përpara në këtë drejtim. Jo thjesht nga pikëpamja financiare është një shumë e konsiderueshme brenda shumës së përgjithshme që Bashkimi Europian i ka dedikuar Shqipërisë si Bashkim Europian, pa përfshirë këtu kontributet e shteteve anëtare, por dhe nga aspekti i dijes që sjell ky Program. Sepse nuk bëhet thjesht fjala për të restauruar Kalanë e Durrësit, as për të restauruar Kalanë e Krujës, Kalanë e Bashtovës apo të gjithë kalatë e tjera nga pikëpamje fizike, por bëhet fjalë për të ndërtuar një sistem jetëzimi të kalave, të zonës rreth tyre dhe një sistem muzealizimi dhe qasjeje ndaj vizitorëve, që është një nivel tjetër, duke përfshirë edhe guidat dixhitale e me radhë.

Jam i bindur që falë këtij Programi, qoftë në Durrës, qoftë në Krujë, këto dy pika kaq fantastike nga pikëpamja e potencialit do të sjellin një impakt të madh ekonomik e do të shtojnë kapacitetin tërheqës të Durrësit e të Krujës, në radhë të parë, për të pasur më shumë turistë, më shumë vizitorë, më shumë konsum, më shumë vetëpunësim, më shumë shërbime. E natyrisht, edhe për gjeneratën tjetër, për fëmijët, që janë objekt i pjesës tjetër të vëmendjes së Programit të Bashkimit Europian, që është i ndarë mes shkollave të reja dhe trashëgimisë kulturore. Shkollat e reja të Bashkimit Europian nisin në ditët e ardhshme. Do të rindërtohen nga themelet, si po rindërtohen nga themelet shkollat e financuara nga buxheti i shtetit dhe sëbashku kemi totalin e shkollave të dëmtuara e të parindërtueshme që do të rilindin nga e para, me standarde krejt ë tjera e që nuk do kenë asgjë të ndryshme nga shkollat që janë në çdo komunë, në çdo komunitet të vetë Bashkimit Europian.

Faleminderit dhe një herë miqve tanë!

Faleminderit atyre që punojnë për këtë Program!

Tani nuk mbetet tjetër, veçse të ecim përpara me zbatimin e programit dhe të mbajmë gjithmonë parasysh, duke mos u tërhequr kurrë, që e bukura është arma më e fuqishme që Zoti i ka dhënë këtij vendi dhe që paraardhësit tanë na kanë lënë neve, për t’u bërë më herët se vonë një vend ku të gjithë do të donin të vinin për vizitë. Një vend ku falë të bukurës e falë respektit për të bukurën e trashëguar dhe krijimin e të bukurës në ndërhyrjet që bëjmë në çdo sektor, të kemi më shumë punësim, më shumë ekonomi e më shumë arsye për të qenë krenarë për pjesën tonë, jo thjesht për ata që na e lanë amanet këtë vend, që është borxhi që u kemi fëmijëve tanë.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.