Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti:
Përshëndetje!
Besoj që e keni ndjekur drejtpërdrejtë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, kështu që nuk dua të zgjatem me përsëritje të temave që i kemi diskutuar në këtë mbledhje, por përpara se t’i jap fjalën kolegut Hoti dhe mikut tim Avdullah, dëshiroj vetëm të nënvizoj se faktet, viktimat e kohës sonë, faktet flasin për një progres të prekshëm në të gjitha drejtimet e bashkëpunimit dhe tregojnë se asnjë marrëveshje e nënshkruar mes nesh, qysh nga takimi themeltar i këtij procesi ndërveprimi me mbledhjet e dy qeverive, nuk ka mbetur ne letër.
Marrëveshjet ose kanë përfunduar së zbatuari, ose janë në zbatim.
Më vjen shumë mirë që sot jam këtu, posaçërisht me Avdullah Hotin, Kryeministrin e Kosovës, i cili me urtësi, me mençuri dhe me kurajë ka zhbllokuar një proces të ngrirë dhe ka hequr një pengesë të vetvënë të Kosovës, duke i hapur rrugë vazhdimit të të vetmes vijë sjelljeje ndërkombëtare që Kosova ka të përcaktuar qysh në ditën e parë të lindjes së saj, dialogut dhe përkatësisë së patundur në familjen e madhe të vendeve që ishin kyçe në çlirimin e saj, në partneritet të vendosur me SHBA-në dhe BE-në.
Natyrisht më vjen shumë mirë që tabuja e Shengenit Rajonal ka rënë. E përsëris dhe këtu që Shengeni Rajonal është projekti i fëmijëve tanë, një projekt që asnjë burrë, në çfarëdo moshe qoftë, nuk mund ta marrë peng dhe nuk duhet ta vonojë, duke shfrytëzuar mandat përfaqësimi nga populli ynë këtej dhe andej bjeshkëve. Shengeni Rajonal është një projekt, i cili do të ndikojë drejtpërdrejtë në një të ardhme shumë më të mirë për të rinjtë, për fëmijët tanë dhe për fëmijët e fëmijëve tanë.
Është një projekt transformues për mënyrën e të jetuarit në një rajon ku duhet të bëjmë çmos dhe është detyrimi ynë të bëjmë çmos të shkëputemi përfundimisht nga e shkuara, por është dhe një projekt transformues për vetë zgjidhjen përfundimtare të çështjes së madhe të njohjes së Kosovës nga Serbia, e cila mund dhe do të realizohet vetëm në rrugë diplomatike dhe përmes mençurisë, durimit dhe aftësisë për të fituar një betejë si kjo, që është diplomatike sot, nuk është ushtarake.
Kosova e ka fituar lirinë. Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur, që nuk mund të vihet as në diskutim dhe aq më pak të zhbëhet nga kushdoqoftë që refuzon ta njohë. I takon Kosovës, na takon ne Shqipërisë, krah për krah Kosovës që të jemi në lartësinë e sfidës së historisë, që të mos e shpërdorojmë lirinë dhe të mos i shpërdorojmë instrumentet e demokracisë në vendet përkatëse, në shtetet përkatëse që ne sot kemi përgjegjësinë të administrojmë, duke krijuar për të ardhmen pengesa, duke krijuar barrikada dhe duke krijuar mure që dëmtojnë vetëm ne, dëmtojnë vetëm shqiptarët, në Kosovë, në Shqipëri dhe të gjithë bashkë si komb.
Edhe njëherë dua t’i shpreh Kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës të gjithë respektin, mbështetjen, padiskutim edhe gatishmërinë time për ta çuar përpara këtë proces transformues, duke parë interesin tonë strategjik si shqiptarë, duke parë interesin tonë strategjik si dy shtete dhe duke u nisur nga interesi ynë strategjik dhe jo duke bërë llogaritë absurde se çfarë do fitojnë të tjerët nga ky proces. Teoria “më nxirr një sy mua, që t’i dalin sytë të dy, tjetrit” nuk funksionon, por vetëm shkatërron.
Ne do të shohim se si do të shkojmë përpara së bashku, duke zhbërë kufirin plotësisht, duke e kthyer kufirin thjeshtë në një vijë administrative gjeografike dhe në një korridor të lirë për lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, të shërbimeve dhe të kapitaleve.
E kemi parë çfarë lehtësimi kemi sjellë me kufirin me një ndalesë. Flukset janë shumë më të vogla seç ishin, por përsëri janë aty, sidomos në kohën e pikut. Ne duhet t’i heqim fare. Prandaj na duhet database e përbashkët, për të patur informacion në kohë reale për perimetrin e përbashkët të dy shteteve, siç na duhet të bashkëpunojmë me shtetet e tjera për perimetrin e rajonit.
Në ndërkohën që Kosova ka që në 2018-ën që ka plotësuar 95 kriteret, një për një, për liberalizimin e vizave dhe pret e pret dhe merr refuzime dhe refuzime nga Bashkimi Europian, pa pikë turpi, për çështje që s’kanë të bëjnë fare me Kosovën, por që kanë të bëjnë me dinamikat e brendshme elektorale në vende të ndryshme të BE-së, sipas rasteve, kur mblidhen konsultat në Bruksel për të marrë vendime dhe në ndërkohë kur ne të gjithë, – se unë po e po, – po e mësojmë që ecuria në procesin e integrimit europian lidhet sa me atë që bëjmë ne vetë, aq dhe me atë që s’ka të bëjë me ne fare dhe nganjëherë më shumë me atë që s’ka të bëjë me ne, sesa me të që ka të bëjë me ne. Atëherë, ne paralelisht duhet të hapim komplet së paku atë që mund të hapim, që është hapësira mes nesh, hapësira në rajonin tonë, për t’u integruar në BE patjetër, sepse BE-ja dhe integrimi në BE nuk ka alternativë.
Ndërsa shpallja e luftërave me FB, me Tëitter, me Instagram, me shfaqe dhe manifestime kërcënuese, deri dhe të dhunshme ndaj njëri-tjetrit në emër të flamurit dhe të kombit, në emër të Ismail Qemalit dhe Skënderbeut janë të gjitha pjesë e një farse që ka të bëjë thjeshtë dhe vetëm me fantazma të së shkuarës, që vazhdojnë ushqejnë në boshllëk shumëkënd që hallet e problemet reale të përditshme i ka të tjera dhe janë ato halle e probleme të përditshme që ne duhet të zgjidhim drejtpërdrejtë dhe që nuk mund t’i ngushëllojmë duke krijuar iluzione luftërash e betejash finale, vendimtare mbi dhe, internacionale do të jetë bota e re.
Sot kemi dakordësuar disa marrëveshje konkrete. Për pak javë, unë do të vizitoj Kryeministrin, së bashku me një delegacion modest për nga numri, por për një çështje shumë të rëndësishme, për të firmosur përfundimisht edhe marrëveshjen që e kalon doganën e Durrësit në dispozicion të plotë të Kosovës dhe që e kthen Portin e Durrësit në një port të Kosovës “de facto”. Që do të thotë, çdo mall i ardhur në Durrës për të shkuar në Kosovë, kur shkarkohet në Durrës, është shkarkuar në Kosovë. Aty janë autoritetet doganore të Kosovës që e marrin, e trajtojnë dhe e çojnë lejen për në destinacion.
Marrëveshjet i dëgjuat dhe jam shumë i kënaqur që më në fund – imagjinoni sesa kohë kemi humbur, – kemi çliruar përfundimisht edhe krahun e punës në Kosovë dhe Shqipëri, në kuptimin që kushdo që do të punojë në Shqipëri nga Kosova dhe kushdo që do të punojë në Kosovë nga Shqipëria nuk ka nevojë për t’u sorollatur për letra pune. Është njësoj si të jetë aty ku ka rezidencën dhe aty ku ka pasaportën si rezident. Ai i Gjakovës në Vlorë, apo ai i Fierit në Prizren. Kjo është një kërkesë e kahershme e sipërmarrjes në të dyja anët e kufirit. Nuk e di sa e justifikueshme është që kjo dhe të tjera gjëra që lidhen drejtpërdrejtë me jetën e njerëzve janë vonuar, janë penguar, apo anashkaluar në emër të luftërave imagjinare, ndërkohë që lufta ka shumë e shumë vite që ka mbaruar dhe e vetmja luftë që ka sot Kosova, që ka sot Shqipëria, është lufta për zhvillim, lufta për zgjerim, lufta për integrim.
Faleminderit edhe njëherë Kryeministër! Që të mos vazhdojmë më tutje, sepse jam i bindur që ju do t’i plotësoni ato që lashë pa thënë, fjala është për ju!
Kryeministri Avdullah Hoti: Faleminderit shumë, Kryeministër Rama! Për mua ka qenë kënaqësi të jem në Tiranë, sot dhe nder i veçantë për mua të kryesojmë bashkë mbledhjen e dy qeverive tona, një traditë tashmë e etabluar.
Dëshiroj të falenderoj Kryeministrin dhe dy ekipet tona për pritjen, përgatitjen e marrëveshjeve që sot nënshkruam në fusha të ndryshme, nga kujdesi që ne tash në mënyrë institucionale do të tregojmë për shqiptarët në Luginën e Preshevës; marrëveshja e mobilitetit në punë ku i bën bashkë dy tregjet tona; nga lëvizja e lirë e qytetarëve për qëllime punësimi; ndihmën që ia japim njëri-tjetrit në rast të fatkeqësive të ndryshme natyrore; në fushën e kulturës me kalendar dhe projekte të përbashkëta të filmit dhe në plot fusha të tjera, siç janë përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar pandeminë COVID-19, mandej në fushën e sigurisë, të ekonomisë, në luftimin e evazionit fiskal dhe në plot çështje të tjera.
Unë nuk dëshiroj të them fjalë të mëdha për kuptimin historik të këtyre marrëveshjeve, por jam i bindur që krijojnë një momentum të ri në bashkëpunimin tonë ndërshtetëror, sepse janë projekte që i lidhin fuqishëm ekonomitë dhe shoqëritë tona. Por, mbi të gjitha, në shumicën e këtyre marrëveshjeve, ne tani kemi një këndvështrim rajonal në qasjen që kemi, edhe në infrastrukturë, përshembull, projekti i hekurudhës që lidh Portin e Durrësit me Prishtinën e mandej vazhdon në pjesë të tjera të Ballkanit dhe Europën Qendrore dhe projekte të tjera që kanë implikime regjionale. Me këto marrëveshje dhe me qasjen që kemi ndërtuar me Kryeministrin Rama, besoj se si dy vende tanimë shihemi dhe punojmë intensivisht që të kontribuojmë në stabilitetin rajonal dhe në zhvillimin e mbarë rajonit, duke i sjellë bashkë të gjithë kontribuesit e këtij stabiliteti dhe të zhvillimit në rajon.
Me marrëveshjen e Ëashington-it padyshim është krijuar një momentum i ri, jo vetëm në Kosovë dhe Serbi, por në gjithë rajonin dhe tash, ne do të punojmë ngushtë me të gjitha vendet e rajonit për të shfrytëzuar maksimalisht përfitimet e kësaj marrëveshje, por dhe ndihmës që tash presim ta konkretizojmë në javët e ardhshme, bashkë me BE-në, në funksion të tejkalimit të pengesave që kemi në bashkëpunim në rajon.
Ne mbesim të përkushtuar si Kosovë që të jemi burim i stabilitetit në rajon dhe partner konstruktiv i të gjitha iniciativave rajonale, me të vetmin qëllim, që është integrimi euroatlantik i të gjithë rajonit. Sa më shumë i gjithë rajoni, në veçanti disa vende të rajonit shkëputen nga Lindja dhe lidhen me Perëndimin, besoj është në interes të të gjithë shqiptarëve në Ballkan.
Pres me padurim që ta mirëpres Kryeministrin Rama në Prishtinë, në Prizren, për të vazhduar me dy marrëveshje të rëndësishme, atë të doganave dhe Portit të Durrësit dhe për të funksionalizuar disa marrëveshje të tjera dhe gjithashtu për të zhvilluar konceptin e idesë se çfarë do të bëjmë që ta transformojmë qytetin historik të Prizrenit dhe ta përgatisim për shënimin e 150 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
Faleminderit edhe njëherë Kryeministri Rama, bashkëpunëtorëve tuaj për mikpritjen dhe punën që kanë bërë ekipet tona, dy ambasadorëve tanë, në përgatitjen e kësaj mbledhjeje qeverish.
– Kryeministri Rama, do doja një mendim apo një analizë tuajën sa i përket marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, përsa i përket pikës për hekurudhën që lidh Nish-Prishtinë-Durrës. Ka pasur kritika të mëdha Kryeministri Hoti për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje nga lideri i opozitës, Zoti Kurti, i cili ka thënë se Serbia fiton në këtë rast. Do doja të dija specifikisht, cili është përfitimi i Kosovës dhe Shqipërisë në këtë rast, cili shtet fiton në këtë marrëveshje?
Pyetja e dytë i shkon Kryeministrit Hoti. Keni thënë me ngulm që Asociacioni nuk do të bisedohet në procesin e dialogut me Serbinë, pasi kjo çështje është e mbyllur sipas jush. Mirëpo kemi një deklaratë ditën e parë të shefit të zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, i cili ka thënë që kjo temë është e hapur në fakt dhe duhet të diskutohet mes Kosovës dhe Serbisë. Dimë që është shtyrë takimi i paraparë javën e kaluar. A keni sinjale që Serbia po e kushtëzon procesin e dialogut me Asociacionin e komunave me shumicë serbe? Çështja e tretë; Presidenti Trump ka kërkuar nga të dy kryeministrat, apo nga dy qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë të hapni një ambasadë në Jerusalem. A do ta hapni? Nëse po, kur?
Kryeministri Edi Rama: Mendimi im për Marrëveshjen e washington-it është i njohur, por në respekt të mundimit tuaj për të ardhur deri këtu dhe pyetjes suaj, po e përsëris shkurtimisht. Së pari, Marrëveshja e Washington nuk ka asnjë gjë të re. Është thjeshtë dhe vetëm një konfirmim i atyre që janë diskutuar, janë dakordësuar dhe nuk janë zbatuar nga Procesi i Berlinit. Por, ama, Marrëveshja e Washington ka një rëndësi të jashtëzakonshme në një aspekt tjetër. Ka rikthyer Kosovën në pozicionin ku Kosova duhet të jetë gjithmonë ndërkombëtarisht dhe natyrisht, kjo i dedikohet në radhë të parë, Kryeministri Hoti. Unë nuk jam diplomat i mirë, nuk do të isha bërë dot kurrë ambasador i askujt, por kjo është e vërteta sipas meje. Dhe mësimi që duhet të nxjerrim nga Marrëveshja e Washingtonit është që ka shumë gjëra që ne shqiptarët mund t’i bëjmë vetë, duhet t’i bëjmë vetë dhe do t’i kishim bërë vetë, nëse nuk do të ishim kaq kalamaj saç kemi qenë dhe saç jemi zakonisht kur vjen puna për të shpërdorur besimin e atyre që na zgjedhin dhe për të shfrytëzuar halle, probleme, pakënaqësi, mërzi të natyrshme të tyre, jo që të fitojmë më shumë mbështetje duke i adresuar ato, por që të hapim luftëra imagjinare, që shkojnë deri në absurdin e hapjes së një lufte imagjinare me SHBA-në. Kjo është Marrëveshja e Washingtonit për mua.
E rëndësishme është që t’i bëjmë gjërat, sepse tani, përveçse e kemi thënë dhe stërthënë sa herë jemi ulur Procesin e Berlinit, përveçse e ka thënë dhe stërthënë Gjermania, Franca, BE-ja, tani e ka thënë dhe Amerika, që kjo punë duhet bërë. Kështu që, më gjithë mungesën e modestisë, kam kohë që ë them këtë gjë. Nuk ka problem, të paktën kush nuk më dëgjon mua, të dëgjojë SHBA-në, BE-në dhe të ndjekë me rigorozitet këtë vijë, sepse nuk është vija që ne duhet të ndjekim sepse e kërkon SHBA-ja dhe BE-ja, por sepse është vija e vetme dhe që na e imponojnë fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë. Nuk ka rrugë tjetër. Çdo rrugë tjetër çon në qorrsokak. Dhe pasojat e qorrsokakut, Kosova nuk ia ka borxh asnjë politikani dhe asnjë revolucionari dhe asnjë figure që shfrytëzon pikërisht ato plagë që duhen kuruar jo për të kuruar plagët, por për të përdorur dhimbjen e atyre plagëve në funksion të luftës së vet politike.
Përsa i përket kush fiton, unë e di si i bën Albini llogaritë dhe më rezulton që nga pikëpamja e llogarive edhe në aspektin ekonomik është si vetëadministrimi jugosllav. E vërteta është shumë e thjeshtë. Si mund të mos përfitojë ai që ka portin dhe ai që kryen gjithë atë volum tregtar importesh dhe eksportesh dhe përfitoka më shumë një nga aktorët që do të shfrytëzojnë portin?
Këtë me siguri e gjen Albini, por këtë, unë, as nuk e gjej dot vetë dhe nuk kam gjetur njeri që di dy mësime nga ekonomia të ma ketë shpjeguar, përveçse si një moment lajthitjeje të natyrës vetëadministruese.
Përsa i përket pikës së dytë, Shqipëria është vendi që ka pasur më shumë hebrenj pas luftës sesa para luftës, i vetmi në Europë. Është vend ku hebrenjtë kanë gjetur strehë, mbrojtje dhe siguri aq të madh, sa asnjë hebre nuk i është dorëzuar nazistëve. Madje është vendi ku shqiptarë janë dorëzuar tek nazistët, duke u paraqitur sikur janë ata hebrenjtë që kishin marrë në shtëpi. Shqipëria është vendi që ka jo vetëm një lidhje të vjetër historike me Izraelin, por edhe një respekt të madh për Izraelin, por Shqipëria në politikën e jashtme, në këtë aspekt është komplet e linjëzuar me Bashkimin Europian.
Kryeministri Avdullah Hoti: Në lidhje me pyetjen e parë për Asociacionin, më besoni që në çdo konferencë për media ose dalje përpara gazetarëve, gjithmonë bëhet kjo pyetje. Ndoshta i jam përgjigjur 20-30 herë dhe gjithmonë keni për të marrë përgjigjen e njëjtë. Asociacioni i komunave me shumicë serbe është temë e mbyllur me Marrëveshjen e vitit 2013 dhe me Marrëveshjen tjetër të parimeve 2015 ku janë vendosur dhe norma kushtetuese që statuti i Asociacionit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me këtë është rënë pajtu dhe pala serbe. Në këtë këndvështrim, unë deklaroj që Asociacioni është temë e mbyllur. Është obligim shtetëror i Kosovës, i ratifikuar në Kuvend në vitin 2013. Unë kërkoj nga ju ta shihni ndoshta në kontekst deklaratën që ka dhënë zyrtari ose ambasadori i BE-së.
Përsa i përket ambasadës në Jerusalem, ne jemi vend i ri, kemi nevojë për njohje. Me Marrëveshjen e Washingtonit, përveç projekteve ekonomike të mëdha infrastrukturore që e ndërrojnë komplet konjukturën ekonomike në Kosovë, por edhe në rajon, ka ardhur dhe një njohje që është tepër e rëndësishme. Të gjitha njohjet janë të rëndësishme, por kjo është e një rëndësie pak më ndryshe, sepse hap një perspektivë krejt tjetër në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës nga vendet ndërkombëtare dhe mua me vjen mirë që në politikën e jashtme, ne jemi në të njëjtat linja përsa i përket parimeve dhe interesave tona në politikën e jashtme me politikat e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
– Në vijim të pyetjes së kolegut në lidhje me letrën e Presidentit Trump. Doja t’ju pyesja për atë që ai ju nxit për të dalë nga Nisma 17+1. A do ta ndërmerrni këtë hap dhe meqenëse flasim për Presidentin Trump, në fillim të kësaj jave, ai zhvilloi debatin e parë me rivalin e tij për zgjedhjet presidenciale. Lulzim Basha ju ka sfiduar që të bëheni dhe ju pjesë e një debati të tillë. A do ta pranoni këtë sfidë?
– Pyetja për Kryeministrin Hoti. A ka një afat se kur mund mund të përfundojë projekti për lidhjen e Tiranës dhe Prishtinës me hekurudhë?
Kryeministri Edi Rama: Po e nis nga pyetja e dytë. Kryeministri i Kosovë nuk është i huaj këtu, është në shtëpinë e vet, por sidoqoftë është një mik në shtëpi. Unë i qëndroj besnik asaj që kam thënë qysh në krye të herës. Në prani të miqve, unë nuk flas për punët e brendshme të shtëpisë. Sikundër jam i bindur përshembull, që kur vjen një vëlla nga jashtë në shtëpi të vëllait tjetër, nusja e vëllait nuk i tregon se çfarë hallesh ka me vëllain e vjehrrës. Kështu që ka kohë për ti diskutuar këto, ne këtu jemi bashkë prapë.
Përsa i përket pyetjes tjetër, unë jam natyrisht i kënaqur që Presidenti SHBA-ve, aq më tepër në kohë zgjedhjesh dhe njëmijë e një sfidash dhe punësh për të bërë, ka gjetur dhe kohën që të më shkruajë mua. Jam shumë i kënaqur për vlerësimin e tij për rolin tim dhe të kësaj qeverie, sepse natyrisht flitet për rolin tim si kryeministër i kësaj qeverie, jo për rolin tim si piktor, qoftë në aspektin e rajonit, qoftë edhe në disa qëndrime që janë bindje, nuk ndajnë qëndrime oportuniste. Patjetër që SHBA-ja, Shtëpia e Bardhë, Presidenti i SHBA-ve kanë qenë, janë dhe do të mbetën pikë referimi e palëvizshme për ne dhe shpresoj gjithmonë për të gjithë ata që kanë përgjegjësi të drejtojnë këtë vend, por dhe këtu është një “por” shumë i vogël, që ne dëgjojmë, respektojmë dhe vendosim në bazë bindjesh. Harmonia e plotë mes meje dhe Presidentit të SHBA-ve, gjë për të cilën kemi folur edhe personalisht në rastin e takimit në Londër në NATO, mbi 5G-në është bindje nga ana ime. Nuk është imponim nga ana e tij, apo e SHBA-së. Letra ime për të gjithë drejtuesit e qeverive në rajon kohë më parë, as më është kërkuar e aq më pak të më jetë imponuar nga Shtëpia e Bardhë, apo nga Departamenti i Shtetit, apo nga kushdoqoftë tjetër. Është bindje. Ashtu sikundër është bindja ime që marrëveshjet e Abrahamit janë diçka e jashtëzakonshme për Lindjen e Mesme dhe botën. Gjë që e kam thënë në emër të qeverisë dhe Shqipërisë, natyrisht, në këtë rast. Ashtu sikundër bashkohem me Kryeministrin që, nëse në aspektin e përmbajtjes e Marrëveshjes së Ëashington-it nga pikëpamja e angazhimeve të të dyja palëve nuk ka asnjë gjë të re, përveç asaj që thashë, rikthimit të Kosovës në vendin që i takon në arenën ndërkombëtare pas një periudhe absurde tërheqjeje në një barrikadë surreale lufte me imagjinatën, është edhe fakti që Izraeli njohu Kosovën. Një fakt i jashtëzakonshëm. Një sukses që vetëm për të cilin, qeveria e Kosovës dhe Kryeministri meritojnë në rastin më të keq, heshtjen e atyre që flasin dhe s’dinë çfarë flasin dhe në rastin më të mirë, shprehjen e konsideratës më të lartë. Vetëm për këtë. Është thyerja e një barriere të paimagjinueshme që të krijosh kushtet që Izraeli të njohë Kosovën. Natyrisht është meritë e padiskutueshme e Presidentit të SHBA-së, por është dhe aftësia për të qenë në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe për të hedhur hapin e duhur.
E përsëris, kemi qartësisht qëndrime të përbashkëta në drejtimet strategjike dhe më vjen shumë mirë që këto qëndrime, në rastin tone burojnë nga bindja e jo nga imponimi, apo nga konjuktura.
Përsa i përket lëvizjeve konkrete, këto janë çështje e jona. Dhe si çështje e jona, ne i trajtojmë me shumë kujdes dhe i vendosim në momentin e duhur, gjithmonë në funksion të interesave strategjike të Shqipërisë dhe asnjëherë duke harruar që ne jemi aleatë strategjikë të SHBA-së dhe aleatë strategjikë të BE-së dhe në politikën e jashtme, e përsëris, jemi të linjëzuar me Bashkimin Europian. Një fakt. Edhe pse koha që jetojmë është kohë e malluar për faktet. Shqipëria, deri më tani që po flasim, qyshse ka hyrë në proceset që lidhen me integrimin europian, mbetet i vetmi vend jo anëtar i BE-së që nuk ka lëvizur në asnjë rast dhe kjo jo thjeshtë qëkur jam unë kryeministër, por edhe më parë, nga vija e dakordësuar e BE-së në politikën e jashtme. Mund të vijë dita që ne të gjykojmë se mund të lëvizim, por kjo ditë nuk ka ardhur akoma.
Kryeministri Avdullah Hoti: Faleminderit Kryeministër! Në fillim të mandatit ne patëm marrë disa vendime të vështira, jo populiste për të cilat unë personalisht dhe qeveria u kritikua tej mase, por veprime të cilat në fillim të qershorit kanë sjellë deri tek marrëveshja e Ëashingtonit për të cilën foli gjerësisht Kryeministri.
Pjesë e marrëveshjes është dhe hekurudha Prishtinë – Durrës. Do fillojmë menjëherë. Gjithë fokusi i qeverisë është në realizimin e këtyre projekteve dhe projekte të tjera që financohen nga donatorë të tjerë, partnerë të tjerë dhe nga buxheti i Kosovës. Mua më vjen mirë që sot e nënshkruam një marrëveshje për këtë qëllim, që të bëjmë bashkë forcat tona që sa më parë të përfundojmë studimin e fizibilitetit, përditë modalitetet e ndërtimit të kësaj hekurudhe që e kthen portin e Durrësit në një port të rëndësisë strategjike prej Europës Qendrore dhe gjithë Ballkanit.
Ju e dini që DFC që do financojë shumicën e projekteve që burojnë nga marrëveshja, kanë ardhur në Prishtinë, një delegacion teknik tani po punon me ministrin tonë të Infrastrukturës për të bërë një plan aksional për realizimin e të gjitha projekteve dhe për pjesën e hekurudhës. Është interesim i jashtëzakonshëm i administratës së presidentit Trump që të lëvizim shpejt përpara për të parë seriozitetin e SHBA-vë në normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, fillimisht mes vendeve në rajon për të shkuar drejt zgjidhjes përfundimtare.
– Kryeministri Rama foli me mjaft entuziazëm sa i përket projektit të Shengenit Ballkanik. Meqenëse jam gazetar i ekonomisë dhe mbaj mend që proteksionizmi mes Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë mjaft i shprehur, dua të di se si do të kalohet nga një ekstrem në një ekstrem tjetër, kur kemi parasysh hapjen e plotë të tregut? Pyetja tjetër ka të bëjë me çështjen e bashkëpunimit mes dy shteteve. Ju po flisni për projektin 5G, mirëpo nuk dëgjova të përmendej fare çështja e roaming që prek interesin ndoshta interesin më të madh të shqiptarëve të të dy vendeve. Është një projekt që është diskutuar me vite të tëra mirëpo nuk është futur në zbatim, ende qytetarët e të dy vendeve paguajnë roaming. Për Kryeministrin Hoti kam një pyetje të veçantë, çështja e financimit të projekteve nga zotimet e Ëashgintonit, a do të bëhen me kredi apo do të jenë të financuara nga administrata e presidentit Trump? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Unë jam anti proteksionist i bindur dhe i vendosur dhe për më tepër kur flitet për proteksionizëm për vende si tonat që janë vende që e kanë të domosdoshme të ndërveprojnë, e kanë të domosdoshme të hapen, e kanë të domosdoshme të zgjerohen në pikëpamje të rrezes së aktivitetit ekonomik. Por gabimi që bëhet shpesh, disa e bëjnë me qëllim, e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë me qëllim, disa të tjerë e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë sepse nuk duan të kuptojnë dhe disa të tjerë e kanë bërë e vazhdojnë ta bëjnë se nuk janë të interesuar të hyjnë më thellë, por thjesht u pëlqen si fabul, u pëlqen si përrallë kreshnikësh që ne të mbyllemi dhe të prodhojmë domate, të hamë domatet tona, të prodhojmë patatet, të hamë patatet tona dhe të vëmë embargo për domate e patate që vijnë nga vende që ne nuk na pëlqejnë, janë kategori njerëzish që nuk kuptojnë lidhjen e thjeshtë midis të dyjave, midis çlirimit të barrierave mes nesh dhe Shengenit Rajonal.
E pyetja ime është e përsëritur, ma thoni pak, pse në kaq vite, e keni dëgjuar kaq shpesh që do hiqet kufiri, e keni dëgjuar nga ne, e keni dëgjuar nga udhëheqësit tuaj, do hiqet kufiri, do hyni e do dilni pa radhë e kjo nuk ndodh? Nuk ndodh kjo e nuk ndodh asgjë tjetër siç duhet sepse nëse nuk ndodh në kontekstin rajonal, nuk mund të ndodhë në kontekstin bilateral. Ata që predikojnë këtë ose janë të qëllimshëm, ose nuk kuptojnë.
Shqipëria dhe Kosova nuk mund të vendosin në mënyrë bilaterale ose më saktë nuk mund të vendosnin që ne po heqim kufirin për arsyen e thjeshtë se jo Beogradi, por Washingtoni dhe Brukseli do të ngriheshin e janë ngritur faktikisht menjëherë, sa bëhet një deklaratë, gjëja e parë, vijnë atje dhe thonë “Shqipëria e madhe”, këta në anglisht. Atëherë? Cila është rruga? Rruga është që për interesin tonë, jo për interes të ndonjë tjetri, për përfitimin tonë, jo për përfitim të të tjerëve, ne të hyjë në këtë kontekst ku kemi hyrë tanimë pasi dhe qeveria e Kosovës edhe Kryeministri i Kosovës e kanë futur procesin në këtë rrugë, që ne të zbatojmë 4 liritë dhe sot ne folëm për heqjen e kufirit. Të jeni të sigurt që nuk ka si guxon njeri në Beograd të çohet e të thotë çfarë është kjo? Është Shqipëria e madhe! Nuk ka si guxon njeri nga Washingtoni apo Brukseli të thotë çfarë është kjo. Pse? Sepse ne kemi hyrë në procesin rajonal dhe procesi rajonal, i Shengenit Rajonal ka dhe një element tjetër që unë e kam shpjeguar, ri shpjeguar, stërshpejguar por kur flet me murin, flet me murin, – që nuk ka kushte, nuk ka radhë.
Pra, nuk na thotë dot ne Serbia në këtë proces pse bëni me Kosovën këtë, pse bëni me Kosovën atë, duhet ta bëni njëherë me ne ose duhet ta bëjmë të dy përnjëherë. Fare! Ne do të ecim me Kosovën tani, shumë më shpejt e do t’i bëjmë të gjitha e nuk na del dot njeri pengesë. Ashtu sikundër ne duhet të ecim dhe me të tjerët, se është një çmenduri. Po kur thonë ca, e nxore serbin në det, se me demek këta e kishin kapur serbin në tokë e këta nuk e linin të dilte në det. E nxore serbin në det. Me çfarë e nxora? Me kuaj? Me shpata? Me se? Deti është i shqiptarëve, nuk është i serbëve, porti është i shqiptarëve, nuk është i serbëve.
Të bëjmë një port të përbashkët e të themi jo, ne nuk i pranojmë mallrat e të tjerëve, sepse ne i konsiderojmë këto mallra me COVID anti patriotik? Është çmenduri, prandaj shpresoj shumë që kësaj çmendurie t’i ketë ardhur fundi e që të mos na rikthehet prapë rrugës e të na shfaqet prapë si një rikthim në bazë, sepse po të shohësh këtë proces, të kujtohet At Gjergj Fishta. Si janë shqiptarët? Siç i do armiku!
Për roaming, di që falë këtij procesi, është bërë një hap i rëndësishëm për gjithë rajonin. Tani, ti kërkon roaming shqiptar, domethënë ti kërkon gjuha shqipe në telefon pa roaming. Dakord jam me ty unë, nuk ka problem. Nuk ka qenë ndonjëherë zotim që kush flet shqip në telefon nuk ka roaming. Ky zotim nuk ka qenë se nuk e marrim dot ne. Ka parti që e marrin dhe këtë, patjetër, që vetëvendosin edhe për linjat e telefonit që janë private. Ne nuk vetëvendosim për këto. Ne vendosim për politikat dhe ne kemi bërë një hap përpara me roamingun rajonalisht. Që të vijmë tek ajo që thua, duhet të kalojmë nga këtej, pra duhet të shkojmë hap pas hapi e të krijojmë hapësirën e përbashkët e pastaj në hapësirën e përbashkët ku të gjithë pastaj natyrisht do kenë përfitimet e tyre, se nuk mund të ndërtojmë një Ballkan ku fitojnë vetëm shqiptarët e të tjerët vuajnë ose humbin, se ideja që ne jemi më të zgjuarit e të tjerët janë budallenj, është një ide që ne normalisht duhet ta lëmë prapa krahëve. Që të shkojmë aty e që të mos na thotë kush çfarë bëni ju me njëri tjetrin, duhet pikërisht që ne të jemi me të gjithë njerëz që shohim interesin. Mes nesh, kemi dhe gjakun, traditën, historinë, vëllazërinë. Me të tjerët kemi interesin. Jemi njësha për t’i rënë interesit tonë me idenë që po shqetësojmë tjetrin.
Kryeministri Avdullah Hoti: Mendoj që është me interes të përsëris dhe një herë qëndrimin që mini Shengeni është projekt i përkohshëm. Interesimi jonë dhe i gjithë rajonit është për një Shengen të plotë, bashkë ne BE ,por unë besoj që sot me marrëveshjet kemi bërë hapa konkret drejt krijimit të kësaj zone për lëvizjen e lirë të qytetarëve, pra mobiliteti i punës, mobiliteti i plotë i forcës punëtore. Sa i përket projekteve me DFC, tani jemi duke diskutuar me ta, thashë më herët që ekipi i tyre ka qenë, vazhdon të jetë në Prishtinë në nivele teknike për të diskutuar me qeverinë, me ministritë respektive për secilin projekt për modalitetet e financimit të atyre projekteve. Besoj shpejt do të dimë saktësisht se si do të lëvizim përpara.
–Për ju kryeministër Hoti, do ti bashkohet Kosova nismës së SHBA-ve për rrjetin 5G? Dhe a do të jeni ju në tryezë në Shengenin Ballkanik në projektin e Kryeministrit Rama?
– Ndërsa për ju zoti Kryeministër [Rama], ndërsa ju zhvillonit këtë mbledhje me qeverinë e Kosovës, presidenti Ilir Meta ju ka akuzuar ju dhe qeverinë tuaj se në kohën kur vendi është përfshirë nga pandemia e COVID dhe nga tërmeti i 26 nëntorit i vitit të kaluar, ju me nismat tuaja kryesisht me borxhin që po i shkaktoni vendit, por dhe me humbjen e proceseve në gjykatën ndërkombëtare të arbitrazhit po e çoni vendin në një katastrofë ekonomike. Keni një koment për këtë? Faleminderit!
Kryeministri Avdullah Hoti: Sa i përket teknologjisë 5G, ju e dini që ky sektor është i rëndësishëm edhe politike edhe gjeostrategjike prandaj është bërë pjesë e Marrëveshjes së Washintonit. Sot kemi nënshkruar një marrëveshje për këtë qëllim për të siguruar që ne sëbashku e zhvillojmë këtë teknologji dhe për ta zhvilluar bashkë me ofrues të kësaj teknologjie, shërbime që janë të besueshëm, pra që janë perëndimor, se punojmë bashkë me ta dhe ndërtojmë sisteme që janë kompatibile me këta ofrues të shërbimeve. Sa i përket mini shengenit, mendoj që u sqarova pak më herët, në takimet e ardhshme të liderëve të Ballkanit perëndimor, ne do të ulemi ta diskutojmë këtë iniciativë sepse është vetëm në nivel të iniciativës dhe të sigurohemi që e para, ne bashkohemi në këtë iniciativë si palë plotësisht e barabartë dhe e dyta, ndërtojmë një projekt të përkohshëm, të lëvizjes së lirë të mallrave dhe qytetarëve, deri sa të përmbyllet komplet integrimi europian i rajonit.
Kryeministri Edi Rama: Tani, vlen e njëjta gjë edhe për pyetjen tuaj, si për pyetjen e Eljas, siç nuk mund të flas dot për njërin, nuk flas dot as për tjetrin, në prani të mikut që na nderon sot. Nuk e shkel këtë parim. Por në emër të fakteve e kjo nuk është për autorin e akuzës, është për ju, të gjithë, imagjinoni, ka disa kohë që është ngulur në opinion, ideja që ne kemi humbur arbitrazhe. Ka disa kohë madje një pjesë e njerëzve mendojnë që ne i kemi paguar dhe paratë e humbjeve. Po ju çfarë bëni ju? Gazetarët dhe media çfarë bëni? Pse nuk shikoni a është e vërtetë kjo? Sepse proceset mbarojnë kur mbarojnë, jo kur janë në mes dhe deri më sot që flasim, tani që flasim, të paktën deri përpara kësaj mbledhje nuk kemi ne asnjë proces në arbitrazh të përfunduar ku ne të kemi humbur.
Nuk kemi, thjesht nuk kemi dhe kemi skuadra të përbashkëta të avokaturës së shtetit dhe të avokatëve të huaj që punojnë për ti sprapsur këto vendime që janë të natyrës paraprake, se mirë ata që e kanë detyrë ndaj një populli të tërë që mos ja kërcasin kokoshkës, por të paktën ju duhet të bëni verifikime dhe ta ndihmoni publikun që të mos mbytet çdo ditë në llumin e gjysmë të vërtetave, të cilat jo më kot kanë thënë ata që kanë qenë më të mençur se ne, janë gënjeshtrat më të mëdha. Kemi fituar arbitrazhe, po, kjo është e vërtetë, procese në arbitrazh, por nuk kemi humbur arbitrazhe deri tani që po flasim. Asnjë prej këtyre arbitrazheve që po diskutohen, as edhe një dhe vazhdojnë përpjekjet në rrugë legale për t’i sprapsur vendimet paraprake dhe ka dhe një rregull tjetër të artë dhe ligjërisht të detyrueshëm për çdo shtet që është në arbitrazh, që nuk duhet të bëjë komente për sa kohë vendimi nuk është i formës përfundimtare. Nuk duhet të bëjë komente sepse çdo koment konsiderohet shkelje e procesit të rregullt gjyqësor. Llogariteni vetë, autorin me këtë fakt dhe imagjinoni se sa shumë e ka mendjen tek Shqipëria, por e lëmë me kaq se nuk dua të hyj më thellë sot, në respekt të asaj që thashë.
– Sa janë të nevojshëm këto marrëveshjet e sotme, përderisa po mëtohet që të dy vendet të hyjnë në këtë nismën rajonale të mini shengenit?
Kryeministri Edi Rama: Po pse, këto të dyja nuk kanë lidhje me njëra tjetrën?
– Po përderi sa të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor do ti kenë të drejtat e barabarta dhe lëvizja e lirë e mallrave, e njerëzve do të jetë në të gjitha vendet njëkohësisht? Dhe tjetra, keni qenë në krah të presidentit Thaçi në vitin 2018 kur janë përmendur kompromiset e dhimbshme në tentim të arritjes së një marrëveshja finale me Serbinë, tani kjo çështje e kompromiseve është ri aktualizuar në Kosovë ku ambasadorë të ndryshëm po theksojnë që duhet të ketë kompromise në tentim të arritjes së një marrëveshje finale. Sipas jush a duhet Kosova që ende të bëjë kompromis për të arritur një marrëveshje finale? Nëse nuk e teproj, në qershor keni qenë mjaft aktiv në kundërshtim të aktakuzave ndaj ish dy krerëve të UCK-së, presidenti Thaçi dhe kryetarit Veseli, deri sa ka mbetur dhe pak javë afat kohor të Gjykatës Speciale në konfirmim ose jo të këtyre akt akuzave, kjo e fundit ka nisur punën në terren ku arrestime e para kanë filluar? Si po e vlerësoni këtë situatë dhe a mendoni që mund të ndryshojnë rrethanat politike, jo vetëm në Kosovë?
Kryeministri Edi Rama: Së pari, faleminderit se pa dashje ndoshta ndihmon që të sqarohet një keqkuptim i madh. Pyet pse i bëni ju këto marrëveshje bilaterale kur keni rënë dakord, të dyja shtetet që të futeni në atë të madhen. Po mirë, ajo e madhja sipas perceptimit tuaj, të gjitha këto norma, rregulla dhe dakordësi ndërveprimi mes shteteve i ka të shkruara në ajër? Ajo e madhja, është dakordësia që të gjitha shtetet e rajonit tonë të mund të bëjnë çdo marrëveshje të nevojshme mes tyre për të garantuar të 4 liritë e Bashkimit Europian. E që unë ta shpjegoj deri në fund, më ndiq që ta kuptosh, se ndërkohë që unë flas, ti si Fevziu merr pyetje nga kush të ka çuar këtu e nuk ke për ta marrë vesh. Dhe ne me atë të madhen, garantojmë këtë, që ne tani ecim pa asnjë pengesë dhe është zgjedhja e lirë e çdo shteti. Kosova mund të zgjedhë që deri kur X çështje apo X kusht të jetë përmbushur, nuk bën asnjë marrëveshje të kësaj natyre me Serbinë, është e drejta e Kosovës. Serbia nuk vjen dot tek ne e të thotë pse i bëni këto ju. Ne bëjmë e do t’i bëjmë marrëveshjet me të gjithë, sipas kushteve, mundësisë për shpejtësi.
Kështu që ky është thelbi, nuk futemi ne në një kazan atje ku duhet të ziejmë të gjithë në të njëjtën kohë e në të njëjtën mënyrë. Secili bën zgjedhjet e veta, ama askush nuk e kushtëzon dot tjetrin e kjo është ajo që kam arritur unë i dashur me diplomaci, jo me luftëra imagjinare. Për sa i përket kompromiseve të dhimbshme, ato kompromiset e dhimbshme i keni sajuar ju. Kur them ju, kam parasysh komentatorët e të gjitha kategorive, që nga ata të kategorive politike, tek ata të kategorive mediatike dhe tek ata të kategorisë historike sepse është shumë e thjeshtë. Nuk ka marrëveshje të një qeverie me një tjetër, të asnjë lloj niveli, jo më të bësh marrëveshje për kufirin, që të bëhet fshehurazi, nuk ekziston, nuk bëhet dot. Shumë e thjeshtë! Në kohën e sotme, me sistemet e sotme kjo është një fantazi që ushqehet nga njerëz që për arsyet e tyre personale, për arsyet e tyre të pushtetit, për arsyet e tyre të audiencave, për arsyet e tyre të “like”-ve, marrin nëpër këmbë atë pjesë të opinionit publik që nuk ka kohë të hyjë, të thellohet në informacion dhe nxisin ndasi, nxisin përçarje, nxisin urrejtje dhe ndajnë shqiptarët në disa të vetëvendosur që po mbrojnë kombin dhe disa tradhtarë që po e shesin. Se ku po e shesin, se si po e shesin, se si realizohet një transaksion shitje i kësaj natyre, kësaj gjëje nuk i hyn njeri për fat të keq e duhet t’i hyni ju kësaj, për të thënë të thjeshtën. Çdo marrëveshje, sado e gabuar do të dalë në dritën e diellit, do shkojë në qeveri, do shkojë në parlament, do shkojë në referendum në rast se është nevoja. Si do bëhet fshehtazi kjo? Kjo është tallje e madhe, cinizëm madje dhe poshtërsi me popullin shqiptar.
E fundit për gjyqin.
Unë nuk kam kundërshtuar ndonjë akuzë, as ndonjë akt akuzë. Unë kam kundërshtuar dhe e kundërshtoj prape një fletërrufe. Nuk kam parë unë akoma sot ndonjë aktakuzë. Keni parë ju ndonjë akt akuzë? Ka dalë ndonjë aktakuzë? Nuk ka dalë! Ka dalë një fletërrufe, rrufe në qiell të pastër, ditën kur presidenti i Kosovës ishte nisur për Washington. Unë me atë fletërrufe jam marrë. Një fletërrufe kineze, si fletërrufetë që na dilnin ne këtu në kohën e dashurisë shqiptaro kineze, që godisnin njeriun në mënyrë preventive, që mos binte pre e armikut dhe që supozohej se kishte lakra në kokë. Atë fletërrufe kam goditur unë. Gjykata ka punën e vetë, kur të bëjë akuzën gjykata zyrtarisht, nuk jam unë askush që të flas sepse nuk jam avokat dhe nuk jam i zoti të bëj avokatin në gjykatë. Kjo është kaq e thjeshtë sa nuk ka, por gëzimi i disave për këto fletërrufe është turp i madh, këtë di unë.
– Zoti Kryeministër, ju para pak kohësh keni promovuar ose keni premtuar që do financoni hidrocentralin e Skvavicës me fondet e buxhetit të shtetit ndërkohë që në Kosovë po flitet për një hidrocentral të përbashkët me Shqipërinë dhe specialistë kanë hedhur idenë se Kosova mund të marrë pjesë e mund të aktivizohet në financimin e hidrocentralit të Skavicës. A keni ndonjë koment ju për këtë? dhe për sa i përket financimit të hekurudhës, në dritën e Marrëveshjes së Washingtonit, dy javë ë pas komisioneri për zgjerim ka deklaruar që të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor do të financohen brenda këtij projekti të Komisionit Europian me hekurudhë dhe autostrada. Shihni ju ndonjë aleancë mes SHBA dhe BE apo ndonjë dualitet me SHBA dhe BE-së për financimin e projekteve gjithnjë në dritën e marrëveshjes së 4 shtatorit në Ëashington. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Së pari, na dogje një lajm, por në respekt tuajin, po e them sot se do ta dëgjonit nesër. Ne me SHBA-të nesër firmosim një marrëveshje për Skavicën që do të financohet nga SHBA-të, që është një gjest fantastik i vullnetit të Shteteve të Bashkuara për t’i shprehur Shqipërisë konsideratën më të lartë për çka Shqipëria ka bërë, çka ne kemi bërë në qeverisjen e vendit, në këtë periudhë për të gjithë ato çështje që shprehen në letrën e presidentit por jo vetëm për to, edhe për të tjera. E po ashtu SHBA-të, – po ju jap dhe një lajm tjetër, meqë jeni këtu sot miq të nderit, – kanë vendosur në një numër të caktuar, që të mos i themi të gjitha sot, në një numër të caktuar mbështetjeje shëndetësore me respiratorë në Europë, pjesën e luanit t’ia japin Shqipërisë.
I them këto me kënaqësinë më të madhe që do mund të realizojmë një vepër të shumë ëndërruar dhe të shumë pritur qysh në vitet e vjetra, siç është Skavica, me SHBA-të, drejtpërdrejtë dhe nga ana tjetër, është e qartë që me Shtete e Bashkuara kemi bërë e do bëjmë gjëra të tjera në vijim, si rezultat i forcimit më shumë se kurrë të marrëdhënies se drejtpërdrejtë mes nesh dhe tyre, mes shtetit shqiptar dhe shtetit të tyre dhe më lejoni ta them deri në fund, mes qeverisë së sotme dhe qeverisë së tyre. Dua të shtoj një element. Sfida jonë e përbashkët është reforma e integrimit të sistemit elektroenergjitik dhe deri në administrim të përbashkët. Tani, në këtë fushë zotëria këtu në krahun tim është më i zoti se unë sepse për shumë vite dhe në shumë raste edhe kritike siç është dhe ky rast kritik, ka pasur barrën të administrojë financat e Kosovës, por një gjë që unë di nga eksperienca është që është më e lehtë ta thuash se sa ta bësh. Ama ne duhet të shkojmë në këtë drejtim sepse diversifikimi i burimeve në një treg të integruar bashkërisht është shumë potencial i madh. Ne kemi burime hidrike me shumicë, ju keni burime që vijnë jo nga hidro dhe kombinimi i të dyjave me pikun e shitjeve dhe me momentet e thatësirës do të ishte një histori suksesi e përbashkët, por nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë dhe problemi me detin në mes nga e thëna në të bërë kur vjen puna tek ne janë dhe këto varkat, i keni parasysh, që mbrojnë kufijtë. I keni parasysh që dalin mbrojnë kufijtë me varka? Dhe i mbrojnë kufijtë nga ne. Ky është një problem që na vonon hera herës.
Shumë faleminderit Kryeministër dhe respekte!