Saranda do të ketë këtë sezon veror Lungomaren e saj. Aktualisht shëtitorja përgjatë plazhit është shndërruar në një kantier mbresëlënës të ndërtimit të Lungomares së re, e cila do t’i mikpresë këtë vit pushuesit e shumtë me një transformim të madh. Bashkë me Lungomaren do të risistemohet edhe plazhi përgjatë shëtitores në një vijë 1.1 kilometra. Përgjatë shëtitores do të mbillen pisha dhe do të ngrihen disa mole të vegjël. “Një ndryshim i madh, sa duket si qytet tjetër” i cilësoi Kryeministri Rama punimet e kryera deri më tani. Në shëtitore do të vendoset edhe Muzeu Arkeologjik, duke e kthyer në një destinacion fantastik turistik.
***
Rruga nga hyrja e qytetit deri në lidhjen e saj me rrugën e Ksamilit, është një tjetër kantier i hapur në Sarandën turistike. Do të jetë një rrugë turistike mbi qytet, e cila do të lehtësojë shumë ndjeshëm trafikun e mbingarkuar të sezonit veror. Duke pasur ballkoniata përgjatë saj, rruga do të ofrojë njëkohësisht një tjetër mundësi për të shijuar panoramën e gjirit të Sarandës.
”Rruga do të zgjidhë përfundimisht ngërçin e fluksit së trafikut në qytet, sidomos në pikun e sezonit ku kapacitetet rezidenciale tre-katërfishohen. Po ashtu do t’i japë një vlerë të shtuar edhe gjithë kësaj zone, pasi ka qenë një zonë e margjinalizuar periferike. Me përfundimin e projektit pronat e qytetarëve do të marrin një vlerë të shtuar”, – shprehet kryetari i Bashkisë Sarandë, Adrian Gurma.
Dritan Agolli, drejtori i FSHZH-së, shpjegon se ka të gjithë elementet e një rruge urbane dhe i jep një vlerë të shtuar zonës ku kalon rruga.
Një nga problemet e mëdha të Sarandës, verën deputeti i zonës, Damian Gjiknuri, është menaxhimi i fluksit në verë, ndaj rruga është një investim i shumë i mirëpritur për qytetin që pret rreth 800 mijë vizitorë të huaj.
Kryeministri Rama kërkon ruajtjen e sensit estetik të rrugës, duke jo thjeshtë shërbyer për shfryrjen e trafikut, por edhe për të dhënë një ndjesi pozitive nga pikëpamja e peisazhit.
Projektet për Sarandën shtrihen në investime madhore në infrastrukturën aeroportuale. “Ndërtimi i një porti turistik është bekim për ekonominë e zonës. Sot për sot e gjitha është përqendruar në çfarë fluksesh vijnë në portin ekzistues me krocerat nga Korfuzi, por nuk kemi atë që do të sjellë porti turistik me jahtet, turizmit elitar në një zonë krejtësisht të re që do të ndërtohet aty dhe i gjithë punësimi që sjell një operacion i tillë. Kthimi i një zone atje parkim për jahtet sjell vetvetiu një numër të konsiderueshëm njerëzish që kujdesen për jahtet dhe janë konsumatorë këtu. Janë turistë permanentë dhe nuk janë pak.”
Këto zhvillime jo vetëm në Sarandë do t’i japin jetë edhe asaj që quhet Ekonomia Blu, ku, sipas Kryeministrit, porti turistik i Sarandës, porti turistik i Vlorës, portin turisti i Durrësit me grupin Emaar, janë tre stacione kryesore që krijojnë në zinxhir ekonomik që vijnë nga deti. “Kemi filluar të përpunojmë një projekt edhe për Shëngjinin. Edhe porti i Himarës, edhe pse në përmasa më të vogla, mund të jetë pjesë e kësaj infrastrukture.”
Një tjetër zhvillim madhor për Sarandën është aeroporti, për të cilin Kryeministrin informon se “mesa duket do të kemi një fitues për Vlorën, pasi janë paraqitur dy kompani. Në momentin që ne do të kontraktojmë aeroportin e Vlorës, do të hapim menjëherë aeroportin e Sarandës, për të cilin është bërë projekti.”