Zona bujqësore e fushës së Myzeqesë nuk do të vuajë më nga balta dhe pamundësia për lëvizur lirshëm mes fshatrave të saj, të mirënjohur për njerëzit punëtorë dhe prodhimet e bollshme bujqësore.
Rrugët lidhëse rurale kanë përfunduar së rindërtuari, duke i dhënë një panoramë krejt tjetër kësaj zone të begatë dhe shembullore për transformimin e bujqësisë e për rritjen e eksporteve në këto 7 vite.
Kryeministri Edi Rama udhëtoi sot drejt Lushnjës dhe u ndal në disa prej rrugëve rurale lidhëse, stadardet e të cilave janë të njëjta me ato të infrastrukturave europiane.
Së bashku me zëvendësKryeministrin e njëkohësisht deputetin e zonës, Erion Braçe, Kryeministri Rama përshkoi në këmbë disa rrugë të përfunduara. “Ketu jemi në Qerret, tek kryqëzimi i unazës bujqësore, tek e cila kemi qenë kur filluam punimet. Kjo të nxjerr në fshatin Kadiaj dhe pastaj del në autostradën që lidh Lushnjën me Fierin. Është bërë gjithcka e re, duke filluar nga tubat e ujësjellësit dhe kanalizimet, ndriçimi dhe trotuaret. Gjithashtu është bërë unifikimi i të gjithë havllive. Është një model që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po aplikon dhe ky është një nga fshatrat e para që e ka përfituar këtë model”, – shpjegoi zëvendëskryeministri Braçe, i cili shtoi se në zonën fushore të Lushnjës nuk ka mbetur asnjë fshat pa u lidhur me rrugë të asfaltuara.
Ndërkohë janë planifikuar edhe 24 rrugë në zonën kodrinore nga Dushku deri në Fier-Shegan.
Kryeministri Rama u takua me banorë të rastësishëm, të cilët e falenderuan për rrugët e reja që kanë lehtësuar ndjeshëm jetesën e tyre të përditshme, si dhe kanë bërë më të shpejtë dhe më të lehtë daljen në treg.
“Kam 30 vjet këtu dhe balta deri në gju ka qenë”, shprehet një banore.
“Ju falenderojmë nga zemra për këto rrugë që na keni bërë. Tërë jetën këtu në Myzeqe kemi qenë me çizme,” – thotë një tjetër banor.
Prodhimet e këtyre fshatrave shkojnë për eksport dhe për tregun vendas.