Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Saranda ishte sot qyteti i radhës, në ciklin e bashkëbisedimeve të Kryeministrit Rama me qytetarë, mbi tema të ditës, problematika shqetësuese dhe projekte zhvillimore.

Kryeministri Edi Rama: Në këtë periudhë që kemi patur nderin të qeverisim, jo të gjitha gjërat kemi patur nderin t’i bëjmë si duhet dhe plot gjëra mbeten për t’u bërë. Edhe Saranda, edhe Qarku i Vlorës, edhe gjithë Shqipëria, pavarësisht të gjithë investimeve që janë bërë dhe jo vetëm në aspektin fizik, por në të gjithë aspektet që kanë të bëjnë me jetën e vendit, është njësoj siç janë në këtë moment kantieret e rindërtimit.

Nëse doni të dini si e shoh unë punën e bërë dhe si e shoh unë Shqipërinë e sotme, do të thoja të parafytyroni pamjen e kantierit të rindëtimit sot në Thumanë, në Fushë-Krujë, në Tiranë apo kudo tjetër në perimetrin e zonës së prekur nga tërmeti, në Laç, në Kavajë, ku pamja është e krejt e ndryshme nga ajo e të nesërmes së termetit, me rrënoja dhe plagë, po ku çka është sot e prekshme, nuk mjafton për të nisur jeta cilësore e banorëve. Janë pastruar rrënojat, është hapur rruga për sistemet e infrastrukturës nëntokësore, janë vendosur shtresat e konsolidimit gjeologjik, janë hapur themelet e ndërtesave, por nuk janë akoma banesa të ndërtueshme cilësisht.

Kështu është edhe situata në të gjithë sektorët në arsim, në shëndetësi, në bujqësi dhe kudo. Sigurisht ka territore ku ka më shumë progres dhe të ardhurat nga ky progres janë të numërueshme, po ka territore ku ende progresi nuk është i prekshëm. Ka njerëz që e prekin progresin drejtëpërdrejtë, sepse i kanë rritur të ardhurat nga puna, siç janë njerëzit këtu që merren me turizëm dhe falë ndryshimeve kanë më shumë vizitorë dhe fitojnë më shumë. Por ka dhe jo pak njerez që nuk kanë prekur asnjë ndryshim në fshatra të caktuara në zona të caktuara dhe me të drejtë mund të thonë shumë mirë shëtitoret, qendrat e qyteteve, by-pass-et, spitalet e reja, librat falas etj., por tek unë çfarë ka ardhur, sepse unë jam njësoj siç isha para se të vinit ju në qeveri.

Të mos krijojë askush idenë që nuk i di apo që nuk jam i vetëdijshëm për sa shumë situata të tilla i bëjnë njerëzit të ndihen të mërzitur, por është e qartë që para një kantieri ndërtimi, puna do të vazhdojë. S’ka kohë për pushim, s’ka kohë për t’u rimenduar “sikur të kthehemi edhe njëherë nga e para”. Projektet janë solide, rruga e nisur është solide dhe thjeshtë duhet të vazhdojë puna.

Natyrisht është e lehtë ta thuash, është shumë më e vështirë ta bësh dhe arsyeja pse duhet të diskutojmë, është se si duhet të vazhdojë puna dhe për të shjeguar, pse një numër i caktuar gjërash, që njerëzit i kërkojnë dhe kanë të drejtë t’i kërkojnë, nuk janë bërë dhe pse gabojnë ata që thonë “nuk na duhen  shëtitoret se nuk do hamë shëtitoret”.

Të gjitha shëtitoret e Rilindjes Urbane sjellin më shumë bukë.

Rilindja urbane nuk është një projekt estetik.

Shëtitorja që do të jetë gati për sezonin e ri në Sarandë nuk është thjeshtë një transformim estetik i gjithë vijës bregdetare të qytetit, është një instrument i një rritjeje ekonomike. Po të shikojmë shifrat e ekonomisë lokale në të gjitha territoret ku kemi ndërhyrë, flasin vetë.

Po të shikosh xhiron e pronarëve apo tregtarëve që shfrytëzojnë asetet e Lungomares sot në Vlorë dhe ta krahasosh me xhiron e disa viteve përpara se të ndërtohej Lungomare, nuk ka krahasim.

Po të shikosh çmimin e apartamenteve në të gjitha këto territore të prekura apo të transformuara, nuk ka krahasim.

Këto ndërhyrje kanë rritur vlerën e pasurisë. Ajo shëtitore që është drejt përfundimit në Sarandë do të rrisë vlerën e të gjitha pasurive. Të gjithë ata që do të ndërtojnë një apartament në Sarandë, sigurisht, duke filluar nga ata që janë pranë shëtitores e me radhë, do të rritet vlera e pasurisë së tyre. Nëse sot do ta shesin X, falë asaj shëtitoreje do ta shesin Y, sepse njerezit nuk blejnë thjeshtë kubaturën e një aparatamenti, por blejnë edhe cilësinë e mjedisit rretherrotull.

– Ksamili ka nevojë që e përbashkëta të marrë vlerë, ka nevojë për investime. Megjithë përpjekjet tona e shohim të pamundur të kemi qëndrueshmeri kur nuk kemi mbështetjen e investimeve. Ksamili ka nevojë për vëmendjen tuaj dhe ne duam të dimë kur do të vijë kjo vëmendje, ngriti pyetjen e tij përfaqësuesi i Shoqatës së Turizmit të Rinjve të Ksamilit, të cilit Kryeministri Edi Rama iu përgjigj:

Unë do t’ju kërkoja të shikonim pak më tutje. Ajo që ne kemi bërë në këtë fazë ka qenë përpjekja për të implementuar hap pas hapi, me prioritet dhe me vizion shumë më të gjerë, sesa thjeshtë e vetem oferta e një qyteti të vetëm në të gjithë këtë pellg. Ajo që po ndodh në zonën e Labërisë lart duhet të kuptohet që nuk është thjeshtë dhe vetëm infrastrukturë për fshatrat e asaj zone, por është edhe për Ksamilin, edhe për Sarandën, edhe për Vlorën, edhe për Gjirokastrën, edhe për Përmetin, edhe për Libohovën, por edhe për Korçën përmes Ersekës.

Sfida jonë është si të rrisim përmbajtjen dhe cilësinë e ofertës tonë turistike, duke i dhënë njerezve arsye për të qëndruar më shumë.  Me infrastrukturën e Labërisë së sipërme dhe me lidhjen nga Tepelena poshtë deri në Gusmar e pastaj në Kuç dhe Himarë, Qeparo e Borsh brenda 40 minutash, e pastaj nga ana tjetër me rrugën e Kardhiqit ku po vazhdon puna intensivisht, oferta zgjerohet shumë më tepër. Mund të jesh në det gjatë ditës dhe shkon në mal gjatë mbrëmjes.

Përveç kësaj janë rrugë të kalimit në një stad të ri të marrëdhënies tregtare brenda për brenda të këtyre hoteleve dhe restoranteve me produktet bio të gjithë asaj pjese andej, që e ka patur ëndërr t’i zbresin produktet këtej dhe për t’i zbritur ato pak produkte ka patur vështirësi të mëdha. Kurse kështu produktet atje do të rriten, oferta turistike ka filluar dhe do të shpërthejë në këtë dekadë që kemi nisur dhe ndërkohë, përfitueshmëria nga gjithë këto produkte e pjesës poshtë do të jetë fantastike.

Çfarë do të ndodhë në Sarfandë me shëtitoren do të ndodhë edhe në Ksamil, se është pjesë e të njëjtës paketë. Faktikisht është siguruar dhe financimi dhe së shpejti do të fillojë puna dhe atje. Shëtitorja është një projekt që ka nisur tre vjet përpara, qëkur është negociuar financimi me programin e katër destinacioneve turistike të veçanta, ku ne kemi përfshirë dhe Sarandën, me mbështetjen e Bankës Botërore.  Patjetër që e gjitha kjo do të impaktojë Ksamilin.

Sa i përket promovimit të ofertës, këtu ka dy elementë Elementi i pare është se kjo punë që i takon bashkisë ta bëjë me ata të rinj që janë të gatshëm të kontribuojnë, duke mbështetur financiarisht një iniciativë të tillë. E dyta, ne jemi sot në një fazë shumë interesante, por edhe shumë delikate të arsimit të lartë. Ajo që po ndodh sot është që ne po përballemi me një numër marramendës kërkesash për të shtuar programet. Teksa i lexon ato kërkesa mendon se kujt i shërben shtimi gjithë atyre programeve, përvecse rritjes së të ardhurave të univertsiteteve që do të shtojnë numrin e studentëve. Është shumë e vështirë të gjesh ndonjë efekt pozitiv të saj, përveç efektit të përkohshëm, por është shumë e lehtë të shikosh efektin negativ të kësaj në afat të mesëm, kur këta të rinj që do të vijnë në një universitet që i ka shtuar programet, nesër do jenë si ata të rinjtë që ishin viktima në kohën kur universitetet ishin me dyer të shqyera dhe kur universitetet private jepnin diploma pa asnjë vlerë, – që thonë “unë kam mbaruar shkollën e lartë, po këtu ska punë”.

Ne i kemi dhënë autonomi të konsiderueshme universiteteve me reformën. Por autonomia nuk është vetëm liri, por edhe përgjegjësi. Kujt i shërben Universiteti i Gjirokastrës, përveçse trupës që merr tarifat dhe po përballet sot me rënien drastike të numrit.

Numri bie sot për një arsye shumë të thjeshtë, sepse me ato programe nuk gjen dot punë. Atëherë, universiteti duhet ta mendojë, të ulet dhe ta analizojë sesi duhet që të jenë atraktiv për tregun e punës, sesi programet e universitetit duhet të përballojnë kërkesën që vjen nga tregu i punës. Ky është një dialog që duhet bërë. Me Korçën, ne po bëjmë një projekt pilot për kodimin me platformën e Shqipërisë 2030. Do të kemi një program të veçantë për kodimin, për IT, për robotikën, për të gjitha ato që do t’u japin mundësinë të rinjve që të kenë një instrument. Pra, edhe promovimi i turizmit, promovimi i atyre elementëve plus që ta bëjnë paketën tërheqëse lidhet edhe me këtë component, që është komponenti i futjes me dije të reja dhe me aftësi të reja në botën dixhitale.

-Lidhur me kërkesën e një përfaqësuesi nga fusha e transportit për ndërtimin e një terminali autobuzësh, si dhe për përshpejtimin e tunelit të Skërficës, i cili afron më shumë me kryeqytetin, me vendet e tjera turistike, Kryeministri Rama u shpreh:

Bashkia e Korçës ka bërë një terminal modern, me standarde tërësisht europiane dhe e ka bërë vetë, në bashkëpunim me një sipërmarrës. Ka disa mënyra për ta bërë këtë, por unë mendoj që të gjitha bashkitë, edhe Bashkia e Sarandës ka mundësinë që ta bëjë terminalin e autobuzëve vetë ose me sipërmarrje, ose me Fondin e Zhvillimit, mjafton që ta vendosë këtë në prioritet e e veta, të fokusohet tek bërja e projektit. Besoj që edhe financimi gjendet, sepse është një investim jo i vogël, por jo dhe aq i madh, sa të mos jetë i realizueshëm. Mbase kryetari i bashkisë ka nisur të punojë në këtë drejtim, por unë mendoj se nuk do të jetë e vështirë absolutisht që të ndërtohet një terminal autobuzësh dinjitoz. Jam shumë dakord se, nëse duhet një terminal autobuzësh më shumë se kudo, duhet në Sarandë, pasi fluksi i turistëve që vijnë këtu dhe numri i autobuzëve që hyjnë e dalin në Sarandë është më i madh se në çdo qytet tjetër, përveç Tiranës.

Sa i përket tunelit, puna në të gjithë aksin e Kardhiqit vazhdon dhe në të gjitha pikat ka avancim të rëndësishëm të punimeve. Kemi duruar shumë vite për të parë atë rrugë për të cilën është premtuar pafundësisht. Ne e kemi marrë shumë seriozisht dhe puna vijon intensivisht. Sigurisht që në afat do të arrijmë të përfundojmë dhe atë vepër, pasi është shumë strategjike si vepër, jo vetëm për Sarandën, por për të gjithë këtë perimetër fantastik të një Shqipërie që në pjesën më të madhe nuk e njeh njeri. Dhe këtu kam parasysh të gjithë pjesën e brendshme midis pikave që janë të mirënjohura si Saranda, Gjirokastra, Vlora dhe kthimin e gjithë kësaj zone në një park natyror tematik, ku me zhvillimin e agroturizmit, zhvillimin e bujtinave, zhvillimin e aktiviteteve që do të stimulojnë rininë të përfshihen në të tilla procese transformuese, do të bëhet shumë atraktiv.

– Lidhur me politikat e qeverisë për të rikthyer të rinjtë në Shqipëri dhe për punësimin e tyre, pyetje e ngritur nga një prej të rejave të kthyera nga emigracioni dhe aktualisht në kërkim të një pune, Kryeministri Rama tha:

Unë nuk hyj tek ata që vënë kujën për faktin se shqiptarët zgjedhin jo vetëm për të qëndruar këtu, por edhe të shkojnë në destinacione të tjera për të provuar veten, për të sfiduar veten, për të arritur diçka më shpejt dhe për të fituar më shumë, sesa do të fitonin ketu. Shqiptarët kanë ikur gjithmonë, përveçse në kohën kur Enver Hoxha i mbylli në bunker. Shqiptarët kanë ikur që në fillim të viteve ’90-të, ikin dhe do të vazhdojnë të ikin, siç janë kthyer dhe do të vazhdojnë të kthehen. Trendet janë historike. Në fund të ditës, unë e kuptoj shumë mirë një të ri në një fshat që thotë nuk kam kohë për të pritur, se unë nuk mund të pres 10 – 20 vjet që Shqipëria të shkojë në ato parametra dhe të më ofrojë mua këtu ato që më ofron një vend tjetër, prandaj unë po iki. I kuptoj shumë mirë. E këtë trend nuk ka parti politike, kryeministër që ta ndalojë.

Ndërkohë ka shqiptarë që kthehen. Agroturizmi dhe rijetëzimi i shtëpive tradicionale është një biznes që çdo emigranti që kthehet apo investon kursimet e tij aty, i jep më shumë, sesa i jep një punë e zakonshme në emigracion. Investimi në këtë drejtim është padyshim sukses, për çdo njeri që kthehet. Shteti nuk mund të jetë përgjigja e punësimit në kuptimin e punësimit në shtet. Shteti duhet të krijojë më shumë hapsira dhe më shumë mundësi për të gjithë. Po të shohim projektet e mbështetjes në bujqësi, në agroturizëm janë projekte suksesi. Sot, Shqipëria është nga vendi që duhet të ishte i fundit në rajon për thithje fiondesh nga BE-ja për bujqësinë, është i pari, qoftë falë riorganizimit që i kemi bërë gjithë organizmit, qoftë falë këtyre njerezve që kthehen nga emigracioni, që nuk rrinë të presin shtetin.

Krijimi i vendeve të punës do të vijë nga sektori privat. Shteti nuk krijon vende pune, në kuptimin që rrit vende me paga në shtet. Sigurisht që vazhdon lufta jonë për të patur një administratë të besueshme, një administratë që di të shërbejë dhe jo një administratë që ka ndikime dhe lidhjet e veta politike që e bëjnë joperformuese. Kemi bërë shumë në këtë drejtim, por unë jam i vetëdijshëm që ka akoma bishta dhe bubuzhela në administrate, por kjo do të kërkojë kohën e vet.

Në Sarandë, ne kemi perspektivën e një porti të ri turistik, i cili do të jetë disa qindra milionë euro që do të kërkojë jo thjeshtë vende pune, punëtorë, për të ndërtuar, por do të kërkojë edhe shumë forca pune për t’u administruar, duke qenë një mundësi punësimi për plot të rinj. Ne kemi nevojë për kapacitete që ta çojnë në një nivel tjetër industrinë e mikpritjes. Rritja e cilësisë së shërbimit është sfida e të gjithëve.

-Përfaqësuesi i biznesit privat në industrinë e turizmit dhe kryetari Shoqatës së Industrisë së Turizmit të Sarandës ngriti dy kërkesa, zgjerimin e portit të Sarandës të paktën edhe 200 metra, si dhe heqjen e akcizës për mjetet dhe anijet në shërbim të turizimit. Po ashtu, ai theksoi faktin e një vëmendjeje më të madhe ndaj Kishës së “40 shenjtorë”-ve, të cilën e cilësoi si pasaporta, identiteti i Sarandës. Lidhur me kërkesat e ngritura prej tij, Kryeministri Rama u shpreh:

Jam shumë i vetëdisjëm për çfarë nuk është bërë ende dhe se sa shumë ka për të bërë sepse e njoh territorin pëllëmbë për pëllëmbë. Ka dy gjëra që ne duhet të bëjmë dhe do të bëjmë; E para, është porti turistik, i cili ka një potencial që mund ta kthejë Sarandën në krejt tjetër nga çështë sot, sepse është një investim disa qindra milionë euro, me impakt të madh në ekonominë lokale.  Nga ana tjetër, uroj që më në fund, në ditët në vijim, ne të kemi fituesin për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës. Ndrësa aeroporti i Sarandës do të jetë një aeroport ndërkombëtar, por me një përmasë më të vogël dhe është një aeroport mirëfilli turistik, i cili do të jetë një vlerë e madhe e shtuar.

Sa i përket çështjes së akcizës, ne nuk mund të shkojmë përtej limitit të mundësive tona dhe nuk mund të bëjmë gjëra që të tjerët as i mendojnë. Kemi bërë shumë lehtësime. Ne jemi i vetmi vend në rajon ku biznesi i vogël ka zero taksë. Tani bëmë lehtësimin jo vetëm për akcizën, por edhe për taksën e qarkullimit, taksën e mjedisit, të naftës për fermerët. Kemi bërë lehtësimin prej kohesh dhe na ka dhënë goxha impakt për heqje të akcizës së naftës për peshkatarët.

Për sa më thua për akcizën për anijet, për kroçerat, etj. është diçka që nuk jua jap dot përgjigjen tani. Nuk po e pyes ministren e Financave, sepse unë e di përgjigjen e saj, por do ta shikojmë dhe mbase ka një hapsirë. Por për momentin unë nuk shoh hapësirë që ne të shkojmë deri në këtë pikë.

Po ashtu, ne e kemi diskutuar prej kohësh që t’i japim Sarandës një Muze Arkeologjik. Ata që vijnë në Sarandë nuk kanë pse të mos e kenë një muze arkeologjik këtu dhe ish materniteti që është një godinë shumë e bukur nga pikëpamja arkitektonike është një vend ideal për të patur një muze arkeologjik dhe t’u japim një paradhomë atyre që vijnë dhe kush do të shkojë në Butrint për ta pare, le ta bëjë këtë gjë. Jam shumë dakord që edhe kisha lart duhet kthyer në një aset shumë të fortë të paketës.

– I pyetur në lidhje me problematikën e detit me shtetit grek dhe marrëdhënien me Greqinë për problemet e zgjerimit nga 6 milje në 12 milje, Kryeministri u përgjigj:

Kryeministri Rama: Nuk ka asgjë të tillë në vendimet që ka marrë Greqia dhe e them këtë sepse vendimet e Greqisë që këtu janë keq interpretuar masivisht, janë vendime të cilat nuk kanë lidhe me çështjen e detit mes nesh dhe Greqisë për një arsye shumë të thjeshtë, sepse këtu nuk janë miljet e nevojshme për tu shtrirë 12 milje. Që Greqia të shtrihet 12 milje, duhet të vendosë kufirin në Memaliaj e pastaj gjithë ekonominë e detit ne duhet ta spostojmë në Virua. Nuk di sa herë e si duhet ta përsëris por nuk ka mundësi që as Shqipëria të shtrihet 12 milje e të ushtrojë të drejtën e sa nga këtu e në Greqi, as Greqia të shtrihet 12 milje. Nëse Greqia të shtrihet 12 milje i bie që ne këtu e ti atje po flasim nga Greqia.

Që ta sqaroj dhe një herë tjetër, 12 miljet janë një e drejtë e gjithsecilit shtet. Greqia ka ushtruar të drejtën e vetë. Deti Jon, nuk fillon në Butrint. Një pjesë e konsiderueshme e detit Jon është matanë. Dhe matanë ka Greqia hapësirë për tu shtrirë 12 milje në raport me Italinë. Pra në atë pjesën që ata u morën vesh e Italinë, për të vënë kufirin. Edhe konventa e thotë shumë qartë. Edhe e drejta ushtrohet aty ku është mundësia fizike. Asnjë shtet nuk mund ta ushtrojë këtë të drejtë arbitrarisht, nuk e bën dot nëse nuk është mundësia fizike. Shqipëria e ka ushtruar këtë të drejtë në vitin ’90 me 6 milje dhe aty ku kjo e drejtë nuk ushtrohet dot për arsye se nuk ka vend, duhet bërë marrëveshje dhe ne do shkojmë në gjyq se nuk kemi marrëveshje, pikërisht se nuk ka hapësira për të ushtruar të drejtën dhe ideja që deti mund të shitet si kos dhe shitja mund të bëhet fshehurazi është një ide komplet absurde por keqardhja e madhe është që ka kaq shumë peshq me dy këmbë, sidomos në rrjetet sociale që këtë absurditet e marrin për të mirëqenë.

– Pyetjes lidhur me problemet e minoritetit grek dhe si do vijojë të veprojë qeveria lidhur me problematikat e minoritetit grek, Kryeministri iu përgjigj:

Kryeministri Edi Rama: Unë besoj që së pari minoritetet janë një pasuri e madhe dhe një dhuratë për një vend. Minoriteti grek pa diskutim është ndër minoritetet ai që ka dhe prezencën më të qenësishme dhe është një mishërim i lidhjes që ekziston prej shumë e shumë kohës mes dy popujve e mes dy vendeve. Qytetarët e këtij vendi janë me ligj dhe duhet të jenë dhe me zakon me të drejta të barabarta e unë kështu i kam parë gjithmonë edhe minoritarët, cilitdo qofshin ata. Për sa i përket minoritetit grek në Shqipëri unë nuk besoj se ka ndonjë forcë tjetër politika apo ndonjë qeveri tjetër që ka bërë më shumë për minoritetin grek.

Vij tek procesi i legalizimit të pronave, pra të ndërtimeve. Nuk ishte bërë kjo gjë përpara, e bëmë ne dhe ju jeni dëshmitarë që sot keni në mos ju personalisht, plot familje që sot kanë titullin e pronësisë. Po ashtu edhe sa i përket çështjes së tokës, një problemi i trashëguar me vite, i hedhur si top ping pongu. Këtu kam qenë gjithmonë i palumtur për deklarata që bëheshin nga krahu tjetër sikur këto çështje mbaheshin pezull për shkak të minoritarëve. Jo, edhe shqiptarët në këtë zonë kanë vajtur të njëjtën gjë, pra vuajtja ishte e përbashkët, nuk ishte se shqiptarët merrnin pronat dhe grekët nuk i merrnin.

Vijmë tek çështja e arsimit. Ne kemi hapur zyrën arsimore në zemër të minoritetit dhe jemi shumë të interesuar që fëmijët e minoritetit ti kenë të gjitha kushtet për të mësuar, për të studiuar në gjuhën e tyre amtare.  Kjo është pasuri, kjo nuk është problem. Sigurisht që minoriteti grek është shumë i lidhur me kishën ortodokse greke dhe është i lidhur me sigurisht objektet e kultit. Kush ua dha titullin e pronësisë kishave dhe xhamiave në Shqipëri? Sot janë pronarë të xhamive dhe të kishave edhe të teqeve, komunitetet. Nuk ishin pronarë. I kishin por i kishin pa letra dhe doli një figurë nga këta, se nuk dua ta përmend e donte tu merrte kishën në Elbasan. Nga këta që luftojnë për pronarët e për kufijtë që nuk kanë din e nuk kanë iman.

– Kryeministri Rama gjatë këtij bashkëbisedimi në Sarandë u pyet nga një përfaqësuese e një zyre turistike. Ajo u ndal tek ndërtimi i aeroportit turistik  të Sarandës dhe tek katër portet turistike që do të ndërtohen në Shqipëri. Ajo e pyeti kryeministrin nëse këto projektet do të mbeten në 3D apo janë thjesht premtime elektorale?

Kryeministri Rama: Porti i Sarandës, për të cilin unë kam folur është gati, i ka marrë të gjitha lejet dhe do të fillojë, porti turistik këtu kështu që po e përsëris. E para, puna ka filluar para 3 vitesh sepse nuk nis puna kur vjen ekskavatori, puna nis shumë kohë përpara. E dyta, kur bëhet një premtim, njeriu nuk parashikon dot ngjarje apo pengesa që lindin rrugës dhe nuk është aspak e vërtetë që politikanët premtojnë për të marrë votat. Ka premtim që i jep e pastaj të dalin probleme. Është e vërtetë që nuk e kemi nisur aeroportin e Sarandës sepse duhet fillimisht të nisnim Vlorën, është çështje e një strategjie që ka të bëjë dhe me kredibilitetin e ofertës që ti bën,, për të pasur investitorë. Në Vlorë filloi procedura në 2019 dhe pastaj u bllokua në 2020 në fillim, sepse kompanitë e interesuara kërkuan shtyrje për shkak të COVID-it. Pasatja COVID-i e shpartalloi industrinë përkatëse e mbeti zvarrë. Tani u rihap përsëri, më në fund është mbyllur procedura, ka dy konkurrentë, normalisht duhet të dali një fitues, kur të dali fituesi, ,do marrim frymë lirisht e menjëherë do fillojmë punë për të çelur Sarandën e në momentin kur do kemi lidhur kontratën me Vlorën, do jemi bërë gati të çelim aeroportin e Sarandës. Se shumë herë njerëzit e marrin shabllon marrëdhëniet mes premtimit dhe kohës, plus që ka dhe një gjë tjetër, që ne i kemi bërë premtimet duke pasur parasysh që koha jonë nuk limitohet në limitin e një mandati. Mbase duhet të ishim më specifik në këtë por është shumë e vështirë që premtimet të shkojnë fjollë në zbatimin e tyre sepse futen shumë komponentë të tjerë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.