Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Kavajë, një nga zonat e dëmtuara rëndë nga tërmeti, punohet papushim për të dorëzuar para Vitit të Ri shtëpitë e reja për banorët.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot, në këtë zonë, disa prej shtëpive në rindërtim e sipër. Vetë banorët kujdesen për ecurinë e punimeve dhe shprehen të kënaqur për infrastrukturën e re.

“Këtu në terrenin fushor janë 50 shtëpi, ndërsa në pjesën malore të komunave dhe të njësive administrative dhe të bashkisë janë dhe 60 të tjetër, të cilat do të rikonsiderohen edhe si pagesë direkte për familjet e dëmtuara”, – u shpreh Ministri për Rindërtimin Ahmetaj, i cili siguroi se “shtëpitë do të mbarojnë para 31 dhjetorit, diku midis 25-28.”

“Gjithë lotin do ta ezaurojmë me kombinimin për ato që janë në vështirësi gjeografike apo infrastrukturore me cash për familjet, me para në dorë që i përkojnë vlerës së modeleve 1+1, 3+1”.

“Me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me Bashkinë e Tiranës do të jenë në kombinim rreth 1000 njësi individuale që do të përfundojnë para vitit të ri. Pjesa tjetër do të përfundojë sipas loteve deri në maj.” – vijoi Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj informoi ndër të tjera se dje ka nisur shpërndarja e financimit për dëmtime të nivelit DS4 për Kavajën, Lezhën, Durrësin. Po ashtu gati është dhe infrastruktura e dy blloqeve të rilindjes pas tërmetit dhe në pak javë nis puna për pallatet e reja, ku do të strehohen familjet kavajase që në 26 nëntor humbën apartamentet e tyre.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.