Lezha dhe zonat përreth, ndonëse nën efektin disaditor të reshjeve të shumta, shënojnë sot një situatë shumë herë më të qetë sesa në janarin e vitit 2010, ku gjithçka u përmbyt dhe dëmet materiale ishin kolosale.
Megjithëse bilanci i reshjeve të këtyre ditëve ëhstë dy herë më i lartë se janari i atij viti, puna e bërë vit pas viti për zhbllokimin dhe sistemimin e kanaleve kulluese, si dhe për ngritjen dhe nivelimin e argjinaturave, ka dhënë frytet e veta, duke minimizuar ndjeshëm dëmet.
Kryeministri Edi Rama është sot në terren, në një nga zonat problematike, në Lezhë, për të ndjekur nga afër situatën e krijuar.
“Jemi në një zonë që quhet lagja Varosh. Është një zonë që ka pësuar për shkak të reshjeve një shembje masivi. Janë rrezikuar dhe ne kemi bërë evakuimin e të gjithë banorëve. Ndërkohë e kemi izoluar si zonë, por procesi është i rrezikshëm dhe ka mundësi që, nëse vazhdojnë reshjet, të ketë problematikë për të gjithë banorët. Po verifikojmë shtëpitë, disa janë në proces legalizmi. Kemi evauuar dhe një kopsht. Paraprakisht janë marrë të gjitha masat. Kanë ardhur ekspertë gjeologë nga Tirana dhe kanë dhënë mendimet e veta se si mund të ndërhyet. Kjo situatë kërkon ndërhyrje urgjente, sepse mund të agravohet. Këtu kanë ndërtuat të gjithë pa leje, sepse kjo ka qenë një zonë që nuk lejohej në fakt, por janë shumica të legalizuara. Në një studim të vjetër, kjo zonë nuk ka qenë e lejueshme për të ndërtuar, si zonë e rrezikshme dhe rrëshqitje ka patur herë pas here kjo zonë, nuk është hera e parë që ndodh,” – u shpreh kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili theksoi se falë punës për zhbllokimin e kanaleve kulluese, qyteti nuk ka pësuar dëme. “Lezha ka mbajtur shumë mirë dhe në përgjithësi qyteti nuk ka pësuar dëme dhe zonat e tjera, përveç zonës së Zadrimës, e cila normalisht mban edhe koston e prurjeve të tjera që vijnë nga zona të tjera të Shkodrës dhe të Vaut të Dejës dhe ka marrë ngarkesë. Fakti ka qenë që ne kemi pastruar 48 kilometra kanal kulluese. Kemi bërë një punë falë së cilës nuk na ka çuar në katastrofë. Plus, ndërhyrja në argjinatura në dy pika shumë të rrezikshme që ne bëmë, ndikoi për mirë. Por prapë ka zona të mbytura nën ujë, ku ne kemi evakuuar 40 familje,” – vijoi Ndreu.
Infrastruktura e kullimit dhe mirëmenaxhimi i kaskadës u vlerësuan nga Kryeministri si faktorët kryesorë për një situatë normale, nga e cila banesat dhe bizneset dolën të mbrojtura.
“Sikur mos të kishit bërë gjithë atë punë me infrastrukturën e kullimit, këtu do ishin mijëra familje – nuk do të ishin 40 – siç ndodhi në përmbytjen e 2010-ës. Mbrëmë pashë të gjitha të dhënat metereologjike, fola edhe për kaskadën dhe pashë që niveli i reshjeve është jo pak, por dy herë më i madh se niveli i reshjeve në 2010-ën, që ishte i madh, por aty u përzie infrastruktura komplet e bllokuar e kullimit dhe menaxhimi harbut dhe kriminal i kaskadës dhe u përmbyt gjithë dynjaja. Në këtë aspekt, gjëja që është me rëndësi është që kur vjen një intensitet i tillë reshjesh, asnjë vend, as Gjermania, as Hungaria para ca vitesh, as Parisi, nuk ka çfarë i bën, ama testi është sa shpejt tërhiqet uji. Në ndërkohë, në këtë rast, gjëja më e rëndësishme është që janë mbrojtur banesat, janë mbrojtur bizneset dhe faktikisht, numrat shumë të vegjël dhe sigurisht me këta numra do të merremi. Sigurisht që 40 familje që evakuohen është një numër shumë i vogël, por në 2010-ën u mbushën konviktet, palestrat dhe shtëpitëe e kushërinjve me njerëz, ngordhën me mijëra bagëti dhe u bë hataja. Kur erdhëm atëherë këtu kishte mitingje me njerëz të mbuluar me baltë që nuk dinin ku të shkonin. Kur erdhëm atëherë këtu kishte mitingje me njerëz të mbuluar me baltë që nuk dinin ku të shkonin,” – u shpreh kryeministri.