Një shkollë e re model hapi dyert për nxënësit dhe mësuesit në qytetin e Durrësit. Shkolla 9 vjeçare “Hasan Koçi” renditet për nga standerdet krah shkollave të qyteteve europiane, me kushte optimale për zhvillimin e procesit mësimor.
Mësimi vijon normalisht në shkollën e re dhe kujdesi ndaj shëndetit të nxënësve dhe mësuesve është parësor në këto ditë. Sot, shkollën “Hasan Koçi” e vizitoi Kryeministri Rama.
“Është një nga shkollat më të mira të ndërtuara pas tërmetit. Kanë qenë dy godina të vjetra. Tani kemi 18 klasa, katër laboratorë dhe të gjitha ambientet ndihmëse, duke përfshirë edhe palestrën”, – u shpreh ministri për Rindërtimitn Arben Ahmetaj.
Hapësirat e bollshme janë të parat që bien në sy, sidomos mjediset sportive, duke u siguruar nxënësve mundësinë të lëvizin lirshëm dhe të kenë mjaftueshëm vend për procesin mësimor dhe aktivitete të ndryshme.
“Kushtet mësimore janë sipas të gjitha standardeve. Oborrin, i cili do të shfrytëzohet për orarin e pushimit, do ta pajisim me stola dhe me ambiente qëndrimi, si dhe mund të zhvillohen edhe ndonjë orë mësimore. Gjithashtu ambiente të posaçme, përfshirë tualetet janë të përshtatura edhe për fëmijët me aftësi ndryshe, sipas të gjitha standardeve”, – nënvizoi Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.
Kryeministri vizitoi disa klasa, ku po zhvillohej mësimi, si dhe palestrën dhe mjediset e tjera sportive. Me urimin për shkollën e re, Kryeministri Rama inkurajoi nxënësit dhe mësuesit për rezultate të larta dhe angazhim maksimal në procesin mësimor.