Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Shijak vazhdon kthimi në shtëpitë e reja i familjeve të prekura nga tragjedia e 26 nëntorit të shkuar. Sot, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana dhe nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ishin në njësinë administrative Maminas ku në total janë 150 njësi individuale të reja që po ndërtohen.

“Nga 567 banesa individuale që po ndërtohen në bashkinë e Shijakut, vetëm në njësinë administrative Maminas po ndërtohen 150 të tilla. Në këtë lagje po ndërtohen 21 banesa individuale nga të cilat 8 kanë përfunduar sot dhe 13 të tjerat përfundojnë brenda datës 25 dhjetor”, – tha Arbana, ndërkohë që puna me rindërtimin po ecën paralelisht në të gjithë bashkinë e Shijakut.

Kryeministri Rama u dorëzoi çelësat disa nga familjet përfituese në Maminas, një prej të cilave e ka djalin në emigrim dhe prej 10 vitesh kishte nisur të ndërtojë shtëpinë e tij, përbri shtëpisë së prindërve. “Djali ka 10 vite që ka filluar të ndërtojë një banesë të ngjashme, ndërkohë ne për 130 ditë po i japim banesën e re familjes”, – tha kreybashkiaku i Shijakut.

“Janë 400 banesa që dorëzohen çelësat brenda 31 dhjetorit, ndërsa me ndryshimin e vendimit që bëmë, 85 familje që presupozohej t’u ndërtohej banesa, por për shkak të gjeologjisë nuk ndërtohet dot në atë tokë, do t’u jepet shuma e plotë, në varësi të banorëve në familje, nga 21 deri në 25 mijë euro”, – u shpreh ministri Ahmetaj.

Shtëpitë e reja për familjet e dëmtuara nga tërmeti po ndërtohen të gjitha më të mëdha, më të forta e më të bukura se ato që humbën natën e  26 nëntorit të vitit të kaluar.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.