Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projekligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 9 Dhjetor 2020:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

KRIJIMIN E AUTORITETIT TË SIGURISË HEKURUDHORE

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është krijimi i Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore, që në vijim do të quhet “Autoriteti”.

Neni 2
Objekti i ligjit

1. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit.

2. Përveç kur përcaktohet ndryshe në këtë ligj, përkufizimet e parashikuara në ligjin nr.142/2016, “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”, kanë të njëjtin kuptim me këtë ligj.

Neni 3
Fusha e veprimtarisë së Autoritetit

Fusha e veprimtarisë së Autoritetit është garantimi i sigurisë dhe ndërveprimit hekurudhor, në zbatim të ligjit nr.142/2016, “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”.

KREU II
STATUSI, STRUKTURA DHE ADMINISTRIMI I AUTORITETIT

Neni 4
Statusi i Autoritetit

1. Autoriteti është person juridik, publik, me seli në Durrës, i cili organizohet dhe funksionon në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

2. Mënyra e organizimit dhe struktura e Autoritetit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për transportin.

Neni 5
Organet drejtuese

Organet drejtuese të autoritetit janë Këshilli Drejtues dhe Drejtori Ekzekutiv.

Neni 6
Këshilli Drejtues

1. Këshilli Drejtues është organ vendimmarrës për çështjet strategjike, politike, administrative dhe financiare të Autoritetit.

2. Këshilli Drejtues është organ kolegjial i përbërë nga një kryetar/(e) dhe katër anëtarë, nga të cilët:

– kryetari, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për transportin;
– një anëtar, përfaqësues nga ministria përgjegjëse për transportin;
– një anëtar, përfaqësues nga Autoriteti i Konkurrencës;
– Një anëtar, përfaqësues nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, të Universitetit Politeknik të Tiranës;
– Një anëtar, përfaqësues nga Kryeministria.

3. Mbledhja e Këshillit Drejtues zhvillohet kur janë të pranishëm të paktën tre anëtarë dhe vendimet e tij janë të vlefshme kur votojnë pro të paktën tre anëtarë. Në votim nuk lejohet abstenimi.

4. Përveç rasteve kur Këshilli i delegon shprehimisht kompetenca Drejtorit Ekzekutiv, Këshilli kryen të gjitha kompetencat dhe detyrat e përcaktuara për Autoritetin, sipas akteve ligjore dhe çdo traktati apo marrëveshjeje kombëtare, ndërkombëtare apo rajonale.

5. Këshilli Drejtues përzgjedh dhe emëron Drejtorin Ekzekutiv të Autoritetit për një mandat 4-vjeçar, me mundësinë e riemërimit për një mandat tjetër.

Neni 7
Kompetencat e Këshillit Drejtues

Këshilli Drejtues i Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore ka këto kompetenca:

a) Miraton buxhetin e Autoritetit.
b) Propozon te ministri strukturën organizative të Autoritetit dhe strukturën e pagave që do të zbatohet;
c) Miraton rregulloren për organizimin e brendshëm administrativ, funksionet dhe përgjegjësitë e departamenteve, nëpunësve dhe punonjësve të tjerë;
ç) Analizon dhe propozon për miratim te ministri programin financiar të Autoritetit, duke mbikëqyrur dhe kontrolluar periodikisht realizimin e tij.

Neni 8
Kriteret e emërimit të anëtarëve të Këshillit Drejtues

Për t’u emëruar anëtarë të këshillit, personat duhet të plotësojnë këto kërkesa:

a) Të kenë shtetësi shqiptare;
b) Të kenë arsim të lartë në fushën e inxhinierisë mekanike e të ndërtimit, ose të shkencave juridike;
c) Të kenë përvojë, të paktën 5 vjet, në administratën publike ose në institucionet shkencore arsimore;
ç) Të jenë me integritet moral dhe profesional;
d) Të jenë të paangazhuar në funksione drejtuese partiake;
dh) Të mos jenë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale;
e) Të mos jenë të përjashtuar nga shërbimi civil;
ë) Të mos kenë konflikt interesash me detyrën, në përputhje me detyrimet e legjislacionit në fuqi.

Neni 9
Mandati i anëtarëve të Këshillit Drejtues

1. Mandati i kryetarit të Këshillit Drejtues është 4 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje, ndërsa ai i anëtarëve është 3 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

2. Kur mandati i kryetarit ose i anëtarit përfundon, ata qëndrojnë në detyrë deri në çastin e emërimit të kryetarit ose të anëtarit të ri. Një muaj para përfundimit të mandatit të çdo anëtari të këshillit drejtues, Autoriteti lajmëron, me shkrim, ministrin, i cili fillon procedurat për emërimin e anëtarit të ri.

Neni 10
Drejtori ekzekutiv

1. Drejtori Ekzekutiv është titullari i Autoritetit, i cili emërohet nga Këshilli Drejtues.

2. Drejtori Ekzekutiv emërohet brenda 3 muajve nga krijimi i Autoritetit.

3. Drejtori Ekzekutiv nuk mund të jetë anëtar i Këshillit Drejtues.

4. Këshilli Drejtues vendos lirimin nga detyra të drejtorit ekzekutiv në rastet kur:

a) jep dorëheqjen;
b) bëhet fizikisht i paaftë për më shumë se 3 muaj për të përmbushur detyrën, për të cilën është emëruar;
c) për shkak të paaftësisë profesionale apo neglizhencës, i shkakton dëm Autoritetit ose imazhit të institucionit;
ç) vepron, gjatë ushtrimit të funksioneve, në kundërshtim me interesat e Autoritetit;
d) dënohet me vendim të formës së prerë për një vepër penale;
dh) humbet apo lë shtetësinë shqiptare.

Neni 11
Detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit ekzekutiv

1. Drejtori Ekzekutiv ka këto përgjegjësi e detyra:

a) Është përgjegjës për drejtimin dhe administrimin e veprimtarisë së Autoritetit;
b) Ndërmerr të gjitha veprimet ligjore në emër të Autoritetit dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët;
c) Lidh kontrata dhe miraton blerjet në emër të Autoritetit;
ç) I raporton një herë në vit ministrit përgjegjës për transportin dhe Agjencisë Evropiane të Hekurudhave.
d) Harton dhe paraqet për miratim në Këshill raportin vjetor të Autoritetit;
dh) Organizon, menaxhon, mbikëqyr, planifikon, koordinon, vlerëson personelin dhe mban përgjegjësi për aktivitetet e tyre dhe përmbushjen e detyrave të caktuara për anëtarët e personelit;
e) Bashkëpunon me institucionet ndërkombëtare dhe organet e sigurisë në sektorin hekurudhor dhe në sektorë të tjerë;
ë) Bën propozime për ndryshimet e nevojshme në këtë ligj dhe çdo akt nënligjor që ka të bëjë me sektorin hekurudhor;
f) Propozon statutin e Autoritetit jo më vonë se 8 javë pas themelimit të tij zyrtar dhe para publikimit në “Fletoren zyrtare”.
g) Mban komunikimet me autoritetet rajonale të Bashkimit Evropian për çështjet e sigurisë dhe të ndërveprimit;
gj) Merr çdo vendim tjetër brenda kompetencave të përcaktuara në Kodin Hekurudhor dhe në aktet ligjore e nënligjore.
h) Ka përgjegjësinë e administrimit të fondeve në bazë të buxhetit të miratuar.

Neni 12
Përzgjedhja dhe emërimi i drejtorit ekzekutiv

Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit përzgjidhet dhe emërohet sipas kushteve të mëposhtme:

a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të ketë përvojë, të paktën 5 vjet në administratën publike, me eksperiencë në fushën e sigurisë hekurudhore;
c) Të mos ketë konflikt interesash me detyrën, në përputhje me detyrimet e legjislacionit në fuqi;
ç) Të refuzojë çdo pozicion ose përgjegjësi në sipërmarrjet ose entitetet hekurudhore për një periudhë jo më të shkurtër se një vit, pas mbarimit të mandatit në Autoritet;
d) Të mos ketë qenë i përfshirë në biznese hekurudhore ku ka pasur interes të drejtpërdrejtë ose të tërthortë për 3 vitet e fundit, para emërimit drejtor i Autoritetit.

KREU III
ADMINISTRATA E AUTORITETIT TË SIGURISË HEKURUDHORE

Neni 13
Organizimi dhe detyrimet

1. Struktura organizative e administratës së Autoritetit miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

2. Marrëdhëniet e punës për nëpunësit e Autoritetit rregullohen në përputhje me legjislacionin e shërbimit civil, kurse marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen sipas Kodit të Punës.

Neni 14
Departamentet përbërëse të Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore

Autoriteti organizohet në departamentet e mëposhtme:

1. Departamenti i Sigurisë;

2. Departamenti i Ndërveprimit;

3. Departamenti Juridik;

4. Departamenti i Financës dhe Administratës.

Neni 15
Departamenti i Sigurisë

1. Departamenti i Sigurisë krijohet në përbërje të Autoritetit në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

2. Departamenti i Sigurisë është i ngarkuar për:

a) shqyrtimin e aplikimeve, lëshimin, heqjen, pezullimin, përditësimin dhe rinovimin e certifikatave të sigurisë hekurudhore për sipërmarrësit hekurudhorë;
b) shqyrtimin e aplikimeve, lëshimin, heqjen, pezullimin, përditësimin dhe rinovimin e autorizimeve të sigurisë për administratorët e infrastrukturës hekurudhore;
c) dhënien, rinovimin, tërheqjen dhe revokimin e licencave të drejtuesve të trenave;
ç) kontrollin e mbikëqyrjen mbi zbatimin e kërkesave të sigurisë hekurudhore nga subjektet hekurudhore të pajisura me certifikata apo me autorizime sigurie, si dhe të operatorëve të shërbimeve publike e të operatorëve të impianteve të shërbimeve ndihmese që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorin hekurudhor;
d) kontrollin e qendrave të trajnimit të drejtuesve të trenave dhe personelit tjetër hekurudhor;
dh) hartimin e rregulloreve për certifikatë dhe autorizim të sigurisë;
e) përgatitjen e formularëve për aplikim për certifikatë dhe autorizim të sigurisë;
ë) mbajtjen e Regjistrit të Certifikatave dhe Autorizimeve të Sigurisë;
f) autorizimin e futjes në shërbim të nënsistemeve strukturale që e përbëjnë sistemin hekurudhor;
g) mbikëqyrjen nëse përbërësit e interoperabilitetit të nënsistemeve hekurudhore janë në përputhje me kërkesat esenciale të kërkuara nga direktivat për ndëroperim.

3. Departamenti i Sigurisë vendos për lëshimin, rinovimin, ndryshimin dhe revokimin e pjesëve relevante të certifikatave të sigurisë dhe autorizimeve të sigurisë. Për kryerjen e detyrave të tij ky departament ka të drejtë të kërkojë e të ketë akses te të gjithë dokumentacionet, informacionet lidhur me objektet, instalimet, pajisjet e procedurat e administratorëve të infrastrukturës dhe sipërmarrësve hekurudhorë, të pajisur përkatësisht me autorizime e certifikata sigurie.

Neni 16
Departamenti i Ndërveprimit

1. Departamenti i Ndërveprimit krijohet në përbërje të Autoritetit në përputhje me dispozitat e këtij ligji, i cili është përgjegjës për kryerjen e procedurave të vlerësimit të pajtueshmërisë apo përshtatshmërisë në lidhje me përdorimin e përbërësve të ndërveprimit hekurudhor dhe për vlerësimin e procedurave për verifikimin e nënsistemeve.

2. Në detyrat kryesore të Departamentit të Ndërveprimit përfshihen:

a) mbikëqyrja e mbarëvajtjes së procesit progresiv të ndërveprimit të sistemit hekurudhor shqiptar nëpërmjet harmonizimit të specifikimeve teknike hekurudhore;
b) mbikëqyrja e plotësimi i kërkesave thelbësore lidhur me sigurinë, besueshmërinë, mbrojtjen e shëndetit të personelit, mbrojtjen e ambientit, përputhshmërinë teknike dhe shfrytëzuese të sistemit;
c) hartimi dhe mbikëqyrja e plotësimit të specifikimeve teknike të ndërveprimit, KTN (TSI) të përshtatura për çdo nënsistem dhe pjesë të nënsistemit;
ç) mbikëqyrja e plotësimit të kushteve të kualifikimit profesional të personelit hekurudhor;
d) hartimi i standardeve për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të kontroll – komandë dhe sinjalizimit, SKK (CCS );
dh) konsultimi me të gjitha palët e interesuara, përfshirë administratorët e infrastrukturës, sipërmarrësit hekurudhorë, prodhuesit dhe ofruesit e mirëmbajtjes, gjatë procesit për hartimin e kuadrit rregullator kombëtar mbi sigurinë në hekurudhë;
e) bashkëpunimi me institucionet kombëtare e organizmat ndërkombëtarë që operojnë në fushën e sigurisë së transportit hekurudhor, në drejtim të zbatimit të standardeve teknike të ndërveprimit;
ë) hartimi i rregulloreve për ndërveprimin në fushën e transportit hekurudhor.

Neni 17
Departamenti Juridik
Departamenti Juridik krijohet në përbërje të Autoritetit në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe është i ngarkuar për:

a) përgatitjen e rregulloreve të hartuara nga departamentet e Autoritetit, të cilat ia paraqet drejtorit të Përgjithshëm;
b) njoftimin zyrtar mbi rregulloret e zbatueshme për menaxherët e infrastrukturës hekurudhore dhe sipërmarrësit hekurudhorë;
c) njoftimin zyrtar të Agjencisë Evropiane të Hekurudhave për rregulloret e zbatueshme në sektorin e transportit hekurudhor dhe autorizimet për vënie në shërbim të nënsistemeve hekurudhore.

Neni 18
Departamenti i Financës dhe Administratës

Departamenti Financës dhe Administratës krijohet në përbërje të Autoritetit në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe është përgjegjës për:

a) ofrimin me kohë dhe saktë të shërbimeve të përgjegjësisë financiare;
b) mbikëqyrjen dhe monitorimin e regjistrave të kontabilitetit;
c) hartimin në kohë të deklaratave financiare;
ç) përgatitjen e raporteve financiare;
d) nxjerrjen e raporteve, analizën dhe shqyrtimin e bilanceve, shërbimet e të përgjegjësisë financiare;
dh) ndihmesën në planifikimin e buxhetit të Autoritetit;
e) korrespondencën hyrëse dhe dalëse, monitorim të statusit të korrespondencave që kërkojnë masa;
ë) mbajtjen e arkivit të Autoritetit.

Neni 19
Të ardhurat e Autoritetit

1. Autoriteti i Sigurisë Hekurudhore financohet nga:

a) Të ardhurat që krijohen nga aktivitetet kryesore të autoritetit si:

– aplikimet dhe dhënia e autorizimeve të sigurisë, certifikatave të sigurisë, futja dhe heqja e mjeteve nga shërbimi, regjistrimi i mjeteve dhe heqja e mjeteve nga regjistri;
– gjobat e vëna për shkeljet administrative.

b) nga buxheti i shtetit;
c) të ardhura të tjera që mund të krijohen sipas legjislacionit në fuqi.

2. Pasqyra financiare e të ardhurave dhe shpenzimeve hartohet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Neni 20
Buxheti i Autoritetit

1. Jo më vonë se tre 3 muaj para fillimit të çdo viti fiskal, Autoriteti i Sigurisë Hekurudhore do të ndërtojë një fond të shpenzimeve të parashikuara operative për t’ia paraqitur, nëpërmjet ministrit, për miratim Këshillit të Ministrave.

2. Të gjitha të ardhurat e tepërta mbi shpenzimet e Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore do të kalohen në buxhetin e shtetit.

Neni 21
Kontabiliteti

1. Autoriteti mban regjistrat kontabël, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet kontabël të zbatueshme.

2. Regjistrat kontabël duhet të pasqyrojnë me saktësi, në çdo kohë, gjendjen financiare të Autoritetit.

3. Autoriteti përgatit pasqyrat financiare vjetore të veprimtarisë së vet brenda datës 31 mars të vitit pasardhës dhe, pas certifikimit nga ekspertët auditues, i raporton ministrit rezultatin financiar.

Neni 22
Raportimi nga Autoriteti

1. Në muajin prill të vitit pasardhës Autoriteti i paraqet ministrit:

a) një raport vjetor për veprimtarinë e tij, përfshirë të gjitha vendimet e marra nga Këshilli Drejtues;
b) pasqyrën financiare vjetore;
c) një raport për realizimin e planit të të ardhurave e të shpenzimeve;
ç) një raport për licencat e dhëna, për miratimet dhe aktet e tjera individuale administrative, të nxjerra në përputhje me këtë ligj, për rastet e refuzimit të licencave apo për kërkesat e tjera, që i janë paraqitur Autoritetit, si dhe për të dhënat e regjistrave.

2. Autoriteti i paraqet ministrit, në çdo kohë, me kërkesë të tij, çdo të dhënë tjetër, që vlerësohet e nevojshme për realizimin e objektivave të politikës së sigurisë dhe ndërveprimit hekurudhor.

KREU IV
FUNKSIONIMI I AUTORITETIT TË SIGURISË HEKURUDHORE

Neni 23
Funksionet

Autoriteti i Sigurisë Hekurudhore kryen funksionet e tij të sigurisë dhe ndërveprimit në përputhje me Kodin Hekurudhor, si më poshtë:

a) Harton rregullore dhe udhëzime të nevojshme për të realizuar funksionet e sigurisë dhe ndërveprimit, të përcaktuara në Kodin Hekurudhor;
b) Lëshon certifikata, autorizime, leje ose dokumente të tjera kur këto kërkohen për realizimin e funksioneve të sigurisë dhe ndërveprimit, sipas specifikimeve të përcaktuara në Kodin Hekurudhor;
c) Mbikëqyr dhe monitoron, në terren ose jo, të gjitha problemet e lidhura me sigurinë dhe ndërveprimin, të tilla si çështje të personelit të sigurisë dhe ndërveprimit të sipërmarrësve hekurudhorë.

Neni 24
Bashkëpunimi me organet e tjera hekurudhore

1. Autoriteti bashkëpunon me autoritetet homologe të shteteve të huaja të Bashkimit Evropian, në veçanti me Agjencinë Evropiane për Hekurudhat dhe me shtetet nënshkruese të Traktatit të Komunitetit të Transportit.

2. Autoriteti lidh marrëveshje në mënyrë të pavarur me autoritetet e tjera homologe kombëtare dhe të huaja sipas parashikimeve në Kodin Hekurudhor.

3. Autoriteti ka të drejtë t’i paraqesë autoriteteve të sigurisë hekurudhore kombëtare dhe të huaja ose organeve të tjera rekomandimet e sigurisë për çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë për hekurudhat dhe ndërveprimin, siç përcaktohet në Kod.

4. Autoriteti informon rregullisht Agjencinë për hekurudhat të Bashkimit Evropian, siç përcaktohet në Kod.

5. Autoritetit ka të drejtë të kërkojë informacionin përkatës nga menaxheri i infrastrukturës, aplikantët dhe palët e treta që janë aktivë në tregun hekurudhor.

Neni 25
Konfidencialiteti

Të dhënat që kanë të bëjnë me sigurinë dhe hetimin e aksidenteve/ incidenteve nuk bëhen publike, përveç rasteve kur ministri përgjegjës për transportin shpreh se është në interes të publikut publikimi i të dhënave të mëposhtme:

a) të gjitha dëshmitë dhe deklaratat e dëshmitarëve dhe shënimet e tjera të marra nga Autoriteti gjatë procesit të sigurisë;
b) të dhënat për identitetin e personave që kanë dhënë dëshmi për çështjet e sigurisë.

Neni 26
Konflikti i interesit

1. Personi i autorizuar i Autoritetit për sigurinë, sipas përcaktimeve të Kodit Hekurudhor dhe anëtari i Këshillit është i pavarur në aktivitetet, vlerësimet dhe në vendimmarrje nga palët e interesit.

2. Një person i autorizuar nga Autoriteti dhe anëtari i Këshillit nuk mund të kryejë aktivitete të tjera që mund të ndikojnë në paanshmërinë dhe pavarësinë e vendimeve të tij / saj.

3. Mospërmbushja e detyrimeve të përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, nga personi i autorizuar nga Autoriteti dhe anëtari i Këshillit ndëshkohet sipas masave të parashikuara në aktet nënligjore përkatëse.

4. Një person, rasti i të cilit është në shqyrtim, mund të kundërshtojë personin përkatës të autorizuar të Autoritetit dhe anëtarin e Këshillit nëse ky person ka një konflikt interesi për çështjen në fjalë.

Neni 27
Publikimi i vendimeve dhe aktiviteteve të Autoritetit

1. Një herë në vit, Autoriteti përgatit raportin vjetor që do t’i paraqitet Kuvendit dhe ministrit kompetent jo më vonë se data 31 mars e çdo viti.

2. Raporti vjetor përmban:

a) aktivitetet dhe vendimet e marra nga Autoritetit;
b) analizat dhe përshkrimet për shkallën e integrimit të Autoritetit në sistemin shqiptar dhe atë evropian të sigurisë hekurudhore;
c) propozimet për ndryshimet ligjore dhe institucionale në sektorin e transportit hekurudhor.

3. Autoriteti publikon raportin vjetor në mënyrë të pavarur në faqen zyrtare të internetit të Autoritetit, në gjuhën shqipe dhe të paktën në anglisht.

4. Aktet e përgjithshme dhe vendimet e Autoritetit publikohen në faqen zyrtare të Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore.

KREU V
DISPOZITA KALIMTARE

Neni 28
Përfundimi dhe transferimi i kompetencave

1. Brenda 6 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, administrata e Drejtorisë së Inspektimit Hekurudhor (DIH) shkrihet.

2. Të gjitha mjetet, burimet e të ardhurave, arkivat, detyrimet dhe kompetencat e tjera të DIH-së, me shkrirjen e këtij institucioni, i kalojnë Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore.

3. Drejtori Ekzekutiv, sipas procedurave të miratuara nga Këshilli Drejtues, fillon punën për rekrutimin e nëpunësve dhe të punonjësve të Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore, duke trajtuar me përparësi të punësuarit në Drejtorinë e Inspektimit Hekurudhor.

4. Punonjësve të Drejtorisë së Inspektimit Hekurudhor, që nuk rekrutohen nga Autoriteti i Sigurisë Hekurudhore për shkak të papërshtatshmërisë me pozicionin e punës apo nuk pranojnë pozicionin e ri të punës, sipas strukturës së Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore, do t’u zgjidhet kontrata e punës në përputhje me legjislacionin e shërbimit civil.

KREU VI
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 29
Hartimi i rregulloreve të Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore

1. Ngarkohet Këshilli Drejtues që, brenda dy muajve nga emërimi i tij, të hartojë dhe të miratojë rregulloren e funksionimit të Autoritetit.

2. Ngarkohet Këshilli Drejtues që, brenda tre muajve nga emërimi i tij, të miratojë rregulloret e tjera për funksionimin e përditshëm të institucionit, të propozuara nga drejtori ekzekutiv i Autoritetit.

Neni 30
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi tre muaj pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR KRIJIMIN E AUTORITETIT TË SIGURISË HEKURUDHORE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për krijimin e Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9062, DATË 8.5.2003, “KODI I FAMILJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 53, 54, 81, pikat 1 dhe 2, shkronja “d”, si dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Neni 241 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 241
Kushtet e birësimit

Birësohet vetëm i mituri.
Ka të drejtë për të birësuar personi që ka mbushur moshën 21 vjeç dhe ka zotësi të plotë për të vepruar.
Birësuesi duhet të ketë një diferencë minimale moshe të paktën 18 vjet me të birësuarin, si dhe një diferencë maksimale moshe jo më shumë se 50 vjet.
Në rastin kur birësohet fëmija i bashkëshortit, diferenca e moshës duhet të jetë jo më pak se 15 vjet.
Kufizimet e përcaktuara në paragrafin 3, të këtij neni, mund të mos zbatohen në rastet kur Komiteti Shqiptar i Birësimeve dhe gjykata konstatojnë se:

a) mosdhënia për birësim mund të shkaktojë dëme të rënda për të miturin dhe ky dëm nuk mund të shmanget në mënyrë tjetër;
b) ndërmjet birësuesit dhe të birësuarit është krijuar një marrëdhënie prindërore, para paraqitjes së kërkesës për birësim;
c) kërkohet të birësohen disa vëllezër dhe motra dhe birësuesit përmbushin kushtin e diferencës së moshës vetëm për njërin prej tyre;
ç) i mituri që birësohet është vëllai ose motra e një të mituri të birësuar nga të njëjtët birësues;
d) kufiri maksimal i moshës së birësuesve tejkalohet vetëm nga njëri prej bashkëshortëve, në një masë jo më të madhe se 10 vjet;
dh) birësuesit janë prindër të fëmijëve biologjikë apo të birësuar, nga të cilët të paktën njëri është i mitur.”.

Neni 2

Neni 242 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 242

I mituri mund të birësohet nga një person i vetëm ose nga persona që janë bashkëshortë ose bashkëjetues sipas përcaktimeve të nenit 163, të këtij Kodi, që kanë bashkëjetuar në mënyrë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme për të paktën 3 vjet.
Birësuesi ka të drejtë të bëjë disa birësime, me akte të njëpasnjëshme. Birësuesit i jepet përparësi nëse ka birësuar vëllain ose motrën e të miturit që synohet të birësohet, nëse paraqet kërkesë për birësimin e motrave dhe vëllezërve të tjerë, ose nëse shfaq gatishmërinë për të birësuar të mitur që gjenden në kushte të vështira shëndetësore ose sociale.
Kanë të drejtë të birësojnë birësuesit që kanë fëmijë biologjikë.
Birësimi i ri i të miturit lejohet vetëm në këto raste:

a) Pas vdekjes së birësuesit ose të birësuesve;
b) Pas vdekjes së njërit prej birësuesve, në qoftë se kërkesa për birësim paraqitet nga bashkëshorti ose bashkëjetuesi i ri i birësuesit;
c) Nëse i mituri është birësuar nga një person i vetëm dhe kërkesa për birësim paraqitet nga bashkëshorti ose bashkëjetuesi i tij;
ç) Nëse birësimi i mëpasshëm është i justifikuar nga shkaqe me rëndësi, që përligjen nga nevoja e mbrojtjes së interesit më të lartë të të miturit.”.

Neni 3

Shkronja “a”, e nenit 245, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“a) i është hequr përgjegjësia prindërore nga gjykata ose e ka humbur atë, sipas nenit 223, të këtij Kodi;”.

Neni 4

Neni 246 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 246
Pëlqimi për birësim

Për birësimin e të miturit kërkohet pëlqimi i të dy prindërve të tij, nëse ata njihen ligjërisht.
Pëlqimi për birësim nuk mund të jepet pa kaluar 8 javë nga lindja e të miturit.
Nëse prindërit e fëmijës janë të mitur, ata duhet ta japin vetë pëlqimin për birësim.
Në qoftë se njëri nga të dy prindërit ka vdekur, nuk është në gjendje të shprehë vullnetin e tij, i është hequr përgjegjësia prindërore ose ka humbur përgjegjësinë prindërore, pëlqimi i prindit tjetër është i mjaftueshëm. Pëlqimi i njërit prind është i mjaftueshëm edhe nëse prindi tjetër është i panjohur.
Kur fëmijës i kanë vdekur të dy prindërit, kur atyre u është hequr zotësia për të vepruar ose janë të panjohur, vendimi për birësimin e fëmijës merret nga gjykata.
Kur birësuesi është i martuar, duhet të merret pëlqimi i bashkëshortit të tij.
Kur i birësuari ka mbushur moshën dhjetë vjeç merret mendimi i tij dhe në moshën dymbëdhjetë vjeç kërkohet pëlqimi i tij.”.

Neni 5

Në nenin 247, shtohet paragrafi i dytë, me këtë përmbajtje:

“Rregullat e caktuara në paragrafin e parë, të këtij neni, për dhënien e pëlqimit përpara organeve përgjegjëse, zbatohen edhe për tërheqjen e pëlqimit për birësim.”.

Neni 6

Pas nenit 247 shtohet neni 247/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 247/1

Gjykata informon prindërit e të miturit mbi qëllimin, kushtet dhe pasojat ligjore që sjell dhënia e pëlqimit për birësim.
Para dhënies së pëlqimit, prindërve u ofrohet ndihmë ligjore dhe psikologjike nga punonjësit e njësisë së mbrojtjes së fëmijës pranë pushtetit vendor, në një gjuhë të kuptueshme dhe të thjeshtë për atë.
Pëlqimi i prindërve për birësim merret vetëm pas informimit dhe ofrimit të këshillimit ligjor dhe psikologjik.”.

Neni 7

Neni 248 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 248

Prindërit biologjikë kanë të drejtë të tërheqin pëlqimin për birësim brenda 3 muajve nga çasti i dhënies së tij.
Prindërit biologjikë kanë të drejtë të tërheqin pëlqimin për birësim edhe pas kalimit të afatit 3-mujor nëse kërkojnë kthimin e të miturit, deri në çastin që i mituri nuk është vendosur nën përkujdesjen e një familjeje birësuese, me qëllim realizimin e periudhës së provës.
Nëse personi apo institucioni pranë të cilit është vendosur i mituri, refuzon kthimin e tij, prindërit biologjikë kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës kompetente, e cila duke marrë në konsideratë interesin më të lartë të të miturit, vendos pranimin ose jo të kërkesës për kthimin e të miturit. Pranimi i kërkesës sjell si pasojë revokimin e pëlqimit të prindit për birësim.
I mituri që ka mbushur moshën 12 vjeç ka të drejtë të tërheqë pëlqimin për birësim, deri në çastin e miratimit të birësimit nga gjykata.”.

Neni 8

Pas nenit 248 shtohet neni 248/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 248/1
Periudha e provës

Periudha e provës realizohet pas pëlqimit të dhënë nga Komiteti Shqiptar i Birësimeve, nëpërmjet vendosjes në përkujdesjen e familjes birësuese të të miturit për të cilin, prindërit kanë dhënë pëlqimin për birësim në gjykatë ose për birësimin e të cilit ka vendosur gjykata ose për të cilin është deklaruar braktisja nga gjykata.
Periudha e provës, e cila zgjat 3 muaj, shërben për të vendosur një marrëdhënie birësuese ndërmjet një të mituri dhe familjes birësuese.
Nëse prindërit e të miturit janë të panjohur, i mituri vendoset në periudhë prove vetëm pasi të kenë kaluar 3 muaj nga vendosja e tij në përkujdesje alternative pranë institucionit të përkujdesjes shoqërore, në zbatim të interesit më të lartë të të miturit.
I mituri nuk mund të vendoset në periudhë prove nëse prindërit kërkojnë kthimin e tij, derisa gjykata të marrë vendim për këtë çështje. Gjykata, përpara marrjes së vendimit, verifikon nëse janë plotësuar afatet e mësipërme dhe nëse kthimi i të miturit pranë prindërve biologjikë është në interesin më të lartë të të miturit.
Nëse i mituri vendoset në periudhë prove, prindërit e tij nuk mund të kërkojnë kthimin e të miturit.
Nëse periudha e provës ndërpritet ose gjykata refuzon birësimin, pasojat e periudhës së provës shuhen me efekt prapaveprues.”.

Neni 9

Neni 250 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 250
Deklarimi i braktisjes

Gjykata mund të deklarojë të braktisur të miturin që ndodhet pranë një institucioni të përkujdesjes shoqërore, publik ose privat, ose te personi që e ka në përkujdesje, kur prindërit e tij, përgjatë 1 viti, përpara paraqitjes së kërkesës për deklarimin e braktisjes, nuk kanë krijuar dhe ruajtur me të marrëdhëniet e nevojshme për edukimin ose zhvillimin e tij, me kusht që prindi të mos jetë penguar në krijimin dhe ruajtjen e këtyre marrëdhënieve, për shkaqe me rëndësi.
Nuk konsiderohet se prindërit janë penguar në ruajtjen e këtyre marrëdhënieve, nëse refuzojnë masat mbështetëse të ofruara nga strukturat e mbrojtjes së fëmijës pranë pushtetit vendor dhe ky refuzim vlerësohet si i pajustifikuar nga gjykata.
Kur i mituri është vendosur që nga lindja në një institucion, afati prej 1 viti reduktohet në 3 muaj dhe fillon nga data e lindjes.
Kur i mituri është gjetur i braktisur jashtë institucioneve të përkujdesjes shoqërore, publike ose jopublike, spitaleve apo materniteteve, publike ose private, afati prej 1 viti reduktohet në 3 muaj dhe fillon nga momenti i gjetjes së tij.
Kur i mituri është lënë nën kujdesin e institucioneve të përkujdesjes shoqërore, publike ose jopublike, përfshirë spitalet, publike ose jopublike, nëpërmjet një deklarate noteriale të prindërve biologjikë për dhënien e tij për birësim, afati prej një viti reduktohet në 3 muaj dhe fillon që nga momenti i lënies së të miturit.
Nuk përbëjnë akte të mjaftueshme për të refuzuar automatikisht kërkesën për deklarimin e braktisjes së të miturit, si dhe nuk sjellin ndërprerjen e afateve të përcaktuara në paragrafët e mësipërm të këtij neni:

a) tërheqja e pëlqimit për birësim të dhënë në përputhje me parashikimin e paragrafit të pestë, të këtij neni;
b) kërkesa për t’u informuar mbi gjendjen e të miturit;
c) shprehja e qëllimit të prindërve ose të afërmve të tjerë deri në shkallë të dytë, që kanë një marrëdhënie të qenësishme me fëmijën, për ta marrë fëmijën në përkujdesje, por që nuk pasohet nga marrja e tij në përkujdesje.”.

Neni 10

Neni 251 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 251

Kërkesa për, deklarimin e braktisjes paraqitet në gjykatë nga drejtuesi i institucionit publik ose privat, ku ndodhet i mituri, nga personi që e ka në përkujdesje, ose nga njësia apo punonjësi i mbrojtjes së fëmijës pranë pushtetit vendor, brenda 15 ditëve nga përfundimi i afateve të parashikuara në nenin 250, të këtij Kodi. Kërkesa mund të paraqitet edhe nga prokurori.
Kërkesa i dërgohet gjykatës nën juridiksionin e së cilës ndodhet institucioni ose vendbanimi i personit që e ka marrë në përkujdesje të miturin.
Çdo person që ka një interes të ligjshëm për mbrojtjen e të miturit mund të ndërhyjë në procesin e gjykimit.
Në gjykimin e deklarimit të braktisjes, i mituri përfaqësohet nga një jurist ose avokat, që i sigurohet të miturit nga njësia e mbrojtjes së fëmijës pranë pushtetit vendor.
Kërkesa për deklarimin e braktisjes të të miturit paraqitet në gjykatë vetëm pasi njësia e mbrojtjes së fëmijës pranë pushtetit vendor, gjatë afateve të parashikuara në nenin 250, të këtij Kodi, u ka ofruar prindërve të fëmijës masat e duhura për përkrahje.
Gjykata i kërkon shpjegime personit që ka paraqitur kërkesën, nëse ka bërë përpjekje për gjetjen e prindërve biologjikë të të miturit dhe kthimin e të miturit në familjen biologjike, nëse kjo është e mundur. Këto përpjekje nuk janë të nevojshme në rastin kur i mituri është lënë nën kujdesin e institucioneve të përkujdesjes shoqërore, publike ose private, përfshirë spitalet, publike ose private, nëpërmjet një deklarate noteriale të prindërve biologjikë për dhënien e tij për birësim.
Gjykata nuk deklaron braktisjen e të miturit nëse, brenda afatit të parashikuar në nenin 250 të këtij Kodi, prindi ose një nga të afërmit deri në shkallë të dytë ka kërkuar marrjen e të miturit në përkujdesje dhe kjo kërkesë vlerësohet se është në interes të të miturit.
Braktisja e të miturit mund të deklarohet ndaj të dy prindërve ose vetëm njërit prej tyre.
Gjykata, që deklaron të braktisur të miturin, cakton në të njëjtin vendim edhe kujdestarin, një institucion të përkujdesjes shoqërore ose një person të caktuar, për mirërritjen, edukimin dhe arsimimin e të miturit, nisur nga interesi më i lartë i tij.
Kundër vendimit të gjykatës, palët kanë të drejtë të ushtrojnë ankim në gjykatën e apelit, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. Shqyrtimi i ankimit bëhet brenda 60 ditëve nga data e depozitimit të tij.
Kundër vendimit të gjykatës së apelit, palët kanë të drejtë të ushtrojnë rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 30 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. Shqyrtimi i rekursit bëhet brenda 60 ditëve nga data e depozitimit të tij.”.

Neni 11

Pas paragrafit të fundit, të nenit 254, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:

“Gjykata merr vendim brenda 6 muajve nga paraqitja e kërkesës për birësim, pasi ka verifikuar përmbushjen e kushteve ligjore të birësimit dhe nëse ky birësim është në interesin më të lartë të të miturit.”.

Neni 12

Neni 256 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 256

Nëse përpara autoriteteve administrative ose gjyqësore janë duke u zhvilluar procedura për vërtetimin e amësisë apo të atësisë, të filluara nga nëna ose i ati i supozuar i fëmijës, procedura e birësimit pezullohet derisa të përfundojë procedura administrative ose gjyqësore për vërtetimin e amësisë apo të atësisë.
Autoritetet administrative ose gjyqësore kanë detyrimin për të shqyrtuar me përparësi procedurat për vërtetimin e amësisë apo të atësisë, duke garantuar mbrojtjen e interesit më të lartë të të miturit.”.

Neni 13

Neni 257 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 257
Ndalimet për birësimin ndërvendas

Birësimi ndërvendas nuk lejohet kur:

a) birësimi nuk njihet në shtetin ku banojnë birësuesit;
b) arrihet në përfundimin se birësimi sjell pasoja të rënda për të miturin;
c) i mituri, në shtetin ku banojnë aplikantët birësues, nuk gëzon të njëjtat të drejta që i njihen në Shqipëri.

Birësimi ndërvendas lejohet vetëm pasi i mituri të ketë qëndruar 6 muaj në listat e pritjes së Komitetit Shqiptar të Birësimit dhe, gjatë kësaj periudhe, janë ezauruar të gjitha mundësitë për të bërë birësimin brenda vendit.
Pavarësisht nga parashikimi i paragrafit të dytë, të këtij neni, Komiteti Shqiptar i Birësimit, nisur nga interesi më i lartë i të miturit, me vendim të motivuar, mund të japë pëlqimin për birësimin e fëmijës jashtë vendit, dhe pa u përmbushur afati 6-mujor, nëse i mituri ndodhet në një nga rrethanat e mëposhtme:

a) Shëndeti i të miturit mund të dëmtohet dhe ka nevojë për trajtime mjekësore të specializuara;
b) I mituri është me aftësi të kufizuara intelektuale ose fizike, të vërtetuara nga komisionet e vlerësimit të aftësisë së kufizuar, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
c) I mituri ka arritur një moshë që e bën të pamundur birësimin e tij brenda vendit;
ç) I mituri ndodhet në rrethana të tjera të rënda sociale, familjare, psikologjike, emocionale, të cilat e vështirësojnë ose e bëjnë të pamundur birësimin e tij brenda vendit.”.

Neni 14

Pas nenit 260 shtohet neni 260/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 260/1

Vendimi i gjykatës transkriptohet në regjistrin e gjendjes civile të vendit të lindjes së të miturit të birësuar, brenda 15 ditëve nga momenti i marrjes së formës së prerë. Elementet e vendimit që transkriptohen janë:

a) dita, ora dhe vendi i lindjes së të miturit;
b) gjinia e të miturit;
c) emri dhe mbiemri i të miturit që rezultojnë nga vendimi gjyqësor;
ç) të dhënat e birësuesve: emri, mbiemri, data dhe vendi i lindjes, profesioni
dhe vendbanimi i tyre.

Ky transkriptim nuk përmban asnjë të dhënë për prindërit biologjikë të të miturit.
Transkriptimi zëvendëson aktin e lindjes së të miturit. Në aktin fillestar të lindjes së të miturit shënohet “birësim” dhe ky akt shfuqizohet.”.

Neni 15

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9062, DATË 8.5.2003, “KODI I FAMILJES”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9062, datë 8.5.2003, “Kodi i Familjes”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.10081, DATË 23.2.2009, “PËR LICENCAT, AUTORIZIMET DHE LEJET NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për një ndryshim në ligjin nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

NJË NDRYSHIM NË LIGJIN NR.10081, DATË 23.2.2009, “PËR LICENCAT, AUTORIZIMET DHE LEJET NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Shtojca bashkëlidhur ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar, zëvendësohet me shtojcën që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9695, DATË 19.3.2007, “PËR PROCEDURAT E BIRËSIMIT DHE KOMITETIN SHQIPTAR TË BIRËSIMIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.9695, datë 19.3.2007, “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 3, pas pikës 9, shtohet pika 10, me këtë përmbajtje:

“10. “Pëlqimi i Komitetit” është vendimi i këshillit drejtues të Komitetit për përshtatshmërinë e aplikantit birësues dhe për miratimin e birësimit.”.

Neni 2

Në nenin 4 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 3, pas fjalëve “… autoritetet qendrore …” shtohen fjalët “… dhe agjencitë ndërmjetësuese …”.

2. Pas pikës 3, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Komiteti mbikëqyr në mënyrë periodike dhe të vazhdueshme institucionet e përkujdesjes shoqërore publike dhe jopublike, ku janë vendosur fëmijët, si dhe propozon ose vendos sanksione sipas rasteve të parashikuara nga ky ligj.”.

Neni 3

Në nenin 5 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Këshilli drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i Komitetit dhe përbëhet nga kryetari, si dhe nga një përfaqësues i nivelit të mesëm ose të lartë drejtues, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin civil, i ministrisë që mbulon fushën e drejtësisë, i ministrisë që mbulon fushën e shëndetësisë, i ministrisë që mbulon punët e jashtme, i ministrisë që mbulon fushën e rendit publik, i ministrisë që mbulon fushën e financave, i ministrisë që mbulon fushën e çështjeve sociale, drejtuesi i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Fëmijëve, një pedagog i së drejtës familjare nga universitetet publike dhe një përfaqësues i shoqatës së jetimëve.”.

2. Pas pikës 3, shtohen pikat 3/1 dhe 3/2, me këtë përmbajtje:

“3/1. Anëtarët e këshillit drejtues kanë mandat 4-vjeçar me të drejtë riemërimi. Mandati i anëtarit të këshillit drejtues përfundon përpara këtij afati në rast të ndërprerjes së ushtrimit të funksionit apo të detyrës në organin e emërtesës.

3/2. Rregullat e hollësishme për kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të këshillit drejtues përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 4

Në nenin 7, pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Tarifat për shërbimet e birësimit, licencimin e agjencive ndërmjetësuese vendase dhe miratimin e agjencive ndërmjetësuese të huaja, si dhe kriteret e procedurat e administrimit dhe të shpërndarjes së të ardhurave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 5

Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, shkronja “b” ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“b) shërbimet shoqërore, strukturat e mbrojtjes së fëmijës, si dhe me çdo autoritet përgjegjës për kontrollin e zbatimit të legjislacionit dhe të standardeve të shërbimeve shoqërore;”.
2. Në nënndarjen “i”, të shkronjës “c”, të pikës 1, fjalët “… sektorin e shërbimit social, i cili …” zëvendësohen me fjalët “… njësinë për mbrojtjen e fëmijës pranë pushtetit vendor, e cila …”.

3. Pika 2 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“2. Komiteti ushtron kontrolle periodike dhe të vazhdueshme, çdo 6 (gjashtë) muaj, në institucionet e përkujdesjes për fëmijët, si dhe kontrolle të paprogramuara, për të njohur gjendjen e fëmijëve që plotësojnë kushtet për t’u birësuar ose për t’u deklaruar të braktisur. Kur konstatohen shkelje të detyrimeve ligjore në procedurën e birësimit ose në procedurën e deklarimit të braktisjes, kryetari i Komitetit ka të drejtë:

a) t’i propozojë autoritetit shtetëror përgjegjës masa disiplinore për drejtuesit apo punonjësit e institucionit të përkujdesjes shoqërore publike dhe jopublike;
b) të dënojë me gjobë drejtuesin e institucionit shtetëror të përkujdesjes shoqërore;
c) t’i propozojë autoritetit përgjegjës për kontrollin e zbatimit të legjislacionit dhe të standardeve të shërbimeve shoqërore heqjen e licencës për institucionet jopublike të përkujdesjes shoqërore; ose
ç) të dënojë me gjobë institucionet jopublike të përkujdesjes shoqërore.”.

Neni 6

Në nenin 9 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, në fund të fjalisë, shtohen fjalët “… , brenda 6 (gjashtë) muajve nga paraqitja e kërkesës së tyre.”.

2. Në pikën 4, fjala “… kohëzgjatjen …” shfuqizohet.

3. Pas pikës 14, shtohet pika 14/1, me këtë përmbajtje:

“14/1. Lidh marrëveshje bashkëpunimi me autoritetet qendrore, përgjegjëse për birësimin, të vendeve të tjera.”.

Neni 7

Neni 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Neni 13
Detyrat e sekretariatit ekzekutiv të Komitetit

Sekretariati ekzekutiv i Komitetit kryen këto detyra:
1. Harton dhe administron listat e fëmijëve që mund të birësohen brenda ose jashtë vendit, sipas kritereve dhe përcaktimeve të parashikuara në rregulloren e Komitetit.

2. Pranon kërkesat e paraqitura nga shtetas shqiptarë ose të huaj, me vendqëndrim të zakonshëm në Republikën e Shqipërisë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë, dhe ndihmon në plotësimin e dokumentacionit.

3. Kujdeset për t’u dhënë këshillat e nevojshme personave, pëlqimi i të cilëve kërkohet për birësim, e jep të dhëna në kohë për pasojat e pëlqimit të tyre dhe të birësimit. Ky këshillim përfshin aspektin psikologjik, ligjor, social dhe ekonomik.

4. Bashkëpunon me institucionet e përkujdesit shoqëror për fëmijët, publike dhe jopublike, brenda vendit, për të siguruar mbrojtjen e interesave të fëmijëve që janë në këto institucione.

5. Shqyrton, verifikon e vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga aplikantët birësues, si dhe dokumentacionin e fëmijës për t’u birësuar.

6. Ndjek procedurën pas marrjes së vendimit të përshtatshmërisë së dhënë, si dhe pas vendimit për birësim, duke u dërguar të gjithë informacionin e dokumentet e nevojshme autoriteteve dhe agjencive përkatëse.

7. Merr pëlqimin për birësim nga aplikantët birësues ose nga agjencitë e ndërmjetësimit, si dhe realizon njohjen e prezantimin e dosjes së fëmijës me aplikantët birësues.

8. Ndërmjetëson procesin e transferimit të fëmijës nga vendi i origjinës në vendin pritës, si dhe ndjek procedurën për njohjen e vendimit nëpërmjet bashkëpunimit me autoritetet qendrore të vendeve të tjera dhe agjencitë ndërmjetësuese të licencuara.

9. Siguron informacion të hollësishëm për prejardhjen e fëmijës, përfshirë prejardhjen kombëtare, fetare, kulturore dhe gjuhësore.

10. Realizon intervista me aplikantët birësues dhe përgatit studimin për ta.

11. Organizon këshillime, seminare dhe veprimtari të tjera në fushën e birësimit.

12. I kërkon njësisë për mbrojtjen e fëmijës pranë pushtetit vendor dhe agjencive ndërmjetësuese të dhëna për gjendjen e fëmijës së birësuar.

13. Harton raportet pasbirësuese për periudhën pas birësimit vendas, si dhe monitoron e përcjell raportet pasbirësuese për birësimet ndërvendase.

14. Realizon intervista për marrjen e mendimit ose të pëlqimit të fëmijës për birësimin, sipas parashikimeve të nenit 15, të këtij ligji.

15. Ushtron kontrolle në institucionet e përkujdesjes shoqërore, publike dhe jopublike, për fëmijët që plotësojnë kushtet për t’u birësuar, dhe verifikon raportet periodike, të paraqitura prej tyre në Komitet për gjendjen e fëmijëve.

16. Mbikëqyr veprimtarinë e agjencive ndërmjetësuese për përbërjen, funksionimin dhe gjendjen financiare të tyre.

17. Realizon studime dhe raporton në mënyrë periodike të dhëna në fushën e birësimeve, si dhe kujdeset për botimin e këtyre studimeve e të statistikave përkatëse.”.

Neni 8

Në nenin 14 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 2 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“2. Shtetasit shqiptarë ose të huaj me vendqëndrim të zakonshëm jashtë Republikës së Shqipërisë i drejtohen Komitetit nëpërmjet autoriteteve qendrore kompetente ose agjencive ndërmjetësuese të shtetit të vendqëndrimit të tyre të zakonshëm, të njohura si të tilla nga Komiteti.”.

2. Në pikën 3, fjala “… rezidentë …”, zëvendësohet me fjalët “… me vendqëndrimin e zakonshëm …”.

3. Pika 4 shfuqizohet.

Neni 9

Në nenin 16 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Kërkesa e shtetasit shqiptar, që dëshiron të birësojë një fëmijë me shtetësi të huaj, i drejtohet Komitetit.”.

2. Pika 3 shfuqizohet.

Neni 10

Në nenin 18 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pas pikës 4, shtohen pikat 4/1 e 4/2, me këtë përmbajtje:

“4/1. Vërtetim nga prokuroria që aplikanti nuk është në ndjekje penale.

4/2. Vërtetim nga gjykata që aplikanti nuk është në proces gjyqësor penal.”.

2. Pas pikës 6, shtohet pika 6/1, me këtë përmbajtje:

“6/1. Vërtetimin nga autoriteti shëndetësor që vërteton se aplikanti birësues nuk vuan nga sëmundje ngjitëse ose sëmundje të tjera të rënda që vendosin në rrezik jetën dhe shëndetin e fëmijës që do të birësohet.”.

3. Pika 8 riformulohet, me këtë përmbajtje:

“8. Vërtetimin e një sipërfaqeje të mjaftueshme banimi, në pronësi ose në përdorim, si dhe të dhëna për kushtet e banimit.”.

4. Pas pikës 11, shtohet pika 12, me këtë përmbajtje:

“12. Vërtetim nga organet e policisë që aplikanti birësues nuk ka precedentë për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e krimeve seksuale dhe të atyre në familje.”.

5. Në paragrafin e dytë, fjalët “… ligjit nr.7829, datë 1.6.1994, “Për noterinë”, të ndryshuar, …” zëvendësohen me “… ligjit për noterinë …” dhe fjalia e dytë e këtij paragrafi shfuqizohet.

6. Pas paragrafit të dytë, shtohet paragrafi i tretë me këtë përmbajtje:

“Dokumentacioni sipas paragrafëve të mësipërm të këtij neni, i lëshuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, duhet të jetë i legalizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon njohjen dhe përdorimin e dokumenteve zyrtare të lëshuara jashtë vendit.”.

Neni 11

Në nenin 22 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1, në fjalinë e parë, pas fjalëve “… dokumentacionin për çdo fëmijë që do të birësohet …”, shtohen fjalët “… si dhe Planin Individual të Mbrojtjes” dhe fjalët “… të shërbimit social pranë njësive të qeverisjes vendore.” zëvendësohen me fjalët “… njësia për mbrojtjen e fëmijës pranë pushtetit vendor.”.

2. Në pikën 2, shkronja “e” ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“e) vendimin e gjykatës për marrjen e pëlqimit nga prindi biologjik për birësim ose vendimin e gjykatës që ka dhënë pëlqimin për birësimin e fëmijës, ose vendimin gjyqësor që e ka deklaruar fëmijën të braktisur;”.

3. Pas shkronjës “e”, të pikës 2, shtohet shkronja “e/1”, me këtë përmbajtje:

“e/1) Planin Individual të Mbrojtjes së fëmijës, të hartuar nga njësia për mbrojtjen e fëmijës pranë pushtetit vendor;”.

Neni 12

Në nenin 23, pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Komiteti mund të japë pëlqimin për birësim edhe pa u përmbushur ky afat, sipas parashikimeve të nenit 257, të Kodit të Familjes, duke e motivuar këtë pëlqim.”.

Neni 13

Në nenin 24, shkronja “c”, fjalia e parë ndryshon, me këtë përmbajtje:

“c) afati i konsiderimit i përshtatshëm, i aplikantit birësues, është 4 (katër) vjet nga data e dhënies së vendimit nga këshilli drejtues.”.

Neni 14

Në nenin 25, pika 1 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“1. Me dhënien e pëlqimit për çdo birësim, me propozimin e sekretariatit ekzekutiv, këshilli drejtues vendos për fillimin, mënyrën dhe vendin ku do të realizohet periudha e provës për përshtatshmërinë e birësuesit me të birësuarin, e cila zgjat 3 (tre) muaj.”.

Neni 15

Në nenin 29 bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në titullin e nenit, fjala “… rezident …” zëvendësohet me fjalët “… me vendqëndrim të zakonshëm …”.

2. Paragrafi i parë ndryshohet me këtë përmbajtje:

“Shtetasit shqiptarë ose të huaj, me vendqëndrim të zakonshëm në Republikën e Shqipërisë, mund të birësojnë fëmijë, shqiptarë ose të huaj, me vendqëndrim të zakonshëm në shtete të tjera, që e kanë ratifikuar Konventën e Hagës ose kanë lidhur marrëveshje dypalëshe me autoritetet kompetente apo agjencitë, në përputhje me parimet e kësaj Konvente, me kusht që: …”.

Neni 16

Në nenin 30, në paragrafin e parë, fjala “… rezidentë …” zëvendësohet me “… me vendqëndrim të zakonshëm…”.

Neni 17

Neni 36 ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“Neni 36
Mbrojtja e të dhënave

1. Komiteti merr masa organizative dhe teknike të përshtatshme për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale në mbështetje dhe zbatim të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

2. Komiteti, në cilësinë e kontrolluesit të të dhënave personale, respekton dhe përgjigjet për mbrojtjen e të dhënave personale të fëmijës në procedurat e birësimit, si dhe të aplikantit ose të aplikantëve birësues, duke zbatuar kushtet, kriteret e procedurat për përpunimin e tyre, sipas legjislacionit në fuqi.

3. Punonjësit e Komitetit, si dhe çdo subjekt tjetër publik apo privat, që, për shkak të funksionit apo të detyrës, vihet në dijeni të të dhënave personale të subjekteve, nënshkruan një deklaratë për ruajtjen e konfidencialitetit dhe të besueshmërisë gjatë dhe pas ushtrimit të funksionit apo të detyrës.

4. Të gjithë punonjësit publikë dhe privatë, që administrojnë të dhëna të dosjeve të fëmijëve apo aplikantëve birësues, nuk lejojnë njohjen ose përpunimin e të dhënave të regjistruara në këto dosje nga persona të paautorizuar. Këto të dhëna nuk mund të përhapen ose të bëhen të ditura, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht në ligj.

5. Kryetari i Komitetit paraqet kërkesë me shkrim pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, nëse gjatë procedurave të birësimit apo veprimtarisë së punës lind nevoja për marrjen e autorizimit prej tij për një veprim të caktuar.

6. Agjencitë ndërmjetësuese vendase, në cilësinë e kontrolluesit, detyrohen të zbatojnë të gjitha kërkesat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

7. Në rast moszbatimi të përcaktimeve në pikat 1, 2, 3 e 4, të këtij neni, aplikohen sanksione administrative sipas nenit 39, të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar.”.

Neni 18

Në nenin 37, pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Prindërit birësues dhe i birësuari, kur mosha dhe niveli i pjekurisë e lejojnë, mund t’i kërkojnë Komitetit të dhëna për origjinën e të birësuarit dhe historinë e tij.”.

Neni 19

Pas nenit 37, shtohet neni 37/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 37/1
Mbledhja dhe ruajtja e të dhënave

1. Komiteti ka detyrimin e ruajtjes së të dhënave të parashikuara në nenet 18 e 22, të këtij ligji, për një periudhë prej 50 (pesëdhjetë) vjetësh, nga momenti i miratimit të birësimit me vendim gjyqësor.

2. Për këtë qëllim, Komiteti krijon dhe administron Arkivën Digjitale dhe Fizike të të Dhënave.

3. Rregullat e hollësishme për krijimin dhe administrimin e Arkivës Digjitale dhe Fizike të të Dhënave përcaktohen në rregulloren e Komitetit.”.

Neni 20

Pas nenit 37/1, shtohet neni 37/2, me këtë përmbajtje:

“Neni 37/2
Kundërvajtjet administrative

1. Në kuptim të këtij ligji, shkeljet e mëposhtme, nëse nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen, si më poshtë vijon:

a) Mungesa e raportimit, në mënyrë periodike dhe të vazhdueshme në Komitet, sipas nënndarjeve “i” dhe “ii”, të shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 8, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzetë mijë) lekë deri në 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë;
b) Mungesa e paraqitjes së kërkesës për deklarimin e braktisjes së fëmijës në gjykatë, brenda afateve dhe sipas detyrimeve të parashikuara në nenet 250 dhe 251 të Kodit të Familjes, dënohet me gjobë nga 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë deri në 300 000 (treqind mijë) lekë, për çdo fëmijë për të cilin nuk janë ndjekur këto procedura.

2. Për shkelje, të cilat nuk përbëjnë kundërvajtje administrative sipas këtij neni, Komiteti ka detyrimin të bëjë kallëzim për ndjekje penale.”.

Neni 21
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9695, DATË 19.3.2007, “PËR PROCEDURAT E BIRËSIMIT DHE KOMITETIN SHQIPTAR TË BIRËSIMIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9695, datë 19.3.2007, “Për procedurat e birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10304, DATË 15.7.2010, “PËR SEKTORIN MINERAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

Neni 1

Në nenin 2 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në pikën 19, pas fjalëve “… nuk lejohet …”, shtohet fjalët “… kryerja e veprimtarive minerare për lejet ekzistuese dhe …”.

2. Në pikën 23, pas fjalës “… mineralit …”, shtohen fjala “të thatë”.

3. Në pikën 32, pas fjalëve “Kadastra minerare…” shtohen fjalët “… krijohet nga heqja e sipërfaqes nga fondi pyjor e kullosor dhe …” dhe pas fjalëve “… zonat e lejuara minerare …” shtohen fjalët “… të cilat regjistrohen pas heqjes nga fondi pyjor e kullosor.”.

4. Në pikën 37, fjalët “… çdo vit …” shfuqizohen.

Neni 2

Në nenin 3, fjalia “Përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, shteti, për efekt të zbatimit të këtij ligji, përfaqësohet nga ministri” zëvendësohet me fjalinë “Shteti, për efekt të zbatimit të këtij ligji, përfaqësohet nga ministri përgjegjës për veprimtarinë minerare.”.

Neni 3

Në nenin 5, pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Sipas nenit 8 të këtij ligji:

a) lejet minerare në zonat minerare, të përcaktuara në programin vjetor minerar si zona konkurruese, u jepen subjekteve të interesuara, fituese të një konkurrimi publik;
b) leja minerare në zonat minerare, të përcaktuara në programin vjetor minerar si zona të hapura, i jepet subjektit që plotëson kushtet e lejimit, sipas parimit “i pari në kohë, i pari në të drejta.”.

Neni 4

Në nenin 8 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në pikën 4, pas fjalëve “… ministria dhe …”, shtohen fjalët “… pas këshillimit me ministritë përgjegjëse për mjedisin, pyjet, zonat e mbrojtura, tokën bujqësore, trashëgiminë kulturore, turizmin e mbrojtjen dhe njësitë e qeverisjes vendore përkatëse, …” .

2. Në pikën 6, pas fjalës “… ministri …”, fjalët “… pas këshillimit me ministritë përgjegjëse për mjedisin, pyjet, tokën bujqësore, trashëgiminë kulturore, turizmin e mbrojtjen dhe njësitë e qeverisjes vendore përkatëse …” shfuqizohen.

Neni 5

Në nenin 9 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Në paragrafin e parë, të pikës 1, pas fjalës “… teknik …” shtohet fjala “… mjedisor …”.

2. Në pikën 2/b, fjalët “… nuk i ka shndërruar në leje shfrytëzimi, edhe pse ka zbuluar rezerva minerare me interes publik ….” zëvendësohen me fjalët “… ka realizuar punimet e investimit sipas projektit, ka zbuluar rezerva me interes ekonomik, ka dorëzuar raport gjeologjik, por nuk ka kërkuar për ta shndërruar në leje shfrytëzimi.”.

3. Në paragrafin e fundit, të pikës 3, fjalët “… deri në një vit …” zëvendësohen me fjalët “… ai i përcaktuar në pikën 1, të nenit 14 …”.

Neni 6

Në nenin 13 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 4/b, fjalët “… së paku 90 për qind …” zëvendësohen me fjalët “… deri në 90 për qind …”.

2. Në pikën 4/c, fjalët “… fillimit të vitit të katërt të …” zëvendësohen me fjalët “… zgjatjes së …”.

Neni 7

Në nenin 14 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, fjalitë “Afati i vlefshmërisë mund të zgjatet 2 herë, me kërkesë të zotëruesit të lejes. Çdo zgjatje ka afat 1-vjeçar.” zëvendësohen me fjalinë “Afati i vlefshmërisë mund të zgjatet 1 herë, me kërkesë të zotëruesit të lejes, për një periudhë 1-vjeçare”.

2. Në pikën 4, fjalia “Në rast se nuk shpenzohet vlera e përcaktuar, atëherë pjesa e mbetur i kalon buxhetit të shtetit.” shfuqizohet.

Neni 8

Në nenin 16, pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Zgjatja e afatit miratohet, në rast se zotëruesi i lejes së shfrytëzimit i ka plotësuar më parë detyrimet financiare, ka kryer investimet e parashikuara në programin e punës, në përputhje me lejen e dhënë, paraqet një program pune shtesë, bindës për ministrin, për vazhdimin e mëtejshëm të veprimtarisë së shfrytëzimit dhe kur vazhdimi i shfrytëzimit nuk bie ndesh me projekte të tjera që kanë interes publik ose me planifikimin e shpalljes së zonave të reja të mbrojtura.”.

Neni 9

Në pikën 1/d, të nenit 17, fjalët “… procedurave të përcaktuara në këtë ligj …” zëvendësohen me fjalët “… pikës 1, të nenit 17/1, të këtij ligji …”.

Neni 10

Në nenin 18 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 1/b, fjalët “… 3 muaj …” zëvendësohen me “… 6 muaj kalendarikë …” dhe fjalët “… tremujorit përkatës …” zëvendësohen me fjalët “… gjashtëmujorit përkatës kalendarik…”.

2. Në pikën 1/c, pas fjalës “vit”, shtohet fjala “kalendarik”.

3. Në pikën 1/ç, në fund, shtohet paragrafi:

“Për lejet e shfrytëzimit me tre koordinata, subjektet duhet të paraqesin planin vjetor të punës, të hartuar në përputhje dhe të harmonizuar në kohë me të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara në lejen e tij minerare, për çdo vit, jo më vonë se 30 ditë kalendarike përpara përfundimit të vitit kalendarik.”.

4. Pika 3, e nenit 18, shfuqizohet.

Neni 11

Në nenin 19, pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Leja e kërkim-zbulimit ka afat vlefshmërie 1 (një) vit nga hyrja në fuqi e saj, me të drejtë shtyrjeje për 1 (një) vit, me sipërfaqe jo më shumë se 50% të sipërfaqes fillestare. Për sipërfaqen e mbajtur për vitin e dytë, subjekti duhet të paguajë 150 000 lekë/km².”.

Neni 12

Në nenin 20, shkronja “b”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) t’i paraqesë strukturës përgjegjëse, në përfundim të afatit të vlefshmërisë së lejes, raportin gjeologjik tekniko – ekonomik, me një informacion të detajuar për punimet e kryera në zonën e lejuar, investimet e realizuara, rezultatet e provave të marra, sasinë e rezervave dhe materialin grafik ilustrues.”.

Neni 13

Në nenin 22, pika 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Shfrytëzimi i karrierave për qëllime publike vendore ose kombëtare, sipas përcaktimeve të nenit 23, të këtij ligji, bëhet nga subjekti ose subjektet e krijuara nga njësia e qeverisjes vendore, në pronësi dhe në juridiksionin e së cilës ndodhet karriera ose subjekti apo subjektet pjesëmarrëse në realizimin e projektit, të cilat kanë fituar të drejtën e realizimit të projektit me rëndësi kombëtare, por vetëm pas pajisjes së tyre me leje shfrytëzimi, sipas procedurave të këtij ligji.”.

Neni 14

Në nenin 23, në pikat 1, 3 dhe 5, fjalët “… ose subjektit, i cili ka fituar të drejtën e realizimit të projektit me rëndësi kombëtare …” zëvendësohen me fjalët “… subjektet pjesëmarrëse në realizimin e projektit, të cilat kanë fituar të drejtën e realizimit të projektit me rëndësi kombëtare …”.

Neni 15

Në nenin 24, bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 1, fjalët “… të përcaktuar, dhe …” shfuqizohen.

2. Në pikën 6, fjalët “… është subjekt i një shtese …” zëvendësohen me “… me të drejtë shtyrjeje …”.

Neni 16

Në nenin 25 bëhen këto shtesa e ndryshime:

1. Në pikën 1/b, fjalët “… 3 muaj …” zëvendësohen me “… 6 muaj kalendarikë …” dhe fjalët “… tremujorit përkatës …” zëvendësohen me fjalët “… gjashtëmujorit përkatës kalendarik …”.

2. Në pikën 1/c, pas fjalës “… vit …”, shtohet fjala “… kalendarik …”.

3. Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“d) të njoftojë ose të japë informacione dhe shpjegime, jo më pak se 1 vit para, nëse kërkon të ndërpresë veprimtarinë e prodhimit në zonën e lejuar;”

4. Pas shkronjës “d” shtohen shkronjat “dh”, “e”, “ë” dhe “f”, me këtë përmbajtje:

“dh) të njoftojë jo më pak se 90 ditë kalendarike më parë, nëse kërkon ta pezullojë përkohësisht veprimtarinë e shfrytëzimit në zonën e lejuar;
e) të njoftojë jo më pak se 30 ditë kalendarike më parë, nëse kërkon ta zvogëlojë më shumë se 20 për qind sasinë e prodhimit të parashikuar në planin e miratuar të prodhimit, pjesë e lejes përkatëse;
ë) t’i raportojë strukturës përgjegjëse, në përfundim të afatit të së drejtës së shfrytëzimit, me një informacion të hollësishëm, siç përshkruhet në aktet nënligjore, të miratuara nga ministri, për investimet e realizuara gjatë shfrytëzimit, për punimet minerare të kryera në zonën e tij të lejuar, shoqëruar me vizatimet inxhinierike;
f) të ketë personel të kualifikuar teknik gjatë gjithë kohëzgjatjes së lejes së shfrytëzimit.

Njoftimi, sipas shkronjave “d”, “dh” dhe “e”, të pikës 1, të këtij neni, duhet të përmbajë një informacion të hollësishëm për arsyet e pushimit, pezullimit apo të uljes së prodhimit.”.

Neni 17

Në nenin 27, në pikën 2/b, fjalët “… 3 muaj …” zëvendësohen me “… 6 muaj kalendarikë …” dhe fjalët “… tremujorit përkatës …” zëvendësohen me fjalët “… gjashtëmujorit përkatës kalendarik …”.

Neni 18

Në nenin 29 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Pika 1 riformulohet “Lejet minerare, të parashikuara në kreun III, të këtij ligji, u jepen subjekteve, personave juridikë, që: …”

2. Në fund të pikës 1/c shtohen fjalët “… ose kanë bashkëpunim me një subjekt tjetër me përvojë në fushën minerare.”.

3. Në pikën 3, fjalët “… dhe “ë” …” shfuqizohen.

Neni 19

Në nenin 30 bëhen këto ndryshime:

1. Në pikën 4, fjalët “… që përfshijnë shfrytëzimin …” zëvendësohen me fjalët “… minerare të kërkim-zbulimit, kërkim-zbulim-shfrytëzimit apo të shfrytëzimit …”.

2. Në pikën 8, fjalët “… që përfshijnë shfrytëzimin …” zëvendësohen me fjalët “… e shfrytëzimit dhe kërkim-zbulim-shfrytëzimit …”.

3. Në pikën 9, fjalët “… që përfshijnë kërkim-zbulimin …” shfuqizohen.

Neni 20

Në nenin 31 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 2, fjalët “… çdo vit …” shfuqizohen dhe fjalët “Kjo vlerë …” zëvendësohen me fjalët “Vlera e saj llogaritet në 10 për qind të vlerës totale të investimit …” dhe fjalët “… dhe vlera e investimit me afatet për lejet e shfrytëzimit …” shfuqizohen.

2. Në pikën 3, fjalët “… 20 ditëve …” zëvendësohen me “… 30 ditëve …”.

3. Pikat 9 e 10 ndryshohen, me këtë përmbajtje:

“9. Vlera e garancisë financiare për realizimin e investimit për lejet e kërkim-zbulimit i kthehet zotëruesit të lejes në fundin e periudhës së investimeve të përcaktuara sipas programit minimal të punës, kur vlera e investimit është realizuar mbi 90 për qind dhe brenda afatit kohor të parashikuar, pas hartimit të raportit të detajuar të strukturave përgjegjëse e të miratuar nga ministria.

Kthimi i plotë i garancisë financiare të investimit bëhet kur investimi është realizuar 100 për qind dhe brenda afatit kohor të parashikuar.

Kthimi i pjesshëm i garancisë financiare të investimit bëhet kur vlera e investimit është realizuar brenda afatit dhe në nivelin mbi 90 për qind. Në këtë rast, kthimi i pjesshëm i garancisë financiare të investimit bëhet në përputhje me përqindjen e realizimit të investimit.

10. Kur zotëruesi i lejes minerare të kërkim-zbulimit ka dështuar në përmbushjen e kushteve të përcaktuara në paragrafin e parë, të pikës 9, atëherë vlera e plotë e garancisë financiare të investimit kalon në favor së shtetit.

Miratimi i formës, i rasteve të kthimit dhe i mënyrës së llogaritjes të garancive financiare, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.”.

Neni 21

Në pikën 2, të nenit 40, pas fjalës “… mineralit …” shtohet fjala “… të thatë …”.

Neni 22

Neni 41, “Transferimi i të drejtave minerare nga zotëruesi”, ndryshohet, me këtë përmbajtje:

1. Lejet minerare, të dhëna sipas procedurave konkurruese, janë të transferueshme vetëm pas një periudhe 5-vjeçare nga data e dhënies së lejes dhe transferohen vetëm pas miratimit paraprak të ministrit. Çdo transferim i kryer pa miratimin paraprak është i pavlefshëm. Lejet minerare, për të cilat është përfunduar një marrëveshje lehtësuese, nuk janë të transferueshme.

2. Lejet e tjera minerare, të dhëna sipas procedurave të ligjit nr.7796, datë 17.2.1994, “Ligji minerar i Shqipërisë”, të ndryshuar, janë të transferueshme vetëm pas miratimit paraprak nga ministri. Çdo transferim i kryer pa miratimin paraprak është i pavlefshëm.

3. Miratimi apo refuzimi i ministrit, sipas pikave 1 e 2, të këtij neni, bëhet brenda një afati prej 60 ditësh kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës së transferimit nga zotëruesi i lejes minerare.

4. Kriteret dhe rregullat e transferimit përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

5. Akti i transferimit depozitohet pranë strukturës përgjegjëse dhe transferimi regjistrohet në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve, si ndryshime të titullit të lejes, duke e plotësuar me të dhënat e identifikimit të zotëruesit të ri. Data e transferimit është data e regjistrimit. Akti i transferimit depozitohet edhe në regjistrin minerar.

6. Ndërtimet dhe instalimet e tjera, që mbështesin operacionet kryesore vlerësohen si veprimtari ndihmëse të pandashme të së drejtës minerare dhe transferohen bashkë me të.

Neni 23

Pika 2, e nenit 57, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Për të drejtat minerare të fituara në bazë të ligjit nr.7796, datë 17.2.1994, “Ligji minerar i Shqipërisë”, të ndryshuar, sipërfaqja e zonës së lejuar dhe afati i miratuar nuk ndryshojnë me hyrjen në fuqi të këtij ligji, deri në përfundim të afatit të miratuar.

Zotëruesi i lejes së shfrytëzimit të grupit të mineraleve metalore ka të drejtën e shtyrjes së afatit të vlefshmërisë dy herë: shtesa e parë me të drejtë shtyrjeje 10 vjet, dhe shtesa e dytë me të drejtë shtyrjeje 5 vjet, me kusht që kjo shtyrje të kërkohet çdo herë, të paktën, 365 ditë kalendarike para përfundimit të afatit të vlefshmërisë.

Zotëruesi i lejes së shfrytëzimit të grupit të mineraleve ndërtimore ka të drejtën e shtyrjes së afatit të vlefshmërisë tri herë: shtesa e parë me të drejtë shtyrjeje 10 vjet, shtesa e dytë, me të drejtë shtyrjeje 10 vjet, dhe shtesa e tretë, me të drejtë shtyrjeje 5 vjet, me kusht që kjo shtyrje të kërkohet çdo herë, të paktën, 180 ditë kalendarike para përfundimit të afatit të vlefshmërisë.

Afati i aplikimit është prekluziv dhe, me kalimin e këtij afati, zotëruesi i lejes minerare humbet të drejtën e aplikimit për shtyrje të afatit të lejes së shfrytëzimit.

Në çdo rast të kërkesës për shtyrje të afatit të vlefshmërisë, zotëruesi i lejes së shfrytëzimit duhet të paraqesë për shqyrtim pranë strukturës përgjegjëse një plan të hollësishëm me afate për zhvillimin e veprimtarisë minerare, në bazë të kërkesave të legjislacionit minerar në fuqi. Ky plan përfshin tërësinë e dokumentacionit teknik, ekonomik, financiar, social, mjedisor, si dhe vlerën e investimit me afatet për lejet e shfrytëzimit, duke garantuar financimin për realizimin e tij.

Plani miratohet nga strukturat përgjegjëse jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së tij. Në rast mosmiratimi, struktura përgjegjëse e njofton zotëruesin e lejes minerare për arsyet e këtij mosmiratimi. Përmbajtja e planit të punës dhe dokumentet e tjera të nevojshme që e shoqërojnë duhet të jetë në përputhje me aktet nënligjore të miratuara nga ministri.

Neni 24
Aktet nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 11, 20, pika 11, e 22, pika 4, të tij.

Neni 25

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10304, DATË 15.7.2010, “PËR SEKTORIN MINERAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

###

V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.90/2019, “PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.90/2019, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.90/2019, “PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME”,  TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Në ligjin nr.90/2019, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Në paragrafin e parë, të nenit 1, fjalët “… deri në datën 31 dhjetor 2020 …” zëvendësohen me “… deri në datën 30 shtator 2021 …”.

Neni 2

Në nenin 5, fjalët “… dhe i shtrin efektet deri në datën 31 dhjetor 2020 …” zëvendësohen me “… dhe i shtrin efektet deri në datën 30 shtator 2021 …”.

Neni 3

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.