Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e ekspozitës të librave të rrallë, me rastin e 100 vjetorit të Bibliotekës Kombëtare:
Ka një tregim të shkrimtarit të famshëm Danilo Kiš ku një djalosh kërkon përmes shkrimeve të zbulojë jetën e të atit, ku për 5 vitet e para të jetës komentari thotë plot nostalgji se do të jenë vitet më të bukura të jetës së tij.
Kjo gjë mu kujtua kur po përgatitesha për të ardhur këtu për të folur pikërisht për zbulimin e jetës së të tjerëve dhe të të parëve tanë, përmes shkrimeve që strehohen prej 100 vjetësh në Bibliotekën tonë Kombëtare.
Natyrisht që është një fatkeqësi më vete që në një moment kaq të rëndësishëm historik për Bibliotekën Kombëtare siç është ky vit dhe kur kremtimi i këtij 100 vjetori është një detyrim, por edhe një emocion i jashtëzakonshëm që mund të ushqehej ashtu si duhet përmes një zinxhiri të tërë aktivitetesh dhe pjesëmarrjeje shumë më të gjërë të drejtpërdrejtë, koha e keqe në të cilën ky 100 vjetor ndodh, na detyron të jemi shumë kopracë në këtë kremtim në aspektin e hapësirave, pjesëmarrjes, në aspektin e projektimit të një kalendari siç do të duhet të ishte. Megjithatë, është vërtetë për të thënë faleminderit për zgjedhjen e bërë me këtë ekspozitë që nuk është një nga ekspozitat e Qëndrës për hapje dhe dialog këtu në Kryeministri, por është një dëshmi shumë e rrallë, faktike, e prekshme e një historie shumë të gjatë e cila kalon shumë shekuj e mishërohet në libra, në tekste, në objekte që janë ruajtur në thellësitë e organizmit të Bibliotekës Kombëtare.
Shpresoj shumë që, pavarësisht kufizimeve, miqtë e apasionuar të librit, të mund ta vizitojnë këtë ekspozitë, të mund ta përjetojnë këtë emocion të vecantë, të mund të marrin nga ky moment i 100 vjetorit një mbresë që padiskutim është e rrallë.
Natyrisht që, do të kishte qenë vërtetë shumë më bukur sikur ne të kishim mundësinë që këtë 100 vjetor ta kremtonim në godinën e Bibliotekës së re Kombëtare, e cila është një domosdoshmëri e kahershme tashmë, por fatkeqësisht projekti i nisur me shumë dëshirë dhe i futur në procesin e formësimit të tij, – mbase gaboj, por kam përshtypjen që, edhe pse me maskë, duhet të jetë Persida ajo që shoh në krahun tim të djathtë, drejtuesja e mëparshme, me të cilën kemi punuar sistematikisht për ta futur në rrugë projektin, – u desh të ndalej nga tërmeti dhe mbetet i ndalur edhe sot pasi rrënojat e tërmetit që duhen kthyer në mijëra shtëpi, në mijëra apatamente, iu mbivendos dhe goditja e rëndë financiare e të gjithëve për shkak të Covid. Megjithatë, projekti e ka nisur rrugën e tij dhe unë kam besim se do të shkojë deri në fund, edhe pse nuk mund ta them sot se kur, por jo aq gjatë dhe aq vonë sa c’është vonuar deri më sot, në rrugën e gjatë të kërkesës legjitime të atyre që janë të lidhur me librin, që janë të lidhur me bibliotekën për ta pasur Bibliotekën e re Kombëtare.
Nga ana tjetër, dua që të them edhe që pavarësisht se nuk kemi arritur ende të ndërtojmë godinën e Bibliotekës së re Kombëtare, jo pak është bërë për të ndryshuar një rrjedhë shumë shqetësuese degradimi dhe rrënimi të atij thesari të madh, të atij thesari të pazëvëndësueshëm, të pa krahasueshëm me asnjë thesar tjetër të prekshëm drejtpërdrejtë nga sytë, nga duart, të ndjeshëm fizikisht nga historia jonë. Për fat të mirë, na është dhënë mundësia që në krye të Bibliotekës të kishim dhe të kemi drejtorë që janë shumë të lidhur me librin dhe me fatin e librit në jetën e tyre dhe padiskutim që me Persidën kemi hedhur hapa të rëndësishëm në ndalimin e procesit të degradimit dhe fillimin e një procesi ripërtëritës me të gjithë elementët përbërës të jetës së Bibliotekës Kombëtare dhe me Pirron që bujarisht e pranoi sfidën e drejtimit të bibliotekës në një moment ku mbase ishte duke bërë plane të tjera dhe do të kishte dëshiruar të ormiste librat e tij dhe hap pas hapi, ajo që kemi si strukturë dhe infrastrukture, ka filluar të ripërtërihet dhe me fondin e hapur që e përmendi dhe Pirro, do të hedhim një hap tjetër të rëndësishëm në këtë drejtim.
Por, përtej aspektit fizik të bibliotekës, të strukturave të saj fizike dhe të gjendjes fizike të librave, ajo çka ka qenë shumë e rëndësishme dhe çka përbën një rrugë paralele të pandashme të problemeve tradicionale ka qenë dixhitalizimi i një pasurie kaq të madhe dhe përmes dixhitalizimit, mundësia për ta aksesuar këtë pasuri në rrugë tjetër, të ndryshme nga ajo rruga tradicionale që gjithsesi mbetet e pazëvëndësueshme në atë që ofron dhe në atë që njerëzit përfitojnë prej saj nga kontakti fizik me librin. Sigurisht që do të ishte fantastike sikur ne të kishim arritur ta realizonim, mbase do të ndodhë në pjesën tjetër të vitit, nuk jam i informuar për këtë, atë konferencë të madhe që do duhet të vinte disa pika mbi “I” në raport me respektin dhe me detyrimin ndaj atyre pa të cilët nuk do të kishte ekzistuar Biblioteka Kombëtare. Janë shumë, patjetër, por mbi të gjitha janë një plejadë drejtorësh të Bibliotekës Kombëtare, personazhe të jashtëzakonshëm në llojin e tyre, personazhe të ndryshëm dhe nganjëherë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Po të keni parasysh se Bibliotekën Kombëtare e kanë drejtuar dhe Lumo Skëndo, Mit’hat Frashëri edhe Zef Mala. Por, përtej atyre të tjerave që kanë bërë në jetën e tyre të pasur, ajo çka kanë bërë për Bibliotekën Kombëtare faktikisht është xhevahiri më i çmuar i kurorës së aktivitetit të tyre publik. Pirro përmendi disa, që nga Mati Logoreci dhe Karl Gurakuqi.
Sotir Kolea është një përsonazh që dhe unë e kam takuar vonë në ato kërkimet, hulumtimet dhe kuriozitete për të zbuluar njerez të çmuar të këtij vendi që për një mijë e një arsye, kanë mbetur në hije apo në gjysmë hije e aq më tepër, njerëz si këta drejtorë të Bibliotekës Kombëtare që sidoqoftë dhe për shkak të këtij misioni janë njerëz të gjysmë hijes në vetvete.
Emir i Sotir Koleas është një emër I jashtëzakonshëm për atë që përfaqëson në historinë e Bibliotekës Kombëtare dhe pa të, Biblioteka Kombëtare, sot do të ishte tepër e varfër. Ashtu sikundër edhe Aleks Buda apo Haki Stërmilli, për të mos lënë pa përmendur të tjerë, por me dëshirën për t’u mirëkuptuar në rast se nuk i përmend të gjithë.
Mjafton të parafytyrosh që Biblioteka ka nisur me 3000 libra, 100 vjet më parë. 3000 libra mund të ishin fare mirë koleksioni i një njeriu të vetëm për nga sasia dhe sot është 1 milionë e 300 mijë. Por nuk janë 1 milionë e 300 mijë libra të shtuar duke grumbulluar prodhimet e këtyre 100 vjetëve. Janë 1 milionë e 300 mijë ekzemplarë të gjithfarë kohëve dhe të gjithfarë rrugëve të ndjekura, për të ardhur e për t’u mbledhur aty. Fatmirësisht, shumica e atyre objekteve të çmuara që ekspozohen sot për herë të parë, janë pjesa dërrmuese botime të para viteve ‘800-nd. Them fatmirësisht për faktin se është një mundësi e jashtëzakonshme për t’i parë nga afër dhe për të ndjerë nga afër erën e kohës përmes erës së librave.
Padiskutim që nuk më takon mua të bëj as historikun, as futjen në të gjithë labirintin e autorëve, por mbase duhet ta përsëris edhe unë atë që u prek pak nëpër rreshta nga parafolësit e ta përsëris, konkretisht, që në këtë ekspozitë, bashkë me Mesharin e Gjon Buzukut, tekstet e Bogdanti, të De Radës, Pjetër Budit, Sami Frashërit, Dora d’Istrias janë dhe dorëshkrime të disa prej figurave më të spikatura të Rilindjes sonë Kombëtare, Kristoforidhit, Nolit, Gjeçovit, dhe për më tepër, Biblioteka jonë Kombëtare ka një dorëshkrim origjinal në arabisht të Aristotelit.
Ashtu sikundër ka plot botime të autorëve të lashtësisë, të antikitetit, në gjuhën latine apo në gjuhën greke dhe ashtu sikundër ka dhe një mrekulli të tërë dorëshkrimesh orientale në arabisht, persisht, osmanisht, disa prej tyre me një vlerë të jashtëzakonshme. Nga ata që e njohin më mirë këtë organizëm të gjallë në mes të Tiranës kam mësuar që thesari më i çmuar brenda thesarit të madh të Bibliotekës Kombëtare është koleksioni antikuareve dhe i inkunabulave. Janë vepra të jashtëzakonshme, të rralla, të shekujve XV-XVII, përfshirë dhe të gjitha veprat e para në gjuhën shqipe, si dhe veprat në latinisht të humanistëve shqiptarë, që nga Marin Barleti tek Dhimitër Frangu dhe libri më i vjetër i këtij koleksioni është një vepër e një pape, Papa Piut II, botuar në Milano në vitin 1473, një vepër me vlera të jashtëzakonshme për historinë tonë kombëtare për më tepër, jo thjesht në vetvete, ku ndër të tjera flitet për mundësinë e pjesëmarrjes së Skënderbeut dhe të shqiptarëve, bashkë me Skënderbeun në koalicionin e të krishterëve kundër osmanëve.
Ekspozimi i këtij koleksioni kombëtar ka dhe plot vepra të tjera, që nga botimi i Enciklopedisë së Dideroit deri tek Rusoi, apo tek Volteri, Njutoni dhe Adam Smith.
Këtu dua ta ndal këtë rendje që mund të ishte shumë e shumë më e gjatë dhe dua ta mbyll pikërisht me revolucionin digjital që ne kemi ndërmarrë në të gjithë gjatësinë e frontit të përparimit dhe që ka përfshirë dhe Bibliotekën Kombëtare, pikërisht në 100 vjetorin e saj, duke mundësuar që të vijë, si të thuash, në tokë, ajo parajsa e Borgesit që thoshte: “Nëse ekziston, me siguri është një bibliotekë”.
Ne do ta mbështesim shumë fort këtë revolucion digjital të Bibliotekës Kombëtare, sepse është një mundësi për ta hapur krejtësisht me të 1 milionë e 300 mijë dritaret atë godinë, kudo që ajo të jetë. Aty ku është, apo aty ku uroj dhe do të bëj çmos që të ndërtohet. E kështu, aksesi në këtë thesar do të jetë global, nga të gjithë ata që janë të lindur këtu dhe që jo domosdoshmërisht jetojnë këtu, që mund të jetojnë në Europë, Amerikë, Australi, në Kinë. Nga të gjithë ata që janë të lidhur me çka është krijuar, çka është shkruar këtu e që nuk janë domosdoshmërisht shqiptarë. Edhe nga të gjithë fëmijët tanë, që duke pasur këto dritare, do të mund të rriten ndryshe nga ne. Mua më kujtohet kur shkonim në Bibliotekën Kombëtare, ishim nxënës në Liceun Artistik dhe ofroheshim për të bërë ndihmës pastruesit kur mbyllej salla e madhe e leximit për lexuesit, që të merrnim si një sanduiç e ta konsumonim në këmbë ndonjë libër të ndaluar nga ato të artit, asokohe të mallkuar dhe të rezervuar, të impresionistëve, apo post impresionistëve, apo të kubistëve dhe ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Ishte një kontakt erotik me librin që mbetej shumë thellë në mendje dhe në zemër, si një moment intensiteti i jashtëzakonshëm emocional dhe që mezi prisnim ta përsërisnim duke u rikthyer përsëri, për të ofruar të sistemonim tavolinat, të pastronim dhe t’jua lehtësonim atyre zonjave që duhet të bënin pastrimin, duke pritur që të dilte ndonjë sanduiç tjetër nga sporteli dhe ne në pak minuta ta konsumonim me një uri të jashtëzakonshme.
Natyrisht ishte shumë i shpejtë konsumi, por qenia ishte kaq shumë e përfshirë në atë konsum, saqë funksiononte si një skaner digjital që i mblidhte ato imazhe dhe i regjistronte në mënyrë shumë të detajuar. Ndërkohë që liria për ta pasur aty, në çdo moment, librin, bën efektin e kundërt, që nuk po shkoj sot se kam një punë, do shkoj nesër. Nesër nuk arrita dot, por do shkoj javën tjetër dhe mundësia pa asnjë pengesë për ta parë, ose për ta lexuar, e bën qenien më pak të interesuar në të gjithë qelizat e veta për të marrë nga libri gjithçka, aq sa ne arrinim të merrnim në ato fraksione minutash, apo fraksione kohe që faktikisht digjitalizuan në trurin tonë një pjesë të atij arti që ishte i ndaluar e që nuk mund të aksesohej. Prandaj mendoj që dritaret, hapja e të gjithë këtyre dritareve për t’i aksesuar thesaret e Bibliotekës, pa pasur nevojë për të bërë rrugë deri atje e pa pasur justifikime për të shtyrë ditën e vajtjes, por duke pasur mundësinë për t’i ndjekur nga afër librat, shkrimet, imazhet në çdo orë dhe pas mesnate dhe në të gdhirë, është një detyrim i madh dhe është edhe një mundësi e re që do t’i ofrohet gjithë atyre që do duan ta lidhin jetën me librin. Edhe pse kjo është një dilemë e madhe e të nesërmes, nëse libri do arrijë të mbajë lidhur të gjithë djajtë që kanë dalë nga shishja tanimë e lëvizin në eterin e rrjeteve sociale dhe të sanduiçeve sintetike, që nuk ngjajnë fare me ato sanduiçet tona që ishin gjithë jetë dhe me një ushqim jashtëzakonisht të mirë për organizmin.
Shumë faleminderit Pirro për këtë nismë, shumë faleminderit të gjithë atyre që e mundësuan! Natyrisht bashkohem me ty në falënderimin për Thoma Frashërin, një figurë e harruar nga historia dhe kështu e mbetur mes nesh në formën e një të riu që i ri nuk është dhe një të vjetri që i vjetër nuk është, një shpirt i vjetër që lëviz, i veshur në një mënyrë të papërshtatshme për kohën e konsumit dhe me të gjitha ato tekat dhe dekadencat e tij. Shumë faleminderit të gjithë juve që jeni këtu të pranishëm për ndarjen me ne të këtij momenti të veçantë dhe të trishtueshëm, sepse është trishtim që këtë moment ta kremtojmë si gjysmë fshehurazi, si gjysmë me hile, duke u përpjekur t’ia hedhim armikut të padukshëm, që mos qoftë e thënë të jetë edhe këtu në këtë sallë, duke kërkuar se kë do marri për të lexuar se si e ka përbërjen e organizmit të tij.
Shumë faleminderit