Në Petrelë, kantieri i rindërtimit të shkollës nëntëvjeçare është një nga 14 shkollat e reja të Tiranës që po ngrihen më të mëdha, më të sigurta e më të bukura.
“Një nga shkollat me pamjen më të bukur ndoshta në gjithë republikën”, u shpreh Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit që Kryeministri Edi Rama bëri sot në këtë kantier.
Shkolla ka një konceptim dhe planimetri funksionale dhe moderne, e ndarë në tre korpuse; klasat e shkollës 9-vjeçare, ambientet e parashkollorit dhe në një godinë më vete që përbën dhe korpusin e tretë do të vendosen laboratorët dhe palestra. Edhe kjo shkollë po ndërtohet sipas vizionit të shkollës si qendër komunitare. Ndër komponentët më fantastikë të infrastrukturës shoqëruese janë edhe terrenet e jashtme sportive me pesë fusha të dedikuara sportit.
Në Tiranë do të ngrihen gjithsej 22 shkolla dhe 9 të tjera nga donatorët. “Janë në proces 14 shkolla, nga të cilat 11 me financimin e qeverisë. Tre të tjerat janë me fondin e Katarit, që kanë një procedurë të tyre prokurimi, po edhe ato janë në fazë finale”, – tha Kryebashkiaku Veliaj, ndërsa 11 shkolla nga bashkia me partneritetin publik-privat.
Ndërkohë procesi i rindërtimit, përfshirë edhe shkollat, po vazhdon edhe në zonat e tjera të Tiranës. Kryebashkiaku informoi se “fillojmë me shkollat në Kombinat. Për lagjet e reja të Vaqarrit dhe Pezës kaluan VKM-të në qeveri. Në Kombinat do të hapim edhe një zyrë komunikimi me qytetarët për të sqaruar si do të funksionojë lagjia e re.”
Investimet e kryera në infrastrukturë si kudo në Tiranë, edhe në Petrelë kanë rritur vlerën e pasurive të patundshme të qytetarëve. Rruga e re, fushat sportive dhe hipodromi, nënvizoi kryebashkiaku Veliaj, kanë rritur vlerën e tokës në Petrelë nga 1 mijë lekë (m2) para këtyre investimeve, në mesatarisht 7-8 mijë lekë sot.