Në fshatrat përreth Tiranës, shtëpitë e reja po u dorëzohen njëra pas tjetrës banorëve, të cilët Viti i Ri 2021 do t’i gjejë të sistemuar me kushte komode në banesa shumë më të mëdha, më të sigurta e më të bukura se ato që humbën.
Në Farkë, një prej zonave më të prekura të Tiranës nga tërmeti shkatërrimtar, ishte sot Kryeministri Edi Rama për tu’u dorëzuar personalisht çelësat e shtëpive të reja, 4 prej familjeve që i humbën ato 1 vit më parë.
Dy prej shtëpive, ashtu siç shpjegon edhe Kryetari I Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj janë të pozicionuara në një kodrinë. “Ky rripi ku jemi këtu në kodrinë në anën tjetër sheh liqenin e Farkës, kurse këtej është pjesa më e urbanizuar e zonës. Këtu kemi dy familje, të cilat i kanë bërë shtëpitë ngjitur duke qenë se një nga vëllezërit ka asistencë pasi është me aftësi të kufizuara,” – tha Kryebashkiaku Veliaj.
Pëllumbi me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tyre mirëpritën Kryeministrin Rama si vizitorin e parë në shtëpinë e re, e cila ka hapësira të bollshme për të gjithë pjesëtarët.
“Një ëndërr e realizuar! Jam pa fjalë. E shikoja në ëndërr dhe u bë realitet. Nuk e besoja. E ëndërroja çdo ditë!” – shprehet e zonja e shtëpisë.
Kryeministri Rama i dorëzoi kryefamiljarit çertifikatën e pronësisë së shtëpisë së re. Më pas, ata vizituan edhe banesën e vëllait tjetër, me të cilin Pëllumbi ndan një oborr të përbashkët. Panorama që shihet nga dritarja e banesës është ajo e liqenit të Farkës dhe e një hapësire të gjelbëruar dhe sistemuar për të cilën Kryetari i Bashkisë Veliaj u shpreh: “Këtu kemi bërë gjithë rehabilitimin, nga pedonalja deri në fund, tani do të bëjmë dhe gjysmën tjetër.”
Familja Plaku është një tjetër familje, shtëpia e të cilës u shemb tërësisht nga tërmeti i 26 nëntorit. Me dakordësinë e familjarëve, banesa e re është ndërtuar në një terren më pranë rrugës kryesore, për të qenë më e sigurt. “Shumë faleminderit, jemi shumë të kënaqur. Stafi ka qenë i mrekullueshëm. I kanë ndenjur punës natë dhe ditë në kokë”, – shprehen familjarët me mirënjohje për punën e realizuar.
“Vetëm nga grantet që janë 100 milionë dollarë, sot janë shpërndarë 74 milionë dollarë, që do të thotë vetëm nga ky program është 74%. Duke futur vetëm realizimin e këtij programi, në tërësinë e vet përben realizim mbi 20%. Imagjino programet e tjera. Janë mbi 28 shkolla që janë dorëzuar. Shtëpi që shkojnë në 1 mijë deri më 31 dhjetor. Vetëm në këtë njësi administrative do të jenë 80 shtëpi. 400 do jenë në Shijak. Ndërkohë kanë filluar pallatet”, – bëri një panoramë të ecurisë së procesit ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, gjatë vizitës në shtëpinë e re të një tjetër familje me katër anëtarë, prindërit dhe dy fëmijë.
Ndërsa Kryeministri Rama theksoi se për shtëpitë që ndodhen në pozicione të vështira gjeologjike, zgjedhja do t’u lihet familjeve në dorë, nëse duan të qëndrojnë aty apo të spostohen në vend tjetër. “Kemi problem disa shtëpi që janë nëpër pika të largëta dhe janë nëpër gjeologji të vështira. Kemi menduar që t’ua japim lekët dhe ata të vendosin vetë. Nëse duan ta rindërtojnë aty, me forcat e tyre, por me financimin tonë, le ta ndërtojnë aty. Në qoftë se duan të spostohen, le të spostohen. Besoj që edhe ky grup, që nuk është grup i madh, do të zgjidhet. Do t’u japim në dorë një për një lekët sa ju bën rindërtimi.
Në Farkë 48 shtëpi kanë përfunduar të gjitha dhe deri në datë 25 përfundojnë të 60 shtëpitë. Janë gjithashtu edhe 65 shtëpi të tjera që janë kaluar në Këshillin Bashkiak dhe presim të tenderohen dhe të fillojnë punimet.