Në Thumanë nisi sot, rindërtimi i shtëpive, pasi është shtruar e gjithë infrastruktura nëntokësore. Në truallin e ndërtimit prej 12 hektarë përmbajtja kënetore e tokës u konsolidua me shtresa gurësh e rrjetash të posaçme stabilizuese. Kjo pjesë e shtëpive të Thumanës së Re do të rindërtohet nga Fondacioni Firdeus. “Këtu ishte kaos i madh. Pasi ju jeni marrë me infrastrukturën, çdo gjë po ecën mbare dhe tani fillon dhe puna jonë, që të mbarojmë 165 shtëpi. E gjithë infrastruktura është e juaja” – tha Presidenti i Fondacionit Firdeus, Elvis Naçi, gjatë inspektimit në zonë të Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.
Ndërkohë, së shpejti nis puna për pallatet, ku përveç kontributit nga buxheti i shtetit që do të mbulojë edhe pjesën e godinave social – kulturore dhe zonat sportive, do të integrohet edhe donacioni i Behgjet Pacollit. “Është një zonë simbol e gjithë tragjedisë dhe simbolika e bashkimit mes një kontributi të shumë shqiptarëve përmes Fondacionit, që vjen nga shpirti i bamirësisë, një kontributi të një sipërmarrësi shqiptar nga Kosova, i drejtpërdrejtë, që ka dhënë për angazhimin e një shume të konsiderueshme dhe shtetit që ka ndërtuar infrastrukturën dhe do vazhdojë edhe me pjesën tjetër, jep edhe një mesazh shumë të bukur,” – u shpreh Kryeministri Rama.
Ndërsa e konsideroi nisjen e ndërtimit të shtëpive si “realizim i një ëndrre”, Elvis Naçi kërkoi mirëkuptimin e familjeve në pritje dhe të gjithë qytetarëve kontribuues për vonesën e fillimit të shtëpive të reja, për shkak të një volumi tepër të madh pune me infrastrukturën. “Padurimi dhe gjithë pjesa e baltës, – u shpreh Kryeministri, nisur edhe nga komente të ngjashme që i drejtohen atij – hidhen se nuk duan disa të kuptojnë që një projekt nuk fillon kur sheh këta që vijnë këtu [zbatuesit], por fillon kur konceptohet, kur bëhet gjithë studimi, kur financimi vihet në funksion të një procedure gare, bëhet kontrata, fillon infrastruktura e pastaj vjen puna tek shtëpitë.”
Presidenti i Fondacionit Firdeus u shpreh falenderues edhe për, siç u shpreh ai, edhe pse shteti mund t’i ndërtonte vetë shtëpitë, i dha mundësinë edhe Fondacionit të jetë pjesë e këtij kontributi. “Shteti ka mundësi me bë shumë gjëra, por nuk ka patur mundësinë t’i bëjë të gjitha gjërat. Ndaj jemi ne falenderues, edhe pse në një kuptim edhe unë, edhe ti, detyrën bëjmë në atë pikë që kemi zgjedhur të qëndrojmë, por dhe të gjithë donatorëve, edhe donatorëve ndërkombëtarë, për të cilët sqaroj sërish se ka akoma njerëz që thonë “ ku shkuan lekët”, ju them se lekët nuk shkuan asgjëkundi, sepse donatorët siç është Elvisi, BE-ja, apo shtete të tjera nuk i hedhin lekët në xhepin e qeverisë. Lekët që ata vënë në dispozicion i shpenzojnë vetë. BE-ja që në procedura ka marrë më shumë kohë sesa ne, fillon tani me shkollat e reja. Turqia që ka marrë përsipër lagjen në Laç, financimin e bën vetë, kompaninë e ka zgjedhur vetë, inxhinierët i ka sjellë vetë, madje dhe punëtorë. Po kështu dhe Emiratet. Jo më larg sesa sot kemi marrë mesazhin e fundit që drafti i marrëveshjes përfundimtare bëhet gati dhe javën tjetër mbyllet. Edhe ata do ta bëjnë vetë, me lekët e tyre, me kompaninë e tyre,” – u shpreh Kryeministri, ndërsa nënvizoi se e gjithë kjo punë ndiqet e monitorohet nga qeveria në bazë të planit. Këtu Kryeministri falenderoi të gjithë kontribuuesit për harmonizimin së bashku me qeverinë të punës së tyre. “Kush nuk na mirëkupton, kur të ndërtohet e gjithë Thumana do ketë edhe një leksion tjetër,” – u shpreh Naçi.
Thumana e Re do të ketë edhe hapësira publike të një standardi të ri, me pedonalen, korsitë e biçikletave, parkun, fushat sportive dhe dekorin e gjelbër.