Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fshati Obot, në Shkodër, i njohur historikisht si zona më kritike në kohë reshjesh intensive për shkak të pozicionit nën kuotë, nuk i ka shpëtuar as këtë vit problematikave për shkak të reshjeve, por lehtësisht të menaxhueshme për shkak të ndërhyrjeve sistemuese në infrastrukturën kulluese. Megjithë fluksin e lartë të reshjeve, që ende vazhdojnë, sidoqoftë është siguruar qarkullimi me mjetet e ushtrisë dhe furnizimi i banesave me ndihmë ushqimore.

Dy situata krejtësisht të ndryshme, evidentoi Kryeministri Edi Rama, gjatë ndalesës në Obot, ku risolli në kujtesë përmbytjen shkatërrimtare në vitin 2010.

Në informacionin e paraqitur nga ekspertët për situatën aktuale, gjendja përshkruhet e qëndrueshme dhe e menaxhueshme në aspektet kryesore. “Deri tani pozitive është se nuk kemi shtëpi të përmbytura, vetëm kalime të bllokuara. Në Obot kemi disa ditë që kemi vënë kamionin e ushtrisë në dispozicion të komunitetit. Po ashtu, janë instaluar edhe dy mjete lundruese, në qoftë se do të kemi një precipitim të situatës me këtë sasi reshjes. Deri në këtë moment situata është e menaxhueshme. Janë marrë të gjitha masat për një skenar të dytë, në rast nevoje të evakuimit të gjesë së gjallë. Po e ndjekim situatën hap pas hapi.”

24 orët e ardhshme priten të kenë rreshje shumë intensive në zonën e Shkodrës, por janë marrë edhe masat për ta pasur në kontroll. Kryeministri Rama ritheksoi se krejt ndryshe nga përmbytja e janarit 2010, kur me më pak rreshje sesa i këtij viti u evakuuan nga banesat mbi 10 mijë njerëz, sot, situata vazhdon të jetë nën kontroll dhe dëmet janë minimale.

“Këtu, sasia e reshjeve, sipas llogarive të fundit që mora nga mbrëmë, ështe dyfishi i 2010-ës dhe falë gjithë punës së bërë me infrastrukturën kulluese dhe falë administrimit komplet ndryshe të kaskadës së Drinit, që në atë kohë u administrua në mënyrë kriminale, e filloi Shkodra e gjitha me varka, që edhe në pallate, në qendër ishin të izoluar, jemi në një situatë që mund ta konsiderojmë në kontroll, duke përjashtuar deri tani zonën e Obotit që ka qenë historikisht problem për shkak të nivelit që ka nën dhe për shkak të fryrjes të madhe të liqenit dhe faktikisht është diçka e paevitueshme. Ajo që më shqetëson është që sot dhe gjatë natës do të ketë reshje shumë intensive në këtë zonë. Nga ana e kaskadës nuk kemi shqetësim dhe vazhdon optimizmi që do të mbahet në kontroll, që është më e rendësishmja që të mos ketë shkarkime. Kurse pjesësn tjetër do ta menaxhojmë. E rëndësishme është që s’ka banesa të dëmtuara, s’ka bagëti të dëmtuara dhe lëvizshmëria deri tani ka qenë e garantuar. Aty ku do të kemi bllokime do të fusim ekstra sforco, me ushtri, me mjete të lundrimit për të siguruar që nga një anë, askush të mos ketë problem në ndonjë rast urgjence dhe nga ana tjetër të shkojë në banesë ndihma materiale, siç kanë shkuar 400 pako dje, në destinacion, aty ku ka patur problematikë dhe kështu do të vazhdojmë. Besoj që 24 orët që kemi përpara janë ato më kritiket, pastaj do të shkojë duke u lehtësuar, sipas parashikimeve, se gjithçka mund të ndodhë,” – u shpreh kryeministri, ndërsa shtoi se “në 2010 janë evakuuar 10 mijë vetë që i kanë çuar në lloj- lloj konviktesh dhe palestrash dhe uji ka ndenjur me ditë të tjera.”

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi informoi se “100% e kërkesave për pako ushqimore ndihma janë plotësuar. Kemi rreth 54 trupa të forcave të repartit të Vaut të Dejës në dispozicion, 13 mjete, kemi 2, 3 mjete lundruese gjithashtu, në rast se do të jetë e nevojshme. Rruga e Obotit që, si gjithmonë, edhe me reshje të vogla bëhet vështirësisht e kalueshme, është e kalueshme me mjete të larta të ushtrisë, duke filluar nga dita e djeshme, në çdo moment aksesi nuk është ndaluar. Është shumë pozitive mirëmenaxhimi i Kaskadës, sepse sot që po flasim nga ky mirëmenaxhim, Fierza punon me porta të mbyllura dhe ka akoma rezervë që ta kalojmë këtë periudhë reshjesh intensive pa hapur portat e Fierzës. Vau i Dejës ka shkarkime normale, rreth 700 metër kub për sekondë. Ky mirëmenaxhim na ka bërë që të mos kemi skenarë si ai i vitit 2010.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.