Një buqetë me lule të kuqe dhe buka e ëmbël e Krishtlindjeve ishin sot dhurata simbolike për mjekët, infermierët dhe punonjësit e spitalit Infektiv në QSUT, në shenjë mirënjohje të pakufishme për përkushtim dhe sakrificën humane të bërë në emër të jetës.
Distanca fizike, si rrallëherë në këto kohë, nuk pengon aspak për të treguar me xheste të thjeshta respektin për mjekët e infermierët e spitaleve Covid, të kthyer në mishërimin e kësaj feste të Rilindjes pas sakrificës sublime, në luftën e paepur me vdekjen në trupin e njerëzve.
I tillë ishte urimi dhe tufa e luleve karakteristike të Krishtlindjes, e vendosur nga Kryeministri Rama, në oborrin e spitalit, në takimin e improvizuar me mjekët e Infektivit, që sot janë në krye të detyrës, si çdo ditë përgjatë këtyre 10 muajve, që nga nisja e pandemisë.
“Erdhëm vetëm për t’ju uruar. Kemi sjellë dhe një dhuratë simbolike për Krishtlindjet. U jemi jashtëzakonisht shumë mirënjohes dhe me respektin më të madh ndaj Jush. Është vërtetë një punë e jashtëzakonshme dhe një sakrificë e jashtëzakonshme. Por ja që ndodhi ajo që ndodh një herë në 100 vjet. Është mbi shpatullat tuaja dhe sa duket do ta kaloni me shumë sukses dhe do të mbetet në jetën tuaj profesionale si një moment heroik i jashtëzakonshmëm për të cilën, ju do të jeni krenarë për veten, për kolegët për familjen tuaj dhe Shqipëria do të jetë shumë krenare për ju. Kështu që edhe njëherë çdo të mirë dhe paçi gjithmonë, aq sa keni në shpirt, në zemër dhe në mendje dhe dhënçi gjithmonë aq sa mundeni”, – uroi Kryeministri Rama.
Me mirënjohje u drejtohet mjekëve të pranishëm edhe Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, punën e të cilëve e cilëson heroike. “Gëzuar të gjithëve! Në fakt, këtu është vetëm një pjesë e mjekëve, infermierëve dhe sanitarëve të shërbimit infektiv. Por sigurisht nuk mundeshim dot t’i kishim të gjithë, edhe mjekët e Covid 3 dhe ata të Covid 4 dhe të Covid 2, të “Shefqet Ndroqit”, të cilat kanë bërë dhe po bëjnë një punë heroike, plot përkushtim, profesinalizëm dhe përkushtim në këtë vit të pazakontë. Shpresojmë që viti tjetër do të jetë shumë më i mbarë dhe plot shëndet për të gjithë. Nga zemra ju uroj personalisht shëndet edhe për familjet tuaja dhe mbarësi për vitin tjetër. Do të jemi gjithmonë bashkë. Ta kalojmë edhe këtë moment të vështirë, ashtu siç kemi bërë gjithë këto vite, se edhe vitet nuk kanë qenë të lehta, pavarësisht se këto 10 muaj kanë qenë muaj të vështirë dhe jemi përballur me sfida jo të vogla. Kështu që shumë faleminderit dhe njëherë dhe mirënjohje për të gjithë ju. Respekte!”
Por krahas urimit ka dhe një lajm të mirë për personelin e mjekëve dhe infermierëve. “Mesa duket kjo godinë do ta mbylli në mënyrë të lavdishme misionin e vet, se pas kësaj lufte do të bëhet godina e re”, – u shpreh Kryeministri Rama, i cili ja la fjalën Ministres për të njoftuar se “me miratimin e Bankës Botërore, Spitali Infektiv është përfshirë në planin e qeverisë për t’u rindërtuar me standardet më të mira.”
“Kështu që vitin tjetër, – vijoi Ministrja Manastirliu, – duke shpresuar shumë që pandemia të mos ketë këtë kurbën e madhe dhe të mos përballemi me infeksionet e rritura, sepse vaksina që presim të vijë në fillim të viti që vjen, patjetër që do të lehtësojë. Por kjo nuk do të thotë që nuk do ta kemi armikun e padukshëm prezent, sepse do të vijojmë me kujdesin, maskën, distancën, derisa të kthehemi në normalitetin që të gjithë presim ta rifitojmë së shpejti.”
Me humor, Kryeministri Rama shtoi se “mbyllja e luftës do të jetë me ceremoni. Profesoresha (Najada Çomo) me doktor Tritanin, të dy me susta në dorë për t’i vënë dinamitin kësaj dhe pastaj për të filluar me ndërtimin e kesaj pjese që është një nga pjesët e fundit të ndërtimit të QSUT.”
Vaksina është hapi i radhës, për të cilën qeveria po përgatitet për të vijuar luftën kundër Covid 19. E për këtë, Kryeministri Rama u ndal gjerësisht për të sqaruar mjekët si kontigjenti i parë përfitues i mbrojtjes përmes vaksinës.
“Unë jam shumë i kujdeshëm me fjalët, por jemi shumë afër përmbylljes së një marrëveshje me disa komponentë për vaksinën. Kështu që besoj në fillim të vitit, do të kemi edhe dozat e para. E dozat e para sigurisht janë për ju. Kështu që ju do të vaksinoheni shumë shpejt, çështje javësh besoj dhe pastaj do ta përshkallëzojmë. Është shumë situatë e vështirë për faktin që këto shtetet e medha, dozat që po marrin janë shumë më pak se ato që kishin parashikuar, pasi baza prodhuese e SHBA-ve, Presidenti i SHBA-ve ka vendosur ndalimin e eksportit të çdo doze. Kështu që baza prodhuese jashtë SHBA-ve ka më pak doza, pra, fillimi është problem. Unë kam folur me disa kryeministra këto ditë. Ata akoma nuk po i thonë publikisht shifrat, sepse janë shumë më pak sesa kishin premtuar dhe ata. Jo sepse nuk kishin informacion, por infoamacioni që ata kishin, ka ndryshuar për shkak të dinamikës. Ne jemi në kontakt me disa nga shtetet, sepse tani marrëveshjet bëhen shtet me shtet dhe pavarëisht marrëveshjes me kompanitë, me Pfizerin, jemi shumë afër me Astra Zeneca që besoj do të aprovohet brenda këtij viti. Edhe me Modernën jemi në diskutim. Por Moderna ka një sasi shumë më vogël jashtë SHBA-ve dhe pastaj duhet të merret vesh shteti me shtete të tjera. Se u fol këtu për Maqedoninë e Veriut. Por ato janë 100 doza që Bullgaria ka deklaruar që do të japë për Maqedoninë e Veriut, njësoj si për ne. Ne nuk e kemi deklaruar këtë gjë. E para, është një shprehje dashamirësie, por s’është fakt dhe e dyta, s’kemi dashur të bëjmë fjalë, por jemi shumë afër. Jemi shumë afër dhe kemi besim që për ekipin e Infektivit që do të jetë i pari që do të vaksinohet do të jetë shumë shpejt. Sigurisht do të vazhdojë. Me ministren kemi filluar të adaptojmë një projekt tek stadium “Air Albania”, për të vendosur të gjithë ekipet që do të bëjnë vaksinimin se, siç kemi dëgjuar edhe nga të tjerë dhe siç na kanë sugjeruar të tjerë, në mjedise të hapura është më mirë, për të patur edhe radhë të kontrolluara. Aty po bëjmë një projekt shumë të bukur që do të jetë gati në fillim të janarit. Në javën e parë të janarit do ta kemi të instaluar dhe do të fillojmë vaksinimin. Kështu që shumë shpejt do t’ju imunizojmë ju njëherë, që të mos kemi probnleme me ju dhe shëndetin tuaj, pastaj hap pas hapi do të vazhdojmë me të gjithë mjekët. Ne kemi vendosur si prioritet mjekët, mësuesit, punonjësit e policisë që janë më në kontakt me njerëzit. Pastaj do të përshkallëzohet me të tjerët. Ndërkohë që, të gjithë thonë që në mars, prill, dozat do fillojnë të jenë shumë dhe pastaj jam i bindur që do të fillojë të ketë teprica se prodhimi është futur shumë fort në linjë.”, – u shpreh për mjekët Kryeministri Rama.