Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend: 

 

Së pari, është e trishtueshme dhe kontradiktore në objekt, që disa kërkojnë hapje dhe nga ana tjetër duan të mbyllin gojën e të tjerëve. Është një histori që zhvillohet prej kohësh. Nuk është as hera e parë, fatkeqësisht, as e fundit që pakica kërkon t’i imponohet shumicës me forma dhe një gjuhë që nuk ka asnjë lidhje me çka secili dhe secila, në këtë sallë, ju mëson fëmijëve të vet. Fatkeqësia 30-vjeçare e këtij Parlamenti është në radhë të parë, që iu jep atyre që e ndjekin dhe mbi të gjitha, më të rinjve, për të cilët flitet shumë dhe në ajër, po ashtu, jo pak, shembullin më të keq të edukatës elementare.

Duke u kthyer tek ligji, nuk ka një kompromis ku një palë i fiton të gjitha. Kompromiset e mira janë zakonisht kompromiset ku të gjitha palët kanë një arsye për t’u mërzitur. Edhe ne kemi arsyet tona për t’u mërzitur. Madje, që të jemi të qartë, kemi më shumë arsye për t’u mërzitur ne, sesa palët që janë në këtë proces, qoftë këtu brenda,  qoftë jashtë. Por jemi të vetëdijshëm që detyrimi për të bërë kompromisin e nevojshëm për një proces ku të gjithë kanë të drejtën e tyre të marrin pjesë, në procesin e zgjedhjeve, është që të heqim dorë nga dëshirat tona.

Unë nuk kam asnjë dyshim që, nëse ne do të kishim kërkuar një kompromis nga ju, për të vendosur bonusin për partinë e parë, ju do na e kishit dhënë. Por kjo do të ishte e tepërt, në raport me palën që nuk është këtu.

Nga ana tjetër, për ata që nuk janë këtu, ky Parlament po bën më shumë sesa asnjëherë më parë për ndonjë palë që ka qenë këtu brenda, duke i marrë në konsideratë, edhe pse ata e braktisën Parlamentin dhe u vetëzhveshën nga e drejta për t’i imponuar këtij Parlamenti çfarëdo qoftë.

Nuk ka asnjë problem që të më sulmoni mua. Jam mësuar me origjinalin. Kopjet s’më bëjnë fare përshtypje. Dëgjova një zonjë këtu, që fliste me një gjuhë që një nënë nuk mund ta ketë, që një grua nuk mund ta ketë, që një përfaqësuese e popullit në Parlament nuk mund ta ketë.

Por, çfarë faji mund t’i vë unë zonjës, kur shembullin më skandaloz sot, për të gjithë qytetarët dhe qytetarinë e këtij vendi e jep Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i cili si askush tjetër, në atë pozicion nuk ka kapacitetin moral dhe mendor që të përmbahet të paktën, kur ka në krah një homologun e tij që vjen nga jashtë. Nuk ka President në botë. Nuk më kujtohet ta ketë bërë as vetë Saliu, që në krah me një të huaj të ketë përdorur një fjalor vulgar, shantazhues dhe depresiv për kundërshtarët këtu.

Kështu që, nuk i vë faj as zonjës dhe askujt tjetër këtu, që i ka mbirë në gjuhë, për turpin e vet, gjithë tufa e fjalëve më të ulëta të shqipes, që e kanë bërë fjalën “krim” zëvendësuese të fjalës “edukatë”, fjalën “drogë” zëvendësuesen e fjalës “ushqim” dhe që e kanë bërë llumin e komunikimit, standard në këtë Parlament.

Çfarë e dini ju Partinë Socialiste, shërbëtoren tuaj, apo shërbëtoren e atyre që janë jashtë?

Ne jemi këtu për t’i shërbyer atyre që na kanë zgjedhur dhe për t’i shërbyer këtij vendi, që e kemi udhëhequr dhe do të vazhdojmë ta udhëheqim, doni apo s’doni ju.

Dhe e dini pse e kemi udhëhequr dhe do të vazhdojmë ta udhëheqim këtë vend?

Jo se ne jemi të rënë nga qielli, as se ne jemi pa gabime, as se ne nuk kemi të metat tona, por sepse ky popull nuk është budalla. Çdo individ që flet në emër të popullit, qoftë një përfaqësues i lartë, qoftë një i verbër në rrjetet sociale dhe që derdh këtë gjuhë, është i destinuar që nga ky popull të marrë dënimin. Jua kam thënë atyre që përpara jush ishin këtu. Po jua them dhe juve, duhet të kapërceni një hendek të madh për të marrë votat. Nuk merrni vota, as me lista të mbyllura, as me lista të hapura, as me lista të shqyera, për një arsye shumë të thjeshtë. Sepse ju kujtoni se shqiptarët janë budallenj. Për sa kohë do vazhdoni të kujtoni se shqiptarët janë budallenj, ju s’keni shans të konkurroni Partinë Socialiste.

Listat janë të hapura. Unë përgjegjësi për iluzionet tuaja. Unë mbaj përgjegjësi për standardin që ka ligji. Ne nuk kemi shpikur asnjë model. Ne sot do rrëzojmë një shpikje që është karteli i partive në të ashtëquajturën koalicione, ku votat i merr njëri dhe i kalojnë tjetrit pa pikë turpi. Përsa i përket listave, çdokush që do të hyjë në listë ka mundësi të zgjidhet. Por që, për t’u zgjedhur, duhet të marrë votat. Pa vota, apo me 100 vota nuk ka.

Partia Socialiste nuk është as kompani fitimprurëse dhe nuk është as Partia Demokratike. Nuk është as një furgon i shpikur “kap ça të kapësh” dhe as një tren mallrash si kartelet e koalicioneve të Partisë Demokratike. Partia Socialiste është një familje politike ku ka rregulla dhe Partia Socialiste ka të drejtën që të rendisë në listë të gjithë skuadrën e vet, nga portieri deri tek sulmuesi, bashkë me rezervat. Dhe çdo rezervë që merr votat futet në fushë. Çdo lojtar që është në fushë dhe nuk arrin të marrë votat, del në stol. Më  thjeshtë së kaq s’ka.

SH.P.K,  për të lëshuar deri edhe viktimat e OFL-së, që kontaktohen nëpër skuta katundesh nga i pari i vendit, nuk ka.

Lista të hapura që nën formulën e hapjes ndjellin llumin, paranë e zezë, forcat që ushtrojnë presion mbi komunitetet për të dalë dhe për t’u turrur si çakej nëpër zona, t’i harroni ju, t’i harrojë kushdo tjetër, t’i harroje edhe Ilir Meta!

Ilir Meta që del e flet në emër të Kushtetutës, në emër të shqiptarëve, me një gjuhë që mbase i shkon me viktimat e OFL-së, por nuk i shkon me Partinë Socialiste, me deputetët e saj, nuk i shkon me popullin shqiptar, që do afishoka emrat e deputetëve publikisht dhe që secili do merrka përveçse kosto politike dhe morale, por edhe personale. Nga kush? Në çfarë mënyre? Me cilat mjete të dhunshme, apo me ato armët që do rrëmbeheshin në 2017-ën?

Shqipëria ka nevojë për të gjithë, padiskutim, por as nuk është sekret, as nuk është diçka për të cilën unë jam fshehur ndonjëherë, unë nuk jam udhëheqësi i Partisë Socialiste për të ushqyer partitë e vogla. Nuk është fare ky qëllimi im dhe nuk është fare kjo detyra ime. Bindja ime është që asnjë pati e vogël në historinë e pluralizmit nuk ka sjellë asgjë të mirë për Shqipërinë. Partitë e vogla janë grupe shantazhierësh. Partitë e vogla janë grupe interesi që krijohen “kap ça të kapësh”. Partitë e vogla janë ato që kanë shqyer më shumë sesa të mëdhatë, më shumë sesa Partia Socialiste dhe se Partia Demokratike, plaçkën “shtet”. Partitë e vogla janë parti pengmarrësish që vijnë në Parlament për të kapur një ministri e për ta bërë ministrinë degë të thesarit, jo të partisë, se nuk ka parti, degë thesari të atij që ka vulën. Kjo është e vërteta. S’ka të vërtetë tjetër.

Fakti që kanë qenë të tilla deri më sot nuk do të thotë që as të pengohen dhe as që të mos jenë ndryshe nesër. Kjo është bindja ime.

Unë e di çfarë doni ju. Unë e di çfarë do Ilir Meta. Ju doni që të grumbulloni njerëz rrugës, pa pyetur çfarë mund të bëjnë këta për popullin shqiptar dhe për Shqipërinë dhe t’u thoni: Turru vëlla, bliji, kapi, lidhi, mblidhi, silli. E pastaj të vijë kush vijë këtu, për të bërë të njëjtën gjë, për t’u turrur, për të kapur, për të mbledhur, për të lidhur, për të sjellë. E në fakt jo për të sjellë, por për të çuar tek shtëpia.

Më vjen shumë mirë që buzëqeshni sepse e dini edhe vetë, prandaj rroftë maska, që të paktën të buzëqeshni nën maskë. Por kjo është e vërteta!

Sa për diktaturën, diktatorët, autokratët, po ju them që jo diktator e autokrat, por sikur thjesht e vetëm të isha pak sa Saliu, ata që janë jashtë nuk kishin shans të uleshin në tavolinë e të dëgjoheshin, të stër dëgjoheshin, të këshilloheshim e të stër politiko-këshilloheshim,  të firmosnim marrëveshje, t’ju bënim këtu edhe votat. T’ju çonim edhe zëvendëskryeministër Erjon Braçen, për ta bërë kryetar të Komisionit të Zgjedhjeve e të na e refuzonin. I kemi çuar Ilir Rusmailin, për të bërë kryetar të KQZ-së, këtyre që kanë hallin e votës. Kanë refuzuar zëvendëskryeministrin e Sali Berishës.

E parafytyroni dot për një moment, të çonte Sali Berisha, Erjon Braçen që ne ta bënim kryetar Komisioni?

Nuk e parafytyroni dot!

E parafytyroni dot, që ne mos të ishim fare në sallë e të vinte Saliu me deputetët e vet e të votonin anëtarët e komisioneve që ne ia kishim dhënë me letër rrugëve?

Këtë do bëjmë ne sot.

Unë do mbyll hundën, me gjithë maskë sipër dhe do votoj ca personazhe që vijnë direkt nga frigoriferi i SHQUP-it. Për një arsye shumë të thjeshtë, se nuk jam as diktator, nuk jam as autokrat e se mbi të gjitha, Partia Socialiste e ka në ADN-në e vet qytetarinë, atë që nuk kuptoni ju, atë që nuk kuptojnë ata jashtë. E pavarësisht si ngatërroni ju gjuhën dhe fjalët, ka një ndryshim të madh mes meje, jush dhe atyre jashtë. Mes nesh, jush dhe atyre jashtë. Nëse ju më gjeni në gjithë historinë e fjalëve të mia, një herë që unë t’i jem drejtuar dikujt, qoftë edhe Saliut, ti je kriminel, ti je narkoman, ti ja mashtrues, atëherë keni të drejtë të thoni “jemi njësoj”.

Por e dini pse?

Sepse këto nuk janë fjalë që mund të dalin nga goja e dikujt që përfaqëson të tjerë. Kjo është rrugaçëri.

Më vjen keq për zonjat që i përdorin këto fjalë. Nuk dua t’i fyej, por këto janë fjalë rrugaçësh. Vetëm një rrugaç del në rrugë dhe i turret tjetrit duke i thënë fjalën e fundit e fjalë, të cilat, nëse janë të vërteta për një politikan, ai politikan nuk e ka vendin fare këtu. Nëse unë do mendoja në atë formë, atëherë do isha njësoj si ju dhe si ata.

Gjuha shqipe kocka nuk ka, por kocka thyen dhe ndryshim mes gjuhës sime, gjuhës tuaj dhe gjuhës së atyre, e dini kush është? Që gjuha ime ju thyen kockat juve, prandaj ju tërboheni dhe thoni “po bën kështu, e ashtu”. Gjuha ime jua thyen e do t’jua thyejë kockat, në sensin e oratorisë politike, kurse gjuha juaj nuk thyen  kocka, siç thotë populli për gjuhën. Gjuha juaj thyen themelin e bashkëjetesës dhe normat elementare të edukatës së të jetuarit së bashku. Thyen kontratën tuaj natyrale me fëmijët tuaj, në radhë të parë.

Habitem, çfarë u thoni fëmijëve kur u shkoni në shtëpi?

Çfarë u thoni fëmijëve kur ju dëgjojnë duke folur e duke lehur e duke klithur të gjitha fjalët më të ulëta të shqipes, çdo ditë e çdo ditë?

Çfarë u mësoni fëmijëve tuaj?

Që atë që nuk e duan, atë me të cilin nuk janë dakord, atë, i cili e mund në një garë, ta shohin si pre dhe t’i turren duke i thënë gjithë të zezat, këtë u mësoni fëmijëve tuaj?

Të jeni të sigurt që këtë u mësoni dhe është fatkeqësi e madhe për fëmijët tuaj, për fëmijët e të tjerëve jashtë dhe për fëmijët e gjithë shqiptarëve, që shohin deputetë që lëshohen në gjuhë si “gamori në dahon”.

Dhe ju e bëni për Shqipërinë! Ju e bëni për atdheun! Mos!

Juve ju shqetëson fati i popullit!

Ju shqetëson fati i të rinjve që po ikin dhe do t’i mbani të rinjtë në Shqipëri me këtë gjuhë e me këtë edukatë, duke thënë një në dy fjalë mashtrues? Një në tre fjalë hajdut? Një në tre fjalë narkoman? Një në katër fjalë kriminel?

Që të jeni shumë të qartë, nuk e dua unë fare, do ta mbyll hundën dhe do votoj komisionet politike. Do t’i votoj sepse janë tre palë në këtë mes dhe sepse unë nuk jam as diktator dhe as autokrat, por jam thjesht i pari i një familjeje politike që gjithë jetën e vet ka marrë kosto politike dhe kosto aritmetike, sa herë ka bërë ligje zgjedhore, duke hapur rrugën që kurrë nuk do t’ia kishin hapur, nëse do të ishin në të njëjtat pozita. Për këtë e bëj, doni apo nuk doni ju, duan apo nuk duan ata që janë jashtë dhe duan apo nuk duan të gjithë ata që ju dëgjojnë, ju imitojnë dhe flasin si ju dhe i thonë vetes opozitarë dhe zihen me opozitarin që kanë komshi. Duke kujtuar se jeta do bëhet më e bukur, po të vijë në pushtet Luli me Ilirin, me Saliun, me Monikën, se ju jeni në momentin e bingos, por bingo një herë bie. Juve ju ra bingo, gëzojuni bingos, por mos e bëni si ata që vinin baste dhe ato 5 lekë që fitonin, i linin për raki. Ju nuk fituat asgjë, por iku rulota në anë dhe ju mbetën juve zaret. Çfarë kujtoni, se do hidhni zare këtu, në kurrizin tonë?

Mendoni sa gjëra, për të cilat unë, sipas jush, diktator i madh, do votoj këtu, pa asnjë dëshirë. Përkundrazi, do mbyll hundën dhe do votoj. Si përsa i përket institucioneve të zgjedhjeve, ku ju çuam zëvendëskryeministrin e ministrin e Drejtësisë të Sali Berishës, një njeri, i cili për aq vite sa ka qenë këtu dhe kur e ka pasur atë foltore, nuk ia ka përtuar në asnjë sekondë të sulmojë Partinë Socialiste. Një njeri tek i cili, unë personalisht vlerësoj vetëm një gjë. Është nga shumë të paktit që kanë hyrë në këtë sallë, nga krahu djathtas, që gjuha e tij, kur flet thyen kocka, por themelet e edukatës në komunikim nuk i shemb, siç i shembin të gjithë ata që janë jashtë dhe shumica prej jush që jeni këtu brenda. Ky është i vetmi vlerësim. Për  gjithë të tjerat, asnjë lidhje me të. Dhe ata e refuzojnë.

E ndërkohë do votoj bashkë me gjithë këtë grup parlamentar kundër asaj që kam thënë në mënyrë të përsëritur po këtu, që nuk ka më komisione me parti, komisionet do jenë të depolitizuar, do jenë me shërbim civil. Por që ta bëjë këtë Partia Socialiste, duhet të ketë dakordësinë e lojtarëve të tjerë, sepse Partia Socialiste, për këtë arsye ndryshon nga Partia Demokratike. Këtu ndryshoj unë nga ata, nga Saliu e nga të tjerët me radhë, sepse respektojnë faktin që, sidoqoftë, në ndeshje, ata do jenë në fushë, pavarësisht se sot kanë ikur nga stadiumi dhe bëjnë stërvitje ping – pong tek SHQUP-i.

Ju i doni të gjitha, ju dashkeni që edhe modeli i hapjes së listave të jetë siç e doni ju; edhe komisionet të depolitizohen siç e doni ju; edhe pragu të ulet 1%, siç e doni ju; edhe të kandidoni, – kur të bëheni kryetar, se nuk jeni asnjëri, – në shumë qarqe. Po kush jeni ju që i dashkeni të gjitha dhe çfarë e dini ju Partinë Socialiste?

Mos ju duket se keni gjetur një lopë për të mbushur kovën që ju ra në dorë, pa dashje? I ra Lulit kova rrugës, ju e kapët dhe keni ardhur të milni Partinë Socialiste tani?

Të gjitha nuk ka! Pragun e ulëm, megjithëse nuk është sekret se çfarë mendoj. Partitë e vogla nuk i sjellin asgjë të mirë demokracisë. Fare. Në Shqipëri jo e jo, por nuk kam parë ndonjë vend ku i sjellin gjëra  të mira, këto të voglat që janë si ato zhurmat statistikore pas presjes. Partia e Gjelbër në Gjermani [pas ndërhyrjes së deputetit Kujtim Gjuzi] ka shumë herë më tepër vota se gjithë mbretëria që ke ti në kokë.

Miqtë e mi, nuk mund të jetë kështu e mbi të gjitha nuk mund të jetë kjo punë me fjalor e me shkulma e me kërcënime e me shantazhe, si ato që bën ai që është zhveshur komplet nga kostumi i Presidentit dhe ngre shtanga në palestrën e Presidencës.

Ky ligj sot do votohet. Do të hyjë në fuqi sipas rregullave. Fusha është e hapur, kush do të bëhet deputet apo deputete e ka mundësinë, mjafton të ketë votat e nevojshme. Partinë Socialiste të Shqipërisë, momentin që do nxirrni këtë mësim, mund të filloni rrugën për ta mundur ndonjë ditë. Jo mua, Partinë Socialiste të Shqipërisë, peng njeri, forcë, bashkim forcash, nuk e merr dot. Këtë mësojeni.

Koalicionet, e kemi thënë të gjithë, nuk do t’i heqim, por do t’i qytetërojmë. Koalicionet nuk mund të jenë kope speciesh të ndryshme, që dalin nga drejtime të ndryshme nga pylli dhe mblidhen tek kryqëzimi. Koalicionet janë bashkim forcash me një logo.

Ç’është ky koalicion si një tren, ku çdo vagon të jep drejtim tjetër! Sepse ideja është “kap çfarë të kapësh” e pastaj në fund, vagonët turru kë të kapësh.

Kështu nuk ka më kështu!

Koalicionet si në të gjithë vendet e Europës; bashkohemi, përcaktojmë programin, përcaktojmë kush është personi që e udhëheq, kush do jetë ai që nesër do kemi kryeministër dhe kush është skuadra. Koalicion që ti nisesh këtej e një tjetër andej, del nga ferra dhe thotë ma hidh mua se unë jam me atë, por ki parasysh që sa t’ia marr atij, do shkoj të kap atë tjetrin, nuk ka më ashtu. Ato nuk ekzistojnë më nga momenti që ky Parlament do ngrejë dorën për t’i varrosur njëherë e përgjithmonë.

Listat e hapura patjetër. Çdo deputet duhet të mbledhë votat se, nëse ai që është lart nuk mbledh votat, vjen ai tjetri që është më poshtë dhe i thotë hap krahun se erdha unë. Nuk ka më që të jesh në listë para e të thuash kooperativa bujqësore e bashkuar socialiste punon për mua dhe pastaj unë të shoh si do shkojë puna ime, kur të kap karrigen. Nga ana tjetër janë ata poshtë që thonë kooperativa këtë herë e ka bërë planin, kështu që unë jam thjesht për të mbushur sheshin e kooperativës, kur të vijë kryetari i kooperativës.

Nuk ka më kështu!

Çdo deputet të marrë votat, të shkojë në Parlament. Nëse tjetri nga mbrapa merr më shumë se ai, t’i hapë krahun tjetrit. Çfarë doni më shumë të hapura ju? Ne nuk mund të bëjmë ligj për Ralfin. Unë e dua shumë Ralfin, por ligj për Ralfin nuk bëjmë dot, është e pamundur.

Ky është ligj për ata që kanë vota e që duan të konkurrojnë e të marrin vota, jo për ata që thonë, “ta hedhim një herë grepin, se nuk i dihet”.

Kështu nuk ka! Notar që futen poshtë varkës së peshkimit, që të kapin ndonjë gjë tek rrjeta që mbledh varka, nuk ka. Është një sport që do ndalohet me votë sot. Notar që t’i futen vetë me not e të dalin matanë, urdhëro, deti është i hapur.

Suksese në zgjedhje të ardhshme, juve, Ilir Metës, Saliut, Lulit, Monës me gjithë kamerdare, me gjithë kanoe, me gjithë lopata e me gjithë shtanga!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.