Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Investimet e shumta në infrastrukturë në Pogradec po e shndërrojnë çdo ditë qytetin turistik në një pol tërheqës për turistët vendas dhe të huaj. Sistemimi i nyjes ndarëse në hyrje të qytetit është një prej projekteve që plotëson zinxhirin e këtyre investimeve përgjatë vijës liqenore deri në qytet, ku së shpejti hapet edhe kantieri i madh i Lungogjolit, pas sigurimit të financimit e përfundimit të projektit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Pogradec, në pjesën ku po punohet intensivisht për veshjen dhe mbrojtjen e skarpateve,  ku ka patur rrëshqitje dheu të vazhdueshme, të cilat kanë shkaktuar probleme duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në këtë aks. “Kjo është pjesa e munguar e pazëllit për t’u bashkuar projekti i Unazës me projektin e vijës liqenore. Projekti fillon nga tuneli me qëllim mbrojtjen e skarpateve. Këtu ka qenë një rrëshqitje e madhe me rreziqe dhe praktikisht janë duke u bërë punimet për mbrojtjen e tyre. “ shpjegon drejtori i FSHZH Dritan Agolli,

Aktualisht, punimet janë përqendruar në stabilizimin e rrëshqitjes, ku ka përfunduar ndërtimi i pilotave dhe po vazhdohet me ndërtimin e murit betonarme përgjatë gjithë lartësisë së skarpatës dhe në një gjatësi prej 40m.

Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen Eduart Shalsi shprehet se pas “pas përfundimit të Lin – Progradecit, tuneli panoramik, u pastrua dhe pjesa e plazhit të Pogradecit, një prej plazheve më të njohura në Pogradec, që është pikërisht në krah të tunelit. Me vijimin e Unazës, me investimet në rrjetin energjitik, me rrugën fantastike të Pogradecit që lidhet me Tushemishtin, me gjithë këtë bllok investimesh, po afrohemi tashmë drejt edhe asaj që është ëndrra jonë dhe që mezi e presin në fakt, pas Lungomares së Vlorës, pogradecarët.”

Ministri Shalsi shton se investimet po kryhen paralelisht edhe në blloqet brenda qytetit, me infrastrukturë, ndriçim, gjelbërim, investime të njëjta si në Tiranë dhe në çdo qytet tjetër. “Pogradeci, – shprehet Shalsi,-  këto tre katër vite ka patur një fluks investimesh që e kanë bërë qytetin shumë tërheqës dhe sëbashku me Korçën po bëjnë një pol shumë tërheqës për turistët vendas dhe të huaj.”

Ndërsa Kryeministri Rama thekson se tërësinë e investime të realizuara, qyteti i Pogradecit po pëson transformimin e merituar prej vitesh. “Besoj që me fillimin e punës për Lungolagon të zonës së liqenit dhe të pjesë më panoramike të liqenit do të jetë një transformim që do të verë kapak gjithë këtij procesi që mund të kishte qenë më i shpejtë, nëse do të kishim patur më shpejt kryetarin e bashkisë që kemi sot besoj.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.