“5 Maji”, lagjja e vjetër periferike e Tiranës është shndërruar në kantierin më të madh të kryeqytetit, me perspektivën për t’u kthyer në një qendër të re urbane për plot 11 mijë banorë. Në kompleksin e ri të apartamenteve cilësore nuk do të mungojë asgjë, përfshirë njësi shërbimesh tregtare, shkollë, kopësht, çerdhe, godina institucionesh, parqe, si edhe vendin ku do të çelë dyert shkolla e famshme franceze e inovacionit “Ecole42”
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot, punimet në kantier dhe u njoh me detaje të projektit që premton strehim në kushtet më optimale dhe bashkohore. “Patëm pak vonesa për shkak të shirave. Një pjesë është këtu, pjesa tjetër është në anë tjetër të kodrinës. Rruga do të kalojë mes pallateve e ndërkaq, kjo pjesë do të lidhet tek Bregu i Lumit, ku është aksi kryesor. Ky kuadrati do jetë i gjithi zonë rezidenciale. Deri në katër kate banesë do të ketë një kat shërbime,” – shprehet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa tregon projektin e ekspozuar në terren.
Kombinimi dhe afërsia e rezidencave me institucionet arsimore dhe zyrat e shërbimeve do të lehtësojë ndjeshëm përditshmërinë e qytetarëve. “Në këtë site kemi kombinuar rezidencat dhe ambientet arsimore. Për t’u përmendur është shkolla profesionale që do të ndërtohet me donacionin grek që ne e kaluam në qeveri dhe e firmosëm dje. Kemi shkollën IT, projektin francez, gjithashtu këtu do të kemi dhe qendrën e përbashkët të Tatim-Doganave që do të kthehet në një qendër administrative, gjithashtu. Ndërkohë që jemi 400 metra nga bulevardi kryesor”, – thotë Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj.
Ndërkohë është zgjidhur çështja e shpronësimit të banorëve, të cilëve ju është ofruar mundësia të zgjedhin midis pagesës cash ose një apartamenti në këtë kompleks. “Të gjithë janë vlerësuar me çmimin e tregut dhe kanë mundësi të zgjedhin ose pagesën cash, ose një apartament këtu që do të jetë prapë me indeksin e hipotekës, por që ka një vlerë në treg që çdo vit që kalon vetëm rritet, – shpjegon kryebashkiaku Veliaj. – Pjesa më e madhe kanë zgjedhur si opsion që në vend që të marrin pagesën cash, ta marrin në formë apartamentesh. Kështu që këtu do të jetë një kohezion, jo vetëm i banorëve të tërmetit, i banorëve aktualë dhe i të rinjve që do të vijnë. Ky është diversiteti i zonës. Kryesisht janë apartamente 2+1, janë familje të vogla të qytetit dhe ka më pak 3+1 dhe 1+1.”
Për familjet, të cilat nuk janë futur ende në shtëpitë e reja, ministri Ahmetaj bën të ditur se është miratuar vijimi i bonusit të qerave edhe për vitin 2021. “Është me vend të theksojmë që sot në parlament kaloi Akti Normativ për bonusin e qerave që do të thotë që për gjithë vitin 2021, ashtu si për 2020-ën, ne kemi afruar përmes buxhetit të shtetit bonus qeraje për familjet që nuk janë akoma në shtëpitë e tyre. Sot, vlen të përmendet që janë vetëm 860 familje në çadra, një numër që vjen duke u zvogëluar, ne krahasim me 11 mijë familje që kishte në janar të 2020.”
Ndërkaq, Kryeministri Rama kërkon përshpejtimin maksimal të ritmeve të punës. “Gjëja që unë e kam merak dhe e kemi diskutuar disa herë, – thekson Kryeministri- është që këtu dhe në të gjitha kantieret e rindërtimit, pastaj do të ketë kantiere që kanë të bëjnë me pallate, duhet punuar me tre turne. Duhet të jetë taksative, ditën dhe natën. Ajo që ne duhet të kemi shumë të qartë është që kemi në dorë ta përshpejtojmë kudo maksimalisht ritmin e punë në këto blloqe. Nuk ndryshon vetëm cilësia e jetës të atyre që do të marrin shtëpi këtu, sepse duket që puna është supercilësore, por ndryshon komplet gjithë vlera e pasurisë në të gjithë zonën. Edhe “Kombinati” dhe “5 Maji” bëhen dy pole të reja urbane, por jo thjesht në sensin që kanë më shumë banorë, por në sensin që kanë shumë më tepër atraksione dhe pasuria e këtyre njerëzve rritet vetvetiu. Rritet pasuria e atyre që humbën shtëpitë, rritet pasuria e atyre që janë me prona dhe me shtëpi që i kanë ndërtuar pa leje, por që sidoqfotë kanë bërë harxhime, rritet pasuria e atyre që do jenë në programin e çifteve të reja dhe të familjeve që do të trajtohen me programin e ri social për strehimin dhe rritet cilësia e jetesës komunitare në kryeqytet. Plus, ardhja këtu e institucioneve, të tjera, zyra dhe aktivitete biznesi që do të bëhen këtu, sjell transformimin e të gjithë kësaj zallamahie që ka qenë këtu.”