Konferenca e përjavshme me median “Ekonomia në Fokus”:
Mirëdita të gjithëve! Faleminderit!
Jemi sot për bashkëbisedimin e përjavshëm lidhur me ekonominë dhe për ditën e sotme, fokusi do të jetë tek fshati, bujqësia investimet në sektor dhe pasqyra e përgjithshme e situatës së sektorit, e cila është në këndvështrimin tonë një pasqyrë e qartë e zhvillimit që ka marrë sektori, por që natyrisht, duke e parë me sytë e të nesërmes, është ende një bazë solide, por jo një ngrehinë e përfunduar.
Kryeministri Edi Rama: Besoj se edhe në sektorin e bujqësisë vlen i njëjti parim; Nëse e shohim sektorin me sytë e të ardhmes, nuk jemi aty ku duam. Nëse e shohim sektorin me sytë e të shkuarës, ndryshimi është si nata me ditën. Situata sot, e cila në sektorin e bujqësisë si në çdo sektor ka shumë për të përmirësuar, është një arsye shumë e fortë për të vazhduar të shkojmë përpara, për të mos u ndalur, për të mos shkuar mbrapa, sepse nuk ka kohë as për pushim, as për të ndryshuar rrugë. Kjo është rruga qartësisht e drejtë dhe faktet flasin, shifrat flasin, por nuk ka formula magjike. E vetmja formulë për t’i bërë gjërat të ndryshojnë vijimësisht dhe për ta bërë ndryshimin të prekshëm për të gjithë, është puna këmbëngulëse me besim dhe me durim, e konfirmuar me rezultatet e deritanishme.
Unë dua të përqendrohem në një rezultat që besoj i shpjegon të gjitha. Kur ne kemi nisur këtë rrugë, Shqipëria importonte 7 dhe eksportonte 1, pra, ishte 7 me 1 raporti import-eksport përsa i përket prodhimeve bujqësore. Sot është 3 me 1, pra, eksportojmë 1 – importojmë 3. Që do të thotë se gjysma e asaj që importohej më parë është zëvendësuar me atë që prodhohet në vend. Natyrisht, kjo tregon që kemi një rritje të konsiderueshme të prodhimit në vend, siç kemi në shifrat e eksportit një rritje si asnjëherë më parë. Nga ana tjetër nuk ka sesi të jetë ndryshe kur toka e punuar, toka që prodhon është dyfishuar në sipërfaqe, krahasuar me 7 vite më parë, si rezultat i investimeve masive që janë bërë për të çuar ujin në parcelë dhe si rezultat i mbështetjes masive që është dhënë për të gjithë ata që besojnë tek puna, punojnë me tokën dhe që meritojnë mbështetje edhe më të madhe.
Sot, nëse shohim të gjithë elementët e mbështetjes që qeveria garanton për njerëzit që punojnë tokën, mbështetja është e shtrirë nga A-ja tek Zh-ja me dhënien e naftës falas për fermerët në sasinë e barabartë me çka ata dje paguanin për taksën e qarkullimit, për taksën e mjedisit dhe për akcizën brenda çmimit të naftës, faktikisht, mbështetja është e strukturuar për të gjithë elementët e vet njësoj si në çdo vend të BE-së. Patjetër që sasia e mbështetjes duhet rritur, do të vijë duke u rritur pa diskutim, por kjo rritje bazohet tek rritja e mundësive dhe mundësitë rriten me punë.
E çuam pagën minimale në 300 mijë lekë këtë vit; kemi zeruar taksat për biznesin e vogël, është aktive dhe kjo masë; kemi rritur pagat në mënyrë të konsiderueshme për mjekët dhe infermierët. Këto i kemi bërë sepse kemi rritur mundësitë. Këto nuk janë masa të përkohshme, këto janë masa që do të qëndrojnë aty për një kohë të gjatë.
Pagat nuk janë rritur për të qëndruar aty përkohësisht dhe për t’u ulur prapë. Janë rritur për të qëndruar aty, deri në momentin që do të rriten prapë. Janë masa, të cilat kanë efekte financiare të shtuara për buxhetin dhe janë të mundësuar sepse buxheti mund t’i përballojë. Kështu që rritja e vendeve të punës cilësore, jo thjeshtë vende pune, por me paga më të mira dhe rritja e pagave në tërësi është vetëm rezultat i rritjes së mundësive, jo i dëshirave. Mundësitë rriten me punë dhe vetëm me punë, jo me llafe, jo me portale, jo me kanale, me kanale ujitëse, por jo me kanale infektuese.
– Kryeministër, besoj se e dini tashmë që unë kam këtë vesin që nuk rri dot brenda temës dhe do doja mirëkuptimin tuaj të bëj një pyetje që nuk ka lidhje me bujqësinë, por që ka lidhje me një debat shumë të madh që ka ngjallur në opinionin publik publikimi i përgjimeve të Antimafias italiane, ku përmenden dhe emra të zyrtarëve shqiptarë. Në fakt, Zoti Kryeministër, është përgjimi i tretë që e lidh Partinë Socialiste në këto 4 vite, nga 2017 deri në momentin që flasim. E kuptoj që në këto raste ju deklaroni që duhet të flasë drejtësia, pastaj të flisni ju, por besoj se një komenti juaji do ishte me vlerë për gjithë tymnajën që është ngritur në opinionin publik. A keni një koment, Zoti Rama, për përfshirjen e emrave të zyrtarëve të Partisë Socialiste në këto përgjime? A është Shqipëria, Italia e viteve 60-të, paraardhësja e mafias, e krimit të organizuar, e pastrimit të parave dhe a janë socialistët miqtë e mafias së Ndragetës?
Kryeministri Edi Rama: Në fakt do të të zhgënjej sepse nuk do them për këtë duhet të flasë drejtësia, pasi në këtë rast ka folur qartësisht, duke dhënë konkluzion grupi hetimor italian dhe po ju lexoj konkluzionin, për t’ju thënë pse është turp i pashembullt për të gjithë ju që keni detyrën të informoni publikun, ndërkohë thjesht ushqeni tymnajën me llafe, muhabete, dëngla njerëzish, të cilët, sipas prokurorisë italiane, jo sipas meje, në konkluzion, në praktikë citoj prokurorinë italiane: “Pas më shumë se një viti udhëtimesh në Tiranë dhe bisedimesh me njëri-tjetrin për investime që do të bëhen në Shqipëri, ato dështuan totalisht dhe i vetmi investim i bërë është një dyqan i vogël për shitjen e rrobave të punës për të cilin ka pasur konflikte mes ortakëve. Në vitin 2018, investimi në Shqipëri, sipas bilanceve të publikuara në QKB, ka shitur mallra për 5 milionë lekë të reja dhe ka humbur në funt të atij viti rreth 400 mijë lekë të reja. Ndërsa në vitin 2019 siguroi 4 milionë lekë të ardhura dhe 1.8 milionë lekë humbje”.
Ky është citim nga konkluzionet e prokurorisë italiane dhe marrja e këtij llumi dhe servirja e këtij llumi si ushqim për shqiptarët netëve të gjata të mejhaneve televizive dhe ditëve të gjata kërkesës për klikime dhe për spektakël është turp. Është një turp që i mishëron më së miri ata, të cilët e ushqejnë këtë lloj qasjeje, që janë të njëjtët dhe që prirjen për t’ia bërë nënën këtij vendi e kanë prioritet, sa herë kur u jepet mundësia, edhe kur nuk ka asnjë mundësi në fakt, sepse kjo është një marrëzi e pashoqe me asgjë tjetër. Flasin ca italianë, përmendin njerëz, imagjinojnë investime, parafytyrojnë pushtimin e tokës së premtuar. Nuk ka asnjë fakt, nuk ka asnjë lidhje, nuk ka asnjë provë, nuk ka asgjë dhe këtu ngrihet një tym, mirë e the, një tymnajë që është e neveritshme dhe unë realisht nuk kam asgjë për të thënë për këtë, por, meqë më pyetët, e lexova konkluzionin e prokurorisë italiane, merrini të gjitha ato mijëra faqe, pijani lëngun dhe nxirrini prapë e villni nëpër ekrane e nëpër portale, për t’i bërë shqiptarët që t’ju vijë për të vjellë. Ky është dhe qëllimi në fakt, për fat të keq. Kjo për mua është një provë spektakolare e katandisë së opozitës dhe të mediave, nuk e imagjinoj dot në një vend normal, në një vend ku çdo njeri ka një mikrofon dhe ka një fytyrë në shërbim të publikut, të marrë kohë nga koha e njerëzve për t’ju hedhur në fytyrë këtë lloj gjelle kutërbuese, budallëku dhe poshtërsie. Unë kështu e shoh këtë punë.
Ndërkohë që çfarë pret të të them unë? Të them që as nuk e di se kush janë këta njerëz, as nuk kam takuar ndonjëherë njerëz të tillë? Është e kotë. Të të them që nuk funksionon kështu me mua, nuk funksionon kështu me ne, prapë është e kotë. Është një turp që ta mbajnë ata që e kanë dhe ju nuk keni pse bëheni pjesë e këtij turpi, sipas meje. Është një mënyrë më e ulët, sa nuk ka, për të kërkuar avantazhe të natyrave të ndryshme në mexhlis, që janë politike, që janë influence, që janë ku di unë se çfarë, duke ia bërë nënë këtij vendi faktikisht, përsëri, si gjithmonë në fakt, kur në vend se të bëhet informacion, bëhet disinformacion. Në vend se të bëhet debat mbi faktet, bëhet luftë se kush e shtrembëron më shumë të vërtetën. Nuk kam çfarë të të them.
-Pyetjen e parë e kam për ministren e Bujqësisë. A jeni në dijeni ju zonja ministre që Institucioni i Sigurisë Ushqimore që varet nga ju, fondet e parashikuara për bërjen e analizave për produktin e peshkut që eksportohet në Europë i ka shpenzuar për tendera të tjerë, duke rrezikuar eksportet shqiptare. Ka patur një letër që ju është drejtuar në fakt dhe çfarë masash janë marrë në këtë situatë, duke marrë parasysh faktin që në datë 31 mars duhet të ishte afati përfundimtar për dorëzimin vjetor të këtyre analizave të BE.
-Një Pyetje për kryeministrin, duke u ndalur tek çështja e përgjimeve të antimafias italiane, zoti kryeministër pa ju akuzuar dua t’ju bëj një pyetje, lidhur me faktin që fusha e ndërtimeve në Tiranë, në kryeqytet, është diskuar si një fushë që mund të përdoret për pastrimin e parave dhe çfarë i ka shtuar më shumë dyshimet është fakti që investimet janë bërë, por ndërkohë nuk janë marrë kredi nga bankat, pra nuk janë bërë nëpërmjet bankave. Këto përgjime a nuk i rrisin akoma më shumë këto dyshime, pra ku e keni ju garancinë që Ndrangheta nuk ka ndërhyrë në procesin e pastrimit të parave në Shqipëri dhe a mund të thoni ju me garanci që bashkia e Tiranës nuk kërkon një ryshfet prej 20 % për të dhënë leje ndërtimi?
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi: Natyrisht që ISUV është institucion varësie dhe ai ka përgjegjësinë e vet për të bërë të gjitha veprimet që e lidhin atë me aktivitetin e përditshëm. Ministria përdor instrumentet e vet për të kontrolluar një institucion varësie që është kontrolli i auditit dhe natyrisht do të kalojë në këtë audit. Unë nuk kam asnjë informacion që eksportet shqiptare janë të rrezikuara sepse siç jua thashë dhe në prezantim, ne kemi fatin e mirë për zhvillimin pozitiv që ka bërë ISUV-i, ka shtuar testet që duhet të bëjë, i ka certifikuar metodat dhe këtë e bën me BE, nuk e bën dot vetëm, Ndërkohë është pjesë e kërkesave që ne kemi në Aqui comunitare për kapitullin e sigurisë ushqimore. Ky është një lajm i mirë. Auditi ndodh, mos kini merak fare dhe eksportet në Republikën e Shqipërisë nuk rrezikohen. Ne eksportojmë vezë, eksportojmë peshk, eksportojmë djathë, eksportojmë mjaltë dhe këto i kemi të siguruara sepse i bëjmë ditë për ditë analizat që duhen, sa herë është plani i kontrollit të eksporteve që vjen i miratuar edhe nga kërkesat e BE.
Kryeministri Edi Rama: A mund të më shpjegoni ju se si ka mundësi që në këtë masë shumë të konsiderueshme eksportesh, Shqipëria nuk ka kilogramë të kthyer mbrapsht. Nuk ka një kilogram fruta, nuk ka një kilogram perime, nuk ka një kilogram peshk, nuk ka një kuti me vezë, nuk ka një kavanoz me mjaltë të kthyer mbrapsht nga BE.
Si shpjegohet që në BE filtrat e kontrollit të jenë më të dobët se kontrolli mediatik që ju i bëni produkteve shqiptare që e keni helmuar këtë milet me gjithfarë historish për helmet e për mikrobet dhe për krimbat që hanë produktet shqiptare. Ndërkohë që, nuk më rezulton, ose shkoni, gjejeni dhe ekspozojeni që të ketë ndonjë fermë në Shqipëri që ka një parcelë ku prodhon domate për ti çuar në Danimarkë dhe ku ka një parcelë tjetër ku krimbat rriten bashkë me domatet që t’i hamë ne. Këto janë skandale logjike dhe ajo që është për të ardhur shumë keq është që si shpjegohet, nuk u bë njëherë një skandal logjik për ta nxjerrë Shqipërinë mirë. D.m.th. për ta nxjerrë më mirë se sa është, por gjithmonë për ta nxjerrë më keq se sa është. Çfarë është kjo mungesë e frikshme patriotizmi në mënyrën se si nxirren faktet. Patjetër është patriotike të nxjerrësh në pah çdo fakt që përbën problem. Patjetër që është patriotike të nxjerrësh në pah çdo të keqe të bazuar në fakte, por është jo patriotike të shpikësh, të sajosh, të fabrikosh dhe të interpretosh në mënyrën më të shtrembër, faktet.
E kam këtë në tërësi.
Përsa i përket tjetrës, konkluzioni i prokurorisë italiane, jo i imi, por i prokurorisë italiane që ka bërë hetimin mbi këto përgjime që ju i keni marrë dhe i hidhni në publik çdo ditë duke i shitur si kapje në flagrancë të lidhjeve mes mafies dhe autoriteteve në Tiranë. “Autoritetet italiane shkuan në konkluzione në praktikë pas më shumë se një viti udhëtimesh në Tiranë dhe bisedimesh me njëri- tjetrin , – s’ka asnjë bisedë mes tyre dhe personave që ata përflasin gjithë ditën dhe gjithë natën për investime që do të bëhen në Shqipëri. Ato dështuan totalisht dhe i vetmi investim i bërë është një dyqan i vogël për shitjen e rrobave të punës për të cilin prapë ka patur konflikte mes ortakëve”. Janë konkluzione të prokurorisë italiane këto.
Në vitin 2018 investimi i Ndrangheta-s në Shqipëri “Gallo Albania”, sipas bilanceve të bëra në QKB ka shitur mallra për 5 milionë lekë të reja dhe humbi në fund të atij viti rreth 400 mijë lekë të reja, ndërsa në vitin 2019, siguroi 4 milionë lekë të ardhura dhe 1,8 milionë lekë humbje. Ky është konkluzioni. Ku i shikoni këtu ju pallatet, grattacielo-t e gjithfarë të tjerash marrëzira prej mitomanësh delirantë që e kanë menduar Shqipërinë , siç e keni përshkruar ju për hir të së vërtetës. Siç e përshkruan opozita “vendin e mafies”, “vendin e drogës”, vendin ku o burra të nisemi se bëhet pastrim parash dhe ku e di unë se çfarë. Ku i keni këto? Ja këto janë konkluzionet që i kanë bërë ata. Është e paprecedentë që Ambasadori i Republikës Italiane të detyrohet të shprehet. E dini pse është shprehur? Se janë të skandalizuar nga fakti që një hetim që rezulton nga prokuroria italiane që nuk ka lidhje fare me ndonjë kanal lidhesh e pastrimesh në Shqipëri, të kthehet në një “causa comune” nëpër media, nëpër kanale dhe ta bëjë Shqipërinë copë, në shqip, nga duart e shqiptarëve.
Si e përfytyroni ju, që në qoftë se do të kishte diçka këtu, do të kishte mbetur pa dalë atje, apo do të kishte mbetur pa ardhur këtu në çfarëdolloj forme?! U bë kjo histori një histori e tmerrshme raportesh komplet mëkatare me të vërtetën. Merr letra nga dosje përgjimesh në Itali dhe hidhi këtu dhe bëj këto çorap dynjanë me llafe. Kush ja bën këtë vendit të vet? Se nuk ka rëndësi fare kjo që në një mënyrë ose në një tjetër lidhet me “x” apo me “y”.
Nuk ka fare rëndësi, personalisht jam mësuar me baltë dhe e kam të qartë që për sa kohë do të jem në këtë detyrë me baltën do të përballem. Se e ka thënë Faik Beu këtë kur unë nuk kisha lindur akoma, ju jo e jo, që nëse ka një gjë që nuk ta falin këtë vend është suksesi. Por kush ja bën vendit të vet këtë?
A ka pastrim parash? Ku nuk ka? Dini ndonjë vend ku nuk ka? Të gjitha vendet luftojnë me paratë e pista. Të gjitha vendet kanë institucione kundër pastrimit të parave. Në Shqipëri rregullat e vendosura janë jashtëzakonisht të shtrënguara, në raport me shumë vende të tjera. Në Shqipëri, – dhe ky është një problem që unë e kam dhe e diskutoj vazhdimisht me institucionet përkatëse – blen një shtëpi një emigrant apo çon 15 mijë euro në shtëpi dhe i bllokohen paratë me muaj për t’u verifikuar se ku i gjeti, gjë që ka krijuar probleme për emigrantët për të çuar para në Shqipëri. Nga i nxirrni ju këto konkluzione që ndërtohet pa banka, etj,? Bëni një hetim dhe do të jetë shumë i mirëseardhur hetimi sepse do të na ndihmojë dhe ne, por ndërkohë po ju them që Drejtoria e parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Struktura kundër pastrimit të parave në Shqipëri shkon dhe verifikon klientët që blejnë shtëpi dhe janë verifikime ekstreme me të cilat unë që më shikoni këtu nuk jam dakord në parim. Por ky është ligji, kjo është rruga që kemi zgjedhur dhe ok. As nuk i ndërhyj dhe as nuk i ndryshoj këto rregulla. Cdo klient që blen apartament në Shqipëri, qoftë shqiptar Shqipërie, apo emigrant apo shqiptar Kosove, apo shqiptar Maqedonie apo i huaj kalon në filtrin e verifikimit të pastrimit të parave. Dhe të gjitha kompanitë e ndërtimit janë të detyruara të japin shpjegime dhe kanë vazhdimisht ankesa për këtë punë, pasi kjo “tremb” klientelën. A ka? Patjetër! As nuk e përjashtoj fare, por Ku? Si? Sa? kjo është sfida e institucioneve dhe lufta e institucioneve, të cilën ju ftoj t’i bashkoheni me investigime. Merrni shembull nga Stop-i, merrni shembull nga Fiks-i, ju që e luftoni mafien dhe nuk e kam me ju këtu, por ata që e luftojnë mafien shtrirë nëpër kolltukë si “derrat e kënaqun” të Migjenit që mbajnë shqiptarët me orë, natë për natë me dokrra dhe bëjnë ekspertët e luftës kundër krimit dhe kundër korrupsionit dhe nuk ka më të korruptuar dhe më të inkriminuar se të gjithë ne së bashku, po e po, pa diskutim, se as ju dhe as unë nuk hymë në këtë kategori, por edhe më keq se të gjithë ata që i përkasin botës së krimit. Çfarë është kjo histori? Shtrirë nëpër kolltukë, merr ca llafe rrugësh atje dhe ngri e ul njerëz. Si mund të funksionojë kështu marrëdhënia me të vërteten, marrëdhënia me publikun? Prokuroria italiane ka nxjerrë konkluzione. Nuk jeni të kënaqur me konkluzionet? Investigoni, por investigim unë i them asaj që bën Stop- i, që nuk merret me mafien globale, se kush merret me mafien globale dhe bën sikur kap këto majat e luftës me mafien në fakt i shërben mafies, natyrisht pa dashje, por me vetëdije e përdor mafien, e përdor krimin, përdor kriminelët për luftë politike apo për përfitime të natyrave të ndryshme, duke përdorur influencën mediatike. Kjo është shumë e thjeshtë. Kjo nuk ka nevojë për shkencë. Një sanitare në nivelin më të ulët të administratës e morën dhe e gozhduan me prova dhe sot është në burg. Ai është shërbim ndaj vendit. Ai është shërbim në luftën kundër korrupsionit. Ai është shërbim në nxjerrjen në pah të dobësive të çfarëdolloj natyre brenda institucioneve të shtetit. Pse çfarë kujtoni se këtu ne jemi në barrikada të ndryshme? Jo ne jemi në një barrikadë. Unë jam shumë i keqardhur kur shoh viktimat e këtyre abuzimeve, siç ishte rasti i asaj vajzës që u kthye në viktimë të sanitares, por jam shumë i lumtur kur shoh që falë kontributit të një medie, të një institucioni mediatik gozhdohet një pleh dhe largohet nga trupi i shtetit një çiban.
Çfarë pyetje kjo? A jeni ju të sigurtë që nuk paguhet 20 %? Si mund të ndërtohet kështu biseda? Është njësoj si t’ju pyes unë ju tani a jeni ju e sigurtë që lojtarët e fatit nuk bëjnë linjën editoriale të gazetës suaj. Pyetja ime ka dhe një lloj sensi me thënë të drejtën.
Urdhëro, investigoni, provoni dhe unë do të jem i pari që do t’ju falënderoj dhe do t’u vlerësoj maksimalisht dhe do t’u jem mirënjohës sepse kjo është ndihma më e madhe që mund të më jepet mua në këtë punë, që mund t’u jepet njerëzve dhe mund të influencojë në përmirësimin e punës së shtetit, të institucioneve, në rritjen e vetëdijes dhe kështu me radhë.
Si mund të bëhet biseda, mblidhemi këta njerëz të gjithë këtu tani dhe flasim për ca llumra që flasin italisht me njëri-tjetrin dhe që nuk rezulton të kenë asnjë impakt në vendin tonë, dhe të kenë asnjë investim në vendin tonë dhe tregojnë me gisht PS.
PS i merrni të keqen ju të gjithë, që të jemi të qartë.
– Përshëndetje zoti Kryeministër. Unë kam një pyetje për vaksinën. Duke qenë se dozat e para të siguruara të vaksinës Pfizer po shkojnë drejt fundit, të paktën ministrja e Shëndetësisë ka deklaruar dje se janë rreth 500 doza që i janë injektuar mjekëve dhe infermierëve të spitaleve COVID. Nga ana tjetër, Pfizer përballet dhe me problematikën e prodhimit dhe të shpërndarjes. Astra Zeneca gjithashtu me problematikën e shpërndarjes dhe prodhimit. Dje, përfaqësuesi i BE për politikën e jashtme i ka kërkuar vendeve të Bashkimit Europian që nga dozat që kanë siguruar, tua shpërndajnë vendeve të cilat nuk e kanë ende këtë dozë. Në cilën fazë është Shqipëria tani? A do mundet të sigurohen dozat e tjera në kohë për të vazhduar procesin e vaksinimin edhe për ata që e kanë marrë tashmë dozën e parë.
Kryeministri Edi Rama: Për ata që e kanë marrë dozën e parë patjetër që vaksinat janë aty, për këtë arsye është bërë dhe kalkulimi që të mos ketë asnjë që të humbi procesin për shkak të mungesës së vaksinës Pfizer ka një problem të madh aktualisht me të gjitha vendet. Besoj që e keni ndjekur që Italia ka kërcënuar me proces gjyqësor për shkak se janë bllokuar, jo vetëm Italisë, po shumë vendeve i janë bllokuar ato dozat e premtuara sipas skedulit pese Pfizeri ka lajmëruar një stop për zgjerimin e bazës prodhuese dhe faktikisht ne jemi në kontakt jo një herë por nuk e ekzagjeroj shtatë herë në ditë për të bërë të mundur që ata të respektojnë kontratën me ne e që të na sjellin partinë e parë të dozave por ndërkohë siç e kam thënë dhe më parë ne nuk jemi vetëm në dorë të Pfizer, jemi duke negociuar dhe jemi shumë përpara me negociata me Astra Zeneca, shpresoj që në ditët ën vijim të mund të jap ndonjë lajm të mirë lidhur me këtë por këtu asnjëherë nuk mund të thuash me saktësi kur ndodhin gjërat, ajo që mund të thuhet me plot gojën është që Shqipëria nuk është mbrapa askujt e shqiptarëve nuk do tu mungojë kujdesi për të dalë sa më parë nga kjo flamë dhe nga kjo fazë kaq e vështirë e luftës me COVID-in në raport me asnjë vend. Kështu që së shpejti shpresoj që mund të japim lajme të mira, për momentin jemi në komunikim të vazhdueshëm me Pfizer dhe shpresoj që edhe Pfizer të lëshojë një pjesë të paktën të dozave që ka premtuar si parti e parë dhe unë besoj që në 10 ditë apo dy javët e ardhshme do kemi stabilitet, do kemi qartësi e do kemi më shumë se sa dini e sa dimë akoma sot, vaksina e kam fjalën.
– Përshëndetje! Prej disa javësh Shqipëria është nën pushtetin e përmbytjeve për shkak të reshjeve intensive të shiut. Doja të dini nëse keni një bilanc paraprak të sipërfaqeve të tokës bujqësore që janë nën ujë dhe ndonjë bilanc paraprak edhe të dëmeve për kulturat bujqësore dhe a do të ketë kompensim për to?
Kryeministri Edi Rama: Kemi bërë bilancin për fazën më kritike, tani jemi në një fazë më pak kritike, sigurisht që po e ndjekim me shumë vëmendje por është krejtësisht në nivele po themi të arsyeshme duke pasur parasysh intensitetin e madh të reshjeve dhe problemi kryesor janë rrëshqitjet e dheut pas shumë ditësh rreshje në disa akse me të cilat po punojmë ditë e natë. Ndërsa për sa i përket përmbytjeve të tokave, ato janë minimale për momentin, gjithmonë kuptohet në raport me çfarë kemi parë në të shkuarën apo në raport me vetë intensitetin e reshjeve për shkak se është punuar shumë për këtë ditë me hapjen e kanaleve kulluese megjithatë jemi në ndjekje të përditshme të situatës dhe në fund të kësaj faze shpresojmë që të fundit reshjesh do bëjmë dhe bilancin publik po themi se bilancin e kemi.
– Kam një pyetje për zonjën ministre sa i përket aplikimit për naftë pa taksa nga fermerët. Si po ecën procesi? Sa kanë aplikuar deri më tani e nëse do të ketë akoma më shumë probleme me përmbytjet a do të ketë një zgjatim të afatit që është 25 shkurt për tu dhënë mundësi të gjithëve që të aplikojnë? Dhe pyetja e dytë lidhur me një vendim që është firmosur nga ju zonja ministre që ka të bëjë me ndalimin e importit të shpendëve nga disa vende, bëhet fjalë për Gjermaninë, Hungarinë, Ukrainën dhe shumë vende të tjera. Nëse mund të na shpjegoni cila është arsyeja konkrete? Faleminderit!
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi: Aplikimet po vazhdojnë normalisht dhe ne kemi fatin e madh që të bashkëpunojmë disa ente që varen nga Ministria e Bujqësisë për të ndihmuar fermerin. E para, dhe e dyta, gjithë fushata sensibilizuese që ka bërë Ministria e Bujqësisë ka shtuar shumë gjithë ndërgjegjësimin e fermerëve për të shkuar drjet aplikimit. Deri mbrëmë në orën 17.00 kanë qenë 3200 aplikime dhe ndërkohë aplikim është i thjeshtë sepse bëhet në atë që quhet front office dhe në back office ne përpunojmë informacionin. Ne mendojmë që me këto llogaritje që kemi bërë, data 26shkurt mund të jetë e pranueshme për të kompletuar të gjithë sasinë e informacionit që duhet, nisur nga numri i fermerëve që kanë NIPT megjithatë duke konsideruar hap pas hapi dhe situatën e reshjeve, dhe mundësinë për të lëvizur ngandonjëherë dhe vështirësinë që kanë për të gjetur ndonjë dokumentacion që kanë që mund ti vijë nga anëtarë të familjes, ky do jetë një afat që do diskutohet në ministri për të marrë një vendim kur të vijë momenti. Tani kemi parasysh gjithë faktorët objektiv që influencojnë në këtë afat. Nga ana tjetër në ministri punohet dhe për të zgjidhur më shumë proceset e përputhshmërisë së dokumenteve, kështu që ky është një proces që shkon paralel.
Lidhur me urdhrat që janë nxjerrë për disa situata që kemi në eksport dhe në import, ato janë urdhra që vijnë në fakt si rezultat i bashkëpunimit që ka vendi me Bashkimin Europian dhe konkluzioni i disa analizave që dalin pasi shikohen të gjitha parametrat dhe dua ta theksoj dhe një herë, asnjë hap në këtë fushë nuk bëhet pa qenë në komunikim të vazhdueshëm me agjencitë përkatëse të BE. Nuk merr në asnjë moment Shqipëria vendime e vetme. Çdo vendim konsultohet, analizohet dhe pastaj veprohet, pasi është bërë analiza e produktit e cila verifikohet edhe në vendet e BE.
– Përshëndetje! zoti Kryeministër, ju thoni se nuk kemi pse i besojmë përgjimeve të publikuara, duhet të besojmë raportin që ju cituat. Atëherë, kam një pyetje, pse duhet t’i besojmë Taulant Ballës kur thotë që të përgjuarit janë në Presidencë? Pyetja e parë. Dhe do doja të dija gjithashtu, mediat greke thonë që ju nuk keni patur asnjë rol për dialogun Greqi – Turqi dhe se diçka e tillë është vendosur para vizitës suaj në Ankara? A ka ndonjë të vërtetë në këto pohime zoti kryeministër dhe sa i takon edhe vaksinës Pfizer, a ka në plan Shqipëria të ngrejë një padi për shkeljen e kontratës ashtu siç kanë marrë përsipër të bëjnë dhe disa vende të tjera të Bashkimit Europian? Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Së pari njëherë, të gabosh është njerëzore, të insistosh në gabim është djallëzore thonë latinët dhe më vjen shumë keq që më duhet të ta them ty në këtë rast por nuk ta them si person, por si kategori sepse është e hatashme se si nivelin e dëgjimit e keni kaq të ulët dhe nivelin e insistimit në gabim e keni kaq të lartë. Unë nuk citova ndonjë raport, unë citova ekzaktësisht të njëjtin burim. Prokurorinë italiane, që ka hetuar çështjen. Në ato 2000 faqe, llafe, ka edhe konkluzione në fund dhe konkluzionin po ta citoj prape për herë të tretë ty dhe përmes teje të gjithëve, sepse çuditërisht është shumë i shkurtër, është shumë i thjeshtë por ju këtë nuk e doni, e quani raport. Nuk është raport ky. Ky është burim i prokurorisë. Është i njëjti burim, ai që janë administruar gjithë ato përgjime me profesionalizëm dhe nuk i ka marrë për t’i nxjerrë rrugëve e për të hedhur baltë e aq më pak pastaj për të hedhur baltë ndaj vendit tënd, jo ndaj meje ,as ndaj qeverisë, ndaj vendit tënd, duke ju treguar atyre që të ndjekin që ky është vendi ku jetoni ju dhe faktikisht, një gënjeshtër nga fillimi deri në fund. “Në praktikë, – thotë prokuroria italiane, – pas më shumë se 1 viti udhëtime në Tiranë dhe bisedime me njëri-tjetrin, pra me njëri-tjetrin ata për investime që do të bëhen në Shqipëri, dështuan totalisht dhe i vetmi investim i bërë është një dyqan i vogël për shitjen e rrobave të punës për të cilin prapë ka pasur konflikte mes ortakëve. Në vitin 2018, investimi i Ndragheta në Shqipëri, Gallo Albania sipas bilanceve të publikuara në QKB, ka shitur mallra për 5 milionë lekë të reja dhe ka humbur në fund 400 mijë lekë të reja ndërsa në vitin 2019 ka siguruar 4 milionë lekë të ardhura dhe ka 1.8 milionë lekë humbje. Tani ku hyn këtu gjithë kjo gjullurdi e gjithë kjo katandi e ku hy unë me ty këtu që jemi mbledhur të flasim me shqiptarë për çështje të shqiptarëve? Ku hyjnë këto këtu? që të mos them çfarë përgjegjësie mban ti se unë me dikë tjetër flasim për ty në telefon? Çfarë përgjegjësie mban ti? Kur ish kryetar i bashkisë së Tiranës, njëri që kishte bërë një fotografi me mua në dalje të ish kinema Dajtit mbas një takimi partie, me atë fotografi shkonte dhe kërkonte nga pronarët e tokës që ti jepnin firmën se ishte djali i tezes që unë nuk e pata kurrë. Një mashtrues. E çfarë lidhje ka kjo? Si mund ta ulni nivelin tuaj?
– Zoti Kryeministër, pse duhet të besojmë zotin Balla kur vetë ka deklaruar se personat e përfshirë…
Kryeministri Edi Rama: Mos më ndërhy fare. Nuk po bëj debat me ty. Unë po të jap përgjigjen e ti do ta dëgjosh deri në fund përgjigjen e pastaj nëse përgjigja ime nuk e shteron edhe këtë që shtove, mund të bësh prapë pyetje, por nuk mund të bëjmë debat bashkë se nuk jemi për debat këtu. Formatin që ftohet Kryeministri nëpër emisione dhe bëhet debat ku ata që janë aty për ta pyetur flasin më shumë e bëjnë sikur po luftojnë për tu votuar ditën e dielë kur kanë kryeministrin përballë, lërjani atyre që e bëjnë natën këtë punë, ne jemi ditën këtu dhe për fat të mirë këtu rregullat janë shumë të qarta.
Për sa i përket pse duhet të besoni Taulant Ballën, pyesni Taulant Ballën. Nuk e di farë për çfarë ka folur dhe çfarë ka parasysh se nuk jam fare i interesuar për këtë gjullurdi por meqë më erdhët këtu e po më pyesni për këto unë detyrohem t’ju jap përgjigje.
Ju e dini shumë mirë se sa i gatshëm jam unë ta mbroj Iliri Metën aty ku nuk mbrohet sot por faktikisht nëse Ilir Meta përmendet aty, me emër dhe me mbiemër, nëse këshilltari i tij që njihet dhe si tregtar lajmesh të rreme i provuar nga gjykata italiane jo unë, se unë e njoh por nga gjykata italiane, si tregtar lajmesh të rreme, në Itali, për ti bërë nënën vendit këtu është aty, unë kam të njëjtin qëndrim edhe për ata. E po pastaj? Ata mund të kenë njohje direkt me ata njerëz, po pastaj? Përderisa prokuroria italiane ka dhënë këtë konkluzion dhe thotë qartësisht ajo që ju lexova 3 herë, ku hyn këtu spekulimi që ky dhe ai? Sigurisht që nga ky hetim rezulton që një deputet i cili është lidhja e tyre, atje ka marrë goditje për shkak të një hetimi, ai deputet dihet botërisht që është mik i Lulzim Bashës dhe mik i Partisë Demokratike dhe lidhjet e këtyre njerëzve, janë lidhje me të djathtën. Po pastaj? Çfarë duhet të them unë? Duhet të them që Lulzim Basha priste këtë deputetin që e çonin mafiozët dhe i jepte fjalën që do të ndihmonte mafiozët? Nuk e them dot kurrë sepse e dua Shqipërinë më shumë se ju dhe e dua më shumë se ju sepse kam shumë më tepër kujdes edhe kur flas për kundërshtarët e mi, që çfarë i takon Cezarit të shkojë tek Cezari por çfarë i takon zotit të jetë e zotit dhe zoti është Shqipëria. Është ky vend që një nga arsyet pse shumëkush do të iki, është se është i pajetueshëm në këtë zallamahi, në këtë poshtërsi, në këtë maskaradë balte, shpifjesh, akuzash, kundërakuzash dhe poshtërsish. Kjo është pak por është e sigurtë. Nuk ia bën njeri vendit të vetë këtë që i bëjnë Shqipërisë ata që kanë një mikrofon përpara që për ti nxjerrë sytë njëri tjetrit janë gati ta shkelin Shqipërinë me këmbë orë e çast duke i përhapur kudo një nam të pamerituar. Ia thashë koleges tënde. a ka pastrim parash në Shqipëri? Patjetër, nuk diskutohet fare. Kush thotë të kundërtën ia fut kot por ku nuk ka? a ka në Shqipëri probleme? Të gjitha ato që janë të këqija që luftohen në çdo vend? Po patjetër ka. E para, ku nuk ka? Dhe e dyta, si luftohen? Sa luftohen? Sa më shumë duhet të luftohen? Ky është debati. Mos more mos, mos se e bëtë Shqipërinë kazanin tuaj që rrotulloni përditë dokrra. Pse duhet ti besojmë ne? Po shko pyete. Unë të them ja ujku, ti më tregon gjurmët. Ky është burimi mbi të cilin ju keni ditë që keni torolisur këtë milet. Për çfarë? Për qëllime politike dhe për lidhjet me politikën. Si mund të bëhet politikë dhe si mund të luftohet politikisht duke i bërë vendit nënën? Si? Çfarë fitohet këtu? kush fiton këtu? çfarë e do atë fitore që bëre 5 vet amë shumë të neveritur dhe të dëshpëruar që të thonë ik se nuk bëhet ky vend? Ku kanë kohë njerëzit të hyjnë nëpër detaje? Ju jeni ata që keni gjithë ditën e perëndisë që të hyni nëpër detaje. Si mund ta furnizoni këtë milet me këto dokrra? Me këto pisllëqe? Pa thënë një të vërtetë shumë të thjeshtë, jepe lajmin po, kanë dalë këto përgjime. Jepini të gjitha por në fund thoni, por prokuroria italiane thotë se këta mafiozë të mëdhenj në Shqipëri si përfundim çfarë kanë bërë? Kanë hapur një dyqan të vogël për shitjen e rrobave të punës. Turp!
– Zoti Kryeministër, ju fajësoni mediat sikur po e bëjnë Shqipërinë pis por ndërkohë që e keqja Shqipëria ndër vite i ka ardhur nga politikanë të cilët kanë dhënë tendera, kanë marrë vendime dhe ju i kërkuat ndihëm mediave që të bëjnë hetime, të bëjnë investigime? A nuk duhet t’ia kërkoni këtë SPAK-ut që të kryej hetime nëse ka indicie nga kjo dosje e hetuar nga antimafia italiane dhe e publikuar dhe nga mediat në Shqipëri? Madje sot ka patur dhe një padi në SPAK për kryebashkikaun e Tiranës nga ana e Thurjes.
Kryeministri Edi Rama: Moj zonjë, shqip kupton ti apo duhet të flas në ndonjë gjuhë tjetër se nuk po të kuptoj. E para e punës njëherë, unë nuk fajësoj mediat, sepse gjatë shtjellimit tim përkundrazi, e vlerësova shumë një nga institucionet e medias që është emisioni Stop, siç është edhe Fiksi. I vlerësova shumë. E para e punës. E dyta e punës, çfarë më kërkon prap mua kur unë po të lexoj 3 herë konkluzionin e prokurorisë italiane që është marrë me këtë punë, me këtë çështje. Nuk e keni marrë vesh akoma që kur këto përgjime vijnë deri tek ju, çështja është ezauruar nga prokuroria përkatëse. Akoma nuk e keni kuptuar këtë? nuk vijnë këto, nuk dalin këto përgjime se i gjetët ju. Këto përgjime janë pjesë e dosjes që shkon në gjykatë, gjithmonë edhe ka në fund një konkluzion ose shkon një pjesë në gjykatë, ka hetime në vazhdim. Këtu e thonë copë, kanë hapur një dyqan rrobash dhe edhe nga ai dyqan rrobash kanë dalë me humbje e kanë ikur. Nuk kanë investuar në Shqipëri, çfarë më kërkon ti mua tani që të kërkoj unë të investigohet këtu? çfarë duhet të investigohet këtu e ndërkohë pse jam unë që duhet të kërkoj këtë gjë. Institucionet duhet të bëjnë detyrën e vetë, SPAK-u e di detyrën e vetë nuk varet nga unë e nuk varet nga kërkesat e mia SPAK-u shyqyr zotit. Bën punën, nëse ka diçka për të hetuar ta hetojë. Ku ta gjesh që ta hetojë SPAK-u që të dalë edhe nga SPAKU çfarë ka për të dalë por këtu është prokuroria italiane që e thotë. Unë habitem me ju.
Dhe tjetra, atë të politikanëve ta mbani për vete. Se siç nuk janë mediat të gjithë njësoj, siç nuk jeni të gjithë ju të gjithë njësoj, nuk janë dhe politikanët të gjithë njësoj. Dhe patjetër që politikanët që kanë funksione publike kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme por po kaq përgjegjësi të jashtëzakonshme keni dhe ju që duke krijuar një mjedis ku në 10 gjëra 9 janë gënjeshtra dhe një është e vërtetë, nuk është se kontribuoni në fakt ashtu siç duhet për të nxjerrë në pah të vërtetat e përmes të vërtetave të ndihmoni në këtë luftë. Kështu që çfarë kërkon këtu në këtë rast? Se është hata e madhe kjo. Çfarë kërkon? Për çfarë pyet? Bëni detyrën tuaj e në këtë rast e keni përpara, pse duhet ta di unë këtë e mos ta dini ju? Pse duhet ta merrni vesh nga unë kur vini këtu që këtë konkluzion e ka nxjerrë prokuroria italiane. Paska shkuar në SPAK një padi për Erjon Veliajn. Të shkojnë 1000 padi për të gjithë, kjo nuk do të thotë asgjë. Paditë tek SPAK-u janë bërë pjesë e kësaj propagande, janë bërë pjesë e kësaj poshtërsie nga ata që e ushqejnë këtë kanal plot me llum sepse nuk kanë asnjë mundësi tjetër, nuk kanë asnjë shpresë tjetër, nuk kanë asnjë ide tjetër se si mund të fitojnë zgjedhjet dhe përshkallëzojnë vetëm prurjet e lumit. Ndërkohë, pikërisht sepse nuk jeni të gjithë njësoj, unë po mbaj të njëjtin qëndrim për të gjithë ata nuk po them që mos shikoni ju se përmendet ky, se në fakt këtu është Ilir Meta, këtu është Ilir Kulla, këtu është Lulzim Basha. Pse mo, të flasin dy italianë atje dhe ne mbajmë përgjegjësi këtu? po jeni në terezi nga trutë e kokës? Po si mund ti bëhet vendit kjo? Nuk e kam fare për vete se për vete e di shumë mirë se çfarë jam, kush jam dhe sa pyes për këdo qoftë. Fare nuk pyes për asnjeri përballë detyrës time dhe përballë raportit që kam me veten por e kam për faktin që ky popull, ky milet ka disa ditë që po dëgjon këtë histori të ulët, të shpifur, të neveritshme të cilën e rrotulloni ju, vazhdimisht. Dhe kjo është neveri! Jo lajmi që dolën, bukuri, jepeni lajmin, thuhet kështu, thuhet ashtu. Po konkluzioni pse nuk del? Pse bëhen këto klube nga mëngjesi deri në darkë mbushur me njerëz, se politikanë, se këto, se ato, se PPP, se ndërtimet, se kullat, pse? Për çfarë arsye? E kjo është pyetja e kësaj pyetjeje duhet ti përgjigjeni ju, jo unë.
– Kam një pyetje drejtuar zonjës ministre, mbi skemën e përfitimit të naftës falas nga fermerët. Nëse ka fermerë të cilët mund të kenë tokat e tyre të ndara në parcela në madhësi të ndryshme por që në tërësi mund të bëhen 0.4 hektar që është njësia që është vendosur si kriter nga Ministria e Bujqësisë për të përfituar naftën. A përfshihen këta fermerë që mund të jenë të këtij rasti? Nëse këta fermerë ekzistojnë në dijeninë tuaj dhe nuk përfshihen, pse nuk përfshihen? Dhe nëse këta fermerë nuk ekzistojnë në dijeninë tuaj, si e dini ju këtë informacion që nuk ekzistojnë?
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi: Faleminderit për pyetjen. Atëherë, siç e shpjeguam, minimalja për të qenë përfitues apo sipërfaqja minimale për të qenë përfitues i skemës duhet të jetë 0.4 hektar. Natyrisht që në ndarjen e tokës në Shqipëri, kjo sipërfaqe e tokës së fermës së vogël ka qenë e parcelizuar dhe parcelizimi shkonte dhe në sipërfaqe më të vogla se kaq, pra 0.1 hektar kështu që ato mund të aplikojnë dhe kur kanë sipërfaqe më të vogla se 0.1 hektar dhe pse është vendosur ky nivel aplikimi? Nuk u vendos në mënyrë kuturu por u bë një studim paraprak fizibiliteti për të parë gjithë karakteristikat e fermës shqiptare në këto vite e mënyrën si është ndarë toka në atë vit që u nda dhe mënyra se si ata e aplikojnë në skemë, njeh certifikatën e pronësisë së regjistruar në kadastër, njeh AMTP, njeh një kontratë qeraje dhe njeh dhe bashkëpunimin që mund të kenë si shoqëri kolektive. Në momentin që ato e publikojnë, padyshim që në këtë moment hyn në lojë dhe sistemi i e-shërbimeve që ne kemi ngritur. Një nga këto e-shërbime që kemi ngritur është dhe kadastra dhe kadastra menjëherë proceson informacionin duke u nisur nga numri individual, duke u nisur dhe nga NIPT-i për madhësinë e tokës që ai ka në dispozicion dhe numrin e ngastrave dhe natyrisht që këtu ne kemi një informacion në dorë por ky informacion është një informacion i përgjithshëm i cili del për të gjithë ata që kanë NIPT-e që unë dua të bëj me dije që në momentin kur filloi skema ishin 47 000 dhe në momentin që filloi skema për 1 javë u bënë 49 000 pra fermerët shqiptarë kanë interes për të qenë pjesë e kësaj skeme. Ka raste kur këto algoritme që janë ndërtuar mund të tregojnë dhe shkaqe të tjera që janë tendenca ekstreme, domethënë që kanë sipërfaqe më të vogël. Në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka një grup ekspertësh që merr dhe studion një nga një rastet që mudn të jenë pak, janë shumë pak sepse tendenca e përgjithshme është bërë mbi bazën e studimit të fizibilitetit dhe programimi është bërë mbi bazën e këtij studimi. Asnjë fermer që ka aplikuar e që nuk arrin tek rasti nuk do jetë i pa trajtuar në kuptimin e përgjigjes dhe mundësisë që ai ka për të përfituar nga skema.
– Për pyetjen e Greqisë nuk më dhatë një përgjigje…
Kryeministri Edi Rama: të lutem mos ndërhy. Për pyetjen e Greqisë nuk kam asnjë koment, rendësi ka që ju të jeni të lumtur që sa herë dëgjoni keq për Shqipërinë dhe sa herë dëgjoni që asgjë e mirë nuk vjen nga puna e kryeministrit, t’ju plotësohet dëshira, kaq, nuk ka asnjë problem për mua.
– Faleminderit për mundësinë e pyetjes por deri në këtë moment janë ezauruar të gjitha pyetjet që kisha përgatitur, nga kolegët paraardhës.
Kryeministri Edi Rama: ja dikush që gabon por nuk insiston në gabim. Mjaftoi që të shohësh si gaboi Rovena dhe nuk insistove në gabimin e Rovenës.
– Zoti kryeministër, përshëndetje! Ditën e djeshme në Këshillin Kombëtar të Integrimit kryenegociatori Zef Mazi tha se pritet që konferenca e parë ndërqeveritare Shqipëri – BE për nisjen zyrtare të negociatave për anëtarësim tha se do synohet të zhvillohet në muajin qershor, pra pas zgjedhjeve. Një pyetje, sa përgjegjësi ndjeni ju si Kryeministër për këto shtyrje e pas shtyrje të konferencës së parë ndërqeveritare? Sigurisht edhe përveç asaj që keni theksuar shpeshherë, problemeve dhe dinamikave të rajoni?
Kryeministri Edi Rama: Përveç? Si përveç? Përveç është e gjitha. Zotëri, Zvicra me standardet që ka, nëse do të aplikonte për tu bërë anëtare e Bashkimit Europian sot, do duhet të priste. Kaq di të them unë. Zvicra, ,të tjerat pastaj merrini komentojini vetë.
– përshëndetej! Unë në fakt kam dy pyetje. Njëra lidhet me temën. Duke qenë se u bënë disa prezantime për ecurinë pozitive që ka patur bujqësia, kemi një fakt paradoksal që ka dalë nga INSTAT-i sepse ka rënë paga në sektorin e bujqësisë nga 36 mijë lekë në 33 mijë lekë. Pyetja konsiston në faktin që ky ka qenë një sektor që pavarësisht se ka patur ecuri pozitive, nuk ka patur mbështetje direkte, paga luftë apo lehtësira të tjera. Pyetja e parë. Pyetja e dytë lidhet me industrinë fason, ata kanë deklarua së fundmi se nëse nuk do kenë mbështetje tjetër nga qeveria rrezikojnë të mbyllen vendet e punës, qindra dhe mijëra vende pune. A parashikoni ju ndoshta një ndihmesë ndaj kësaj industrie të rëndësishme e cila është paralizuar ndoshta edhe për shkak të mos eksportimit apo të anulimit të porosive? Faleminderit!
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi: Për sa i takon pagave në sektorin e bujqësisë, duhet të ndajmë dy momente të rëndësishme. E para është paga që lidhet me fermën dhe e dyta paga në sektorin e agropërpunimit që mund të jetë i produkteve bimore apo i produkteve me origjinë shtazore është një element për tu studiuar dhe më tej sepse në një moment kur rritet eksporti mund të ketë nevojë dhe për pagesat në kohë që vijnë nga eksporti dhe nga këmbimet që kanë vendet ndërkohë është një situatë për tu ndjekur dhe për tu parë në vazhdimësi sepse mund të jetë dhe një ulje momental e pastaj mund të rimarrë më tej rritjen normale paga. INSTAT-i e ka botuar këtë gjë për tremujorin e tretë të vitit që kaluam, sepse tremujori i katër nuk është bërë akoma i vlefshëm dhe duet të shikojmë në fund të vitit. Është një luhatje tremestrale. Duhet të shikojmë pagën në fund të vitit që të japim një përgjigje definitive se si ka shkuar sektori, se mund të lidhet siç e thashë me pagesat. Ndërkohë sa i përket sektorit të bimëve të arave ku ka njerëz të punësuar, unë jam e sigurt që situata ka qenë më stabile dhe për një fakt tjetër. Ne dje patëm një mundësi të mirë të shikonim bashkë me Kryeministrin dhe e zonjën Krifca një nga kompanitë që prodhon fidanë e që ka marrë mbështetje nga AZHBR-ja dhe ishte një lajm i mirë në fakt kur e shikoje serën që kishte prodhuar fidanë që ishte pa fidanë, i kishte shitur të gjitha në harkun kohor të 2 javëve. Kjo tregon që situata atje është më stabël dhe po punon megjithatë kur bëjmë një analizë pagash duhet të bëjmë lidhjen që ka paga me sektorin e industrisë se bujqësia ka një gamë të gjerë sektorësh që mbulon por unë kam sigurinë që është vetëm një luhatje tremestrale.
Kryeministri Edi Rama: Tani të jemi realistë që kur flasim për pagat në bujqësi ka shumë informalitet mes pagës së deklaruar dhe pagës reale që është e kundërta e asaj që ndodh me fasonët ku paga reale nganjëherë për shkak abuzimesh apo me të tjerë është më e ulët se paga e deklaruara sepse bëjnë ato lojërat por mua nuk më shqetëson ky aspekt në sensin që trendi në bujqësi është shumë pozitiv dhe pagat reale janë patjetër në një trend të sigurt rritës pavarësisht ndonjë luhatje momentalë që mund të jetë në pagën e deklaruar, të jemi të qartë në këtë dhe këtë gjë e konstatojmë në të gjithë realitetin e prodhimit bujqësor ku problemi më i madh është mungesa e disponimit për të punuar, kur hapen vende dhe natyrisht kjo lidhet patjetër dhe me aspekte të tjera dhe me kërkesën për të pasur paga shumë më të larta. Kështu që besoj që në këtë aspekt gjërat janë në drejtimin e duhur por patjetër që duhet ende shumë durim sepse gjithmonë nuk duhet të harrojmë që janë mundësitë ato që e diktojnë edhe pastaj kapacitetin rritës për investime, për paga e kështu me radhë. Ne duhet të rrisim mundësitë dhe mundësitë rriten me punë e me durim, nuk rriten me llafe. Kjo është pak por e sigurt. Besoj që kjo ishte pyetja e fundit apo jo? Dakord!
Shumë faleminderit për komunikimin e sotëm, faleminderit dhe për mundësinë që të adresojmë edhe çështjen e famshme të Ndraghedas që ka ardhur e ka pushtuar të gjitha hapësirat mediatike shqiptare, me një dyqan të vogël rrobash siç thotë prokuroria italiane. Domethënë, ata vijnë e hapin një dyqan të vogël rrobash dhe pastaj juve shisni një javë lecka Shqipërie që e merrni dhe e shqyeni nga të katërt anët duke e ambalazhuar me përgjime mitomanësh dhe delirantësh italianë. Inshallah kjo të jetë e fundit edhe pse e di që nuk është e fundit. Mirupafshim!