Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Lagjet e reja, një kombinim i banesave infividuale me ato kolektive, shërbimeve dhe rekreacionit do të jenë së shpejti modeli i ri i zhvillimit urban i qyteteve që u goditën nga tërmeti i 26 nëntorit të një viti më parë. Në Fushë Krujë vijon papushim puna për ndërtimin e një prej këtyre lagjeve. Në këtë kantier ku po ngrihet lagja “Rilindja” ishte Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe nga kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi, për të ndjekur ecurinë e punimeve pas vizitës së tyre të fundit në këtë kantier.

“Ka një kombinim me 128 banesa individuale. Puna ka ecur me ritme shumë të shpejta dhe kemi dhe 100 banesa kolektive, apartamente. Këtu jemi shumë afër mbarimit, deri në fund të këtij viti, 50 nga këto banesa do jenë të dorëzuara me çelësa në dorë dhe brenda afateve të kontratës do dorëzohet e gjithë zona”, – u shpreh ministri i Rindërtimit.

Në pak javë nisin themelet për 15 pallate banimi me 100 apartamente, të cilave do t’u bashkëngjiten qendra shëndetësore, zyrat e shërbimeve, zonat e gjelbërta dhe një treg modern për produktet e zonës. “Kjo do jetë një nga zonat më të bukura të rindërtimit. Kryetari ka filluar dhe procedurën e përzgjedhjes së familjeve prioritare, në bazë të ligjit, që do banojnë këtu.  Kombinimi i punës me infrastrukturën dhe gjitha arkitektura e gjithë kompleksit të rindërtimit do ta bëjë shembull të rindërtimit këtë zonë”, – cilësoi Ahmetaj.

Lagja “Rilindja” shtrihet në 10 hektarë tokë dhe do të ndryshojnë rrënjësisht cilësinë e jetës së fëmijëve, prindërve, gjyshërve, që së shpejti do të banojnë në këtë zonë, në kushte pakrahasimisht më të mira se ato që kishin deri një vit më parë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.