Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me punonjësit e rinj të Qendrës së re të Mirëmbajtjes së Rrjetit të Gazit në Fier:

Dëshiroj t’i shpreh mirë se ardhjen edhe miqve tanë, zëvendësambasadorit dhe të tjerëve këtu, në këtë vatër të re të dijes dhe të punës, ku falë një procesi shumë të mirëorganizuar janë përfshirë 36 të reja e të rinj, studentë, të cilët kanë kryer universitetin dhe tanimë janë në frontin e punës në një fushë që është e gjitha për t’u zhvilluar në Shqipëri.

Jemi në një fazë shumë interesante dhe shumë frymëzuese të zhvillimit në sektorin e energjisë në të gjitha drejtimet, edhe falë një risie jashtëzakonisht të mirëseardhur, që lidhet me planin e madh të zhvillimit të rajonit tonë me mbështetje masive financiare nga Bashkimi Europian, ku një nga tre shtyllat e planit është pikërisht zhvillimi i sektorit të energjisë me prioritet investimet, ndër të cilat edhe investimi në fushën e gazit. Ky investim në fushën e gazit në rajonin tonë lidhet me Shqipërinë, sepse Shqipëria, siç dëshmon edhe prania juaj këtu, ka tanimë në dispozicion një aset shumë të vyer, që është gazsjellësi TransAdriatik, prej të cilit, ne synojmë dhe tani synimi merr një formë shumë më konkrete, të shtrijmë rrjetin e shpërndarjes së gazit, jo vetëm në territorin tonë, por edhe në rajon.

Objektivi ynë është që së bashku me disa vende të tjera të rajonit të ndërtojmë dhe gazsjellësin Adriatiko-Jonian. Ky gazsjellës është një ndryshim i madh në hapësirën ku ne jetojmë dhe sot, me planin e madh të Bashkimit Europian është një mundësi reale, siç është një mundësi reale, shtrirja e rrjetit të furnizimit me gaz në territor për familjet, për bizneset, që do të ulë në mënyrë shumë të ndjeshme koston e energjisë elektrike e nga ana tjetër, siç është edhe mundësia e degëzimeve në Kosovë dhe më tutje.

Ne pak përpara kemi finalizuar një proces shumë të bukur dhe të suksesshëm për ndërtimin e parkut të parë me energji diellore në Shqipëri. Është parku më i madh me energji diellore në rajonin tonë. Sot, përpara se të vija këtu kemi nënshkruar online Memorandumin e Bashkëpunimit me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe aty është folur edhe për këtë sukses të rëndësishëm të qeverisë sonë, në hedhjen e hapit të parë. Tani po përgatitemi për hapin tjetër, për një tjetër park të rëndësishëm të energjisë diellore në zonën e Durrësit.

Po ashtu sapo kemi nënshkruar një marrëveshje me qeverinë amerikane për të ndërtuar Skavicën, një vepër që është projektuar si një ëndërr prej dekadash e dekadash të tëra e që do të na krijojë mundësinë të mos çojmë dëm asnjë pikë ujë që është i destinuar për prodhim energjie, të mos kemi më asnjë shqetësim për përmbytjet që shkaktohen nga hapja e portave të hidrocentralit kur ka reshje intensive, që shkojnë përtej kapacitetit mbajtës.

E kështu me gazin, me hidron dhe me energjinë diellore, ne diversifikojmë në mënyrë jashtëzakonisht domethënëse portofolin e energjisë, duke qëndruar në platformën e përbashkët europiane të energjisë së pastër, gjë që na jep ne edhe një plus në aspektin e potencialit, pasi në rajon, një pjesë e konsiderueshme e energjisë që prodhohet është energjia që prodhohet me anë të qymyrit, për të cilin Bashkimi Europian ka direktiva dhe objektiva shumë agresive në rrugën drejt energjisë së pastër.

Ju hyni në këtë front tamam në një moment fillimi të ri drejt një ndryshimi të madh të ri. Besoj që edhe ju vetë jeni të vetëdijshëm që hyrja juaj në këtë front vjen me kushte goxha optimale për t’u rritur profesionalisht. Bashkëpunimi ynë me kompaninë italiane është një bashkëpunim strategjik, shumë i rëndësishëm edhe në funksion të dijes, në funksion të rritjes së kapaciteteve tona në një fushë që është e re për ne dhe ku ne kemi krijuar kompaninë Albgaz, që është në zhvillim e sipër dhe jemi vërtetë shumë të motivuar që të ecim me hapa sa më të shpejtë përpara.

Ju uroj shumë sukses në këtë aventurë të re të jetës suaj dhe uroj shumë që shembulli juaj të jetë frymëzim për shumë të tjerë. Ndërkohë që me siguri, në këtë sektor, ne do të kemi shumë më tepër oportunitete për vende të reja pune që kërkojnë dije, vende pune për specialistë, vende pune që, siç dëshmojnë edhe krijimi i kësaj skuadre të re, janë aty për të gjithë ata që duan të zhvillojnë karrierën, bazuar në investimin e madh që kanë bërë për të studiuar në këtë fushë dhe patjetër në pasionin për të ecur përpara e për t’u bërë sa më të zotë dhe sa më të nevojshëm në këtë fushë.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.