Muzeu i ri Etnografik është pjesë e projektit prej katër muzesh që do t’i shtohen ofertës turistike të Gjirokastrës, sëbashku me Muzeun Kadare, Muzeun e Armëve dhe Muzeun e Burgut të Kalasë. Falë projekteve të arkitektit spanjoll Jesus Hernandez, autor i Muzeut Marubi në Shkodër, këto hapësira do të marrin një jetë të re. Kryeministri Rama deklaron se Muzeu Etnografik do të ketë përmasë kombëtare. “Do të jetë Muze Kombëtar Etnografik, në kuptimin e statusit, siç është Muzeu Marubi në Shkodër apo Muzeu Ikonografik në Korçë.”
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli shpjegon se projekti ka tre elementë, Muzeun Etnografik, Shtëpinë e Kadaresë dhe Shtegun e Edward Lear, që konsiston në të gjithë rrugëtimin që Lear ka bërë në gjithë zonën historike, duke e parë, thotë Agolli, “me të njëjtën perspektivë siç Lear e ka parë”. Sëbashku me Sokakun e të Marrëve, vijon shpjegimin e projektit Agolli, do të ketë edhe një rimobilim urban, pika qëndrimi ku njerëzit mund të lexojnë, duke e kthyer kështu në një muze të hapur.
Projekti për Muzeun Etnografik është pjesë e programit për zhvillimin urban dhe turistik, sëbashkë me Qafën e Pazarit dhe me ndërhyrjen e rëndësishme që do të bëhet në Kalanë e Gjirokastrës.
***
Në Gjirokastër është drejt përfundimit edhe projekti i Rilindjes së Teatrit Bashkiak. I ndërtuar në vitin 1970, Teatri nuk ka njohur asnjë investim, madje, hapësirat rreth tij janë zaptuar ndër vite. “Ka qenë më shumë si një frigorifer” e cilëson Kryeministri Rama godinën e vjetër.
Ndërhyrjet që ka nisur bashkia e qytetit po prekin të gjithë elementet logjistikë të Teatrit, nga skena, dhomat e aktorëve, salla, sistemi i ngrohjes dhe ndriçimi. Element i rëndësishēm i projektit është muzealizimi i historisë së Teatrit përmes ngritjes së hapësirës së referencës historike në hollin e godinës. Po ashtu do të rivitalizohet e gjithë hapësira publike para Teatrit.