Në Durrës, puna për rindërtimin e objekteve të banimit të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit vijon. Tashmë, pas dorëzimit të një pjese të mirë të shtëpive individuale, puna vijon me pallatet, për t’ia kthyer ato banorëve, për të filluar jetën e re sa më parë. Në kantieret e pallateve me nivel të dëmeve DS4 ishte sot Kryeministri Rama, bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako.
“Janë katër objekte që kanë filluar, dy në Durrës dhe dy në zonën e plazhit. Janë 37 familje që përfitojnë në këtë objekt dhe komplet baza e dyqaneve. Po punojmë me studion që po bën projektet. Kemi rreth 5 projekte të përfunduar të tjera që kanë shkuar në institucion për oponencën”, – u shpreh Sako.
Kryeministri u ndal të shihte punën e bërë deri në këtë fazë për këto godina, të cilat në përfundim do t’i japin një vlerë të shtuar zonës e do të rrisin edhe vlerën e pronës.
“Me të drejtë, të gjithë ata, të cilët e kanë DS4 kishin shqetësim që filloi u kthye në padurim, tani edhe me DS4-ën ka filluar puna. Natyrshëm, DS4 kërkojnë më shumë kohë, sepse bëhet fjalë për një projekt shumë të detajuar pasi dëmet janë të rënda dhe çka mbetet është vetëm struktura dhe asgjë tjetër, madje në ndonjë rast edhe struktura kërkon përforcime të plota. Puna ka filluar e ndërkohë, ata që e kanë këtë problem janë nëpër shtëpi me qera, tani duhet të jenë shumë të qetë, edhe sepse konkretisht puna ka filluar. Puna do vazhdojë hap pas hapi deri sa të mbyllen të gjitha. Projektet e zbatimit tani kanë filluar në zinxhir, në mënyrë që menjëherë me mbarimin e projektit, kompanitë të angazhohen dhe realizojnë punën që duhet bërë. Kështu zgjidhet edhe një merak që njerëzit kanë se janë mësuar aty ku kanë jetuar, të jenë po aty, pa ndryshuar destinacion. Një gjë është e sigurt, gjithë kësaj zone do t’i rritet vlera në mënyrë eksponenciale me investimin që fillon në fazën e parë pikërisht aty ku mbaron vargu i këtyre godinave, tek ura e Dajlanit, tek trekëndëshi i vdekur që është midis kësaj pjese dhe pjesës funksionale të portit. Gjithë ajo zonë do jetë një fuqi e madhe tërheqjeje për turizmin dhe një motor ekonomik që do t’i rrisë vlerat menjëherë sapo të fillojë investimi i gjithë këtyre apartamenteve apo hoteleve që janë në zonë”, – u shpreh Kryeministri Rama.
***
Vizitën e tij në Durrës, Kryeministri Rama e vijoi në Sukth, në fshatin Kullë ku 43 shtëpi individuale janë drejt përfundimit. Një pjesë e mirë e familjeve që shtëpitë e vjetra ua rrënoi tërmeti jetonin dy kurora në një shtëpi. Tani do të marrin nga një shtëpi secila.
“Në Bashkinë e Durrësit kemi 1000 njësi individuale, 700 janë në lotin e parë, 300, për shkak të rivlerësimeve, do jenë në lotin e dytë dhe një pjesë e mirë e tyre do paguhen grand, për shkak të arsyeve gjeologjike dhe gjeografike”, – u shpreh ministri i Shtetit për Rindërtimin Ahmetaj, teksa bashkë me Kryeministrin panë nga afër ecurinë e punimeve për shtëpitë në këtë zonë.
Në këtë zonë po punohet edhe për ujësjellësin e ri në mënyrë që banorët shumë shpejt të kenë furnizim me ujë 24 orë.