Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Tetor 2020:
P R O J E K T L I GJ
PËR
TË DHËNAT E HAPURA DHE RIPËRDORIMIN E INFORMACIONIT TË SEKTORIT PUBLIK ”
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj përcakton bazën ligjore për promovimin e përdorimit të të dhënave të hapura në Republikën e Shqipërisë me qëllim nxitjen e inovacionit në ofrimin e produkteve dhe të shërbimeve, si dhe rregullat për të drejtën e ripërdorimit për qëllime fitimi ose jo të dokumenteve që mbahen nga organet e sektorit publik ose sipërmarrjet publike.
Neni 2
Objekti dhe fusha e zbatimit
Ky ligj zbatohet për ripërdorimin e:
a) dokumenteve ekzistuese që mbahen nga organet e sektorit publik;
b) dokumenteve ekzistuese që mbahen nga sipërmarrjet publike:
i. që kryejnë veprimtari sektoriale sipas ligjit për prokurimet publike në ofrimin e shërbimeve të interesit të përgjithshëm në sektorët e ujit, të energjetikës, të transportit dhe të shërbimeve postare;
ii. veprojnë si operatorë të shërbimeve të transportit publik, rrugor, ajror e detar.
c) të dhënave kërkimore, si: statistika, rezultate eksperimentesh, matje, vëzhgime që vijnë nga puna në terren, rezultate anketimesh, regjistrime intervistash e imazhe, duke përfshirë dhe të dhënat meta (metadata), specifikime dhe objekte të tjera digjitale, në përputhje me parashikimet e nenit 12, të këtij ligji.
Neni 3
Kufizime
1. Ky ligj nuk zbatohet për dokumente:
a) ofrimi i të cilave është jashtë objektit të veprimtarisë së organit përkatës të sektorit publik;
b) të sipërmarrjeve publike të parashikuara në shkronjën “b”, të nenit 2, të këtij ligji, kur ato janë hartuar përtej objektit të ofrimit të shërbimit të interesit të përgjithshëm ose që nuk janë subjekt i rregullave të prokurimit sipas legjislacionit për prokurimin publik;
c) për të cilat palët e treta kanë të drejta të pronësisë intelektuale;
ç) që përmbajnë të dhëna sensitive, përfshirë dhe ato që përjashtohen për arsye të:
i. mbrojtjes së sigurisë kombëtare, të mbrojtjes ose të sigurisë publike;
ii. konfidencialitetit statistikor;
iii. konfidencialitetit të të dhënave tregtare apo profesionale të kompanive/shoqërive tregtare.
d) aksesi i të cilave është i përjashtuar apo i kufizuar për shkak të mbrojtjes së infrastrukturës kritike me të dhëna sensitive;
dh) aksesi i të cilave është i kufizuar sipas ligjit për të drejtën e informimit, përfshirë rastet ku qytetarët apo personat juridikë duhet të provojnë një interes të veçantë për të aksesuar dokumentet;
e) si: logo, stema apo shenja;
ë) aksesi i të cilave është i përjashtuar apo i kufizuar, si dhe pjesë të dokumenteve që përmbajnë të dhëna personale, ripërdorimi i të cilave nuk është në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale;
f) të Radiotelevizionit Publik Shqiptar (RTSH) dhe të institucioneve të varësisë së tij, në kuadër të përmbushjes së funksionit të shërbimit të transmetimit publik;
g) të institucioneve kulturore, duke bërë përjashtim nga këto institucione bibliotekat universitare, muzetë dhe arkivat;
gj) të institucioneve të arsimit parauniversitar e në rastin e institucioneve të arsimit të lartë;
h) që janë në zotërim të organizatave të kryerjes së kërkimeve shkencore dhe të organizatave të financimit të kërkimeve, përfshirë organizatat e themeluara për transferimin e rezultateve të kërkimeve, përveç atyre të përcaktuara në shkronjën “c”, të nenit 2, të këtij ligji.
Neni 4
Lidhja me ligjet e tjera
1. Ky ligj mbështetet në dispozitat ligjore që rregullojnë të drejtën për akses në dokumente dhe nuk përcakton të drejta shtesë për akses në informacion, në tejkalim të dispozitave në fjalë.
2. Dispozitat e ligjit për të drejtën e informimit nuk preken nga ky ligj. E njëjta vlen edhe për detyrimet ligjore për mbrojtjen e konfidencialitetit.
3. Ky ligj nuk cenon mbrojtjen e individëve lidhur me përpunimin e të dhënave personale, sipas parashikimeve të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe mbrojtjen e privatësisë në komunikimet elektronike.
4. Ky ligj nuk cenon të drejtat e pronësisë intelektuale të rregulluara sipas legjislacionit në fuqi për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të, si dhe nga marrëveshjet ndërkombëtare për pronësinë intelektuale, ku Republika e Shqipërisë është palë.
5. Të drejtat e pronësisë intelektuale të palëve të treta për krijimin e databazave nuk preken nga ky ligj.
6. Rregullat e përcaktuara në këtë ligj për ripërdorimin e dokumenteve të organeve të sektorit publik dhe të sipërmarrjeve publike përfshijnë dhe dokumentet për të cilat zbatohet ligji për të dhënat gjeohapësinore.
Neni 5
Përkufizime
Për qëllime të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Anonimizim”, procesi i ndryshimit të dokumenteve në mënyrë që dokumenti të mos lidhet me një individ të identifikuar ose të identifikueshëm;
2. “Dokument”, çdo përmbajtje, pavarësisht formatit (shkresor ose elektronik, regjistrim zanor, pamor ose audioviziv) ose çdo pjesë e këtyre përmbajtjeve;
3. “Format i lexueshëm nga kompjuteri”, format i strukturuar në mënyrë të tillë që programet informatike të mund të identifikojnë, të njohin e të ekstraktojnë lehtësisht të dhëna të caktuara, përfshirë deklaratat individuale dhe strukturën e tyre të brendshme;
4. “Grupe të dhënash me vlerë të madhe”, dokumente, ripërdorimi i të cilave lidhet me përfitime të rëndësishme për shoqërinë, mjedisin dhe ekonominë, veçanërisht në krijimin e shërbimeve dhe të aplikacioneve me vlerë të shtuar, si dhe hapjen e vendeve të punës të përshtatshme dhe me cilësi të lartë;
5. “Institucione të arsimit të lartë”, i njëjti kuptim me atë të ligjit të zbatueshëm për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor;
6. “Licencë standarde”, tërësia e kushteve të ripërdorimit të paracaktuara në një format digjital që i bëhen të njohura aplikantit në momentin e kërkesës për ripërdorim;
7. “Metadata”, çdo e dhënë që jep informacion për të dhëna të tjera;
8. “Ndërfaqe e programimit të aplikimit (API)”, ndërfaqe software-i për bashkëveprimin ndërmjet sistemeve, i cili lejon shkëmbim informacioni midis sistemeve dhe aplikacioneve;
9. “Organet e sektorit publik”, çdo organ i pushtetit qendror, i cili kryen funksione administrative; çdo organ i enteve publike, në masën që ato kryejnë funksione administrative; çdo organ i pushtetit vendor që kryen funksione administrative; çdo organ i Forcave të Armatosura, për aq kohë sa kryejnë funksione administrative, si dhe çdo person fizik ose juridik, të cilit i është dhënë me ligj, akt nënligjor ose çdolloj forme tjetër, të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, e drejta e ushtrimit të funksioneve administrative publike;
10. “Palë e tretë”, çdo person fizik apo juridik, përveç një organi të sektorit publik ose të një sipërmarrjeje publike që zotëron të dhëna;
11. “Ripërdorimi”, përdorimi nga ana e personave fizikë ose juridikë i dokumenteve që mbahen nga organet e sektorit publik në kuadër të detyrës publike ose sipërmarrjeve publike në kuadër të shërbimeve që ato ofrojnë, për qëllime tregtare ose jo, të ndryshme nga qëllimi fillestar për të cilën dokumenti është prodhuar. Shkëmbimi i dokumenteve ndërmjet organeve të sektorit publik ose ndërmjet sipërmarrjeve publike në përmbushje të detyrave të tyre publike nuk përbën ripërdorim;
12. “Sipërmarrje publike”, çdo sipërmarrje që vepron në fushat e përcaktuara në shkronjën “b”, të nenit 2, të këtij ligji, mbi të cilën organet e sektorit publik mund të ushtrojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi një ndikim dominues për shkak të pronësisë që kanë mbi të, të pjesëmarrjes së tyre financiare në të apo nëpërmjet rregullave që e qeverisin atë. Ndikimi i organeve të sektorit publik në sipërmarrje publike vlerësohet kur organet e sektorit publik, drejtpërdrejt apo tërthorazi:
a) kanë shumicën e aksioneve të sipërmarrjes;
b) kontrollojnë shumicën e votave lidhur me aksionet e hedhura në treg nga sipërmarrja;
c) mund të emërojnë më shumë se gjysmën e organit administrativ, drejtues apo mbikëqyrës të sipërmarrjes.
13. “Standard i hapur zyrtar”, standard që është përcaktuar me shkrim e që detajon specifikimet për kërkesat lidhur me sigurimin e ndërveprueshmërisë së programeve kompjuterike;
14. “Të dhëna dinamike”, dokumente në formë digjitale, që u nënshtrohen përditësimeve të shpeshta ose në kohë reale, në veçanti për shkak të paqëndrueshmërisë së tyre ose të vjetrimit të shpejtë. Të dhënat e gjeneruara nga sensorët zakonisht konsiderohen të dhëna dinamike;
15. “Të dhëna të hapura”, format i pavarur nga platforma, i vënë në dispozicion të publikut pa asnjë kufizim, që pengon ripërdorimin e dokumenteve;
16. “Të dhëna kërkimore”, dokumente në format digjital, si: statistika, rezultate eksperimentesh, matje, vëzhgime që vijnë nga puna në terren, rezultate anketimesh, regjistrime intervistash dhe imazhe, duke përfshirë dhe të dhënat meta (metadata), specifikime dhe objekte të tjera digjitale, përveç publikimeve shkencore, të cilat mblidhen ose krijohen gjatë veprimtarive të kërkimit shkencor dhe përdoren si provë në procesin kërkimor;
17. “Të dhëna personale”, i njëjti kuptim me atë të ligjit të zbatueshëm në fushën e mbrojtjes të të dhënave personale;
18. “Të dhëna sensitive”, i njëjti kuptim me atë të ligjit të zbatueshëm në fushën e mbrojtjes të të dhënave personale;
19. “Veprimtari sektoriale”, veprimtari nga fusha e prokurimit në sektorët e ujit, energjetikës, transportit e shërbimeve postare, të cilat rregullohen sipas ligjit për prokurimin publik.
KREU II
KËRKESAT PËR RIPËRDORIM
Neni 6
E drejta për ripërdorim
1. Çdo person gëzon të drejtën të ripërdorë dokumente ekzistuese të organit të sektorit publik për qëllime fitimi ose jo, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
2. Në rastet kur lejohet ripërdorimi për dokumente që bibliotekat, përfshirë bibliotekat universitare, muzetë dhe arkivat, zotërojnë të drejta të pronësisë intelektuale dhe për dokumentet e zotëruara nga sipërmarrjet publike, ripërdorimi i këtyre dokumenteve për qëllime fitimi ose jo bëhet në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
3. Organi i sektorit publik përcakton listën e dokumenteve ekzistuese që mund të ofrohen në formatin e të dhënave të hapura, të cilën e bën publike.
Për qëllime të ripërdorimit të dokumenteve, organi i sektorit publik nuk është i detyruar të krijojë ose të përshtasë dokumente apo të ofrojë ekstrakte në ato raste kur kjo kërkon përpjekje të konsiderueshme shtesë dhe joproporcionale që shkojnë përtej funksionit të zakonshëm.
Neni 7
Trajtimi i kërkesës
1. Organet e sektorit publik trajtojnë kërkesën për ripërdorim, duke i vënë në dispozicion dokumentin për ripërdorim kërkuesit sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pune nga dita e dorëzimit të kërkesës. Kur është e mundur dhe e përshtatshme, organet e sektorit publik trajtojnë kërkesën për ripërdorim me mjete elektronike.
2. Afati i parashikuar në pikën 1, të këtij neni, mund të zgjatet me jo më shumë se 20 (njëzet) ditë pune në rast të kërkesave voluminoze apo të ndërlikuara. Në këto raste, kërkuesi njoftohet se nevojitet më shumë kohë për trajtimin e saj brenda afatit të parashikuar në pikën 1, të këtij neni.
3. Organi i sektorit publik, i cili refuzon një kërkesë për ripërdorim, informon kërkuesin me shkrim lidhur me arsyet e refuzimit.
4. Sipërmarrjet publike dhe institucionet arsimore, organizatat që kryejnë kërkime dhe organizatat që financojnë kërkime nuk kanë detyrimin për të zbatuar këtë nen.
KREU III
KUSHTET PËR RIPËRDORIM
Neni 8
Formati i dokumenteve
1. Organi i sektorit publik dhe sipërmarrjet publike vënë në dispozicion një dokument në formatin e gjuhën që zotërohet, në datën e kërkesës për ripërdorim e kur është e mundur dhe e përshtatshme, përmes mjeteve elektronike në format të hapur, të lexueshëm nga kompjuterat, të aksesueshëm dhe të ripërdorshëm, së bashku me metadatat e tij.
2. Organi i sektorit publik dhe sipërmarrjet publike, kur është e mundur, hartojnë dhe bëjnë të disponueshme dokumentet për ripërdorim që nga faza e hartimit ose krijimit të tyre.
3. Organet e sektorit publik dhe sipërmarrjet publike nuk janë të detyruara të vijojnë prodhimin e ruajtjen e një lloji të caktuar dokumenti vetëm për ripërdorimin e tij nga një institucion i sektorit publik apo privat.
4. Organet e sektorit publik dhe sipërmarrjet publike, për aq sa është e mundur teknikisht, i bëjnë të disponueshme të dhënat për ripërdorim menjëherë pas mbledhjes, përmes ndërfaqeve të përshtatshme API, në formë dinamike ose kur është e përshtatshme, si një shkarkim i vetëm voluminoz (bulk download).
5. Në rastet kur vënia në dispozicion e të dhënave dinamike për ripërdorim nga organi i sektorit publik, sipas përcaktimit të pikës 4, të këtij neni, nuk është e mundur për arsye teknike ose financiare, këto të dhëna dinamike bëhen të disponueshme për ripërdorim brenda afatit të përcaktuar në nenin 7, të këtij ligji.
Neni 9
Kostoja e ripërdorimit
1. Ripërdorimi i dokumenteve, si rregull, ofrohet pa pagesë.
2. Ripërdorimi i dokumenteve mund të bëhet kundrejt një tarife, për të mbuluar kostot shtesë për arsye të riprodhimit, ofrimit e shpërndarjes së dokumenteve, për anonimizimin e të dhënave personale, si dhe masat e marra për të mbrojtur konfidencialitetin tregtar.
3. Bëjnë përjashtim nga ofrimi i dokumenteve pa pagesë:
a) organet e sektorit publik, të cilat, sipas legjislacionit të posaçëm për funksionimin e tyre, sigurojnë të ardhura për të mbuluar një pjesë të konsiderueshme të kostove që lidhen me kryerjen e detyrave të tyre publike;
b) bibliotekat, përfshirë bibliotekat universitare, muzetë dhe arkivat;
c) sipërmarrjet publike.
4. Të ardhurat nga ofrimi dhe lejimi i ripërdorimit të dokumenteve nuk mund të jenë më të larta se kostoja administrative për mbledhjen, prodhimin, riprodhimin, shpërndarjen e ruajtjen e të dhënave, dhe, në rastet që gjen zbatim, anonimizimin e të dhënave personale dhe masat e marra për mbrojtjen e informacionit sekret tregtar.
5. Për çdo rast ku aplikohet tarifa, metodologjia, masa dhe përdorimi i tarifës duhet të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Organi i sektorit publik që aplikon tarifa për të drejtën e ripërdorimit e bën atë publike në faqen e vet të internetit, si dhe në portalin unik qeveritar të të dhënave të hapura.
Neni 10
Licenca standarde
1. Ripërdorimi i dokumenteve, si rregull, është i hapur dhe vendosja e kushteve bëhet në rastet e justifikuara për interesin publik. Kushtet për ripërdorimin e dokumenteve duhet të jenë objektive, proporcionale dhe jodiskriminuese.
2. Ripërdorimi i dokumenteve është i hapur ose kundrejt aplikimit të licencës standarde. Në rastin e aplikimit të licencës standarde, licenca ofrohet në formatin elektronik sipas modelit të miratuar me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
3. Licenca standarde përcakton të drejtat e kufizimet e ripërdorimit, si: për printimin, kopjimin, përpunimin e të dhënave, lejimin ose jo të transferimit te palë të treta, kërkesat për respektimin e pronësisë intelektuale dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Neni 11
Lehtësimi i kërkimit të të dhënave të hapura
1. Me qëllim lehtësimin e kërkimit të të dhënave të hapura të ofruara nga organet e sektorit publik, krijohet/funksionon portali i të dhënave të hapura qeveritare.
2. Me vendim të Këshillit të Ministrave miratohen rregulla praktike për lehtësimin e kërkimit të të dhënave të hapura.
Neni 12
Të dhënat kërkimore
1. Të dhënat kërkimore të financuara me fonde publike janë të disponueshme për ripërdorim me qëllim fitimi apo jo.
2. Të dhënat kërkimore vihen në dispozicion duke respektuar të drejtat e pronësisë intelektuale, mbrojtjen e të dhënave personale dhe konfidencialitetin, sigurinë e interesat tregtare legjitime.
3. Detyrimet që lindin nga ky nen zbatohen vetëm për ato të dhëna kërkimore nga momenti që ato bëhen publike nga studiuesit, organizatat e kryerjes së kërkimeve ose organizatat e financimit të kërkimeve.
Neni 13
Mosdiskriminimi
1. Të gjitha kushtet në fuqi për ripërdorimin e dokumenteve zbatohen në mënyrë të njëjtë dhe nuk janë diskriminuese lidhur me kategoritë e ngjashme të ripërdorimit, përfshirë ripërdorimin ndërkufitar.
2. Nëse dokumentet ripërdoren nga një organ i sektorit publik si material për veprimtaritë e veta tregtare, që bien jashtë objektit të detyrave të veta publike, të njëjtat tarifa dhe kushte të tjera që zbatohen për përdoruesit e tjerë zbatohen edhe për dokumentet e kërkuara për këto veprimtari.
Neni 14
Marrëveshjet ekskluzive
1. Ripërdorimi i dokumenteve është i hapur për të gjithë.
2. Marrëveshjet dhe kontratat e tjera ndërmjet organeve të sektorit publik ose sipërmarrjeve publike që zotërojnë dokumente dhe palëve të treta nuk duhet të garantojnë asnjë të drejtë ekskluzive për ripërdorim.
3. Pika 2, e këtij neni, nuk gjen zbatim në rastet kur është e nevojshme një e drejtë ekskluzive për ofrimin e një shërbimi me interes publik, arsyeja për dhënien e së cilës shqyrtohet rregullisht, jo më pak se një herë në çdo 3 (tre) vjet.
4. Kur e drejta ekskluzive lidhet me digjitalizimin e burimeve kulturore, periudha e ekskluzivitetit nuk duhet t’i kalojë 10 (dhjetë) vitet. Kur ajo i kalon 10 (dhjetë) vitet, kohëzgjatja shqyrtohet gjatë vitit të 11 (njëmbëdhjetë) dhe, nëse është rasti, çdo 7 (shtatë) vjet pas tij.
5. Marrëveshjet ligjore, që, pa dhënë shprehimisht një të drejtë ekskluzive, synojnë ose mund të çojnë në vënien në dispozicion në mënyrë të kufizuar të ripërdorimit të dokumenteve nga subjekte të tjera përveç palëve të treta që marrin pjesë në marrëveshje, bëhen publike në internet të paktën 2 (dy) muaj para hyrjes në fuqi të tyre.
6. Efekti i këtyre marrëveshjeve ligjore për disponueshmërinë e të dhënave për ripërdorim vlerësohet çdo 3 (tre) vjet.
KREU IV
GRUPET E TË DHËNAVE ME VLERË TË MADHE
Neni 15
Kategoritë tematike të grupeve të të dhënave me vlerë të madhe
1. Në grupin e të dhënave me vlerë të madhe përfshihen të dhëna në fushat:
a) gjeohapësinore;
b) mjedisore dhe të vëzhgimit të tokës;
c) meteorologjike;
ç) statistikore;
d) shoqërive tregtare dhe pronësisë në këto shoqëri;
dh) transportit publik.
2. Me vendim të Këshillit të Ministrave shtohen kategori tematike të grupeve të të dhënave me vlerë të madhe sa herë është e nevojshme, me qëllim reflektimin e zhvillimeve teknologjike dhe zhvillimeve të tregut.
Neni 16
Ripërdorimi i grupeve specifike të të dhënave me vlerë të madhe
1. Për çdo kategori të të dhënave me vlerë të madhe për ekonominë dhe shoqërinë, nga organi/et publike përgjegjëse, në koordinim me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përcaktohen grupet specifike të këtyre të dhënave.
2. Grupet specifike të të dhënave me vlerë të madhe duhet të jenë:
a) të disponueshme pa pagesë;
b) të lexueshme nga kompjuteri;
c) të ofruara përmes API-ve; dhe
ç) kur është me rëndësi, të ofruara si një shkarkim i vetëm.
3. Pavarësisht nga sa parashikohet në pikën 2, të këtij neni, ofrimi pa pagesë i grupeve të të dhënave me vlerë të lartë nuk zbatohet për grupet specifike të të dhënave me vlerë të madhe në zotërim të sipërmarrjeve publike, që çojnë në shtrembërim të konkurrencës në tregjet përkatëse, si dhe për bibliotekat, përfshirë bibliotekat universitare, muzetë dhe arkivat.
4. Me vendim të Këshillit të Ministrave, organet e sektorit publik mund të përjashtohen nga detyrimi për ofrimin e të dhënave me vlerë të lartë pa pagesë për një periudhë jo më të gjatë se 2 (dy) vjet, në rast se ofrimi i tyre pa pagesë do të kishte ndikim thelbësor në buxhetin e këtyre organeve.
KREU V
SHKELJET DHE SANKSIONET ADMINISTRATIVE
Neni 17
Kundërvajtjet administrative dhe sanksionet
1. Kundërvajtje administrative konsiderohen veprimet e mosveprimet në kundërshtim me këtë ligj, si më poshtë vijon:
a) Refuzimi i vënies në dispozicion të dokumenteve për ripërdorim, në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 1 000 000 (një milion) lekë;
b) Mospublikimi i tarifave në kundërshtim me pikën 5, të nenit 10, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
c) Mosrespektimi i kërkesave ligjore për kushtet e ripërdorimit/licencës standarde dënohet me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;
ç) Mospublikimi i listës së dokumenteve ekzistuese që mund të ofrohen në formatin e të dhënave të hapura dënohet me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë; mosbashkëpunimi dhe mosdhënia e informacionit të kërkuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në këtë ligj dënohet me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
2. Vendosja e masave administrative ndaj organit të sektorit publik ose sipërmarrjes publike që kryen kundërvajtje administrative duhet të jetë proporcionale me dëmin e shkeljet e shkaktuara.
3. Në çdo rast, organi i sektorit publik ose sipërmarrja publike, brenda 30 (tridhjetë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit, mund të bëjë ankim në gjykatë në përputhje me ligjin për kundërvajtjet administrative.
KREU VI
KOMPETENCAT E PROCEDURAT PËR SHQYRTIMIN E ANKESAVE
Neni 18
Kompetencat e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale
1. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është përgjegjës për mbrojtjen, mbikëqyrjen dhe promovimin e së drejtës për ripërdorim të dokumenteve sipas këtij ligji.
2. Organet e sektorit publik duhet të bashkëpunojnë me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke i dhënë të gjithë informacionin që ai kërkon për përmbushjen e detyrave të tij, të përcaktuara në këtë ligj.
Neni 19
Procedura për shqyrtimin e ankesave
1. Nëse palët e interesuara vlerësojnë se organi i sektorit publik ose sipërmarrja publike ka cenuar të drejtën e tyre për ripërdorim të dokumenteve sipas parashikimeve të këtij ligji, ato kanë të drejtë të ankohen në rrugë administrative pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në përputhje me këtë ligj dhe Kodin e Procedurave Administrative.
2. Ankimi administrativ pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditësh pune nga dita kur:
a) ankuesi ka marrë njoftim për refuzimin e ripërdorimit të dokumenteve;
b) ka kaluar afati i parashikuar në këtë ligj për dhënien e dokumentit për ripërdorim.
3. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, brenda 30 (tridhjetë) ditësh pune nga dita kur është dorëzuar ankimi, vendos:
a) mospranimin e ankesës kur:
i. ka kaluar afati i parashikuar në pikën 2, të këtij neni;
ii. ankimi nuk paraqitet në formë shkresore;
iii. nuk tregohet emri dhe adresa e ankuesit.
b) pranimin e ankesës e urdhërimin e organit të sektorit publik ose të sipërmarrjes publike për të vënë në dispozicion dokumentin e kërkuar për ripërdorim në mënyrë të plotë ose të pjesshme;
c) rrëzimin e ankesës, pjesërisht ose tërësisht;
ç) afatin, brenda të cilit organi i sektorit publik ose sipërmarrja publike duhet të zbatojë urdhrin.
4. Në qoftë se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk merr vendim përpara mbarimit të afatit të parashikuar në pikën 3, të këtij neni, ankuesit i lind e drejta për t’iu drejtuar gjykatës.
Neni 20
Ankimi në gjykatë
Të gjitha palët e prekura nga vendimi i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale kanë të drejtën të ankimojnë këtë vendim në gjykatën administrative kompetente.
Neni 21
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 2 vjet pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR TË DHËNAT E HAPURA DHE RIPËRDORIMIN E INFORMACIONIT TË SEKTORIT PUBLIK”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Propozimin e projektligjit “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE