Në njësinë numër 6 në Durrës ka nisur kthimi në shtëpitë e reja. Gjithashtu 450 shtëpi të tjera janë në proces rindërtimi, për të hapur dyert ditë pas dite për familjet që humbën strehën në tragjedinë e 26 nëntorit. “Në qytet kemi 755 shtëpi. Një pjesë e tyre është drejt fundit. Kemi 450 objekte që janë të gjitha në njësitë administrative. Kryesisht Ishmi dhe Manza kanë patur më shumë dëme”, – shprehet kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, ndërsa së bashku me Kryeministrin Edi Rama u mikpritën nga disa prej banorëve që hynë në shtëpite e reja.
Shtëpia e parë që u çel në Durrës, është ajo e një familje prej katër anëtarësh, të cilët pasi morën çelësin nga Kryeministri Rama, falenderuan nga zemra për punën e madhe që u bë brenda një afati kohor të shkurtër, vetëm në dy muaj. “Në këtë banesë ka filluar puna më 4 nëntor dhe për dy muaj është përfunduar çdo gjë”, – shprehet kryetarja Sako, e cila informoi gjithashtu se është gati të fillojë puna në njësinë administrative Ishëm. “Shoqata “Albanian Roots” me Marin Memën do të ndërtojë disa kate banesa në këtë njësi dhe javën tjetër do të fillojmë me heqjen e inerteve nga zona. Kemi gjetur një firmë që do të bëjë sheshimin e terrenit. Kjo shoqatë me qendër në New York do të ndërtojë 44 objekte njësi individuale”, – thotë Sako.
Banesa tjetër është ajo e një zonje që jeton e vetme dhe që për një kohë të gjatë është strehuar tek fqinjët. Ndërsa mori çelësin prej Kryeministrit, zonja u shpreh se ndihet e lumtur që ndodhet në një shtëpi të re dhe komode.
Ministri për Rindërtimin Ahmetaj informon se në zonë ndodhen edhe 50 shtëpi që nuk ndërtohen dot për shkaqe gjeologjike, gjeografike. “Duhet të përshpejtojmë procesin që brenda janarit t’u japim grantin, vlerën e plotë të shtëpisë të përcaktuar me vendim qeverie”, – shprehet Ahmetaj.