Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Rruga e re e Dibrës, një aks alternativ i Rrugës së Arbrit, që lidh Peshkopinë me Librazhdin, duke bërë kështu edhe bashkimin mes verilindjes dhe juglindjes së Shqipërisë, do të krijojë së shpejti një perspektivë të re zhvillimi për të gjithë hapësirën nga Dibra në Korçë.

Kryeministri Rama, shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra dhe dhe nga deputeti i zonës, Taulant Balla, inspektoi punimet në këtë rrugë, që lidh edhe zonën e Lunikut, një zonë me bukuri ende të pazbuluara, me Librazhdin dhe rrugën kombëtare. Kryeministri Rama theksoi rëndësinë që ka ky aks në ndërlidhjen e verilindjes me juglindjen e Shqipërisë. Ai pohoi se “ky është një projekt që është thënë e stërthënë me dekada, që është lënë rrugëve dhe që do të finalizohet nga qeveria për t’i dhënë një alternativë tjetër, përveç rrugës së Arbrit, të gjithë zonës së Dibrës, por njëkohësisht të gjithë zonës së juglindjes, duke patur Librazhdin si një pikë prej të cilës mund të shpërndahen. Një hapësirë krejt e re hapet nga Shqipëria e pazbuluar.”

Rruga e re e Dibrës është një investim 15.7 milionë dollarë. Një rrugë alternative e rrugës së Arbrit që do të mbarojë, – u shpreh deputeti i zonës Balla, – që do t’i japë Dibrës një lidhje me Librazhdin dhe përmes Librazhdit dhe me pjesën tjetër të Shqipërisë.

Kryeministri Rama gjithashtu theksoi vlerën e këtij investimi edhe në zhvillimin e kësaj zone. “E gjithë zona e juglindjes përfiton një aks strategjik, për t’i dhënë hov një ndërveprimi me shumë potencial ekonomik, sepse në këtë hapësirë të mrekullueshme ka shumë potencial për të zhvilluar turizmin, për të zhvilluar agroturizmin, por ka dhe një mundësi, njësoj si në rrugën e Arbrit, të një udhëtimi tjetër panoramik në Shqipëri.”

Ky investim pritet të mbarojë në në 12 muaj.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.