Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferenca e përjavshme EKONOMIA NË FOKUS:

 

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Paraprakisht ju uroj nga zemra të keni një vigjilje sa më të paqtë të Krishtlindjeve!

Sot jemi për seancën e radhës së bashkëbisedimit të përjavshëm me fokus tek ekonomia. Temën qëndrore të komunikimit të sotëm kemi energjinë, e cila ka qenë një nga problemet më të rënda, siç me siguri ju kujtohet, që kemi trashëguar nga qeverisja e mëparshme, – natyrisht, jo i vetmi me një sistem të degraduar skajshmërisht, – dhe pas 7 vitesh e 2 muajsh mund të themi me plot gojën se kemi hyrë në një fazë krejtësisht të re, pasi kemi hapur rrugën e një transformimi rrënjësor që vazhdon.

Nuk dua të zgjatem me shtjellimin e të dhënave në këtë fushë kaq të rëndësishme, por dua të vë theksin në disa pika kyçe.

Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se aktualisht jemi në kantier për projektin e linjës së interkoneksionit Shqipëri-Maqedoni e Veriut. Ndërkohë sapo kemi vënë në punë linjën e interkoneksionit Shqipëri-Kosovë, një projekt i konsideruar me të drejtë historik nga paraardhësi im, por i kthyer në një histori sa të dhimbshme, aq dhe qesharake për vite të tëra gjatë qeverisjes së mëparshme. Pastaj i bllokuar për disa vite nga vetoja e Serbisë, të cilën e hoqi as më shumë e as më pak, por Shengeni Rajonal. Besoj shumë se ky zhvillim kaq i rëndësishëm mes dy shteteve tona dhe nga ana tjetër, edhe projekti i linjës së interkoneksionit Shqipëri-Maqedoni e Veriut janë pjesë e një tërësie ndryshimesh të mëdha që po ndodhin. Përfshirë këtu dhe kushtet për themelimin e bursës shqiptare të energjisë, që nisi me ndryshimet ligjore të vitit 2018 dhe pastaj me nënshkrimin e marrëveshjes se aksionarëve për themelimin e saj, mes operatorit shqiptar dhe asaj të Kosovës të shpërndarjes, çka përbën një etapë krejt të re për sektorin e energjisë.

Po ashtu jemi në një proces zgjerimi të tregut dhe bashkimit të tij faktikisht, me Italinë dhe me Malin e Zi, duke marrë parasysh që brenda dhe jashtë vendit, rrjetet e energjisë po zhvillohen gjithnjë e më shumë.

Nga ana tjetër jemi në kushtet kur, përsa i përket rrjetit tonë të energjisë, mund të flasim për arritje të jashtëzakonshme përsa i përket uljes së humbjeve. Padiskutim, edhe në aspektin e mbledhjes së detyrimeve që tanimë janë kthyer në një normë që nuk e diskuton më askush.

Dua të prek edhe një pikë tjetër të rëndësishme, që është zhvillimi i madh, strategjik, që tanimë është futur në rrugën e realizimit në fazën e parë të tij, nënshkrimi i marrëveshjes me qeverinë amerikane për Skavicën. Gjë që do të krijojë mundësinë për të mos çuar dëm më asnjë pikë uji të destinuar për prodhim energjie dhe do ta kthejë Shqipërinë në një fuqi eksportuese të energjisë, ashtu sikundër do na japë mundësinë të kursejmë në mënyrë të konsiderueshme për shkak të mundësisë për të mbajtur rezerva dhe për të mos qenë të detyruar që t’i drejtohemi tregut, në momentet e krizave të provokuara nga thatësia, me urgjencë.

Kryeministri Edi Rama: Volumi i punëve të kryera në këtë sektor është realisht kolosal. Natyrisht, një pjesë e madhe e këtyre punëve kalojnë pa u vënë re. Për këtë arsye, të paktën në një komunikim si i kësaj natyre, ia vlen të flitet me detaje, edhe pse shtjellimi mund të marrë një kohë të konsiderueshme. Sidoqoftë keni një pasqyrë të konsiderueshme dhe ministrja do t’jua vërë në dispozicion të gjithë prezantimin, edhe në formë të shkruar, kështu do keni mundësin të hyni në të gjitha detajet që do t’ju interesojnë për punën tuaj dhe për t’ia komunikuar publikut. Siç e kemi bërë marrëveshjen me veteranen e grupit tuaj, që e ka marrë përsipër t’ju përfaqësojë njësoj të gjithëve dhe të gjithave, kalojmë tek pjesa e pyetjeve. Me siguri mund të bëni dhe pyetje jashtë temës të energjisë, por me kushtin që këto pyetje që janë jashtë temës, për interesin e secilit prej ekraneve tuaja, t’i adresoni me kronikë të dytë, pa e cenuar kronikën për temën kryesore për të cilën ishim sot, këtu. Me besim të plotë që Elia do bëjë edhe një monitorim të kësaj parimësie, unë po ia kaloj Elias fjalën të parës dhe më tutje të gjithëve me radhë.

– Faleminderit Kryeministër! Pyetja e parë lidhet me temën. Unë jam dakord që ka qenë e suksesshme reforma në energjetikë, reforma e nisur në mandatin e parë, por desha të pyesja, ju nisët një reformë për sektorin e hidrokarbureve. Pse nuk pati të njëjtin sukses kjo reformë? Apo sepse tashme nuk ishte më grupi i interesit abonentët e vegjël apo bizneset e vogla, por ishin ata që Lulzim Basha i quan oligarkë. Pra, ishin interesa të mëdha që prekeshin nëse kjo reformë do të ishte me themeli, siç ishte reforma në sektorin energjetik.

– Pyetja e dytë lidhet me vizitën e Zonjës Osmani në Tiranë. Folëm për një sukses me arritjen e vënies në punë të linjës energjitike me Kosovës, por duket se nuk kemi të njëjtin sukses, të paktën dy vitet e fundit vihet re se ka një regres në marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe kjo u vërejt në vizitën e Zonjës Osmani në Tiranë, ku ju nuk morët pjesë, – nuk i di arsyet që kishit, – në seancën e parlamentit ku ajo foli fjalën dhe ku foli për çështje që duket se bien ndesh me qëndrimin tuaj, siç ishte tarifa në rrugën e Kombit, apo Minishengeni Ballkanik. Ju erdhën në pushtet në vitin 2013 me moton zero konflikte me fqinjtë dhe realisht, deri tani kemi pasur marrëdhënie shumë të mira me pothuajse të gjithë fqinjtë, përfshirë këtu edhe Serbinë. Nuk ka ndryshuar në këto 7 vite edhe për shkak dhe marrëdhënies tuaj me Zotin Vuçiç. Por kemi jo të njëjtin situatë në marrëdhënien me Kosovën. A ndjeheni ju përgjegjës për këtë Zoti Rama?

 

Kryeministri Edi Rama: Po i jap ministres fjalën së pari, për pyetjen e parë, meqenëse lidhet drejtpërdrejtë me temën dhe thjesht po bëj një parantezë me një fjali. Reforma në aspektin e shpërndarjes dhe të arkëtimit të energjisë dhe të faturave të energjisë elektrike natyrisht që prek një masë shumë të madhe njerëzish dhe për këtë arsye ka qenë shumë më në fokus se çdo gjë tjetër ndoshta për një periudhë kohe. Ndërkohë që reforma në aspektin e hidrokarbureve është disi më e kufizuar në aspektin e aktorëve, edhe pse prek interesin e një mase të madhe njerëzish, po ashtu. Për këtë arsye mbase, duke qenë më e kufizuar në kornizën e vëmendjes, nuk ka marrë konsideratat e duhura, por ju siguroj që faktet dhe shifrat flasin për një ecuri pozitive të saj. Ne vazhdojmë dhe në mos gabohem, sot, në mbledhjen e qeverisë kemi një vendim tjetër, për të vazhduar për të sofistikuar kontrollin e hidrokarbureve në rrugë dixhitale. Që do të thotë që puna vazhdon. Ministrja mund t’ju japë ndonjë fakt dhe shifër konkrete.

 

Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku: Elia, faleminderit për pyetjen dhe që ndalove në sektorin hidrokarbur, sepse i ra më pak kohë se të tjerët. Unë do doja të thoja në vazhdim të çfarë tha Kryeministri që duhet të kemi parasysh diçka shumë të rëndësishme. Duhet të kemi parasysh se komponentët e sektorit energjetik, elektroenergjitik në Republikën e Shqipërisë janë sektorë të menaxhuar nga shteti. Pas largimit të CEZ-it, qoftë OSSHE-ja, qoftë OST-ja dhe qoftë KESH-i janë entitete shtetërore në të cilat, ne kemi pasur vendimmarrje, kemi ndjekur politika, qoftë zhvilluese, qoftë rregullatorë, qoftë këto parandaluese, apo ndonjëherë edhe politika të ashpra, ashtu siç ka qenë dhe që është dashur të krijohej mentaliteti i pagesave të faturave, apo mosvjedhja e energjisë në rrjet etj., ajo reforma e madhe që ne flasim. Në ndërkohë duhet të kemi parasysh që në sektorin hidrokarbur, shteti është rregullator, por komponentët e këtij sektori janë kryesisht privatë. Po të heqim mënjanë Albpetrol, një kompani që ka krijuar më shumë debite dhe problematika përsa i përket buxhetit të shtetit apo të gjithë mbarëvajtjes së sektorit, sesa ka performuar ndër vite. Por është një kompani që ka problem të madh social. Ne sot aty kemi mbi 1mijë punonjës, të cilët operojnë në atë ndërmarrje dhe sigurisht që jemi munduar të kemi një reformë edhe në atë pjesë të sektorit, por duke patur parasysh dhe të gjithë impaktin social që mund të ketë. Komponentët e tjerë të sektorit hidrokarbur janë komponentë privatë mbi të cilët, shteti ka gjetur edhe faktin e kryer, do thoja, siç është në rastin e Bankers, një kontratë koncesionare dhe ne e dimë shumë mirë që është operatori nxjerrës më i madh i naftës në Republikën e Shqipëri për momentin, duke shpresuar që aktivizimi i Shell dhe Enit me kontrata dhe kushte të reja kontraktuale do ta ndryshojnë këtë balancë të sektorit. Por edhe në rastin e po i referohem rastit të rafinerisë. Një histori e gjatë që ju e dini mirë, me një problem social të jashtëzakonshëm, një rafineri e ngritur për një cikël të brendshëm të mbyllur, pra, kur rafineria është ndërtuar, është ndërtuar që të përpunonte të gjithë naftën e dalë nga fushat e Zarrëzës, ndërkohë që sot, nafta e dalë nga fushat e Zarrëzës nuk është më nën kontrollin e shtetit, por në dorën e konvesionarit dhe Bankers, sipas marrëveshjes, e cila nuk e detyron që ta tregtojë këtu produktin, e tregton jashtë, pra, e eksporton për qëllime fitimesh dhe është në të drejtën e tij, pasi kontrata ja lejon këtë. Kështu që rafineria ka dalë jashtë ciklit dhe jashtë kontrollit të shtetit, pasi është entitet privat, ashtu siç është dhe Bankers. Kjo sa i përket të gjithë sistemit të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës. Jam shumë e sigurtë që ti i referohesh dhe faktit të çmimit, të konsumatorit final etj., por të gjitha këto ndikojnë qoftë tek çmimi i konsumatori final dhe qoftë tek involvimi, apo rregullimi që shteti mund t’i bëjë sektorit të shitjes dhe tregtimit të naftës në Republikën e Shqipërisë. Duke qenë se kryesisht mbështetet mbi importet dhe duke qenë se prodhimi vendas, industria vendase, pavarësisht se jemi vend naftëmbajtës dhe naftënxjerrës si asnjë në Ballkan, për shkak të këtij komleksiteti dhe të daljes nga cikli i dizenjimit të dikurshëm, janë krijuar gjithë këto probleme. Siç e tha dhe Kryeministri dhe siç e tregojnë dhe shifrat, nuk ka asnjë krahasim mes vitit 2013, siç e kemi trashëguar sektorin dhe sot. Shifrat flasin vetë, çdo gjë është me të tjerë parametra, kemi rritje të sektorit padyshim, kemi përmirësim të kuadrit ligjor. Ne kemi ndërhyrë disa herë përsa i përket kuadrit ligjor të hidrokarbureve, duke e përmirësuar atë dhe duke e përafruar atë me kuadrin ligjor europian. Kështu që, zhvillime pozitive ka dhe në sektorin e hidrokarbureve, por ndryshe nga sektori elektroenergjitik, sektori i hidrokarbureve ka këtë gep të krijuar për shkak të involvimit të sektorit privat në të.

 

Do doja të thoja dhe diçka tjetër. Ne kemi nisur një reformë përsa i përket pjesës Track and Trace. Do të jetë një reformë e rëndësishme dhe jemi duke punuar në këto momente përsa i përket studimit me kompani të huaja dhe mbështetje e ekspertizë të huaj, për të ngritur një sistem të tërë të gjurmimit të të gjithë procesit të naftës në territorin e Shqipërisë, për ta futur atë nën një kuadër ligjor dhe rregullator të kontrollueshëm për të ardhmen. Kuadër, i cili dhe proces, i cili do krijojë impakt të menjëhershëm dhe shumë të madh në tregtimin e naftës tek përdoruesi final. Ju siguroj për këtë dhe shumë shpejt, sapo studimi të dorëzohet, ne do të bëjmë një prezantim të tij dhe të mënyrës së funksionimit.

 

Kryeministri Edi Rama: Përsa i përket pyetjes së dytë që lidhet me vizitën e Zonjës Vjosa, unë mund të them që, sigurisht, objektivi ynë ka qenë dhe do mbetet zero probleme me fqinjët, sikundër e kujtove, por zero probleme me fqinjët nuk do të thotë fshehje e problemeve. Do të thotë zerim i problemeve. Përtej kësaj, në këtë rast nuk është se ne kemi probleme, nuk kemi asnjë problem me Kosovën. Për fat të keq, Kosova ka probleme me veten dhe nëse mund të bëj një përkufizim të përmbledhur të problemit që unë shoh në Kosovë, është se prej disa kohësh tanimë, politika e brendshme është bërë politikë e jashtme dhe politika e jashtme është bërë politikë e brendshme. Kjo e ka rraskapitur Kosovën së brendshmi dhe së jashtmi. Ky është një problem që unë e shoh me shumë shqetësim, e kam adresuar në mënyrë konstante në të gjitha bisedat e mia me udhëheqësit në Kosovë dhe jam përpjekur dhe ta adresoj edhe publikisht, sigurisht, pa dashur të rëndoj askënd dhe për asgjë.

 

Është tipike, ajo që ndodh me qasjen ndaj Shengenit Rajonal, ku një nga shtyllat e politikës së jashtme, që ka të bëjë me politikën rajonale, është bërë si kalaja e Rozafës në Kosovë. Disa e ngrenë ditën, disa e shembin natën, simbolikisht flas. Për mua është e pakonceptueshme që një qeveri legjitime dhe kryeministri i një qeverie legjitime të firmosin vullnetin e shtetit të Kosovës, me kompetencat që i jep Kushtetuta dhe ligji, në Shtëpinë e Bardhë për Shengenin Rajonal dhe një presidente në detyrë të shfaqet në Shqipëri, pra, jashtë Kosovës dhe të bëjë politikë të brendshme me këtë shtyllë të politikës së jashtme të Shqipërisë, apo në këtë rast dhe të Kosovës.

 

Akoma më grotesk është debati për traun. Paraqitet trau i pagesës së rrugës si kufi i vendosur për Kosovën. Kjo është të bësh politikë të brendshme me një çështje administrative të vendit fqinj dhe të vish në Tiranë, të bësh propagandë në Tiranë, për të fituar vota në Kosovë, me demagogji dhe retorikë absurd. Sepse ai tra atje nuk është kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës, sikundër trau me pagesë që do vihet nesër në rrugën e re Milot- Fier nuk është kufi midis Shkodrës dhe Tiranës apo Tiranës dhe Fierit. Apo sikundër nuk janë kufij brenda shteteve të tyre, trarët e pagesës së rrugës në çdo shtet. Kjo është groteske. Njëkohësisht, jo vetëm groteske, por dhe jo dashamirëse, për të thënë një fjalë të lehtë. Nëse për Zonjën Vjosa, atdheu është Kosova dhe Shqipëria, atëherë, ky është një tra në mes të atdheut që do ta paguajnë të gjithë atdhetarët kontributin për atë rrugë, që është një rrugë e atdheut dhe vlen kjo për të gjithë ata që e përdorin rrugën. Faktet, sot flasin qartë. Shikojeni rrugën dhe besoj që dhe Zonja Vjosa dhe gjithë të tjerët, nëse duan të shikojnë, ta shikojnë rrugën se çfarë ndryshimi thelbësor dhe kapilar ka në çdo pjesë të saj, falë investimeve të mëdha që po bëhen në atë rrugë, e cila ishte në rrugë e rrezikshme dhe një rrugë në rrezik degradimi të vazhdueshëm. Sot po bëhet një rrugë me të gjitha standardet e sigurisë dhe të mirëmbajtjes, falë kontributit që japin të gjithë.

 

Këto janë dy pika që flasin qartësisht për një sëmundje që e ka prekur dhe po e gërryen politikën në Kosovë, duke bërë një alterim të funksioneve politike të brendshme me politikën e jashtme dhe politika e jashtme me politikën e brendshme. E gjitha kjo është konceptuale, nuk ka lidhje me marrëdhëniet personale, nuk ka lidhje me probleme mes shteteve. Kjo është konceptuale dhe në funksion të nevojës për të kaluar në një dimension tjetër të luftës diplomatike me Serbinë. Nuk fitohet lufta diplomatike me Serbinë, duke bërë politikë të brendshme me politikën e jashtme dhe politikë të jashtme me politikën e brendshme dhe duke ardhur në Tiranë dhe duke rrotulluar thikën e nacional-folklorizmit vulgar. Politika, lufta diplomatike bëhet me mjete krejt të tjera nga mjetet e luftës përpara sesa të fitohej liria. Facebook-u, Instagram-i, deklaratat nuk zëvendësojnë pushkët dhe nuk përdoren si pushkë, as si topa, as si mitroloza, as si granata, as si bomba se thjesht dhe vetëm lëndojnë dhe plagosin vetveten, nuk lëndojnë e plagosin kundërshtarin apo konkurrentin në fushën e luftës diplomatike. Me atë formë, ne kurrë nuk do e kishim hapur dot linjën e interkoneksionit të energjisë Shqipëri-Kosovë. Vlen njëmijë herë më shumë hapja e asaj linje, sesa njëmijë e një deklarata pseudo-patriotike dhe nacional- folklorike.

 

– Zoti Kryeministër, bazuar në një raport të OKB-së, duke marrë për bazë vlerësimin e këtij raporti, jemi një ndër vendet më të varfëra në Europë dhe çmim karburanti më të lartë. Ndërkohë që në rang botëror lëmë pas vetëm Suedinë dhe Hong-Kong. A keni një konsideratë, një vlerësim në lidhje me këtë çështje.

– Që nga nisja e vënies së kufizimeve të lëvizjes, fillimisht nga ora 22:00 deri në 6:00 të mëngjesit dhe më pas nga 20:30 deri në 6:00 të mëngjesit, bizneset janë prekur shumë nga ky kufizim. A keni menduar për t’u dhënë një paketë ndihmëse bizneseve, duke marrë në konsideratë edhe kërkesën e tyre?

 

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi dhënë paketën më të madhe ndihmëse në historinë e vendit dhe të rajonit, duke bërë të mundur për të gjitha bizneset e vogla dhe të vogla, jo siç konsideroheshin deri pak kohë më parë, por të vogla siç konsiderohen sot, me xhiro deri në 140 mijë dollarë në vit, që të kenë zero taksë mbi fitimin duke filluar nga data 1 janar. Është lehtësimi më i madh i mundshëm dhe faktikisht është lehtësimi më i madh që ka ndodhur në të gjithë rajonin. Nuk ka asnjë vend të rajonit, – nuk po shkoj më tutje se aty nuk ka e nuk ka, – ku biznesi i vogël të mos paguajë asnjë qindarkë taksë mbi fitimin dhe asnjë qindarkë TVSH për xhiro deri në 100 mijë dollarë në vit. Lehtësim dhe paketë më të madhe mbështetëse se kjo për biznesin nuk ka askund tjetër. Se duhet bërë mirë llogaria në të dyja dimensionet. Njëri është dimensioni se çfarë shteti dhe qeveria ka dhënë drejtpërdrejtë në cash, por dhe çfarë ka hequr nga arka e vet, për t’ia lënë në arkë biznesit apo qytetarit. Është absolutisht e padiskutueshme që impakti i kësaj mase mbi biznesin e vogël do jetë jashtëzakonisht pozitiv dhe nuk është një masë që do qëndrojë aty nga janari deri në prill për zgjedhje, por është një masë që do qëndrojë aty deri në vitin 2029, minimalisht.

 

Përsa i përket çmimit të karburantit e kam shpjeguar njëmijë e një here, në çmimin e karburantit në Shqipëri është brenda e gjithë struktura dhe e taksës së qarkullimit e kështu me radhë. Nëse i ndajmë këto, siç i kanë të ndara vendet e tjera ku paguhet dy herë, jo një herë, atëherë vijmë në parametrat mesatar të çmimit kudo. Pra, në vendet e tjera paguhet dy herë. Paguhet veç taksa e qarkullimit dhe paguhet veç në litrin e konsumit të karburantit, këtu është e integruar. Është integruar qysh në qeverinë paraardhëse dhe është një nga të paktat gjëra të mençura që ka bërë qeveria paraardhëse. Për këtë arsye çmimi është më i lartë, por jo se në tërësinë e vet i kushton më shumë këtu qytetarit që konsumon naftë sesa jashtë, sepse jashtë paguajnë veç. Njëmijë e një herë e kam shpjeguar, është thjesht çështje strukturore e çmimit.

 

– Zoti Kryeministër, të hënën vendet e BE-së do të nisin vaksinimin, ndërkohë që një sasi dozash ka mbërritur edhe në Serbi ku sot, Kryeministrja e Serbisë ka marrë dozën e parë të vaksinës. A kemi një datë se kur do të vijë në Shqipëri, pavarësisht se ju keni thënë që ambicia juaj është që në 2 muajt e parë të vitit të ardhshëm do të mbërrijë në Shqipëri. A kemi një datë konkrete?

 

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka asnjë “pavarësisht”, kjo është plotësisht varësisht, është ajo që kam thënë dhe ne jemi çdo ditë në punë për këtë çështje. Kini parasysh që tjetër çfarë thuhet nëpër media e çfarë komentohet nëpër ekrane dhe tjetër çfarë është realiteti konkret i situatës me vaksinën. Shifrat e vaksinave që po marrin vendet e mëdha, krahasuar me pritshmëritë e tyre janë jashtëzakonisht më të ulta. Nuk po i thonë akoma, sa për dijeni, do t’i dëgjoni kur të fillojnë t’i thonë sa kanë marrë për të filluar. Pastaj do të kuptoni që është tjetër gjëja që lëviz pas ekraneve dhe pas portaleve, që nuk është ende e bërë transparente, sepse problemi është që kërkesa është eksponencialisht më e lartë sesa oferta dhe sasia e prodhimit është ku e ku më e vogël sesa nevoja. Natyrisht, ky është një problem i madh në fazën e pare, sepse ndërkohë kompanitë po shtojnë sasitë e prodhimit.

 

Mos harroni që në shtetet e Bashkuara të Amerikës është vendosur ndalimi i eksportit të çdo sasie dhe vaksina Pfizer që është vaksina e aprovuar, sasinë kryesore e ka në Shtetet e Bashkuara. Ky është një problem tjetër. Nuk del asnjë dozë nga Shtetet e Bashkuara drejt vendeve të tjera.

 

Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me të treja kompanitë, me Pfizer, me Astra Zeneca dhe me Moderna. Unë jam shumë besimplotë e ndërkohë jemi në komunikim dhe me disa shtete mike, pasi, siç e dini, Bashkimi Europian ka marrë një vendim, në këndvështrimin tim goxha, si ta them, për të ardhur keq, por kështu e ka marrë që për vendet e Ballkanit Perëndimor, si të thuash, do t’i jepen tepricat. Këtu nuk ka teprica, faktikisht. Këtu ka një problem të madh për çdo vend, sepse ka shumë më pak sesa kishin planifikuar. Megjithatë, me disa shtete mike, unë nuk mund të përmend emra, ne jemi në komunikim. Ajo që di të them është që ne nuk do të mbetemi mbrapa të tjerëve dhe që ne, në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojmë të vaksinojmë. Se kur është data, këtë nuk mund ta them.  Kam folur për dy muajt e parë të vitit të ardhshëm, nuk dua të jap më shumë të dhëna sot, sepse nuk janë të konfirmuara 100%. Kështu që mund të jetë dhe më shpejt, mund të jetë dhe pak më vonë, por brenda 2 muajve të parë të vitit të ardhshëm, këtu do fillojë vaksinimi e pastaj nuk do të kemi më asnjë problem, sepse kalendari i ardhjes së dozave është një kalendar, në të gjitha vendet, me volume që rriten. Ajo që dua të theksoj është se për fat të keq dhe në çështjet e vaksinës është më shumë se kurrë diplomaci, marrëdhënie personale, miqësi, komunikime, kontakte. Domethënë, është realisht një luftë e madhe që po bëhet sot prapa kuintave nga të gjitha shtetet, për të mundur të kenë sasira sa më të mëdha dhe është realisht, si radhët e qumështit të kohës së dikurshme, ku në vend të banorëve që zbrisnin poshtë pallatit dhe vinin shishen atje, janë shtetet. Kjo është situate. Por unë i them të gjithëve që të jenë të qetë, sepse, siç e kemi treguar dhe më parë, kur është puna për të bërë lypsin për Shqipërinë, besoj që dimë ta bëjmë më mirë se çdokush tjetër.

 

– Duke qenë se një pyetje u konsumua, që lidhet me paketat e ndihmës për bizneset që preken nga ora policore, më lejoni të bëj një pyetje për ministren Balluku. Zonja Balluku, çfarë po ndodh me aeroportin e Vlorës? Kemi mësuar se është ankimuar tenderi për ndërtimin e aeroportit. A do të sjellë kjo, vonesa për shpalljen e fituesit? 

 

Ministrja Balluku: Është e vërtetë, kemi pasur një ankimim ditën e djeshme nga një nga operatorët, të cilët janë të interesuar për të garuar në garën e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Është një procedurë normale. Ne nuk ia heqim dot të drejtën askujt, i cili është pjesë e kësaj gare, për t’u ankimuar. Kështu që, ankesa është marrë parasysh nga AKPP-ja. Ministria ka nxjerrë urdhrin për ngrirjen, sigurisht, sipas datave dhe afateve në fuqi në bazë të ligjit. Por unë do ta shikoja këtë dhe si një lëvizje pozitive. Ndoshta na shtyn në kohë dy javë, duke qenë se dje ishte dita kur ne do të bënim mbylljen dhe të nisnim vlerësimin e ofertave, por, nga ana tjetër, fakti që ka operatorë, të cilët janë të interesuar, që kanë pyetje, që bëjnë ankimime, tregon që ka një dinamikë ky process, pasi, siç ju e dini shumë mirë, ne e kemi ngrirë atë në muajin mars për shkak të goditjes që sektori i aviacionit mori. E për të thënë të drejtën, pavarësisht se i gjithë komuniteti europian i aviacionit shpresonte që do kishte një ngritje, ngrija qe mjaft e vogël gjatë verës dhe sërish jemi në të njëjtat kushte, ashtu si në fillim të vitit të kaluar. Ndaj le ta shikojmë pozitivisht faktin që dje ka pasur një ankesë nga një operator, duke qenë se na rezulton…[nd

 

– E nisëm këtë konferencë në fakt, duke bërë një rezyme të uljes së çmimit të energjisë elektrike për familjarët, që prej vitit 2014 deri më sot. Megjithatë, duhet të theksojmë se biznesi sot paguan 14 lekë për energjinë e rinovueshme, çka tregon që energjia elektrike për kilovat/orë për biznesin është rritur. Unë dua të pyes, kur dhe sa do të ulni çmimin e energjisë për konsumatorin familjar dhe biznesin, sigurisht. Në rast se nuk ka diversifikim energjie, sërish raportet japin mundësinë që mund të ulet çmimi. Ju kur do ta merrni një vendim të tillë?

 

Kryeministri Edi Rama: Nuk e kuptova, kush thotë që mund të ulet çmimi?

– Raportet, Zoti Kryeministër, mund të shikojmë nëse bëjmë një analizë shumë të thjeshtë. Shqipëria është vendi i pestë në gjithë Europën për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe është ndër vendet e para në gjithë Europën për çmimin më të lartë të energjisë elektrike për kilovat/orë si për familjet dhe për bizneset. 

 

Kryeministri Edi Rama: Nga e nxjerr këtë, një nga vendet e para për çmimin e energjisë në Europë?

 

– Mund t’ju dërgoj disa raporte, nuk i kam tani. Mund t’jua dërgoj më pas.

 

Kryeministri Edi Rama: Dakord, e kuptova. Nuk më dërgon dot asgjë të kësaj natyre, sepse kjo është e pavërtetë. Çmimi i energjisë në Shqipëri për konsumatorët nuk është absolutisht ndër çmimet më të larta në Europë, siç thatë ju. Absolutisht. Kjo është krejt e pavërtetë. Meqenëse ju lexoni raporte, merrni dhe shikoni sa ka qenë çmimi i energjisë për konsumatorin familjar në vitin 2013 dhe sa është sot. Po ju ndihmoj e ju pastaj mund të bëni verifikimin. Ka qenë 13.5 lekë dhe sot është 9.5 lekë. Tani, 9.5 është më e ulët apo më e lartë se 13.5?

Kështu që çmimi për konsumatorin familjar ka rënë. Nuk është absolutisht ndër çmimet më të ulëta, përkundrazi, është një çmim i mbajtur me thonj në atë nivel, sepse, nëse do ta linim të lirë llogarinë me parimet e tregut të lirë, nuk do rrinte dot çmimi kurrë aty, por është mbajtur me thonj për të mos rënduar konsumatorin familjar. Është e vërtetë që për biznesin është rritur dhe kjo nuk është fare, as sekret, as për t’u diskutuar sepse ne e kemi thënë dhe është funksion i parimit tonë, kush fiton më shumë, do paguajë më shumë dhe kaq. Ministrja mund të bëjë ndonjë shpjegim më të detajuar.

 

Ministrja Balluku: Liberalizimi i tregut, pikërisht çfarë po thoshte Kryeministri, është një kërkesë e pandryshueshme e Bashkimit Europian dhe e Sekretariatit të Energjisë dhe shprehja që e kemi mbajtur me thonj çmimin të palëvizur për konsumatorin, pra, për familjarin, do të thotë që e kemi mbështetur, subvencionuar këtë çmim me lekë nga buxheti i shtetit. Pra, buxheti i shtetit impaktohet çdo vit për shkak të ruajtjes që ne i kemi bërë çmimit të konsumatorit familjar. Tani, kërkohet që edhe konsumatori familjar të dalë në treg të lirë. Jemi munduar që ta mbajmë dhe ta mbulojë shteti të gjithë diferencën që krijohet. Padyshim, Shqipëria është një vend që prodhon energji të rinovueshme, por dhe po të prodhonte energji të parinovueshme, kur shkon te përdoruesi final, nuk përbën ndonjë ndryshim të madh për të. Kjo ka të bëjë me ne, ka të bëjë me politikat, pra, me qeverinë, ka të bëjë me politikat e BE-së, pra, nëse është i rinovueshëm prodhimi apo i parinovueshëm, nga hidro apo nga TEC-et, nga parqet eolike apo nga parqet bërthamore. Kjo nuk ka të bëjë me këtë. Padyshim, ajo që ju duhet të kuptoni, është që qeveria ka shtyrë në kohë dhe ka mbrojtur konsumatorin familjar, duke pasur një dëm kolateral të rëndësishëm në buxhetin e shtetit çdo vit. Ndërkohë që përsa i përket përdoruesit, pra, 35 kilovoltëshit, ne jemi të detyruar që ta kemi atë në treg të lirë. Ajo çfarë unë thashë, është shumë e rëndësishme, që duhen krijuar kapacitete të reja, pra, duke hedhur energjinë nga parku fotovoltaik i Karavastasë në bursë, apo më pas nga parku fotovoltaik i Spitallës në bursë, sasitë që do ngelen të pambuluara nga blerja që do t’i bëjë operatori i shpërndarjes sasive, pra, të paracaktuara, sigurisht do rrisë likuiditetet e bursës, duke ulur kështu çmimin e përdoruesit të 35 kilovoltëshit. Është një cikël i mirëfilltë energjitik që duhet kuptuar. Kur ne vazhdojmë dhe investojmë në burime energjitike, kur ne nxisim privatin që të investojë në burime energjitike është pikërisht për këtë, sepse tregu i lirë, sigurisht, çfarë krijon? Moskontroll të çmimit nga ana e qeverisë.

 

Kryeministri Edi Rama: Për të qenë të qartë, çmimi i energjisë që ne paguajmë si konsumatorë familjarë është i subvencionuar nga shteti. Për të përballuar koston, shteti paguan për të gjithë ata që kanë një faturë energjie në shtëpi si konsumator familjar, sepse çmimi real është shumë më i lartë se çmimi që paguhet. Për këtë arsye nuk ka shans kjo që thuhet, që qenka nga çmimet më të larta në Europë për familjarë, nuk ekziston. Përsa i përket biznesit, është treg i lirë dhe natyrisht paguan sipas kushteve të tregut.

 

– Zoti Kryeministër, kam një pyetje që lidhet më së shumti me procesin zgjedhor. Për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje palët kanë rënë të gjitha dakord. KQZ-ja ka bërë një përllogaritje të shumës që i duhet për të realizuar këtë process, por do donim të dinim se kur qeveria do ta vendosë në dispozicion këtë financim, pasi jemi vetëm 4 muaj para zgjedhjeve. 

 

Kryeministri Edi Rama: Qeveria e ka vendosur në dispozicion financimin e kërkuar nga KQZ-ja, për aq sa ka kërkuar KQZ-ja. Është në buxhet i vendosur zëri për KQZ-në dhe është vendosur një pjesë dhe natyrisht, KQZ-ja ka të gjithë mundësinë që, nëse shkon përpara, të shkojë përpara, është kalkuluar.

 

– Kisha një pyetje për zonjën ministre, e cila tha se ditët e fundit, Shqipëria po vuan thatësirën për prodhimin e energjisë, ndërkohë që vetëm prej pak kohësh është vënë në funksion linja e interkonjeksionit. Doja të dija nëse kjo linjë interkonjeksioni do të përdoret dhe për shkëmbimin e energjisë midis Shqipërisë dhe Kosovës, pasi ka qenë një nga pikat e përmendura shpesh herë. 

 

Ministrja Belinda Balluku: Po, patjetër që është një fakt që Shqipëria ndodhet në një vit të thatë dhe do të përdoren të gjitha linjat e interkonjeksionit, të cilat janë funksionale, si ajo me Kosovën, si ajo me Malin e Zi dhe si ajo me Greqinë. Sigurisht, ne e blejmë këtë energji gjithmonë përmes një negociate që zhvillohet një ditë përpara, kështu që ne do blejmë energjinë që kushton më pak, pavarësisht se nga cila linjë e interkonjeksionit do të vijë. Është çmimi që e vendos nga e tërheqim sasinë dhe jo preferenca për linjën. Linjat janë të gjitha funksionale dhe shpresoj shumë shpejt të kemi dhe linjën e katërt.

 

Dua të ndalem tek projekti i Portit të Durrësit. Ka pasur para një muaji një marrëveshje të qeverisë shqiptare me Emiratet e Bashkuara Arabe përsa i përket ndërtimit të 2000 banesave në Durrës dhe ndërkohë është firmosur dhe një tjetër marrëveshje ku investitorët arabë do të investojnë edhe në Portin e Durrësit. Do doja t’ju pyesja specifikisht për çfarë investimi bëhet fjalë? Apo mos ndoshta me këtë investim qeveria po mundohet të kthejë nderin për ndërtimin e atyre banesave.
Një korrigjim për Kryeministrin, qeveria e Avdullah Hotit nuk është legjitime, tashmë, ajo është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në Kosovë dhe vendi do të shkojë sërish në zgjedhje. Duke u ndalur tek kjo pjesë, dua t’ju pyes nëse ju do ta miratoni. Vjosa Osmani ju ka bërë një kërkesë për të miratuar një rezolutë që parlamenti i Shqipërisë të dënojë gjenocidin serb. A do ta miratoni ju këtë rezolutë?

 

Kryeministri Edi Rama: E qartë. Nuk e kuptoj dhe nuk e shikoj kështu këtë gjë, megjithatë nuk dua të hyj në këtë aspekt. Ajo është qeveria e Kosovës dhe ka përfaqësuar Kosovën dhe ka firmosur në emër të Kosovës dhe nuk ka më zi për një vend, sesa përfaqësimi i vetë ndërkombëtar të kthehet në politikë të brendshme, sepse vendi bëhet qesharak.

 

Ndërkohë që, përsa i përket gjenocidit, Partia Socialiste dhe Kuvendi i Shqipërisë pastaj, por Partia Socialiste ka kaluar rreth 15 rezoluta dhe historia e luftës për liri të Kosovës, në Kosovë dhe në Shqipëri nuk fillon me Vjosa Osmanin presidente në detyrë, as me Albin Kurtin kryeministër në pritje dhe as me mua dhe me askënd tjetër. Është një histori e gjatë dhe më rezulton që parlamenti shqiptar, në më shumë se një rast ka dënuar gjenocidin, pastrimin etnik, masakrat, të gjitha me radhë. Kështu që ky është një tjetër moment për të kuptuar se kjo është politikë e brendshme si miell për politikën e jashtme dhe është gabim. Është shumë gabim. I ka kushtuar shumë Kosovës, këto vite, ky alterim, ky mutacion dramatik i politikës së brendshme në politikë të jashtme dhe i politikës së jashtme në politikë të brendshme.

 

Përsa i përket portit, Porti i Durrësit është një port, i cili nuk e ka më vendin aty si port mallrash. Këtë e kemi thënë me kohë dhe unë jam shumë i lumtur që ne kemi gjetur një partner strategjik kaq të fuqishëm dhe kaq të kuotuar ndërkombëtarisht si Emiratet e Bashkuara dhe si njerëzit që janë përfshirë në këtë projekt nga Emiratat e Bashkuara, për ta transofmuar portin e mallrave në mes të qytetit, në një port turistik nga më tërheqësit e Mesdheut. Dhe kjo nuk ka lidhje me banesat. Banesat janë një angazhim i Princit të Kurorës qëkur jemi takuar atëherë dhe pastaj, një angazhim në Konfernecën e Donatorëve. Kjo ka lidhje me kërkesën e vazhdueshme dhe përpjekjen e vazhdueshme nga ana jonë, për të tërhequr këtu investitorë të mëdhenj. Prej vitesh kemi kërkuar që të kemi një investitor të madh që do të mund të bënte realitet këtë ëndërr të madhe dhe mesa duket, shpresoj që ta kemi gjetur. Kështu që nuk kanë lidhje fare këto të dyja.

 

–  Grupi Kastrati është duke hyrë në negociata, për të blerë aksione të Aeroportit Ndërkomëbtar “Nënë Tereza”, pra, aksionet e kompanisë kineze. Në dijeninë tuaj, kur pritet të mbyllet kjo marrëveshje? Dhe duke qenë se kemi të bëjmë me një aset publik, kjo marrëveshje, a do të përbëjë diçka pozitive për qytetërët? I referohem këtu faktit, a do të kemi një ulje të çmimit të biletave?

Një pyetje për ju, Zoti Kryeministër. Në fakt, një ditë më parë, një nga anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Dritan Ulqinaku deklaroi se COVAX, organizmi ku Shqipëria tashmë ka bërë prenotimin e saj për një sasi të vaksinave, i ka kthyer një përgjigje Ministrisë së Shëndetësisë. Nuk e di, a jeni në dijeni të kësaj përgjigjeje që COVAX i ka kthyer Ministrisë së Shëndetësisë? Dhe në vazhdën e kësaj pyetje, kemi vënë re që shumë drejtues vendesh kanë vendosur ta bëjnë vaksinin live, për të dhënë një mesazh për mbrojtjen e shëndetit, por ndoshta dhe në përgjigje të një debati për efektshmërinë e vaksinave. A do ta bëni dhe ju live, Zoti Kryeministër, vaksinën?

 

Ministrja Belinda Balluku: Faleminderit për informacionin dhe nuk e di sa është e vërtetë. Ne nuk kemi asnjë informacion, pra, si Ministri e Infrastrukturës dhe e Energjisë dhe jo më që të të jap përgjigje se çfarë po bën grupi Kastrati dhe çfarë po bën koncesionari i Tiranës, apo ndoshta dhe ndonjë grup tjetër. Nëse koncesionari i TIA-s ka vendosur që të shesë koncesionin, nuk kam asnjë informacion të tillë. Ne nuk involvohemi në faza të tilla. Kur të jetë diçka konkrete dhe diçka konkrete për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë do të thotë kur të vijë kërkesa për transferim të aksioneve, atëhere, unë mund të shprehem. Deri atëherë, ne nuk kemi asnjë informacion dhe unë nuk kam asnjë pozicion për këtë çështje. Faleminderit!

 

Kryeministri Edi Rama: Kjo lidhet me faktin që nuk bëhet fjalë për një aset publik, bëhet fjalë për një aset privat. Aeroporti është privat në kuptimin që është në duart e privatëve. D.m.th, është një pronë publike që administrohet nga privatët. Nuk është një pronë që administrohet nga shteti dhe shteti nuk ka asnjë rol në aksione, sa jepen, sa merren, sa dalin, sa hyjnë, kush e shet, kush e blen. Të mos harrojmë që koncesionari që ka sot aeroportin është i dyti në radhë. Ka patur të tjerë, ja kanë kaluar këtij dhe se çfarë bën ky dhe ku i çon aksionet është puna e tij. Sigurisht, në momentin kur ndodh një transferim aksionesh, qeveria ka të gjithë detyrën dhe të drejtën të ndërhyjë për të parë rregullshmërinë, zbatimin e të gjitha kritereve e kështu me radhë. Nuk është asnjë çudi që të jetë e vërtetë, sikundër nuk është asnjë çudi që të jetë një proçes, siç ka patur në vijimësi dhe siç ka në vijimësi, mes kompanive private. Nuk ka asnjë problem.

 

Përsa i përket vaksinës, nuk e di çdo të thotë që “a ka marrë Ministria e Shëndetsisë një përgjigje nga Covax”. Unë di që ne jemi në një poziocion, as më shumë dhe as më pak, të ngjashëm me pozicionin e vendeve të tjera të rajonit që nuk janë pjesë e BE-së. Por ju siguroj që dhe vendet e BE-së janë në një pozicion jashtëzakonisht të vështirë për shkak të një planifikimi që, mesa duket, ka qënë tej mase i fryrë dhe shumë larg mundësive dhe flitet sot për doza shumë më të vogla se ato që ishin në dispozicion.

 

Për sa i përket vaksimnimit tim “live” apo me regjistrim, kjo është një çështje që nuk është problem, do ta shikojmë në momentin e duhur.

 

– I kam ndjekur me shumë vëmendje ato që ju keni thënë për linjën e interkonjeksionit me Kosovën dhe ju e keni theksuar disa herë se kjo erdhi falë mini Shengenit Ballkanik. Ndërkohë kam ndjekur edhe debatet në Kosovë, të cilat në një farë mënyrë kanë thëne se kjo nuk ka asnjë lidhje. Mund të na sqaroni me detaje se si ka ndikuar kjo gjë, ndoshta për të sqaruar edhe publikun.

 

Kryeministri Edi Rama: Kush ka thënë “nuk ka asnjë lidhje”, se unë nuk i kam ndjekur debatet.

– Në disa debate në Kosovë janë drejtuar pyetje direkte, të tilla si: sa ka ndikuar mini Shengeni Ballkanik, ose a ka ndikuar mini Shengeni. Kanë thënë që nuk ka asnjë lidhje interkonjuksioni, ose fillimi i punës së saj me mini Shengenin Ballkanik.

 

Kryeministri Rama: Po si e hoqi veton Serbia, kështu si me magji, apo nga presioni me FB që i bëjnë nacional-folkloristat e Prishtinës, se nuk e kuptoj? Unë e sqarova këtë dhe është e qartë si drita e diellit që është pjesë e këtij ë proçesi në sensin e krijimit të një platforme marrëdhëniesh dhe ndërveprimesh, ku Serbia është shumë më tepër në pozitë të vështirë brenda kësaj kornize, sesa është jashtë kësaj kornize. Dhe me ata që rrinë jashtë kësaj kornize e ka shumë më të lehtë të bëjë veprime dhe të ketë një qasje shumë më negative. Kurse brenda e ka shumë më të vështirë. Se si mund t’ia shpejgojmë atyre që nuk duan ta kuptojnë apo nuk e kuptojnë, unë nuk e di. Por di që kjo është rruga dhe për këtë jam i sigurtë. Edhe për të shkuar drejt njohjes së Kosovës në fund, kjo është rruga. Por, sigurisht, ky është një vizion dhe kjo është një strategji, nuk është një taktikë qorre se si të fitojmë zgjedhjet e ardhshme. Kjo është si të fitojmë betejën e gjeneratës së ardhshme dhe si të mbyllim përfundimisht një proces që mund të zgjasë dhe dymijë vjet, në qoftë se qëndrohet në pozita refraktare dhe në qoftë se politika e brendshme bëhet politikë e jashtme dhe politika e jashtme bëhet politikë e brendshme, gjë që e ka rraskapitur Kosovën ndërkombëtarisht dhe ia ka ulur në mënyrë dramatike reputacionin dhe respektin. Faleminderit!

 

– Kam dhe një pyetje lidhur me prezantimin që u bë ditën e sotme. Ju pothuajse në të gjitha konferencat e fundit jeni treguar, po përdor termin “shumë bujar”, pasi keni premtuar gjithmonë diçka lidhur me temën që keni bërë prezantimin, po them bujqësinë, për pensionistët, edhe për vaksinën falas. Ndërkohë që sot nuk bëtë asnjë lloj premtimi për ulje të çmimit të energjisë për familjarët me gjithë këto zhvillime pozitive që prezantoi edhe ministrja Balluku.

 

Kryeministri Edi Rama: Çdomethënë kjo, se është habi e madhe. Çmimin e energjisë mund ta uli Lulzim Basha që nuk ka gjë në dorë dhe që s’do ketë gjë në dorë, por kjo qeveri që ka në dorë punën, ajo që mund të bëjë, është të mos lejojë rritjen e çmimit të energjisë, duke vazhduar ta subvencionojë çmimin e energjisë, d.m.th, në çdo faturë energjie që ne paguajmë si konsumatorë familjarë është brenda mundësia që na jepet nga pagesa ekstra që i bën qeveria çdo fature. Për çdo faturë energjia, qeveria paguan ekstra në arkën e OSHEE-së. Jo të gjithë premtimet mund të mbahen në kohën që t’i parashikon sepse ndodhin gjëra, siç është rasti i aeroportit të Vlorës. Ne nuk mund të parashikonim pandeminë e ndodh diçka dhe shtyhet në kohë. Por ka shumë gjëra që ndodhin rrugës dhe premtimet mund të marrin kohë përtej asaj që t’i parashikon dhe duke e parashikuar dhe e thua. Por të gjitha premtimet që ne kemi bërë dhe bëjmë, janë premtime të bazuara në arsyetim të mundësive që kemi. Ndërkohë që ulja e çmimit të energjisë është një premtim që nuk e bëjmë dot, sepse nuk bazohet në asnjë lloj arsyetimi. Këtë mund ta bëjë, siç e thashë, Lulzimi që nuk ka gjë në dorë dhe që nuk do të ketë gjë në dotë dhe e di që as ka dhe as do të ketë gjë në dorë dhe thotë “kap çfarë të kapësh” dhe premto nënë e babë. Ne s’mund ta bëjmë këtë.

 

Faleminderit!

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.