Turizmi malor në veri të vendit po zhvillohet me ritme të shpejta, falë kontributit të emigrantëve nga zona, që po kthehen nga emigracioni për të investuar në vendlindje, si dhe mbështetjes së qeverisë. Kryeministri Rama ishte sot në Vermosh ku po zhvillohet një tjetër destinacion i mrekullueshëm turistik. Katër djem nga Malësia e Madhe, Nikë Kulla, Pllumb Demaj, Dodë Lucaj dhe Niko Maraçaj u vlerësuan me medalje për merita të veçanta nga Kryeministri. Ata janë kthyer nga emigracioni dhe po transformojnë turizmin malor, falë vizionit të tyre dhe punës së palodhur .
Katër bujtinat e ngritura i japin kësaj zone një shëmbëlltyrë të ngjashme me bujtinat alpine të Zvicrës. Qendra e re turistike e Vermoshit i shtohet mundësive për turizëm malor, duke iu bashkuar qendrës simotër në Valbonë, një shembull kuptimplotë i perspektivës dhe mundësive që ofron natyra shqiptare për të investuar dhe kthyer në burim të ardhurash e punësimi dinjitoz falë turizmi malor.
Pasi vizituan bujtinat, Kryeministri Edi Rama u dha medaljet për merita të veçanta 4 sipërmarrësve:
“Jam aq i lumtur nga kënaqësia që më ka dhënë ky investim këtu, të cilin fillimisht e pashë në disa materiale që më çuan si informacion nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit gjatë kohës që po ndërtonin qendrën e re turistike të Vermoshit dhe nuk besova që ishte reale.
Mu duk, thashë kushedi mos po bën dikush shaka. Pastaj mora Toninin dhe i çova fotot, po tha, janë katër djem tanët të Kelmendit dhe me thënë të drejtën, për ta shprehur këtë kënaqësi që buron nga mirënjohja e madhe për faktin se keni bërë një investim këtu që natyrisht është një investim i juaji privat, por është një shembull i jashtëzakonshëm i vizionit për të parë larg dhe një shembull i jashtëzakonshëm i respektit për traditën e kthyer në një objekt, në katër në fakt objekte, por janë të katërta njësoj, të cilat janë bashkëkohore, por mishërojnë të gjithë elementët e traditës, është një shembull shumë inkurajues dhe frymëzues për atë që do jetë nesër.
Unë jam i bindur, e gjithë kjo zonë dhe e gjithë zona e Shqipërisë, në fakt malore ku sigurisht turizmi ka nisur të marri frymë, por do të zhvillohet gjithmonë e më shumë dhe natyrshëm pak më pas se sa ka filluar të zhvillohet turizmi bregdetar që është edhe më i thjeshtë në shumë aspekte dhe është një shembull shumë domethënës dhe kuptimplotë edhe për ne, edhe për qeverisjen vendore, për të qenë kërkues në të gjithë parametrat që kanë të bëjnë, jo thjesht me rregullat bazë dhe me volume, por dhe me estetikën dhe me shijen, e cila është magneti kryesor në tërheqjen e vizitorëve, në tërheqjen e turistëve.
Më vjen shumë mirë që më jepet kjo mundësi që shumë simbolikisht t’ju bëj një vlerësim që jo vetëm ju takon, por që shpresoj të shihet dhe të nxisë edhe të tjerë që jo vetëm të vijnë ta shohin këtë, por dhe të ndjekin këto gjurmë sepse ju keni hapur një kapitull të ri këtu.
Këtu janë bërë edhe investime të tjera kohët e fundit, unë e di shumë mirë që do të ketë dhe të tjera sepse ka interes të madh, sidomos nga ata që janë në emigracion për të investuar këtu paratë e kursyera, por ju keni vendosur një gur të rëndësishëm themeli për një vizion tjetër sepse po të shohësh natyrën, nuk ka asgjë mangët nga natyra më e bukur e destinacioneve më të famshme të turizmit malor në Europë, e nuk kemi pse ta ulim standardin e nuk kemi pse ta zvogëlojmë fuqinë tërheqëse të natyrës duke bërë investime që e kanë aty shpenzimin, por nuk kanë atë që është e domosdoshme e që ju e keni absolutisht 100%.
Për këtë arsye kam ardhur sot që ta shoh këtë mrekulli nga afër dhe t’ju jap një simbol modest, që është një medalje për merita të veçanta, të cilën për hir të vërtetës e kemi dhënë vetëm një herë dhe e kemi dhënë për forcat e kërkim shpëtimit që erdhën në Shqipëri, menjëherë pas tragjedisë së 26 nëntorit të shkuar dhe me thënë të drejtën, e meritoni plotësisht dhe ju jam shumë mirënjohës që ma jepni këtë mundësi.
Ju keni qenë të katërt emigrantë, që prej viteve ’90, jeni kthyer dhe edhe për këtë jeni një provë e madhe e të vërtetës që kush sheh pak më larg dhe kush e ka vullnetin dhe durimin për të rezistuar fiton në çdo aspekt shumë më tepër se sa do të fitonte po të qëndronte ende në emigracion. Kështu që me shumë kënaqësi dhe respekt më lejoni t’jua jap këto, që do kthehen në pjesë të atraksionit turistik të këtyre katër objekteve.” – u shpreh Kryeministri Edi Rama