Familja Gjonaj në fshatin e thellë Tplan të Tropojës është përfituese e mbështetjes financiare të AZHBR, falë së cilës ka mundësuar shndërrimin e një pike modeste blegtorale, në një sipërmarrje, fermë të mirëfilltë që zgjerohet nga viti në vit me numër krerësh.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në fermën e Gjonajve, në Tropojë, e cila me investimin prej 11.7 milionë lekë të reja ka bërë të mundur rikonstruksionin e stallës ekzistuese, dhe rindërtimin e hambarit të ushqimit. “Tplan është një zonë blegtorale, bujqësore në Tropojë dhe jemi duke parë një investim të mbështetur nga buxheti i shtetit. Fermë blegtorale, e financuar me një shumë prej 11,7 milionë lekë të reja. Falë këtij investimi të domosdoshëm, kjo fermë është zhvilluar nga 10 krerë lopë që kishte në fillim, sot ka 45 lopë dhe 25 viça. Investimi konsiston në rikostruksionin e stallës ekzistuese dhe rindërtimin e hambarit,” – shpjegoi drejtorja e AZHBR-së, Frida Krifca.
Kryefamiljari Gjonaj falenderoi Kryeministrin për mbështetjen e përfituar që prej vitit 2016, e cila ishte e domosdoshme për zhvillimin e fermës. “Ju faleminderit që ke gjetur kohën dhe ke ardhë të na vizitosh në këto zona të thella. Agjencia na ka ndihmuar shumë. Kemi bërë rikonstruksionin dhe hambarin e kemi bërë të ri nga themelet. Megjithë vështirësitë që janë krijuar kemi gjetur mbështetjen tek shteti, nga viti 2016 e deri më tani,” – tha ai.
Ndërkohë që Kryeministri Rama theksoi se kjo mbështeje do të vijojë edhe në të ardhmen. “Me rëndësi ka që është vënë baza. Fatkeqësisht, me vonesë se duheshin bërë këto gjëra shumë kohë përpara. Ne do të na keni gjithmonë mbështetje.”