Komunikim me Komitetin e Ekspertëve të Shqipërisë dhe Komitetin Shkencor të Turqisë për masat për përballimin e pandemisë COVID-19:
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetej të gjithëve! Jemi shumë të nderuar që prej disa ditësh, një përfaqësi e Komitetit Shkencor për pandeminë e Republikës së Turqisë ka ardhur në Tiranë për të shkëmbyer eksperiencën e vyer me Komitetin tonë Shkencor të Ekspertëve, për të bërë një vlerësim të situatës dhe sigurisht, për të nxjerrë konkluzione të vlefshme mbi rrugën e bashkëpunimit të mëtejshëm në këtë fazë të historisë sonë, ku – besoj – shkon më së miri fjala e Kemal Ataturkut, i cili thoshte se “njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo komb është pjesë e këtij organizmi.
Mbase asnjëherë më parë në jetën tone, kjo shprehje e famshme e Ataturkut nuk ka gjetur një përputhshmëri kaq të plotë me kohën e pandemisë, një agresion mbi të gjithë njerëzimin që ka treguar se kufijtë dhe të gjitha dallimet e jetës sonë të përditshme nuk kanë asnjë vlerë. Faktikisht, fjala ka ardhur tek shëndeti dhe fatet tona janë të ndërlidhura pashmangshmërisht të gjitha bashkë.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm që kjo është një luftë që asnjë vend, pavarësisht madhësisë, pavarësisht mundësive dhe fuqisë së vetë nuk mund ta fitojë dot i vetëm. Përkundrazi, sa më shumë të komunikojmë, të ndërveprojmë, të bashkërendojmë fuqitë dhe duke shkëmbyer eksperiencat, të njehsojmë qasjen ndaj këtij armiku të padukshëm, aq më shumë rritet mundësia e fitimit të kësaj lufte, duke kursyer aq jetë dhe aq plagë, sa mund të kursehen sepse të gjithë e dimë që jetët e humbura dhe lëndimet nga ky agresion janë të pashmangshme.
Ne jemi përpjekur gjatë gjithë kësaj periudhe të mësojmë sa më shumë nga të tjerët dhe një nga vendet ku kemi ndjekur me vëmendje dhe kemi pasur dhe mundësinë që të kemi komunikim dhe shkëmbim të vazhdueshëm eksperiencash është edhe Turqia. Besoj që garancia e kësaj lufte të përbashkët nuk janë politikanët, por janë ekspertët. Sa më shumë strategjia e kësaj lufte të diktohet nga opinioni i tyre, aq më shumë edhe përpjekja, pastaj, e qeverive dhe shteteve funksionon.
Komuniteti Shkencor i Turqisë ka një meritë të veçantë për faktin se Turqia, falë ekspertizës dhe parapërgatitjes që ekspertët e vendit mik bënë, ishte një prej vendeve më të përgatitura në momentin e shfaqjes së këtij armiku të padukshëm dhe në fazën e pare, kur e dimë shumë mirë, nuk ishin të pakta vendet, edhe ato shumë të mëdha, edhe ato me shumë burime financiare e njerëzore që u gjetën në vështirësi të jashtëzakonshme. E udhëhequr nga mendimi shkencor i ekspertëve të saj dhe i Komitetit të saj Shkencor, Turqia ndërmori një sërë masash të distancimit social, edhe përpara sesa OBSH-ja ta klasifikonte COVID-19 si një pandemi botërore. Natyrisht që, duke ndërtuara këtë barrierë njerëzore, depërtimi i sëmundjes në Turqi mori shumë më tepër kohë sesa në vende të tjera dhe i dha kohë qeverisë, institucioneve dhe gjithë sistemit të përgatitej më mirë. Po ashtu, që në vitin 2019, Turqia e kishte një plan kombëtar për përballimin e pandemive. Edhe kjo, diçka që e ka veçuar në këtë betejë Turqinë dhe një sërë vendesh të tjera, në krahasim me shumë vende që, siç thashë, u gjendën në befasi.
Ne, duke ndjekur me shumë vëmendje disa prej vendeve që kemi marrë në konsideratë për të mësuar, mësuam se Turqia ishte ndër të parat që ngriti zyrën operacionale të ekspertëve, ngriti Task-forcën brenda Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo na ndihmoi edhe ne, që të veprojmë me shumë shpejtësi në këto dy drejtime dhe të ishim fatmirësisht, ndër v endet e përgatitura në përballjen e pare, që ishte edhe befasia e madhe që kërcënonte të shkaktonte një numër të konsiderueshëm viktimash, por, mbi të gjitha, një kaos në sistemin tonë shëndetësor.
Ne besoj se kemi hedhur hapat e duhur, por në këtë proces, siç ma ha mendja biem dakord të gjithë, e panjohura është gjithmonë, çdo ditë, përpara nesh dhe parashikueshmëria e procesit, sado që është rritur në mënyrë të ndjeshme nga dita e parë deri më sot, mbetet sidoqoftë jo e plotë. Për këtë arsye, edhe hapat, taktikat dhe vendimmarrjet janë fleksibël gjatë gjithë kohës, pasi realisht është si një luftë ku nuk vepron vetëm njëra pale, por ka dhe një palë tjetër, në këtë rast, një palë e padukshme që është në veprim të vazhdueshëm dhe që lëviz në një trajektore, sot më shumë të parashikueshme sesa në ditën e parë, por, sidoqoftë, jo plotësisht të parashikueshme për se si gjërat do të shkojnë deri në fund, në një proces që askush nuk e di tamam ta thotë sot se kur e ka fundin.
Megjithëse në valën e parë, Shqipëria ishte një prej vendeve me numrat më të ulët në Europë përsa i përket fataliteteve dhe vendi më pak i prekur në rajon përsa i përket të gjithë të dhënave që merren në konsideratë në këtë rast, ne shfrytëzuam çdo ditë për të përgatitur strukturat e nevojshme spitalore për muajt në vijim dhe për fazat e tjera. Më vjen shumë mirë që sot, ne jemi në kushtet kur mund të vazhdojmë të themi se sistemi është i qëndrueshëm, se nevojat për t’u hospitalizuar nuk ndeshen në pamundësi, se rrjeti i ngritur i strukturave që trajtojnë COVID-in ka akoma një hapësirë të konsiderueshme zgjerimi sipas nevojës. Sigurisht, edhe se kemi arritur të racionalizojmë në mënyrë të arsyeshme burimet tona jo të pakufishme, përkundrazi, financiare, në funksion qoftë të motivimit maksimal të skuadrave të mjekëve dhe të infermierëve që janë në vijën e parë dhe në funksion të të gjithë logjistikës specifike që kërkohet për të përballuar këtë agresion që të merr frymën literalisht, pra, që kërkon linja oksigjeni dhe aparatura të posaçme në numra të konsiderueshëm.
Unë dëshiroj ta them dhe në prani të miqve turq, që më vjen jashtëzakonisht mirë që kemi pasur fatin të kemi gjatë gjithë kohës një Komitet Ekspertësh që nuk kanë treguar në asnjë moment se kanë diçka më pak sesa ekspertët dhe strukturat e ekspertizës në vendet më të zhvilluara. Fatmirësisht, duke qenë dhe të vetëdijshëm se u takon atyre që të na orientojnë për veprimet që duhet të ndërmarrin dhe nuk i takon politikës të vendosë për masat dhe për vlerësimin e tyre, ne kemi arritur të krijojmë një sinergji mjaft të mirë mes vendimmarrjes politike dhe direktivave të ekspertëve. Dua t’i falënderoj përsëri ekspertët tanë, disa prej të cilëve janë në front çdo ditë, pa orar. Këtu në ekran ju shikoni një pjesë të anëtarëve të Komitetit, që janë në ndërkohë në shërbim, janë në ndërkohë në përballje stresuese prej kaq shumë muajsh, pa orar, me këtë armik të padukshëm dhe nga ana tjetër nuk mungojnë asnjëherë të jenë të disponueshëm, jo vetëm për mbledhjet e Komitetit të Ekspertëve, por dhe për të gjitha nevojat tona për konsultime dhe për komunikim. Uroj që me dëgjueshmërinë e lartë që kemi treguar ndaj tyre, me vlerësimin e padiskutueshëm që i kemi bërë gjithmonë orientimeve të tyre dhe me zbatimin e direktivave të tyre, së paku të mos u kemi shkaktuar asnjë stres më shumë në stresin e madh që kanë në këtë punë.
Këtë komunikim vendosëm ta bëjmë publik në mënyrë që të gjithë qytetarët e interesuar të mund të kenë mundësinë të na dëgjojnë jo vetëm ne, se na kanë dëgjuar në vazhdimësi, jo vetëm ekspertët tanë, se edhe ata kanë pasur mundësi t’i dëgjojnë, por edhe ekspertët e mirënjohur që na kanë nderuar me praninë e tyre, për të kuptuar mbase edhe më mirë, ose për të pasur edhe një shembull më shumë të faktit që kjo është një luftë e përbashkët dhe në këtë luftë, ne jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe që Shqipëria nuk ka asgjë ndryshe e nuk bën asgjë ndryshe nga çfarë bën Turqia apo vende të tjera. Për ta kuptuar këtë, duke dëgjuar drejtpërdrejtë miqtë që kanë ardhur nga Turqia, unë po e ndërpres fjalën time këtu dhe po ia kaloj fjalën fillimisht njërit prej përfaqësuesve të Komitetit Shkencor turk që na nderoi këtu.
*Prof. Rexhep Ozturk: I nderuar Kryeministër, e nderuara Ministre e Shëndetësisë, i nderuar Ambasador i Republikës së Turqisë në Shqipëri, fillimisht dua t’ju përcjell mesazhet falënderuese dhe mbi të gjitha përshëndetjet e përzemërta të Presidentit të Republikës së Turqisë, Zotit Erdgoan. Referuar telefonatës suaj, i nderuar Kryeministër, që keni bërë me Presidentin tonë, menjëherë jemi vënë në lëvizje dhe jemi mbledhur si anëtarë të Bordit të Komitetit dhe kemi marrë rrugën për në Shqipëri, njëkohësisht me ftesën tuaj dhe njëkohësisht jemi takuar dhe me Ministren e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë dhe dua ta falënderoj në prezencën tuaj për mikpritjen e saj.
Me të zbarkuar në Shqipëri jemi takuar dhe me anëtarët e grupit të punës nga Ministria e Shëndetësisë shqiptare dhe kemi shkëmbyer ide, mendime të ndryshme. Kemi parë të gjitha masat e marra në lidhje me luftën kundër COVID-19 dhe dua t’ju falenderoj dhe përgëzoj njëkohësisht.
Njëkohësisht dua të theksoj se Republika e Shqipërisë gëzon një sistem shëndetësor, i cili tashmë jep përgjigje duke u bazuar në konventat ndërkombëtare, gjë e cila… [e pakuptueshme] situatë e gëzueshme kjo dhe këtë dua ta them duke e nënvizuar këtë. Në të njëjtën kohë kemi parë dhe nga afër pothuajse të gjithë sistemin sesi funksionon, tek spitalet shqiptare është vënë re se në mënyrën më të specializuar janë duke u praktikuar. Kështu që në mesin tonë, meqë jeni prezent i nderuar Kryeministër, dua ta theksoj dhe përgëzoj dhe ju për punën tuaj.
Patjetër, në të njëjtën kohë kemi vënë re që Shqipëria është e përshtatshme me metoda të reja në luftën kundër COVID-19. Kështu që këto metoda, këto procedura, të cilat do t’i shpjegojmë, Rahmet Gyneri është ai i cili ka dhënë kontributin më të madh për zbulimin e kësaj metode, e cila ka ndihmuar jashtë mase në përmirësimin e gjendjes dhe situatës së krijuar nga COVID-19 në Turqi dhe mendojmë që Shqipëria është e përshtatshme për ta praktikuar, për ta marrë këtë.
Njëkohësisht dua të përcjell falenderimet e mia më të përzemërta juve i nderuar Kryeministër dhe gjithë popullit shqiptar, duke ju uruar në të njëjtën kohë lehtësira në këtë luftë kundër COVID-it. Uroj që në luftën kundër COVID-it të arrini suksese të larta. Njëkohësisht dua t’ju përcjell falënderimet dhe përshëndetjen e Presidentit të Republikës së Turqisë në emër të delegacionit.
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për fjalën tuaj! Duke qenë se ju keni qenë prej disa ditësh në punë këtu dhe në komunikim të vazhdueshëm me ekspertët tanë, mbase, për të folur për këtë eksperiencë kaq pozitive, do të ishte e udhës të merrte fjalën një përfaqësues i Komitetit tonë të Ekspertëve, që janë këtu i pranishëm. Meqenëse doktoreshë Mira Rakacolli ka ndjekur në vijimësi, bashkë me ju, gjithë këtë ndërveprim që është bërë këtu në Tiranë mes dy Komiteteve dhe ka dijeni të plotë për të gjitha vizitat dhe kontaktet tuaja, po ia kaloj fjalën doktoreshës, për të transmetuar edhe për publikun një pasqyrë të përmbledhur të kësaj eksperience.
Prof. Mira Rakacolli: Faleminderit Zoti Kryeministër!
Prej më shumë se dy ditëve kemi pasur kënaqësinë që të diskutojmë e të ndajmë eksperiencat me kolegët turq, pjesëtarë të Komitetit Teknik për trajtimin e pandemisë në Republikën e Turqisë, të cilët gjej rastin t’i falenderoj publikisht për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre gjatë këtyre ditëve në diskutimet që ne kemi pasur. Do doja t’i prezantoja dhe si emër kolegët e nderuar. Përveç profesorit që mori fjalën, profesor Rexhep Ozturk, i cili është specialist i sëmundjeve infektive në spitalin Medicol të Stambollit dhe që është anëtar i Bordit Shkencor për trajtimin e pandemisë në Turqi, kemi prezent këtu edhe anëtarët e tjerë të këtij Bordi, siç janë profesoresha Hatixhe Rahmet Gyner, specialiste infektive në spitalin e Ankarasë, profesoresha Seval Isdesh, specialiste e anestezi reanimacionit, edhe kjo në spitalin e Ankarasë, profesor Ali Oxher, i cili është specialist i Shëndetit Publik në Univesitetin Malataja të Turqisë. Me këta kolegë të nderuar kemi dikutuar mbi situatat epodemiologjike të Shqipërisë, mbi politikat tona të testimit, gjurmimit e sidomos ato të trajtimit, si dhe mbi masat e marra në faza të ndryshme të zhvillimit të pandemisë në të dy vendet tona. Kemi shikuar me shumë vëmëndje në dokumentat e përgatitura nga ne, siç kanë qenë ai i Planit të Veprimit në fillim të pndemisë, sic ka qenë ai i politikave tona të rihapjes, shoqëruara me protokolle shumë të kujdesshme të zbatimit të masave nga qytetarë dhe biznese gjatë kësaj ririhapjeje dhe sidomos kemi shqyrtuar me shumë vëmëndje dhe shumë kujdes strategjinë tonë të përballjes vjeshtë-dimër, strategji me të cilën ne po punojmë aktualisht.
Përveç këtyre dokumenteve, kolegët e nderuar turq kanë patur rastin të shkojnë edhe në terren, të shikojnë nga afër Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Spitalin Infektiv ku po trajtohet një pjesë e të sëmurëve dhe njëkohësisht, Qendrën tonë Kombëtare të Urgjencës, duke parë nga afër realitetin aty, duke parë nga afër realitetin aty, duke parë nga afër aparaturat që kemi në dispozicion për përballjen e pandemisë dhe natyrisht, duke diskutuar me mjekë të ndryshëm, të cilët po përballen me pandeminë, duke parë më nga afër problemet me të cilat ne përballemi.
Mund të them që gjatë këtyre diskutimeve kemi gjetur mjaft pika të përbashkëta në lidhje me masat që kemi marrë ne, në lidhje me mënyrën sesi ne kemi trajtuar pandeminë dhe sidomos për mënyrën e trajtimit të të sëmurëve, për të cilët profesoresha e nderuar Hatixhe Rahmet Gyneri ka shprehur kënaqësinë për të folur dhe për të dhënë një mesazh. Natyrisht kemi diskutuar edhe për vazhdimësinë dhe për problemet që ne mund të përballemi në të ardhmen, sepse, ashtu siç janë në të gjithë botën, janë probleme që janë akoma të panjohura, të paparashikueshme, por mundohemi që me atë nivel njohurie që kemi fituar deri tani t’i menaxhojmë. Një nga këto probleme është dhe strategjia jonë e vaksinimit. Kemi diskutuar dhe me kolegët turq dhe është një strategji, të cilën ne do ta prezantojmë shumë shpejt.
Situata epidemiologjike në Shqipëri, natyrisht, ka ndjekur tendencën globale, atë të rritjes së numrit të rasteve, por ka qenë një rritje numri rastesh në mënyrë të qëndrueshme dhe sidomos kohët e fundit, ashtu siç është reflektuar edhe në treguesit që ne kemi raportuar çdo ditë, ka një ulje të numrit të të shtruarve në spital dhe një ulje të numrit të pozitivitetit, gjë që ekspertët e kanë gjykuar si një vlerë e ardhur nga masat me një intensitet mesatar, të cilat ne i kemi rekomanduar si Komitet përpara disa javëve.
Natyrisht, ne po vazhdojmë ta monitorojmë me shumë kujdes situatën, në mënyrë që të vazhdojmë ta kemi të kontrolluar, siç e kemi pasur deri tani dhe që në bazë të treguesve të rekomandojmë dhe qëndrimet që duhet mbajtur në momentin e duhur.
Padyshim që ky takim dhe diskutime që kemi bërë gjatë këtyre ditëve do të kenë një vazhdimësi në të ardhmen, siç kemi bërë dhe me kolegë të tjerë të vendeve të tjera dhe që pa dashur të vazhdoj më gjatë, do doja që doktoreshë Hatixhe Rahmet Gyneri ka shprehur dëshirën të shprehë mendimin e saj për mënyrën e trajtimit të pacientëve tanë në spital dhe për mënyrën sesi menazhohen ata në Shqipëri.
*Prof. Hatixhe Rahmet Gyner: I nderuar Kryeministër, edhe njëherë ju falënderoj për mikëpritjen dhe bujarinë e treguar. Njëkohësisht, e nderuar ministre, edhe juve dua t’ju falënderoj.
Normalisht që gjatë vizitës që kemi patur në Shqipëri dhe bisedave, shkëmbime të ideve që ishin me miqtë tanë në Shqipëri ka qenë diskutimi në lidhjen me çështjen e zhvillimit të strategjisë, në mënyrë që të ulim numrin e rritjeve të rasteve dhe ajo më e veçanta, të cilën ne e kemi biseduar me anëtarët e Komitetit shqiptar ishte mënyra e praktikimit.
Njëkohësisht dua t’ju falënderoj përzemërsisht dhe për mikëpritjen. Nuk dua ta zgjas shumë fjalën time, sepse çdo gjë është e hapur dhe e tha dhe parafolësja para meje. Ju faleminderit edhe njëherë.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit profesoreshë. Do dëshiroja që t’i kaloja fjalën njërës prej heroinave të kësaj kohe, që është edhe shefja e Epidemiologjisë në vendin tonë, Silva Bino, lidhur me këtë eksperiencë të përbashkët dhe mbase për të dhënë ndonjë detaj më shumë nga ato që janë diskutuar për strategjinë e testimit, për procesin e organizimit të të gjithë punës dhe, në ndërkohë, besoj që në këtë proces, pas këtij shkëmbimi eksperiencash, do jetë mirë të kemi një sërë konkluzionesh konkrete për t’i pasur parasysh për periudhën në vijim.
Silva Bino, shefe e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP: Faleminderit! Eksperienca dhe diskutimi me kolegët turq ishte shumë i mirë. Ne diskutuam të gjitha masat tona, sidomos masat tona fillestare dhe impaktin që ato patën. Pra, masat e para që ne morëm siç ishte bllokimi, i cili ishte bllokim i përgjithshëm, testimi dhe gjurmimi dhe sidomos, fokusimi ndaj gjurmimit dhe hetimit të kontakteve, e cila solli në një ulje të numrit të rasteve dhe një përgatitje më të mirë të spitaleve dhe të strukturave shëndetësore për të përballuar më tej pandeminë. Kjo ishte një eksperiencë e ndarë me kolegët turq, të cilët pak a shumë kishin zhvilluar të njejtën gjë. Më pas ne ndamë edhe eksperienca të tjera në lidhje me masat e bllokimit të pjesshëm dhe impaktin që ato kanë për të mos ndaluar jetën e përgjithshme, por për të ndaluar infeksionin. Masa këto që quhen masa me intensitet mesatar.
Siç e tha dhe profesoreshë Mira, ne monitorojmë vazhdimisht situatën dhe vihet re që kohët e fundit kemi një tendencë në ulje jo vetëm të numrit të rasteve, por edhe të pozitivitet, pra, të rasteve pozitive mes rasteve që testohen, në një kohë që ne kemi trefishuar numrin e testimeve, madje katërfishuar kohët e fundit, duke tejkaluar edhe normën që është 1% e popullatës në muaj. Pra, diçka që ne e kemi superuar në këtë kohë. Testet, të cilat kryhen kryesisht në laboratorët publikë dhe sidomos me futjen e testit të shpejtë, i cili lehtëson jashtëzakonisht jo vetëm koëhn e marrjes së diagnozës, por përshpejton dhe gjurminn, hetimin e izolimin.
Gjithashtu, ne diskutuam dhe eksperiencat tona të dixhitalizimit të sistemit tonë dhe ndamë me kolegët turq një eksperiencë që ata kanë me gjurmimin e kontakteve nëpërmjet aplikacioneve në telefon. Këto ishin disa eksperienca shumë të mira në lidhje me masat. Po ashtu, ne diskutuam dhe masat e tjera që ne kemi marrë, një seri masash, të cilat lidhen me hapjen, me mënyrën sesi funksionojnë restorantet, shkollat etj.; elementë që ishin të ngjashëm me kolegët turq, që ne do të vazhdojmë të konsultohemi dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë në këtë fushë në lidhje me masat e përgjithshme të Shëndetit Publik.
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit Silva! Nuk dua të marr më shumë nga koha juaj. Natyrisht dua ta them që kjo që kemi bërë deri tani dhe që, me thënë të drejtën, mendoj që është bërë mjaft mirë, është rezultat i punës së një skuadre, që unë mendoj që ka në themelin e vet Komitetin tonë të Ekspertëve, që nga profesor Tritani, i cili është një nga të palodhurit e mëdhenj të kësaj kohe; Padiskutim, ikona e luftës kundër pandemisë është doktoreshë Najada që tanimë nuk besoj se ka mbetur shqiptar, pavarësisht nga mosha apo vendbanimi, që nuk e njeh me emër; Xhorxhina, Andi, Eugena, të gjithë këta njerëz, të cilëve po ju drejtohem me emër për faktin se jemi bërë si të shtëpisë në këtë periudhë, por nuk është absolutisht padija ime apo mungesa e respektit për të gjithë titujt e tyre të nderuar. Pa harruar për asnjë moment Skënderin, i cili qëndron në ballë të repartit të Urgjencës Kombëtare. Kur mendoj se si mund të ishim gjendur nëse nuk do ta kishim reformuar dhe ngritur mbi baza krejt të tjera, me një infrastrukturë krejt tjetër dhe me një organizim krejt tjetër Urgjencën Kombëtare dhe të na kishte zënë (larg qoftë!) një situatë e tillë me Urgjencën që kishim, nuk arrij dot t’ia gjej fundin këtij mendimi, por lavdi Zotit që nuk është rasti. Sigurisht, edhe Drejtoren e Institutit, Albana Ficon, që është pjesë e skuadrës e që ka një barrë të posaçme për shkak të vetë rolit që ka marrë institucioni që ajo drejton në këtë faze. E padiskutim edhe njerëzve në Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministrja vetë që bën edhe pikën lidhëse mes terrenit, Komitetit dhe qeverisë.
Shumë faleminderit miqve që kanë ardhur nga Turqia dhe shumë respekt për këtë kontribut të tyre, sepse nuk është një kohë e lehtë as për të lëvizur, aq më tepër që ata janë të angazhuar në vendin e tyre në vijën e pare. Jam i bindur që kjo ngjarje e shkëmbimit të eksperiencës së drejtpërdrejtë do ketë një vlerë të madhe për ne. Më vjen shumë mirë që në fjalët e thëna këtu, por edhe në raportin e marrë për opinionin e tyre, ata janë shprehur me tone shumë pozitive për spitalet tona ku luftohet me virusin, për përgatitjen e mjekëve tanë, për protokollet, për mënyrën sesi ato zbatohen dhe në tërësi, për planin tonë të përgjithshëm dhe zbatimin e tij. Duhet ta dinë miqtë tanë turq, që ka shumë rëndësi fjala e tyre, sepse në sytë e shumë shqiptarëve, Turqia është destinacioni i të vërtetës, kur vjen puna për shëndetësinë dhe për spitalet. Duke dëgjuar opinionin tuaj të drejtpërdrejtë për strukturat tona dhe për punën tonë, kjo padiskutim na inkurajon dhe na motivon, edhe pse jemi të vetëdijshëm se kemi akoma shumë për të bërë në drejtim të forcimit të sistemit tonë shëndetësor. Pavarësisht se në disa nga spitalet i kemi, mendoj unë, kushtet njësoj si në spitalet e Turqisë dhe pavarësisht se mjekët tanë janë absolutisht të gatshëm të bëjnë gjënë e duhur, njësoj si në Turqi, e dimë shumë mirë që kemi akoma boshllëqe për të mbushur në të gjithë sistemin tonë shëndetësor.
Mbase miqtë e pranishëm nuk janë në dijeni të kësaj, por ambasadori, të cilin e shikoj në ekran, jo vetëm që është në dijeni, por edhe ai ka dhënë ndihmën e tij për këtë që do them.
Jam shumë falënderues për mjekët që kanë trajtuar një efektiv policie që pati një plagosje gjatë një proteste të para disa ditëve, që faktikisht rrezikoi të humbte masën e syrit dhe pas operacionit të parë për ruajtjen e masës së syrit dhe stabilizimin e saj, edhe vetë familja, por dhe ne kërkuam që të shkonte në Turqi për të bërë një ndërhyrje shumë më të specializuar në një transplant të kornesë së syrit, për të cilin kemi marrë para pak, lajmin se ka dalë me sukses. Patjetër që për këtë i takon një falenderim i veçantë të gjithë atyre që e mundësuan dhe vetë ambasadorit që ishte jo vetëm i gatshëm, por edhe pa orar në dispozicion, për të realizuar transportimin e tij në kohë rekord. Kjo, padyshim, është një arsye për t’u gëzuar sot, pasi realisht gjendja e djalit ishte jo e lehtë dhe vetë operacioni i dytë nuk ishte diçka e garantuar. Për këtë arsye u desh që të shkonte në atë spital, ku mesa duket ka dalë me sukses dhe kjo është vërtetë diçka shumë e gëzuar për familjen, për prindërit e për të gjithë. Faleminderit për këtë!
Besoj se për orët, apo kohën e mbetur në Shqipëri do vazhdoni të jeni në duar të sigurta e do ndjeheni si në shtëpinë tuaj, deri në momentin kur do ktheheni në shtëpitë tuaja. Ju uroj juve të gjithëve shëndet familjarisht për njerëzit tuaj dhe sukses në këtë luftë të jashtëzakonshme, ku ju keni një pjesë të madhe të fatit të njerëzve në dorë.
Shumë faleminderit!
*Përkthim simultan