Akset e reja turistike kanë hapur një faqe të re në jetën e Pogradecit dhe kanë krijuar kushte të reja për të mbështetur rritjen e ekonomisë së turizmit në të katër stinët. E tillë është edhe aksi Pogradec-Drilon-Tushemish, 5.5 kilometra, i kthyer në një rrugë turistike me të gjithë elementët e saj urbanë, trotuare, korsi biçikletash, ndriçim, sëbashku me dy degëzimet që të çojnë drejt vijës liqenore. Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli shpjegon se projekti parasheh vazhdimin e rrugës deri tek pika e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut, për të shmangur kalimin e automjeteve dhe kthimin e rrugës përgjatë liqenit në pedonale. “Jemi duke punuar bashkë me Fondin Amerikan të Zhvillimit, që planifikon ndërhyrjen në zonën e Tushemishtit, për të parë mundësinë e një by-pass-i që të lidhet me doganën në mënyrë që e gjithë pjesa liqenore të kthehet në pedonale, në funksion të turizmit dhe jo të trafikut”.
Ky aks, thotë ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, i hap perspektivën edhe zhvillimit të të gjithë zonës Drilon – Tushemisht. “Projekti është në fazën finale dhe është fantastik, me elementë të jashtëzakonshëm brenda, por mbi të gjitha bën të mundur që të ndërhyjmë edhe në Lungolago”, – thotë Shalsi, i cili evidenton edhe ritmet e larta të zhvillimit të projektit vitin e fundit me administratën e re të Bashkisë Pogradec. “U arrit për 7 muaj, ndërkohë që prisnim vite të gjenim gjuhën me bashkinë e mëparshme. Tashmë projekte po ecin shumë shpejt”.
“Ishte fatkeqësi e madhe që të ngeli Pogradeci si zonë lufte e ftohtë. Deri në Librazhd kemi bërë gjithë ato investime, transformim. Pastaj në Korçë dihet sa është bërë ,kurse këtu ngeli sikur i kaloje në një zonë të luftës së ftohtë për shkak të pushtetit vendor që ishte komplet i pa angazhuar në bashkëpunim,” – nënvizon edhe Kryeministri Rama.
Ndërkohë është gati projekti i dy zonave historike, ku njësoj si në Korçë e në Vlorë, do të bëhet rehabilitimi i thellë i shtëpive të vjetra, përfshirë edhe shtëpitë e Lasgushit e të Mitrushit, të cilat janë destinacione të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve.
“Intensiteti i madh i kërkesës për Korçën, – shprehet Kryeministri Rama – ka bërë që ndërkohë të kemi një rritje të vazhdueshme të numrit të shtretërve, por që nuk arin dot akoma të përballojë të gjithë kërkesën dhe prej kohësh ka filluar tendenca për ta kërkuar në Pogradec atë pjesën qetësuese. Tani, me ndryshimet dhe integrimin e Pogradecit në këtë pol do rritet numri i shtretërve në Pogradec si në Korçë dhe do ketë shumë më tepër kapacitet edhe Pogradeci, për të përballuar kërkesën, si dhe do jetë e harmonizuar, sepse shumëkush që niset për në Korçë, do përfshijë dhe Pogradecin në atë destinacion. Shumëkush që vjen në Pogradec do përfshijë dhe Korçën dhe kjo do të bëjë që të harmonizohet komplet gjithë ky pol, që nga liqeni deri lart në zonat e Voskopojës”.
“Qëllimi është të zgjasim ditët e turistëve në rajon. Jemi ende larg numrit për të cilën ka kërkesë turizmi. Në pikun e sezonit, qoftë për shkak të festave apo sezonit, ne këtu kemi më pak shtretër sesa kërkesa”, – thotë ministri Niko Peleshi, ndërsa shpreh bindjen se perspektiva e biznesit për të investuar në zonë është në rritje.