Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Thumana po ringrihet tashmë mbi themele të reja. Procesi i rindërtimit po vijon me zbatimin e projektit të lagjes së re,  ku pas nisjes së shtëpive dhe shkollës që tanimë ka marrë formë, nisin së shpejti pallatet dhe institucionet e shërbimeve.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kantierin e hapur të Thumanës, ku janë kombinuar në harmoni, shtëpitë individuale me hapësirën ku po ngrihet shkolla e re dhe më pas pallatet. “Është një kombinim shumë i mirë, shtëpitë individuale në krah të djathtë tonin, majtas janë pallatet. Janë 145. Këtu do të kemi edhe kontributin e Bexhet Pacollit. Kemi fusha sportive dhe shkolla. Kthehet në një qendër të re të gjithë zonës,” – shpjegon projektin Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj.
Ndërsa puna për shkollën ka më pak se dy muaj që ka nisur. “Ka filluar para 50 ditësh dhe po ecet me shpejtësi,” – shprehet Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, duke treguar shkollën, e cila do të mirëpresë 300 nxënës në përfundim të saj.
Ndërsa, përsa i përket ecurisë së procesit të Rindërtimit në Krujë, Kryetari i Bashkisë Bushi shpjegon se “edhe pak ditë përfundojmë me perceptimin e projektit për të filluar procedurat e lidhjes së kontratave. Janë bërë ndryshimet e duhura dhe janë zgjidhur të gjitha problemet sociale që kishim.”
Shumë shpejt në Thumanë do të fillojë edhe ndërtimi i pallateve, procedurat për të cilat kanë përfunduar. “Shumë shpejt fillojnë edhe pallatet, sepse lotet janë të aprovuara, të kaluara në procedurë dhe jemi në procesin e bërjes së kontratave me operatorët fitues. Ndërkohë po bëhemi gati në procedurë që në Durrës të fillojmë me Emiratet, të fillojmë me të gjitha sitet, qoftë të pikëzuara, qoftë me Spitallën. Sa i përket Spitallës ka mbaruar projekti i infrastrukturës. Fondi Shqiptar i Zhvillimit  po bën procedurën javën që vjen, procedurën e tenderimit të ndërtimit të infrastrukturës dhe ndërkohë kompanitë që do të autorizohen nga Abu Dabi, do punojnë për komplekset e pallateve. Janë 36 mijë familje që përfitojnë nga procesi i rindërtimit në të 11 bashkitë, nga të cilat rreth 8 mijë janë DS4, DS5,” – u shpreh ministri Ahmetaj.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.