Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e Projektit “Rilindja e Artit dhe Kulturës”:

Mirëmbrëma të gjithëve!

Është një mbrëmje e veçantë, sepse faktikisht, ne sot dëshiruam që t’ju bëjmë me dije njerëzve të një komuniteti të diskriminuar për një periudhë të gjatë, komunitetit të mësuesve dhe pedagogëve të artit, se jemi gati për të mbështetur një transformim të rëndësishëm cilësor, qoftë në shkollën e Koreografisë, qoftë në Liceun artistik “Jordan Misja”, qoftë në “Akademinë e Arteve” që mban emrin e tmerrshëm Universiteti i Arteve, dhe ndërkohë edhe në disa pika të tjera. I përmendi ministrja, dhe jam shumë i kënaqur që harroi dhe teatrin, që do të thotë që kemi arritur në fazën kur Ministrja e Kulturës mund të harrojë ndonjë projekt. Domethënë që ka aq shumë projekte sa edhe mund të harrohet ndonjëri. Ndërkohë që në të shkuarën investimet për këtë komunitet kanë qenë minimale. Edhe me ato para që janë investuar janë bërë banalitete të një natyre shumë shembullore, që nuk i bëjnë nder dhe as tregojnë respekt për njerëzit e këtij komuniteti.

Ne faktikisht, po t’i përmbledhim të gjitha investimet që po bëjmë për këtë komunitet dhe sigurisht më gjerë për dashamirët e artit dhe të kulturës, shkojmë përtej afro në 10 milionë dollarë. 10 milionë dollarë për të filluar të rimëkëmbim një sistem me një infrastrukturë të shkatërruar, nuk është pak.

Sigurisht nuk është mjaftueshëm, duhet ende më shumë, sepse ka ende aspekte dhe hapësira që nuk do të mund të trajtohen ashtu siç duhen, brenda kësaj kornize projektesh, por po të parafytyrojmë që gjithë kjo lëvizje është produkt i një pune të shtrirë në vetëm 18 muaj, dhe po të parafytyrojmë që këto 18 muaj kanë qenë të vështirë nga pikëpamja financiare sepse na është dashur të përballemi me një mal borxhesh prej të cilave kemi shlyer 550 milionë dollarë, parafytyrojeni vetë se çfarë mund të bëhej sikur mos ta kishim këtë mal me borxhe. Atëherë, besoj se kemi arsye të themi që në vitet në vijim do të bëjmë edhe më shumë. Nëse përfshijmë artin dhe sportin sëbashku, si dy anë të të njëjtës medalje do të thosha unë, për sa i përket jetës shoqërore, atëherë investimet shkojnë në një shifër që është padyshim një shifër më e madhe se ç’është investuar në 25 vjet në këto dy fusha, nga shteti shqiptar.

Në fakt, sot u përsërit shumë shpesh emri im dhe u bënë falënderime, mendoj unë të pamerituara, sepse e vërteta e projektit të shkollës së koreografisë që tregoi drejtorja është vetëm e pjesshme, nuk është e gjitha. Ajo nuk e di, nuk ka faj, nuk gënjeu, por nuk di gjithë të vërtetën. Unë në fakt kisha filluar të mendoja që duhet të bënim diçka për shkollën e koreografisë në një periudhë të përafërt me atë që qëlloi që erdhi dhe apeli i dëshpëruar i drejtores, për shkak se më nxitën Ambeta Toromani dhe Kledi Kadiu, të cilët kishin bërë një vizitë në shkollën e koreografisë dhe ishin tmerruar. Ishin tmerruar nga kushtet skandaloze dhe nga mungesa e plotë e gjithë bazës së infrastrukturës dhe të mjeteve që i bënte mësuesit praktikisht të ishin gjysmë të paralizuar, dhe nuk arrinte dot ajo shkollë të krijonte sipas tyre asnjë parakusht për të pasur një stërvitje cilësore dhe një mësim cilësor.

Pikërisht në të njëjtën periudhë, kur unë kisha bërë dhe një diskutim me zëvendëskryeministrin që drejton projektin e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, erdhi edhe e-mail i drejtoreshës. Pra merita nuk është e imja. Merita i takon Ambeta Toromanit dhe Kledi Kadiut, të cilët ishin shtytësit për të rritur ndjeshmërinë tonë, lidhur me domosdoshmërinë që të investojmë patjetër dhe ta transformojmë shkollën e baletit, nga një ngrehinë e degraduar dhe dëshpëruese, në një shkollë të standardeve më të larta, që të frymëzojë çdokënd që hyn në oborrin e saj dhe që të jetë një burim energjie pozitive për të gjithë nxënësit dhe për të gjithë mësuesit. Sepse pa atë energji pozitive të mjedisit është e paimagjinueshme se si mund të bësh balet. Mund të bësh balet, por nga belaja, jo nga dëshira. Kështu që deri sot, prej shumë vitesh nxënësit e shkollës koreografike bashkë me mësuesit, janë ilustrimi më tragjik i asaj shprehjes, “kërcen prifti nga belaja”.

Ne do ta bëjmë të mundur që brenda pak kohe të kërcejnë nga pasioni dhe nga dëshira. Përsa i përket Liceut edhe ai është në një situatë që çdo koment është i tepërt. Besoj që me ndërhyrjen që do behet do të kthehet në një shkollë që të jete realisht mjedisi ku mikpriten dhe kultivohen talentet e spikatur që arrijnë të hynë përmes konkursit aty.

Po kështu edhe për Akademinë e Arteve kemi hapur një proces bashkëpunimi që nuk është ezauruar me këtë mbështetje. Do të vazhdojmë ta mbështesim Akademinë  e Arteve, por ajo që dua të theksoj është se ne ndërkohë jemi të bindur që duhet një reformë në të gjithë zinxhirin e institucionit të edukimit dhe duhet një lidhje midis Liceut dhe Akademisë së Arteve. Për këtë jemi duke punuar dhe duke diskutuar e bashkëbiseduar, në mënyrë që të krijojmë një zinxhir vlere dhe realisht ti kthejmë këto në pjese të një zinxhiri që prodhon realisht ajkë dhe jo dhallë.

Ndërkohë, investimet e tjera janë pjese e të njëjtit vizion dhe e të njëjtit program që nga teatri i Korçës ku do të kemi një rindërtim tërësor. Praktikisht do të kemi një teatër të ri në guaskën e teatrit të vjetër, në bashkëpunim me bashkinë e Korçës.

Teatri Migjeni në Shkodër që është dhe ai në një derexhe për të ardhur keq dhe që do të rindërtohet tërësisht për të përballuar qoftë lagështirën që është bërë një problem shumë  i madh, qoftë edhe nevojën për të pasur një jetë intensive brenda këtij teatri. Teatrin e ri që do ti vihet në dispozicion artistëve të skenës, këtu në Tiranë,  një teatër ultramodern, një projekt jashtëzakonisht inovativ dhe interesant.

Teatrin e Operës që do të rindërtohet edhe ai pothuaj tërësisht brenda guaskës se teatrit të vjetër, gjë për të cilën siç e tha dhe ministrja, ka filluar puna konkrete dhe është dhe financimi. Ndërkohe janë dhe disa godina të tjera që janë pjese e këtij programi të madh të një rilindjeje për infrastrukturën dhe për hapësirat e kulturës dhe të artit. Duke filluar nga shtëpia e Enver Hoxhës, që ne besojmë që nuk pse të mbetet një godinë me demek qeveritare për të pritur delegacione të veçanta, por duhet të jetë një godinë e hapur dhe duhet të ketë një përmasë kulturore, artistike dhe shoqërore që të jetë një godinë e frekuentueshme dhe një godinë ku të zhvillohen aktivitetet të natyrave ndryshme.

Godina e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, që ishte deri dje dhe Ministria e Kulturës, një godinë e batërdisur nga vetë Ministria e Kulturës që presupozohet që është Ministria që duhet të ruaj monumentet dhe që me atë që ka bërë në godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve ka lënë gjurmën më tronditëse të një injorance shpartalluese në krye të kulturës për ta rikthyer në një situatë më të denjë dhe për ta bërë dhe atë një hapësirë në dispozicion të kulturës, në dispozicion të jetës shoqërore.

Muzeu Historik që është një qivur i madh i delirit të madhështisë së një kohe që ka perënduar, por që na ka lënë mbrapa Muzeun dhe ku për 25 vjet e vetmja gjë që kanë bërë qeveritë kanë qenë të ndërronin në katin e fundit, partizanët me gjermanët dhe sipas tekave ose ti jepnin prioritet gjermanëve ose ti jepnin prioritet partizanëve. Ndërkohë që ajo është një hapësirë fantastike që mund të transformohet në një hapësirë kulturore, sigurisht muzeale, por dhe një hapësire e jetuar që të jetë pjesë e qytetit. Nuk e ka Tirana dhe nuk e ka Shqipëria luksin që gjithë atë ngrehinë në mes të kryeqytetit ta mbaj aty sikur të ishte mauzoleum i një të vdekuri dhe jo një hapësirë në funksion të jetës së përditshme të komunitetit.

Sigurisht, edhe Piramida, e cila është pjesë e një konkursi kombëtar, që ne po organizojmë dhe së shpejti do ta realizojmë për kuptuar se si ta trajtojmë dhe si ta kthejmë edhe atë në një hapësirë, në funksion të qytetit, në funksion të njerëzve, duke e konceptuar si një hapësirë ndërveprimi mes artistëve, krijuesve, inovuesve dhe komunitetit.

Të gjitha këto janë pjesë e një programi ambicioz, por që ne besojmë se do të jetë një program i realizuar në harkun e  4 viteve të ardhshme.

Për këtë arsye, unë desha sot që të ftoja Erionin i cili besoj, do të jetë kryetari i Bashkisë së Tiranës në 22 qershor dhe i cili do të kërkoja të thoshte disa fjalë lidhur me këtë ndërveprim që është i domosdoshëm për të çuar përpara këtë program.

Ne besojmë shumë që në Tiranë ka një potencial shumë të jashtëzakonshëm për të pasur një jetë shumë vibrante, shumë intensive, sociale dhe kulturore dhe ka një pjesë jashtëzakonisht kreative, por shumë të heshtur dhe të trysnuar që është midis kalamajve dhe të rinjve që merren me art. Që nga ata që e bëjnë këtë në gjimnaze dhe sigurisht tek ata që e bëjnë  tek Shkolla Koreografike, që e bëjnë në Lice, që e bëjnë këtu në Akademinë e Arteve dhe të cilët jam i bindur që në qoftë se do të kenë hapësirat dhe mbështetjen do të na befasojnë dhe do të na japin të tjera arsye për të qenë krenar për talentin dhe për gjenialitetin e njerëzve që janë midis nesh, që vinë nga familje të zakonshme, vinë nga realitete të varfra dhe që pastaj kthehen në yje me shkëlqim edhe në skenat e botës, siç kemi parasysh disa prej tyre me të cilët tanimë krenohemi.

Jam i bindur që është ky vendi, që ne duhet tu japim njerëzve një mundësi më shumë që të fillojnë të shkëlqejnë, pa qenë të detyruar që të ikin të dëshpëruar sepse këtu nuk gjejnë asnjë hapësirë dhe janë viktima të injorimit që ju bëhet nga partizanët dhe gjermanët e kulturës zyrtare shqiptare.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.