Shkodra është qyteti i radhës që nis vaksinimin anti COVID-19. Bluzat e bardha dhe më të moshuarit e qytetit që jetojnë në qendrat e të moshuarve janë të parët që do të vaksinohen. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ishin në qendrën e vaksinimit në ambientet e Pallatit të Sportit të Shkodrës, për të ndjekur nga afër procesin e vaksinimit të mjekëve.
“Sot fillojmë vaksinimin në Shkodër me 150 vaksinat e para. Qendra është gati. Procedura fillon në bazë të listave emërore. Në Tiranë vijojmë dhe do të rrisim ritmin. Do të hapim të enjten, edhe qendrën e vaksinimit në Vlorë. Kështu që e shtrijmë vaksinimin në gjithë territorin. Vaksinimi do krijojë lehtësi në gjithë sistemin dhe mjekët dhe infermierët do punojnë më të qetë”, – u shpreh ministrja Manastirliu.
Pas Shkodrës, Vlora është qyteti i radhës që do të nisë vaksinimin gjatë kësaj jave, ndërkohë që me ardhjen e partive të tjera të dozave vaksinimi pritet të shtrihet dhe në qendrat shëndetësore në vend.
***
Pas mjekëve, edhe të moshuarit në qendrat e të moshuarve do të vaksinohen ndaj virusit COVID-19, procesi për të cilët do të zhvillohet brenda qendrave ku ata jetojnë. “Do të bëjmë vaksinat për gjithë të moshuarit që jetojnë në shtëpitë e të moshuarve, publike apo private”, – informoi ministrja Manastirliu.
Gjatë periudhës së pandemisë, stafet e shtëpive të të moshuarve janë karantinuar duke u ndërruar çdo 1 muaj, sipas protokolleve të Ministrisë së Shëndetësisë, në qendrat ku shërbejnë, për të shmangur çdo rrezik për më të moshuarit. “Përpos bonuseve që kemi dhënë për mjekët dhe infermierët në periudhën e parë, për gjithë sakrificën që kanë bërë kujdestarët kemi vendosur dhe një bonus për ta mbi pagën për periudhën e pandemisë”, – tha ministrja Manastirliu.
Si rezultat i kujdesit e angazhimit të stafeve dhe respektimi të protokollit nuk janë shënuar raste në shtëpitë e të moshuare. Po ashtu ka ndryshuar infrastruktura e shtëpive të moshuarve, për të dhënë një shërbim të denjë në plotësim të çdo nevoje të tyre. “Kushtet në shtëpitë e të moshuarve kanë ndryshuar rrënjësisht. Ajo që është më e rëndësishmja për ne është që ju të jeni mirë. Është fat dhe arritje e madhe që nuk kemi patur goditje në shtëpitë e të moshuarve, se në Europë u bë nami”, – u shpreh Kryeministri, duke shprehur njëherësh falënderimin për “sakrificën e madhe të stafeve që e kanë shmangur këtë gjë”.