Prononcim i Kryeministrit Edi Rama nga Libani, pas takimit me 4 fëmijët shqiptarë që u nxorrën nga kampi Al Howl në Siri dhe që nesër pritet të mbërrijnë në atdhe:
Kryeministri Edi Rama: Jam i lehtësuar sepse ishte një operacion i komplikuar. Më vjen jashtëzakonisht mirë, kam kontaktuar dhe me gjeneralin që ka drejtuar operacionin. Nesër do takojmë dhe gjeneralin që ka qenë një ndihmë shumë e madhe për ne, por unë dua të veçoj meritën e jashtëzakonshme të dy të dërguarve të posaçëm të Ministrisë së Brendshme, drejtorit të Antiterrorit dhe punonjësit tjetër të policisë, që kanë operuar gjatë gjithë kohës në territor dhe në mënyrë shumë të veçantë një mik të madh tonin dhe Konsull i Nderit i Shqipërisë këtu në Liban, i cili na ka ndihmuar jashtëzakonisht për të bërë të gjitha ato lidhjet, le të themi jo aq të lexueshme me të gjithë faktorët, sepse këtu janë të përfshirë shumë faktorë. Kështu që unë jam shumë i kënaqur që ne, nesër paradite, pasi t’i falënderojmë të gjithë ata që na kanë ndihmuar, bashkë me fëmijët do kthehemi në Tiranë. Me ne është drejtoresha e Shërbimeve Sociale, kemi ngritur gjithë rrjetin e nevojshëm për t’i trajtuar me maksimumin e kujdesit. E ëma e fëmijëve të vegjël është faktikisht e pamundur, në një gjendje të vështirë shëndetësore, ka një plagë në trup, por dhe ajo do të vijë me ne. Ndërkohe ajo që është më e rëndësishme ndoshta është që ky operacion faktikisht i hap rrugën fazës tjetër, sepse tanimë i gjithë procesi i jashtëzakonshëm, intensiv, i negociatave është bërë, janë bërë dhe intervistat me të gjithë fëmijët që janë identifikuar në kamp, janë marrë të gjithë të dhënat e nevojshme dhe presim atë sinjalin e fundit, që është gjithmonë më i vështiri, për t’u rikthyer e për ta marrë edhe fëmijët e tjerë. Endi do kthehet. Dje dhe gjatë gjithë këtyre ditëve nuk ka qenë e mundur që të mund të kontaktohet Eva, është mirë, por janë pak të komplikuara informacionet.
– Shpresojmë që dhe Eva t’i bashkohet vëllait dhe nënës, posaçërisht dajës, i cili gjatë gjithë këtyre viteve nuk e ka humbur shpresën dhe është përpjekur dhe në mënyrë private për t’i riatdhesuar. Kryeministër, pas mbërritjes në Shqipëri, këta fëmijë që janë me ne sot, çfarë ndodh, do shkojnë në familjet e tyre?
Kryeministri Rama: Fillimisht kemi një strukturë që është e organizuar për të gjithë fëmijët, jo vetëm për këta, por këta do jenë të parët që do vijnë në atë strukturë nën masa sigurie, me psikologë, edhe me mjekë, për të bërë të gjithë, si të thuash, analizat e nevojshme në çdo pikëpamje. Pastaj dalëngadalë do shohim si do zhvillohen gjithë gjërat.
– Kryeministër, jam i vetëdijshëm për vështirësinë që përbëjnë të tilla misione, të nxjerrësh fëmijët nga kampi Al – Hawl por me të drejtë ato familje që i kanë sytë nga kjo intervistë, kur mund të kthehen, kur mund të jetë ajo fazë e dytë që përmendët?
Kryeministri Rama: Pjesa më e vështirë e këtij lloj aktiviteti për të nxjerrë pengje, se faktikisht këta janë pengje të liruara nga ajo situatë, është që nuk mund të flasësh, nuk mund të shpjegosh, nuk mund të informosh sepse konfidencialiteti në këtë lloj aktiviteti shumë të ngatërruar është baza, përndryshe hidhet në erë gjithçka, sepse nuk është ndërveprim me një faktor. Janë disa faktorë dhe unë nuk mund të jap më shumë informacion, por dua të them që më vjen shumë mirë që të paktën sot, ne nuk kemi ndenjur duarkryq, nuk kemi qenë në gjumë, kemi punuar intensivish në mënyrë të vazhdueshme prej më shumë se një viti dhe vazhdojmë punën. Ju thashë se kemi bërë një hap shumë të madh përpara, se kur mund ta materializojmë, unë nuk mund të flas. Mund të jetë shumë shpejt, mund të jetë pak më vonë, është e kotë të vendosim afate. Edhe për këta fëmijë, deri në momentin e fundit kemi qenë me zemër të ngrirë, sepse ka pasur 2-3 momente të vështira për skuadrën që ka marrë pjesë në këtë operacion. Tani, unë po marr vëmendjen tuaj, por besoj që nga gjithë këta që janë të pranishëm këtu, unë jam i fundit që kam ndonjë meritë, sepse merita kryesore nuk diskutohet që i takon djemve që janë këtu me ne sot, që kanë qenë këtu prej disa kohësh dhe patjetër i takon dhe konsullit tonë Markut, i cili është vënë në dispozicion të këtij operacioni me gjithçka, sikur të ishin fëmijët e tij.