Rindërtimi i objekteve arsimore dhe shndërrimi në vatra moderne të dijes dhe edukimit, përmes teorisë dhe praktikës njëkohësisht, po vijon edhe në Lushnje.
Katër shkolla të reja, të standardeve të larta të infrastrukturës me kushte optimale për nxënësit dhe mësuesit u vizituan sot nga Kryeministri Rama, shoqëruar nga Ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe Zëvendëskryeministri, njëkohësisht deputet i zonës Erion Braçe.
Në shkollën e rilindur si qendër komunitare, në Kolonjë, Lushnje, ndryshimi rrënjësor flet vetë. Shkolla ka pësuar rikonstruksion të thellë, – thotë deputeti Braçe, – ndërkohë që palestra është tërësisht e re. Por ajo që e bënë të veçantë këtë shkollë është sheshi përpara saj, i cili çdo pasdite kthehet në vend çlodhje për qytetarët, fëmijë e të moshuar.
Shkolla ka 304 nxënës dhe 27 mësues, si dhe klasat e parashkollorit, me një numër të konsiderueshëm nxënësish nga fshatrat përreth.
Shkolla e bashkuar Fier Shegan, një tjetër shkollë e rilindur e zonës, është investim i qeverisë shqiptare, jo vetëm për nxënësit, por edhe për komunitetin. Shkolla e re mirëpret 300 nxënës në kushte optimale dhe jashtë procesit mësimor shërben si një qendër komunitare për 5600 banorë.
Teksa hyn në oborrin e saj të bëjnë përshtypje hapësirat e gjelbëruara, që jo vetëm dhurojnë një panoramë relaksuese, por edhe mund të shfrytëzohen nga nxënësit për orët e praktikave mësimore, një sugjerim ky që u dha nga Kryeministri Rama gjatë bisedës me mësuesit. “Kam një sugjerim, në një nga këto parcelat që keni të mbjella me bar, bëni një tokë prodhuese me kultura të ndryshme bujqësore.” – u shpreh Kryeministri.
Ndërkohë që shkolla ka venë në dispozicion të komunitetit edhe një kompleks sportiv.
Ndalesa e radhës së Kryeministrit është në shkollën e rilindur të Kryekuqit në Divjakë. Kryeministri pritet në hyrje të shkollës nga mësuesi më i vjetër i saj, i cili pohon se në 45 vite, kohë gjatë të cilës ai ka dhënë mësim aty, ky është transformimi më i rëndësishëm që i është bërë shkollës.
Gjatë vizitës në këtë shkollë, Kryeministri la një porosi, që çdo shkollë të ketë mikrofermën e vet për prodhimet e zonës, në mënyrë që nxënësit të mësohen dhe edukohen përmes praktikës.
Tanimë në të gjithë zonën mbetet vetëm një objekt arsimor i parindërtuar me standarde europiane, për të përmbyllur të gjitha shkollat me kushte optimale për fëmijët e mësuesit.
Shkolla 9-vjeçare Shënepremte është një tjetër shkollë në Divjakë e cila është ri ngritur më e fortë, më e madhe dhe më e bukur, pas pasojave që i shkaktoi tërmeti i vitit të kaluar. Kryeministri në vazhdën e vizitës së tij në zonën e Divjakës vizitoi edhe ambientet e reja të kësaj shkolle, të cilat ndryshojnë si nata me ditën me shkollën e rrënuar që ekzistonte aty deri para pak muajsh. Terrene sportive, laboratorë dhe një bibliotekë e denjë i janë shtuar shkollës Shënepremte, duke u ofron nxënësve e mësuesve kushte optimale, pas dekadash rrënimi e braktisjeje. “Një pjesë është e gjitha e ndërtuar e re. Kjo ka qenë shkolla e vjetër në kushte të mjerueshme. Tani është tjetër standard”, – the kryebashkiaku i Kavajës, Fredi Kokoneshi.
***
Qendra e Divjakës, së shpejti me pamje të re. Kryeministri Rama i konsideron mbresëlënëse ndryshimet në qendrën e qytetit ku aktualisht punohet për parkimin nëntokësor dhe rrugën e qendrës së qytetit, të cilat po bëhen nga e para, së bashku me kanalizimet e ujërave të zeza dhe të bardha. Në një sipërfaqe prej 550 metër katror do të integrohen të gjithë shërbimet, si ato lokale dhe qendrore. Po ashtu punohet edhe në rrugën që lidh qytetin me Çermën e Sipërme.
“Tani do merremi me unifikimin e hapësirave të baçeve. Kjo është një lagje karakteristike dhe duam t’i japim dimensionin për të zhvilluar turizmin”, – shprehet kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi gjatë vizitës së Kryeministrit Rama sot në Divjakë.
Kryeministri Rama ishte edhe në Çermë Sektor ku një kopsht i ri do të çelë dyert shumë shpejt për fëmijët e zonës. Kopshti, të cilin Kryeministri e vlerëson si më të veçantët në vend, do të presë mbi 200 fëmijë, por kapaciteti pritet të shtohet pasi dhe nevoja e zonës është e madhe. “Është një kopsht që vë në pozitë shumë bashki të tjera”.
“Çdo gjë është me dritë, me hapësira të mëdha, me ngrohje qendrore dhe me ambientet ndihmëse sigurisht”, – shprehet ZëvendësKryeministri Brace.