Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Këtë fundjavë, Kryeministri Rama inspektoi ecurinë e disa projekteve të rëndësishme në Vlorë. Puna vazhdon me ritme të larta në dy kanteriet më të reja të qytetit turistik, Parku i Shtëpisë së Pavarësisë dhe zgjatja e rrugë Transballkanike deri tek porti, dy zhvillime që lidhen me transformimin e portit të qytetit në një port turistik. Ndikimi i projekteve në jetën e qytetit dhe turizmin pritet të shihet që me nisjen e sezonit turistik të vitit të ardhshëm. “Është quajtur gjithmonë rruga Transballkanike, por që nuk u bë kurrë e tillë. Ky është segmenti i fundit. Fala këtij investimi po mbërrin deri në portin e Vlorës”, – u shpreh kryetari i Bashkisë, Dritan Leli.

Ky investim prek edhe disa banorë e biznese në këtë zonë, të cilët po shpronësohen konform ligjeve, ndërkohë që për qytetarët që nuk kanë dokumente të rregullta të pronave të tyre do të mbështeten nga bashkia me bonus qeraje. “Të gjithë objektet që janë pa dokumentacion, do të ketë një vendim të Këshillit Bashkiak të Vlorës, që do t’u paguhet për 3 vjet bonus qeraje, për të gjithë kohën deri në momentin e mbarimit të banesave sociale, ku ata do të jenë prioriteti i parë për t’u vendosur në banesat që do të ndërtohen së shpejti”, – u shpreh Leli.

Pak metra i ndajnë nga njëri-tjetri këto dy projekte të rëndësishme, me ndikim të ndjeshëm në ekonomi, punësim e imazhin e saj ndërkombëtar. Porti i ri turistik do të ketë hotele, restorante, dyqane e rezidenca të reja. Ndërkohë që spostimi i portit të mallrave tek Triporti do ta kthejë atë në një port të ri me standarde ndërkombëtare.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.