Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga cikli i bashkëbisedimeve me qytetarët, Kryeministri Edi Rama u ndal sot në Durrës:

Kryeministri Edi Rama: Sot nuk ka asnjë kohë për pushim, në sensin që puna që duhet bërë është ende shumë e madhe, por në ndërkohë, çfarë është bërë, nuk majfton për të qenë të kënaqur, nuk mjafton për t’u ndjerë plotësisht të lehtësuar nga pesha e stresit dhe halleve që lidhen me të ardhmen, por mjafton për t’u ndjerë të sigurtë që jemi në rugën e duhur. Ajo që na duhet, është vetëm të vahdojmë në këtë rrugë.

– Interesimi i parë kishte të bënte me Portin e ri që do të ndërtohet në zonën e Porto Romanos, se kur do të fillojnë punimet, afati i mbylljes së investimeve dhe se kush do ta administrojë atë port. Kryeministri u shpreh:

Durrësi duhet të çlirohet nga gjithë ai aktivitet intensiv ngarkim-shkarkimesh të mallrave në zemër të tij. Ai është një port 2400-vjeçar në fakt, të cilit sot, për arsye mëse të qarta, ndërkohë që Durrësi perspektivën e ka të lidhur me turizmin. Me një turizëm që në Durrës ka të ardhme sepse qyteti ka vlera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, hapësira të rëndësishme rekreative për pushuesit, ka një kapacitet mikpritës dhe kuzhinë gjithnjë e më të sofistikuar dhe nuk mundet më që në zemër të vet të ketë një port, i cili nga çdo pikëpamje është i tejkaluar nga vetë koha.

Durrësi është qytet port i Shqipërisë dhe nëse nuk mund të jetë në zemër të qytetit, nuk mund ta mendojmë Durrësin pa portin e mallrave. Ndërkohë që zemra e qytetit çlirohet nga gjithë ai aktivitet dhe problematika të ndotjes që ai aktivitet krijon, të hapë me patjetër perspektivën për zhvillim dhe rritjen e mëtejshme të aktivitetit, sepse në portin aktual, kapacitetet dhe hapësirat janë ato që janë. Sot, ne duhet të shohim perspektivën e portit të mallrave si një perspektive të lidhur me ambicien për të pasur një port të rëndësishëm nga pikëpamja e vëllimeve që administron, por edhe me një hapësirë të aktivitetit ekonomik që në zemër të qytetit është e pamundur.

Ne kemi punuar për disa vite me këtë ide, kemi pasur disa tentative në të shkuarën për të filluar me zonën industriale, që tani do lidhet me portin e ri të mallrave në Durrës dhe këto tentativa nuk janë finalizuar.

Shqipëria e momenteve kur ne kemi dalë në tregun ndërkombëtar me një ofertë për zonën ekonomike për transformimin e territorit pranë Porto Romanos në një fushë të mbushur me aktivitet prodhues dhe tregtar, ka qenë një Shqipëri tjetër nga ajo që kemi sot, në sensin e imazhit dhe sigurisë tek kompanitë e mëdha, por edhe në sensin e pamundësisë për të menduar kompanitë serioze se mund ta hidhnin atë hap. Sot jemi në kushte të tjera. Nëse sot kemi një nga kompanitë më të mëdha të botës, e cila ka ndërtuar dhe operon një pjesë të madhe të investimeve turistike në Lindjen e Mesme dhe jo vetëm, që jo vetëm ka shprehur dëshirën, por ka dorëzuar dhe projektin e fazës së parë të Portit të Durrësit, kjo vjen sepse Shqipëria ka ndryshuar në sytë e botës. Kjo është pak, por e sigurtë.

Përtej çfarë thonë, qoftë për mirë, qoftë për keq, në raporte dhe vlerësime të institucioneve ndërkombëtare, që me kalimin e viteve janë shumë më të mira seç ishin 7 vite më pare, nuk mund të iamgjinohej që një kompani e këtyre përmasave të vinte e të shprehte interes për të transformuar Portin e Durrësit. Ata thonë do jetë Marina më e madhe e Mesdheut, por unë po them një ndër më të mëdhatë e Mesdheut. Ideja për ta bërë Portin e Durrësit, Marinë, as nuk mendohej 7 vite më parë. Ideja për të bërë një marinë turistike pranë Portit të Durrësit ka qenë një ide e vjetër, që është përsëritur herë pas here dhe e kanë pasur atë ide administrata të ndryshme. Ka qenë ide që është materializuar dhe me dhënien e të drejtës për të zhvilluar një koncesion të caktuar në atë zone qysh prej kohësh, edhe nga qeveritë e mëparshme dhe nuk ka funksionuar.

Unë vetë personalisht jam përpjekur qysh ditën e parë dhe e kam parë që ka pasur një mur midis kësaj dëshirë të madhe dhe realitetit të fakteve. Sot jemi duke parë propozimin konkret për fazën e pare, ndërkohë që masterplani për trasnformimin është aty. Së pari, kontratat e lidhura na pëlqejnë apo jo neve, që janë kontrata koncesionare, siç është kompania juaj e të tjera në portin aktual, janë marrëveshje të palëvizshme të shtetit shqiptar. Shteti ka të drejtë të ndërtojë portin e ri, por nga ana tjetër ka detyrimin të respektojë këto kontrata dhe gjithë veprimtaria që ushtrohet sot është e lidhur me nevojat që ka një port shqiptar. Kështu që, të njejtat nevoja do ketë dhe porti tjetër. Që do të thotë kompanitë do transferohen në portin tjetër me të njëjtat hapësira, kontrata dhe kushte, pavarësisht se do jetë me volum më i madh se ky tani.

Këtu kemi edhe një problem tjetër. Nuk mund të kemi ambicie për Durrësin që duam në 2030, sepse nuk kemi hapësira për zhvillime, ndërkohë që në portin tjetër, kufiri do vendoset më lart dhe porti tjetër do jetë i lidhur me hekurudhën. Hekurudha Tiranë-Durrës tanimë ëshët gati për të filluar nga puna në kantier, sepse është lidhur kontrata. Presim të na miratohet fondi për një pjesë për hekurudhën Hani Hotit, plus, projekti tjetër Durrës-Prishtinë e më tutje. Na duhet të ndërtojmë një port, i cili do jetë me dekada. Këtij mund t’i ndërtosh hekurudha afër, por jo konkurrent me portet përballë.

Për sa kohë? Është çështje që mua, puna si kryeministër më ka mësuar që duhet patur shumë kujdes, sepse aftësia parashikuese, kur nis të shkosh në zbatimin e një ideje, është e kufizuar sepse mund të bësh një projekt të mirë, por vazhdimi lidhet me procese dhe procedura që nuk i kemi në dorë, siç ndodhi me aeroportin e Vlorës që, pavarësisht nga ne, gjithë procesi u bllokua për shkak se nuk u arrit marrëveshje me konsorsiumin që ka ndërtuar aeroporrtin e Stabollit, mbasi u vetëofrua e në fund marrëveshja e mundshme nuk ishte majftueshëm e bindshme për ne. Gara ndërkombëtare u frenua nga COVID.

Ne kemi punuar intensivisht me kompaninë e madhe për gjithë aspektet që kanë të bëjnë me arkitekturën. Jemi në përfundim. Do na duhet të marrim një vendim, nëse do e ndërtojmë vetë portin e Durrësit me kapacitetet tona, duke përfshirë Autoritetin Portual, apo do dalin në garë ndërkombëtare.

Faza e parë e portit turistik, që fillon së shpejti, nuk e prek operacionin, sepse faza e parë është propozim për zonën e ndërmjetme midis fundit të Portit dhe fillimit të zonës së plazhit, Ura e Dajlanit. Aty koncepti është fantastik, sepse do e rivitalizojë. Do heqi grumbullin e gjërave aty, por do ta kthejë në një pol turistik të niveleve më të larta. Pastaj do kalojmë në fazat e tjera. Kur të fillojë puna në atë trekëndësh, do fillojmë me pjesën tjetër. Do të fillojë spostimi I operacioneve brenda portit dhe operatorët të fillojnë të spostohen. Nuk ndalojmë dot tregtinë sepse ndërtohet porti, por kemi një strategji dhe një plan të qartë. Unë sot isha me një kompani të huaj që punon aty dhe më bëhet qejfi që përfaqësuesit ishin shumë dakord, sepse thanë që investimi do ketë impakt për imazhin e Durrësit, për ekonominë, do japi mundësi të reja zhvillimi dhe rritja e volumit do jetë konkurues.

Një qytetar dëshironte të dinte benefitet e banorëve dhe qytetit të Durrësit nga ky investim madhor, për të cilën Kryeministri u shpreh:

Ky projekt do ishte projekti më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë, qëkur ka ndryshuar sistemi. I rëndësishëm nga pikëpamja e fondeve që do injektohen në ekonomi. Parashikimi paraprak është 12 mijë vende pune, një qytet i ri brenda qytetit, por me standartet më të larta që ne kemi pasur ndonjëhere. Një copëz e të njëjtave standarde dhe ambiecie në Dubai, nga pikëpamja e standardeve, jo e formës. Nuk bëhet fjalë për punësim fason, bëhet fjalë për punësim me paga shumë më të larta se këto sot, struktura me 5 yje, apartamente cilësie të lartë. Është investim i huaj rreth 2 miliardë që do impaktojë gjithë Shqipërinë nga pikëpamja e standardit.

Flasim shumë për Malin e Zi, por çfarë ka Mali i Zi që ka ndryshuar në mënyrë radikale ekonomikisht. Ëshët vendi ekonomikisht, sot, më i zhvilluar i gjithë Ballkanit. Ka ndryshuar në mënyrë radikale në aspektin e imazhit ndërkombëtar. Sot e shohin krejtësisht ndryshe para viteve ’90-të. Sjell një impakt në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar. Nuk është impakt me thjesht atë që vjen në atë moment, por matet me zinxhirin që sjell sepse në momentin që vjen një kompani e tillë, ndërtohet një port i tillë, fillojnë vijnë të tjerat pastaj. Ndërkohë që i rritet vlera pronës. Rriten edhe të ardhurat që shtetit merr dhe si pasojë, shteti rrit investimet, rrit cilësinë e spitaleve, shërbimeve, pagat, pensionet etj..

Ҫdo rritje është e lidhur me mundësitë që kemi sepse pagat nuk rriten sot, për t’u shkurtuar nesër. Edhe pensionet po ashtu. E kanë bërë këtë eksperiment të tjerët para nesh dhe e kanë parë vendin shkrumb e hi nga flakët e revoltave. Se nëse nuk bën llogarinë që pagën e pensionin që rrit sot, jo vetëm të mos e ulësh, por të vazhdosh ta rrisësh nesër dhe dhe nesër gjendesh pa mundësinë për ta paguar, atëherë i humbet të gjitha.

Kjo do e kthejë Durrësin në të njëjtin nivel të destinacioneve më të kërkuara në Mesdhe. Gjë që sot nuk e kemi. Sot kemi një turizëm që rritet në numër, por jo në cilësi. Rritja e numrit ka sjellë rritjen e të ardhurave nga turizmi, por duke rritur cilësinë e duke sjellë klientelën që shpenzon shumë më gtepër brenda një dite, atëherë, paratë që hyjnë këtu e që përfiton gjithë zinxhiri janë shumë më tepër. Një aeroport e ka impaktin në ekonomi 1 me 27, të provuar. Për një euro që investon në një aeroport, merr mbrapsht 27 euro. Një port turistik nuk e ka sa një aeroport, por e ka 1 me 15 ose 1 me 18. Llogaritni 2 miliardë që hidhen këtu, shumëzojini me 15 ose 18.

Sot, unë jam shumë optimist për faktin që jemi në rrugën e realizimit të këtij projekti. Nuk jemi më në momentin e idesë dhe as në momentin e parë, nuk kemi më një shprehje interesi të përgjithshëm, por kemi një interes konkret. Ne kemi një grup pune që drejtohet nga ministrja e Infrastrukturës, që punon ngushtësisht, përditë, me Dubain për të realizuar këtë projekt.

Për pallatet me dëmtime DS5 në Shkozet, kur do të nisë puna për ndërtimin e tyre, a do të ndërtohen në të njëjtin vend ku kanë qenë më parë dhe kur mund të përfundojë procesi, ishte pyetja e një qytetareje, për të cilën Kryeministri u përgjigj:

Dua të them që i njëjti grup që praktikisht po flisnim është grupi i ngarkuar për të ndërtuar të gjitha apartamentet e Durrësit, pra, për të zbatuar angazhimin që mori Princi i Kurorës, që më pas u formalizua në Konferencën e Donatorëve, në Emiratet e Bashkuara, për 2 mijë apartamente. Pjesa më e madhe e këtyre apartamenteve do të ndërtohet në Spitallë. Do të jetë një nga lagjet më të bukura të Durrësit, sepse gjithçka do të fillojë nga zero. Ajo është një fushë dhe brenda pak ditësh besoj, nëse nuk gaboj në fund të kësaj jave dhe në fillim të javës tjetër, pas lidhjes së kontratës, fillon puna për infrastrukturën. Në atë zonë do të ndërtohet një infrastrukturë supermoderne me të gjitha parametrat, ndriçimin, gjelbërimin, ujësjellësi. Do të bëhet edhe konsolidimi i terrenit, siç bëmë dhe në Thumanë.

Në ndërkohë, projektet e pallateve të tjera dhe të lagjes janë gati dhe mbetet vetëm një hap përfundimtar burokratik, pasi ky është një financim i drejtëpërdrejtë i Kurorës së Eemirateve të Bashkuara dhe mbetet vetëm një dokument. Brenda 20 shkurtit, se nuk po jap datë, pasi datat e vëllezërve tanë arabë janë ndryshe nga tonat, do të kemi këtu menaxherin e projektit, sëbashku me ekipin dhe ata vetë do të bëjnë përcaktimin e të gjithë nënkontraktorëve. Kanë bërë një proces të gjatë të hulumtimit të tregut dhe të kompanive dhe unë besoj se në mars, kantieret do të fillojnë.

Zgjedhja që kemi bërë ne ka qënë që aty ku është e mundur të rindërtohet pallati, le të rindërtohet pallati, kurse kur nuk është e mundur të rindërtohet, apartamentet do të jenë atje.

Nëse e shohin sot Spitallën, fushën atje, sigurisht që sensacioni i parë është “po iki jashtë Durrësit”, por, nëse shohin projektin, nuk është vetëm ndërtime shtëpish, apartamentesh, por ka gjithçka tjetër. Ne kemi planifikuar aty ndërtimin e stadiumit të ri të Durrësit, parqe, shkolla, kopshte. Ngjitur është parku i ri ekologjik i Durrësit, që po merr formë dhe besoj brenda marsit do të mbarojë. Do të jetë një park për të gjithë Durrësin, që unë jam i bindur se me një menaxhim të mirë, ai do të jetë një destinacion turistik, të cilin familjet do të duan ta vizitojnë. Nuk bëhet fjalë për të dalë jashtë Durrësit, bëhet fjalë për të banuar në një lagje të re moderne të Durrësit, që është afër fare.

Mua më vjen shumë mirë që tani ka filluar dhe DS4, sepse ishte një stres shumë i madh që ata, të cilët kanë humbur shtëpinë, pasi pallatet janë dëmtuar në pikën që mund të rindërtohen, duan ndërhyrje shumë të thella, ku kishte nevojë për projekte specifike, një për një. Nuk ishte si projektet për dëmtime DS1, Ds2, Ds3 për riparime të brendshme, qoftë edhe mesatare. Këtu kemi të bëjmë me dëme të rënda, që në radhë të parë është bërë analiza e pallateve nga dy here, për të parë a janë të rindërtueshme. Tani katër të parat janë ndërtuar. Fillojnë hap pas hapi të tjerat.

-Një banor i Sukthit pyeti a përfitojmë nga procesi i rindërtimit, ata që nuk kanë dokumente pronësie, për të cilën Kryeministri u shpreh:

Unë mund t’ju them me plot gojën se, nëse ju keni patur një shtëpi ku banonit dhe ju është shembur, patjetër që përfitoni nga procesi i rindërtimit. Përgjigjen do ta keni positive, sepse ne nuk mund dot të lëmë pa shtëpi ata, të cilët kanë patur një shtëpi, pavarësisht se nuk kanë dokumenta pronësie, pavarësisht se kanë ndërtuar në një tokë që nuk është e tyrja, sepse gjithë procesi i legalizimit është ngritur mbi këtë parim. Ne nuk mund të lemë dot pa shtëpi ata, të cilëve ju prishet shtëpia dhe ti themi shtëpia t’u prish, ti e pastrove zonën dhe nuk mund të ndërtosh më këtu.

Padiskutim që të gjitha shtëpitë e humbura do të kthehen më të mira, më të forta dhe në 95 % të rasteve, më të mëdha se ato që ishin.

Ashtu sikundër, me programin e rindërtimit kemi bërë dhe një program strehimi përtej rindërtimit, që do të thotë që në rast se në një shtëpi që është prishur, kanë qenë 2, 3 e në disa raste, edhe 4 kurora, ne nuk ndërtojmë vetëm një shtëpi, ne ndërtojmë 2, 3 ose 4 shtëpi. Ҫdo kurorë merr shtëpinë e vet dhe ky është fakt. Nuk i kthejmë më në të njëjtën shtëpi, duke përfituar një sipërfaqe më të madhe sesa ajo që kishin kur ishin bashkërisht.

Të gjitha familjet e Durrësit që nuk janë sot në apartamentin e tyre dhe presin t’u ndërtohet i riu, se pjesa dërrmuese, tanimë po kthehen se riparimet janë bërë dhe deri në fund të prillit, fillim të majit, DS1, DS2, DS3 do jenë gjithë të përfunduar. Ne kemi patur në momentin e parë në çadra 11200 familje. Sot në çadër kemi 683 familje, të cilat marrin çdo muaj bonuse qeraje, por kanë zgjedhur të qëndrojnë në çadër pasi jetojnë në zona rurale dhe kanë distance të largëta e nuk ju del llogariua të shkojnë në qytet. Kjo është çështja e tyre, por e marrin bonusin rregullisht.

Sot, në perimetrin e tërmetit kemi ndërtuar më shumë shkolla të reja , sesa kanë ndërtuar të gjitha qeveritë e mara sëbashku në të gjithë Shqipërinë. E nuk kemi ndërtuar shkolla të reja si ato shkolla, të cilat kanë patur nevojë për rindërhyrje në vite e vite, pa llogaritur që nga pikëpamja arkitektonike dhe nga pikëpamja e hapësirave dhe kushteve janë minimum, por kemi rindërtuar shkolla të tilla si ato në Durrës, – ku janë 10 shkolla të reja, 6 po ndërtohen, – që unë i sfidoj të gjithë t’i marrin dhe t’i krahasojnë me shkollat e çdo vendi të BE-së, ku të duan dhe të thonë se çfarë ndryshimi kanë.

Bota na ndihmoi jashtëzakonisht shumë. Bashkimi Europian bëri për ne një gjest që është i rrallë edhe për vetë BE-në për këto raste. Ne kemi patur Konferencën më të suksesshme të Donatorëve të shumë e shumë viteve të fundit, krahasuar me raste të ngjashme e natyrisht që në këtë pike, unë besoj që një meritë ne e kemi, por të gjitha çfarë keni parë deri tani, shtëpi, shkolla, kopshte, çerdhe nuk janë ndërtuar me lëket e botës, janë ndërtuar me lekët e buxhetit të shtetit shqiptar. Programet e Konferencës së Donatorëve janë programe të tjera. BE-ja që dha kontributin më të madh prej 100 milionë do të ndërtojë pjesën tjetër të shkollave. Në Durrës kanë filluar shkollat me financim të BE-së. Donatorë individualë kanë dhënë fonde për shkolla dhe të gjitha këto, ata i bëjnë vetë. Bota lekët e veta i menaxhon vetë. Nuk kanë ardhur lekët në buxhetin e shtetit shqiptar. Një fond tjetër i rëndësishëm është fondi i Francës, që do të vijë në Durrës për projektin e kanalizimeve dhe ujësjellësit dhe për të arritur furnizimin 24 orë me ujë. Për të mbyllur një pjesë të plagëve të kanalizimeve është fondi francez 60 milionë euro. Fondi italian është një donacion tjetër që ka disa komponenetë, një prej të cilëve është peshkimi. Po ta zbërthejmë këtë miliardin, do të shikoni që janë fonde të ndara në drejtime të ndryshme dhe janë fonde që nuk i menaxhojmë ne, i menaxhojnë vetë ata.

-Një banor i fshatit Katund i Ri ngriti shqetësimin për përmbytjet nga lumi Erzen, një situatë që përsëritet shpesh. Interesimit të tij nëse ka ndonjë plan investimesh që ta zgjidhë këtë situatë njëherë e përgjithmonë, Kryeministri iu përgjigj:

Jam shumë i keqardhur për çfarë ndoshi së fundi, që sipas analizës së bërë ishte rezultat i një shkarkimi rezervuarësh në pjesën e sipërme të Tiranës, një shkarkim mekanik, jo i dorës së njeriut. Unë kam ngarkuar menjeherë kryetarin e  bashkisë që megjithë stafin të vijë shtëpi më shtëpi dhe të shikojë vetë situatën dhe një ekip të bëjë një inventar të dëmeve që janë shkaktuar në shtëpinë tuaj. Besoj këtë gjë e keni parë që kanë ardhur, ju kanë kontaktuar dhe kanë parë situatën. Angazhimi im është menjëherë, sapo ne të marrim gjithë pasqyrën e dëmeve, do të bëjmë gjithçka mundemi në këto kushte, që t’ju kompensojmë dëmet. Por kjo nuk zgjidh problemin. Problemi zgjidhet me ndërhyrjen që bëmë në atë zone, siç e bëmë me zonën e Fushë-Krujës. Nëse ne nuk do të kishim zgjidhur problemin historik në Fushë-Krujë, ajo do të kishte qenë një katastrofë me këto reshje që ndodhën.

Janë shumë e shumë gjëra të tjera që duhen bërë akoma, sepse Shqipëria që kemi gjetur në vitin 2013, më vjen shumë mirë që shumëkush e ka harruar, sepse  ka harruar që në atë Shqipëri të 2013-it, një shi vere përmbyste gjithë dynjanë. E ka harruar që në atë Shqipëri nuk kishte më kanale kulluese të pabllokuara dhe punohej vetëm gjysma e tokës që punohet sot. 125 mijë ha punoheshin në Shqipërinë e 2013-ës, ndërsa sot është dyfishuar sipërfaqja e tokës që punohet në këtë vend ku medemek kanë ikur të gjithë dhe nuk punon njeri. Kjo ka sjellë që është rritur eksporti, është ulur importi. Ne nuk kemi sot, nga gjithë ato eksporte, një kilogram të çfarëdolloj produkti që të jetë kthyer mbrapsht nga analizat e BE-së. Kështu që kjo është e lidhur me token, me vaditjen, por është e lidhur dhe me kullimin. Situata e lumenjve nuk është fatlume sot, ka shumë për të bërë atje. Por a mund të bëheshin këto në 7 vjet? E pamundur. Patjetër dhe atë që thoni ju do ta bëjmë. Është pak, por e sigurtë.

-Një ish mësues në pension pyeti lidhur me vaksinimin se kur do të nisë për moshën e tij, si dhe nëse ka ndonjë plan afatgjatë për pensionet. Për këto, Kryeministri u shpreh:

Në datën 15 na vjen një parti e parë e pastaj çdo javë do kemi të tjera. Ndërkohë brenda disa javësh, ne do kemi me siguri konfirmim për lajme të reja. Sot kemi faktikisht 1 milionë e 600 mijë vaksina të kontraktuara me Pfizer-in dhe me COVAX-in, por sfida është që të hyjmë në ritmin e vaksinimit sipas planit e të mos ndalemi. Ideja është që menjëherë me ardhjen e dozave të shkurtit, ne do të fillojmë paralelisht edhe me më të moshuarit. E rëndësishme është që të respektojmë masat, sepse hyrja e mundshme, akoma nuk është e konfirmuar 100%, por ekspertët tanë janë shumë dyshues që kështu është, e varianteve të reja, sidomos e variantit jugafrikan, por edhe e variantit britanik të COVID-it sjell me vete dy gjëra. Këto dy variante të reja kanë dy gjëra të reja që duhet t’i fusim mirë në kokë. Rrisin shumë më tepër transmetueshmërinë, pra, virusi është shumë më i transmetueshëm dhe varianti jugafrikan rrit deri në 30% agresivitetin, pra, është më vdekjeprurës. Ne duhet të zbatojmë masat. Nesër, Komiteti Teknik do të mblidhet e do të shikojmë nëse do të propozojë masa të reja. Qëllimi është të rrimë në ekuilibër, sepse duhet të mbajmë ekuilibër midis jetës së përditshme, midis nevojave të tjera e mbi të gjitha, midis shëndetit psikologjik të të gjithë popullit, të të gjithë njerëzve dhe domosdoshmërisë për të mbrojtur shëndetin fizik nga COVID-i. Nuk mundemi dot të mbyllemi nëpër shtëpi e të themi nuk po dalim më deri sa të mbarojë kjo punë apo vaksinimi. Duhet të jemi ne vetë të parët që të japim kontribut e të mos marrim në qafë njerëz e veten me sjellje e veprime që janë skandaloze, në kushtet kur gjëja është shumë e qartë.

Pyetja për pensionet është pyetja më e vështirë në botë për çdo kryeministër shqiptar. Është pyetja më e vështirë sepse është dhe sfida më e vështirë, por sepse është dhe një pyetje që vjen nga pjesa më e goditur e gjithë këtij tranzicioni. Gjithë të tjerët, pavarësisht sesa ankohen, çdo gjë mund të thonë e mund të kenë arsyet e tyre, në një mënyrë apo një tjetër janë shumë më mirë sesa ishin para 30 vitesh apo para 20 vitesh, nga pikëpamja e pikës nga u nisëm dhe pensionistët janë pjesa më e goditur. Mbajtja e pensionistëve vjen nga sigurimet shoqërore, nga kontributet e në vendet që dolën nga komunizmi, barra e mbajtjes së pensionistëve është një super barrë pikërisht sepse nuk janë sisteme që janë gjetur aty ku ai që del në pension ka lindur, por janë sisteme që një pjesë i kanë gjetur pensionistë, një pjesë tjetër i kanë gjetur në prag të pensionit e një pjesë tjetër i kanë gjetur jo shumë larg pensionit dhe gjithë kjo do të thotë që pensionet janë mbuluar nga buxheti. Në kushtet kur me pensionistët u bë politikë, u premtuan rritje e rritje e që nuk u mbajtën sepse nuk mbahen dot faktikisht, ashut siç u bënë dhe nuk u bë reforma e pensioneve, kjo problematikë erdhi duke u rënduar dhe deficiti i pensioneve erdhi duke u rritur. Kur flasim për të paguar pensione, duhet të jemi shumë të vërtetë me njerëzit. E vërteta është kjo, që nuk mundet dot të paguajmë pensionet jashtë balancës me skemën e sigurimeve, sepse bie shteti komplet dhe brenda një periudhe X nuk ka më mundësi të paguajë asnjë pension. Nuk paguhen pensionet duke marrë borxhe, siç për shembull nuk ka familje që të marrë borxhe përtej mundësive të veta se në fund humb shtëpinë e del në rrugë.

Ajo që ne kemi bërë, është që bëmë reformën e pensioneve e cila ka sjellë që një mësues që del në pension pas reformës sonë e ka pensionin më të lartë se ju. Ai ka bërë të njëjtën punë si ju. 47 vjet mësues, pensionin e ke më të ulët sesa mësuesi që del në pension pas reformës sonë. Sepse reforma jonë duhet të ishte bërë 20 e kusur vite përpara, që edhe ti ta kishe pension më të lartë.

Ndërsa për Durrësin është e njëjta bisedë. Se dëgjoj shumë, betonizimi. Por kthejeni pak kokën mbrapa para jo shumë vitesh, kur Durrësi përmbytej cep e më cep. Tani thonë përmbytet shëtitorja Taulantia. Shëtitorja Taulantia është buzë detit. Kur ka një furtunë të madhe, deti ngrihet. Ngritja e detit bën që kanalizimet e ujërave të mos derdhin dot të gjithë atë që zakonisht derdhin në det. Kam qëlluar njëherë, përshembull te lungomare e Barit, në një furtunë dhe aty uji kishte vajtur deri tek pallatet lart. Përtej kësaj, Durrësi nuk kishte ujë.

Sot, si është situata? Është më mirë se në kohën e Enver Hoxhës, se nuk po krahasohem me kohën e Saliut. Për të mbyllur ciklin e për të bërë gjithë perimetrin e Bashkisë së Durrësit me 24 orë ujë, ka akoma punë, siç ka në Tiranë. Për Durrësin, unë shoh një perspektivë shumë të rëndësishme. Tirana e Durrësi mund të jenë dy bashki, por Tirana e Durrësi shumë shpejt, e kur them shumë shpejt, brenda një dekade do jenë një. Ky është destinacioni dhe ne duhet të punojmë me këtë destinacion. Që çdo gjë që bëjmë, ta shohim të lidhur në një zonë. Perspektiva e Durrësit është fantastike. Unë besoj që ne jemi qartësisht në rrugën e duhur për këtë dhe besoj që do bëjmë gjënë e duhur.

– Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët e Durrësit, u fol edhe për temën e koncesioneve, për të cilën Kryeministri Rama u shpreh:

Në Durrës ka një koncesion që nuk është vetëm në Durrës, është dhe në pika të tjera hyrëse e dalëse, por këtu është porti dhe ka një koncesion që quhet koncesioni i skanimit. Një koncesion i dhënë vite më parë. Që nënkupton që çdo makinë, çdo kamion me mall të kalojë atje. Kjo sepse autoritetet e sigurisë duan të kontrollojnë përmbajtjen e mallit. Pra, ky nuk është një shërbim për eksportuesit, as për importuesit. Ky është një mekanizëm që shteti e përdor se do të kontrollojë. Por çfarë ndodh? Shteti i bën eksportuesit dhe importuesit të paguajnë. Pse do paguaj policinë që të më kontrollojë mua, për çfarë?

Ky koncesion është në këndvështrimin tim criminal, sepse nuk jep një shërbim, por bën një detyrë të shtetit dhe i fut dorën në xhep çdo eksportuesi dhe çdo importuesi. Ky është një koncesion që e bën koncesionin një gjë të shpifur.

Ka një koncesion tjetër, që unë shteti dua të jap ty një shërbim më të mirë. Le të themi, dua që, kur ti shkon në spital, të kesh analiza laboratorike më cilësore dhe unë të them, analizat e tua, tani që unë ia kam dhënë me koncesion laboratorin për të bërë investime për aparatura më të mira e të tjera, bëjnë që ti të paguash një taksë. Ky është një koncesion përsëri i keq, sepse shërbimin unë e kam përsëri detyrim të ta jap ty. Se si e zgjidh unë çështjen e shërbimit, a me privat, a me shtet kjo është detyra që më ke dhënë ti mua, por vija e kuqe mes teje dhe meje është që unë shërbimin ta bëj më të mire, pa të detyruar ty të paguash më shumë. Përndryshe, çfarë kuptimi ka që ti po merr shërbim publik. Këto dy lloj koncesionesh qeveria ime nuk i ka bërë.

Sot po të shkosh e të bësh analiza, ti ke analiza më të mira, sepse laboratorët janë dhënë tek një privat për të investuar në aparatura, për të investuar në gjithë procesin, për të çuar në një standard tjetër analizat dhe për të rritur numrin e analizave, por ti nuk paguan asnjë lekë. Siç nuk paguaje më parë, nuk paguan dhe sot, sepse është shërbimi që bëj unë për ty.

Ne kishim 55 mijë infeksione postoperatore në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Këto nuk i thotë njeri dhe një nga arsyet kryesore të infeksioneve postoperatore ishin instrumentet mjekësore. Në sistemin tonë spitalor nuk kishim një sistem sterilizimi të pajisjeve mjekësore, moderne, me standarde. Sot, instrumentet mjekësorë dhe gjithë kitet që kanë të bëjnë me një operacion janë të standardeve më të larta europiane. I janë dhënë një sipërmarrjeje, sipërmarrja i sjell, bën sterilizimin dhe ia çon mjekëve tek salla e operacionit. Ia vë atje të sterilizuara, të paketuara sipas protokollit të operacionit. Ti nuk do paguash asnjë lek më shumë, ndërkohë që shërbimi është më cilësor. Për gjithë këto paguan shteti, jo ti. Paguan duke garantuar që shërbimet për ty të jenë më të mira dhe për të larë investimin e privatit.

– Duke folur edhe mbi ndërtimin e spitalit të ri të Fierit nga shteti turk, Kryeministri tha: 

Arsyeja pse unë jam shumë i kënaqur që më në fund ne sollëm spitalin turk në Fier nuk është ndërtesa. Ajo është shumë e rëndësishme, patjetër. Arsyeja pse jam shumë i kënaqur është që aty do të pilotohet autonomia. Aty administrimin do ta bëjnë ata, kompania që e ndërton, për një periudhë kohe dhe në staf do të vendosen shqiptarët që do ta mësojnë se çfarë ndodh dhe shefat e pavioneve do jenë profesorë turq. Mjekët e rinj, infermierët do jenë shqiptarë që do të mësojnë gjithçka si veprohet. Ndërkohë qeveria do ndjeki gjithë procesin e do përputhi procesin konkret me reformën. Do kalojmë një ligj që do përmbysi komplet sistemin që historia e “Tireve” ti përkasi të shkuarës.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.