Një tjetër kantier i madh pune ka nisur në Gjirokastër për ndërtimin e by-pass-it të shumëpritur të zonës historike. By-pass-i do ta çlirojë krejt qendrën e qytetit nga makinat, duke e kthyer në zonë këmbësore, pa penguar qarkullimin e banorëve. Kjo ndërhyrje çel një perspektivë të re edhe për lagjen Dunavat, ku do të ndërhyhet në vijim me restaurimin e shtëpive, siç u bë me Qafën e Pazarit, çka pritet t’i japë një hov të ri edhe sipërmarrjes turistike.
By-pass-i do orientojë trafikun direkt në lagjen Dunavat mbrapa Kalasë, duke shmangur kalimin e mjeteve drejt qendrës historike, e cila me ndërhyrjet që kanë nisur në shesh kthehet në një zonë pedonale. Kjo rrugë, thotë deputeti i zonës, Bledi Çuçi, do të zbulojë “një Gjirokastër tjetër, të harruar” që është pjesa e DunavatIt që ka shtëpi po aq karakteristike, me vlera historike dhe arkitekturore, siç është dhe Palortoja.
Kryeministri Rama bëri të njohur se me “qeverine turke kemi bërë marrëveshjen gjatë vizitës në Ankara, për ndërhyrje të konsiderueshme në Gjirokastër dhe Berat, në mënyrë që të vazhdojmë me restaurimet e rijetëzimet. Gjithë pjesa e Dunavatit, që sot është e fshehur, nuk frekuentohet, të kthehet në një pol tjetër brenda Gjirokastrës, komplementar me polin e Qafës së Pazarit e ku të regjistrohen biznese të reja, të hapen bujtina e hotele të reja dhe të gjenerohet ekonomi.”
Kryeministri kërkon kujdes në ruajtjen e elementëve karakteristikë, me të njëjtën gjuhë arkitektonike me atë të qytetit, në çdo ndërhyrje që bëhet. “Aty ku ndesh syri i vizitorit, – thekson Kryeministri, – të mos bombardohet nga zhurmat vizuale që prishin të gjithë harmoninë e ansamblit”.
Kryeministri Rama mendon se është momenti ndoshta edhe për një qasje të re fiskale për ata që rindërtojnë, për t’u dhënë një incentivë pa taksa vendore, pas asnjë taksë, për një periudhë kohe.