Një kantier ende i hapur, por që me shpejtësi po shkon drejt përfundimit, është gjimnazi “Arif Syla” në Mamurras, Kurbin. Jo vetëm tërmeti, por edhe mungesa e rikonstruksionit ndër vite e kishin kthyer gjimnazin e vjetër në një mjedis të amortizuar dhe jokomod.
Për të parë se si po zhvillohet projekti i ri për gjimnazin ishte sot në Mamurras, Kryeministri Edi Rama. “Gjimnazi ka 450 nxënës, dhe janë 13 klasa që po ndërtohen. Është tre kate mbi tokë dhe një kat nën tokë, pasi terrenet sportive të brendshme, palestrën do ta kemi nën tokë. Ka gjithashtu 4 laboratorë dhe terrene sportive të jashtme. Është një shkollë e madhe, prandaj dhe punimet janë në këtë fazë. Ky gjimnaz edhe para rënies së tërmetit, ka qenë një ndërtesë jokomode për të zhvilluar mësimin. Me rënien e tërmetit pësoi dëme shumë të mëdha. Kjo është një kërkesë e jona e vazhdueshme.”, – u shpreh kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, e cila shtoi gjithashtu se është bërë një punë shumë e madhe për drenazhimin dhe sistemimin e tokës mbi të cilën ngrihet gjimnazi.
Pak më tutje, në Mamurras janë montuar skelat për të riparuar fasadat e pallateve. “Është një lagje tjetër. e cila është me investimet e bashkisë. i gjithë blloku do të ketë riparime. Ndërkohë që kemi shembur dy pallate.” – shpjegon kryebashkiakja Cara.
Por, në kantierin e lagjes së re të Laçit, dy të rinj janë njohur dhe sot u bashkuan në fejesë, sipas një ceremonie tradicionale, dëshmitar i të cilës ishte Kryeministri Edi Rama. Buraku është inxhienier ndërtimi dhe vjen nga Stambolli, kurse Elda është nga Mamurrasi dhe ka studiuar arkitekturë në Stamboll.
“Ju faleminderit Zoti kryeministër dhe të gjithëve ju që keni ardhë në këtë gëzim!” – mikpriti babai i Eldës.
E sipas traditës, babai i Burakut ju drejtohet: “Në prezencë të Kryeministrit, kërkoj vajzën tuaj Elda për djalin tonë Burak.”
“Të trashëgoheni, çdo të mirë dhe mbarësi! Një këshillë kam, të mos i harroni kurrë prindërit”, – ishte urimi dhe porosia që Kryeministri Rama la për çiftin e të rinjve Elda dhe Burak.