Rruga e re Labinot – Mal, 17 kilometra e gjatë, është një prej investimeve të shumëpritura në infrastrukturë, e cila do të lidhë një zonë me potenciale zhvillimore me qendrën urbane.
E ndërthurur edhe rrugë të tjera në ndërtim e sipër, kjo vepër do të çlirojë përfundimisht nga një makth dhjetravjeçar 20 mijë banorë dhe do të hapë një perspektivë reale për zhvillimin e agroturizmit, në këtë zonë të bekuar me bukuri natyrore.
Në Elbasan ishte sot, Kryeministri Edi Rama, i cili inspektoi në terren punimet për rrugën e re.
Investimi i ri është i mirëpritur nga banorët, – shprehet Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, – për faktin e vështirësive të mëdha që paraqiste lidhja me qendrën urbane.
“Kemi dy njësi administrative në qytetin e Elbasanit, të cilat kanë patur probleme për të lidhur qëndrat e njësive me rrugën kryesore, të dyja zona malore me një problematikë të theksuar në infrastrukturë. Rruga që inspektojme tani është rruga që lidh njësinë administrative Labinot-Fushë me rrugën kryesore dhe qendrën e njësisë. Ky është loti i parë, 17 kilometra. I shërben 6 mijë banorëve të njësisë administrative, por jo vetëm atyre, por edhe një pjesë të banorëve, të cilët kanë zbritur në qytet dhe i kanë tokat e tyre dhe pronat në njësinë administrative Labinot-Mal dhe në fshatrat e tyre. Është një investim shumë i kërkuar nga banorët edhe për shkak të fshatrave të thellë që ka kjo njësi. Bashkia e Elbasanit ka bërë investime të herëpashershme në lidhjen e fshatrave me njëri tjetrin, por kjo ka qënë një nga problematikat kryesore dhe njësia kryesore që ka patur probleme infrastrukturore të rrugës. Parashikohet që të bëhet rehabilitimi i rrugës aktuale, me standarde. Është një nga investimet më të mira,” – u shpreh Kryebashkiaku.
Për deputetin e zonës Taulant Balla, rruga e re do të ndikojë drejtëpërdrejtë në zhvillimin e agroturizmit. “Kjo rrugë do të zhvillojë edhe agroturizmin në këtë zonë. Është një zonë spektakolare. Po t’i shtosh edhe 15 mijë banorë të tjerë që në vite kanë zbritur në lagje të ndryshe të Elbasanit, por që gjatë verës ngjiten këtu në pronat e tyre, për bujqësinë, ky është një investim që u sherben rreth 20 mijë banorëve. Është një rrugë që ka një vlerë të madhe historike dhe turistike”, – tha ai.
Ndërsa, Kryeministri Rama theksoi se me kantieret e hapura anembanë vendit është rritur ndjeshëm punësimi. Ai inkurajoi, investimet në agroturizëm nga vetë banorët me mbështetjen e qeverisë, si një perspektivë optimiste për zhvillimin e zonës.
“Është rasti për të theksuar edhe diçka tjetër, që, pavarësisht një pjese që kupton dhe bën sikur nuk kupton, ose nuk kupton dhe s’ka çfarë bën, por i bie fyellit në të njëjtën vrime, ndaloni punën, ndaloni investimet, ndaloni shërbimet esenciale, siç është shërbimi i pastrimit të qyteteve dhe jepni lekë më shumë. Faktikisht, po të marrim vetëm investimet për rindërtimin, janë 25 mijë punëtorë që çojnë në shtëpi rrogën. Nëse marrim këtë kantier ku janë dhjetra e dhjetra familje punëtorësh që ushqehen me këtë punë e nëse marrim të gjitha kantieret, janë me mijëra të tjerë që punojnë dhe çojnë në shtëpi atë që fitojnë nga kontributi në punë. Sikur të ndaloheshin këto, të gjithë këta njerez do të ishin pa punë, po jo vetëm kaq. Edhe të ardhurat që gjenerohen nga puna, të ardhurat që gjenerohen nga investimet, sepse është gjithë ai zinxhir prodhimi dhe furnzimi, hekuri, betoni, asfalti dhe me radhë, do të ngecnin. Faktikisht do të ishte njësoj si një familje, e cila atë që ka në frigorifer për një javë, ta merrte dhe ta konsumonte për një ditë. E pastaj kur të vinte fundi i javës, realisht të ishte në gjendje pamundësie për të mbajtur frymën gjallë. Ndërkohë që sot, ne kemi më shumë të punësuar në biznesin e vogël sesa kishim përpara pandemisë. Ky është fakt, njerëz të regjistruar, që ka ardhur si rezultat edhe i lehtësimeve që kemi bërë për biznesin e vogël. Kemi edhe 10 mijë persona që e kanë humbur vendin e punës në biznesin e madh për shkak të pandemisë dhe akoma nuk janë integruar, për të cilët kemi një program të veçantë. Po ta marrim nga pikëpamja e familjeve, e kemi përballuar ekonominë e pandemisë, mund të them me dinjitet. Ka gjithmonë më mire, por nuk ka diskutim që e kemi përballuar me dinjitet. Ndërkohë që shohim që në vende të tjera ka filluar të ndihen krisjet e para për shkak të ndalimit të investimeve. Kurse në vendet ku nuk kanë ndaluar investimet, kapërcimi është më i lehtë. Ky është fakt dhe këtë duhet ta dinë të gjithë. Përsa i përket kësaj rruge dhe këtyre rruge, ajo që duhet të theksoj me forcë është se këto janë rrugë që ne i kemi studiuar me vëmendje për potencialin që ka zona. Nuk është çështja të hedhim asfalt pa llogaritur numrat e përfituesve, por është çështja që të ndërtojmë aty ku ka potencial të madh për zhvillim. Në të gjithë këtë zonë, potenciali i madh është agroturizmi. Mundësia që ju krijohet atyre, të cilët janë larguar në emigracion, ose kanë zbritur poshtë, pronën atje ta kthejnë në një ndërmarrje të vogël që gjeneron para. Emigrantët që kanë filluar të investojnë në agroturizëm, që kanë kthyer shtëpitë e vjetra të gjyshërve, në pika për mikpritje, larg detit, larg turzimit masiv, por ama në pika që kanë këto karakteristike, janë duke ja parë hajrin pasi fitojnë në muaj shumë më tepër sesa fitojnë në emigracion. E ndërkohë arrijnë të punësojnë një rreth të tërë familjar që përndryshe do të ishte në gjendje të vështirë. Sepse në zona të caktuara, bujqësia nuk ka qenë e para, ka qenë blegtoria. Të marrurit me bujqësi aty ku realisht nuk ka mundsi për të krijuar ekonomi shkalle i bënë të gjithë pre e pamundësisë për ta shitur prodhimin e për të dalë pastaj poshtë e për të filluar për t’i hedhur patatet në rrugë e për të thënë “nuk kemi ku i shesim”. Por nuk ke ku i shet sepse do ekonomi shkalle. Zëvendësimi i kësaj pamundësie me mundësinë që krijon agroturizmi është perfekt për personat, për familjet, por është edhe për vendin. Kemi sot, në një sektor që e kemi hapur ne se nuk ka qenë fare, – ka patur ndonjë tek-tuk, por si politikë, si prioritet e kemi përcaktuar ne, – afro 300 pika agroturistike që janë bërthama e një luleje që duhet të çeli me të gjithë petalet e saj. Ne duhet të kemi mijëra pika agroturistike që do të jenë mijëra biznese të vogla në zona periferike rurale, ku nuk merr prodhimin me trastë ta nxjerrësh poshtë, por të vjen ty konsumatori që është vizitori, turisti dhe me mikëpritjen, me ushqimin që t’i ofron arrin të bësh para.”